10.5 C
Tirana
HomeEditorial“Për Fe e Atdhe”! Po tani?
HomeEditorial“Për Fe e Atdhe”! Po tani?

“Për Fe e Atdhe”! Po tani?

Dom Mark Pashkja
Zëdhënësi i KISH

Mjafton një lexim i shpejtë e real i historisë së kombit shqiptar për të kuptuar e për të dalluar se në proceset më të rëndësishme historike të tij, Kisha Katolike ka luajtur një rol themelor, duke e orientuar vendin drejt zgjedhjeve, që më vonë kanë rezultuar jetike për ekzistencën e shtetit. Që nga “Formula e pagëzimit”, si e para fjali shqipe me të cilën u “pagëzua” ekzistenca letrare, e deri te Kongresi i Manastirit, pa harruar angazhimin në pavarësinë e vendit, dallohet lehtësisht dora e fortë me të cilën kleri katolik ka orientuar fatet e vendit drejt habitatit natyral të tij. Këtë përpjekje të Kishës, shpeshherë duke dalë edhe nga petku i saj, e tregon më shumë se askush binomi “Fe e Atdhe” që ka karakterizuar mbarë veprimtarinë e saj në gjysmën e parë të shek. XX. Pa diskutim që kjo i jep nder Asaj, por edhe vendit tonë, i cili nga Kisha përfitoi një kontribut të madh në nivel historik, letrar, pse jo edhe filozofik.

Përqendrimi dhe ndalja te ky binom është sa i rëndësishëm, po aq edhe i rrezikshëm. Është i rëndësishëm në të pasurit e një kujtese të shëndoshë e të pastër historike kolektive, për të cilën vendi ynë ka nevojë të domosdoshme. Përsëritja vetëm e disa të vërtetave historike rrezikon ta reduktojë Kishën në një muze. Është gjithmonë bukur të vizitohet, të dëgjohet, por në fakt nuk na thotë asgjë për jetën e përditshme.

Po aq është edhe e rrezikshme, në mos më tepër, kur të qëndruarit nën këtë binom apo thjesht nën petkun e Kishës na “fryn” me një autoritarizëm, i cili, siç thoshte Kierkegardi, na redukton në klounë cirku në rastin më të keq, a thjesht në punëtorë kulti në rastin më të mirë. Analizimi i kontekstit në të cilin jetojmë dhe aftësia për të kuptuar ekzigjencat e shoqërisë janë çelësi, nëpërmjet të cilit kuptohet roli dhe ajo në çka Kisha duhet të insistojë. Duke mbajtur gjithmonë ndezur vetëdija se më shumë se “me ba”, jemi të thirrur “me kenë”. Përndryshe reduktohemi në një organizatë, duke e ditur se kjo nuk është dhe nuk mund të quhet Kishë.

Marrëdhënia personale e vazhdueshme më të vërtetën, që është Krishti, është e vetmja rrugë për të kuptuar e për të ndjekur strategjinë e duhur. Nuk bëhet fjalë për një të vërtetë teorike, konceptuale apo logjike. Bëhet fjalë për një të vërtetë personale.

Domosdoshmëria e pajtimit të dimensionit personal me atë komunitar qëndron në ADN-në e Kishës. Në këtë kuptim, veprimtaria jonë sot duhet të përqendrohet, mbi të gjitha, në dimensionin personal. Vetëdija e pamundësisë për të bërë revolucione apo ndryshime madhore sociale, duhet të na çojë drejt revolucionit personal të kthimit dhe të përqafimit të së vërtetës personale të Krishtit. Në këtë mënyrë, Kisha nuk duhet të jetë strehimi i atyre që nuk kanë zgjidhje të tjera në jetë, apo barka që fut secilin brenda. Ajo duhet të jetë dera e hapur për të gjithë, por me vetëdijen që ata do duhet të përqafojnë të vërtetën plotësisht dhe që do jenë të aftë të jetojnë vetëm për të, edhe duke pasur mundësi të tjera, ndoshta edhe më të rehatshme, duke shkuar kështu drejt identifikimit mes personit dhe të së vërtetës.

Në këtë kontekst është shumë e qartë se sot shoqëria nuk ka nevojë që Kisha t’i japë asaj diplomatë, politikanë, shkrimtarë, apo edhe udhëheqës, siç edhe mund të ketë ndodhur në të shkuarën. Kisha duhet t’i dhurojë shoqërisë njerëz të vërtetë, që identifikohen me të vërtetën dhe që nuk e tradhtojnë atë, duke e veshur pastaj me  petkun e besimtarit apo të praktikantit. Pas formimit të njeriut të së vërtetës, atëherë do të mund të mbërrijë edhe diplomati i urtë, politikani i duhur, juristi i drejtë, mjeku human e, mbi të gjitha, i krishteri i autentik… për të cilin ka gjithmonë nevojë shoqëria e Shqipëria.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme