11.5 C
Tirana
HomeKryesorPaqja dhe Sinodi, CCEE: Kishat e Evropës janë shenjë shprese
HomeKryesorPaqja dhe Sinodi, CCEE: Kishat e Evropës janë shenjë shprese

Paqja dhe Sinodi, CCEE: Kishat e Evropës janë shenjë shprese

Në përfundim të takimit të përfaqësuesve të shtypit dhe zëdhënësve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), në Tiranë, Imzot Nuno Bràs nënvizoi çka doli nga diskutimi mbi temat e zgjedhura këtë vit. “Në këtë çast nuk mund të japim dëshmi dashurie të krishterë  vetëm me fjalë, vetëm duke dëgjuar dhe duke mirëpritur. Është koha të duam me zemër dhe me vepra”. “Edhe lufta na bën thirrje për sinodalitet”

Kishat e Evropës janë një shenjë shprese

Lufta prek secilin prej nesh, ne nuk mund të mësohemi me të, as  të kthejmë kokën mënjanë. Na thërret të gjithëve për “sinodalitet”, domethënë, për dëgjim reciprok e solidaritet. Ky, pohimi i ipeshkvit Nuno Bràs, kreu i seksionit të Komunikimit Shoqëror të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Ccee) në përfundimet e takimit të zyrtarëve të shtypit dhe zëdhënësve të Konferencave Episkopale në Evropë. Takimi vjetor, që u mbyll sot në Tiranë, me temë: “Përkushtimi për paqen dhe rrugëtimi sinodal: cila Europë?”, alternoi çaste diskutimi mbi punën që çdo Konferencë Ipeshkvnore po kryen në funksion të Sinodit, me propozimet për fazën kontinentale të asamblesë, duke u ndaluar në veçanti tek lufta në Ukrainë dhe sfidat që paraqet për Kishat e Kontinentit e vjetër. Ndërmjet folësve ishte edhe Natasha Govecar, Drejtoreshë e Drejtorisë Baritore Teologjike të Dikasterit të Komunikimit të Vatikanit, si dhe At, Giulio Albanese, misionar Kombonian, shkrimtar dhe gazetar.

Për veprimtarinë e Kishës në Shqipërisë, foli kryesisht zëdhënësi i Konferencës së Ipeshkvnore së Shqipërisë, Dom Mark Shtjefni:

“Nga ballafaqimi ynë, unë veçoj nevojën për të dëgjuar njëri-tjetrin. Ne zbuluam këtu bukurinë e rrugës së sinodalitetit që po bëjmë, pikërisht duke dëgjuar njëri-tjetrin: tani na duket ndryshe, na duket si të ishim një, “duke prekur të gjitha nivelet”. Meshtarë që dialogojnë me njëri-tjetrin, në famulli, me bashkësitë fetare, që bëjnë pyetje, mbledhin përgjigje, raportojnë dhe më pas dëgjojnë e kështu me radhë…… duam të jemi protagonistë të kësaj udhe të re, që na u propozua nga Papa, për ta bërë  metodë pune edhe në të ardhmen. Lufta na zgjoi edhe më shumë e na e theksoi nevojën jo vetëm për të folur, por edhe e kryesisht, për të dëgjuar të tjerët”.

Përvoja e Republikës Çeke

Gjatë tre ditëve, ndër të tjera, u ndoq edhe përvoja aktuale në Sinodin e Republikës Çeke, që përgatit Asamblenë e Përgjithshme XVI, për të cilën flet me ne Monika Klimentowa:

 “Yni është vend laik – kujtoi – tri të katërtat e popullsisë nuk i përkasin asnjë kishe….. por edhe me këto kushte, përgjigjja ndaj sinodit ishte një e papritur pozitive. Në fillim pati qëndrim skeptik, por përfshirja ishte e lartë. Edhe nëse argumentet nuk ishin të lehta, kemi besim se u kuptuan. Për ne ka rëndësi çka  thonë pjesëmarrësit. Nuk ka rëndësi rezultati, por ajo që përjetojmë nga poshtë, në famulli dhe në grupe. Rruga sinodale – shpjegon ajo – vazhdon edhe në Republikën Çeke me një ekip kombëtar, me grupe dioqezane, takime, marrëdhënie etj… Çka ka më shumë rëndësi, është dëshira e angazhimit për një kishë mikpritëse, ekumenike dhe të gatshme për misionin…”.

Pasi dëgjoi zëra të ndryshme gjatë tre ditëve të punës, ipeshkvi i Funchal, Shef i Seksionit të Komunikimit Social të CCEE, Imzot Nuno Bràs, nënvizoi, në mikrofonet tona, pikat vendimtare të debatit dhe fytyrën e Kishës së Evropës, siç e shikojmë sot. Ta dëgjojmë:

 Si mund të përballohen sot sfidat e Kishës në Evropë, sipas këndvështrimit tuaj?

“Në qendër të vëmendjes sonë ishte lufta në Ukrainë si diçka – u tha – që prek të gjithë Evropën. Nuk është vetëm çështja e refugjatëve për t’u mirëpritur, por kryesisht mënyra për të rikrijuar vetë jetën evropiane. E pastaj, u ndjenë fort në debatin tonë, problemet e shumta, që po krijon lufta në botë, veçanërisht në nivelin ekonomik, sidomos për vendet më të varfra, me koston e jetesës, me çmimet në rritje, me dëmtimin e atyre, që kanë mbetur pas. Atëherë, në këto ditë, e ndjemë fuqimisht nevojën për praninë e Zotit mes nesh: ne nuk mund të rrimë duke u ankuar: duhet sidomos, të dëshmojmë! Nga lufta, në shpirtin e të gjithëve lind pyetja: “Ku është Zoti?”. Ne, si të krishterë, nuk mund të mos jemi prania e Tij, dëshmia e Tij, nuk mund të mos jemi shpresa e Tij dhe të mos dëshmojmë solidaritetin tonë me popullin e torturuar të Ukrainës”.

Si mund ta pajtojë Kisha këtë emergjencë të luftës me rrugën sinodale që po bën?

“Unë besoj se lufta është thirrje për sinodalitet, pra për ndarje dhe dëgjim të tjetrit. Kjo u theksua në këto ditë: sinodaliteti është mbi të gjitha dëgjim i tjetrit, dhe jo vetëm me vesh, por me zemër, dëgjim i hapur, me shqetësim për tjetrin dhe për atë që përjeton, për dramën, pritjet dhe shpresat. Vërtet mund të themi se lufta na nxit për sinodalitet,  sinodalitet konkret, jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me qëndrimin ndaj atyre që na rrethojnë”.

Nga pikëpamja e komunikimit në këtë çast, çfarë doli në takimin tuaj? Kufij, mundësi?

“Nuk u morëm shumë në nivel teknik e strategjik me temën: e pamë në  një nivel më “themelor”. Komunikimi nuk është vetëm transferim i ideve, por mbi të gjitha krijim i “së përbashktës”, realitetit të përbashkët dhe, rrjedhimisht, edhe një herë, të sinodalitetit. Para së gjithash, është e nevojshme ta jetojmë sinodalitetin si  jetë bashkimi, që e mësojmë nga Zoti Trini. Pra, komunikim parë si diçka themelore për jetën e njeriut, që nuk mund të jetojë i vetëm, si “individ”, por që duhet të pranojë përmasën e tij si  “person”, që e jeton jetën me të tjerët, e ndan përvojën me të tjerët”.

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme