14.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Vizita në Budapest dhe Sllovaki ishte 'pelegrinazh i lutjes, shpresës'
HomeKryesorPapa Françesku: Vizita në Budapest dhe Sllovaki ishte 'pelegrinazh i lutjes, shpresës'

Papa Françesku: Vizita në Budapest dhe Sllovaki ishte ‘pelegrinazh i lutjes, shpresës’

Në Audiencën e tij të Përgjithshme të përjavshme, Papa Françesku reflekton mbi Udhëtimin Apostolik të javës së kaluar në Budapest dhe Sllovaki, duke e quajtur atë një pelegrinazh në rrënjët e lutjes dhe shpresës.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza: Udhëtimi Apostolik në Budapest dhe në Sllovaki

Vëllezër e motra, mirëdita!

Sot do të doja t’ju flisja për Udhëtimin Apostolik që bëra në Budapest dhe në Sllovaki, i cili përfundoi pikërisht një javë më parë, të mërkurën e kaluar. Do ta përmblidhja kështu: ishte një shtegtim lutjeje, një shtegtim te rrënjët, një shtegtim shprese. Lutja, rrënjët dhe shpresa.

1. Ndalesa e parë ishte në Budapest, për Meshën e shenjtë përmbyllëse të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, i shtyrë saktësisht për një vit për shkak të pandemisë. Pjesëmarrja në këtë kremtim ishte e madhe. Populli i shenjtë i Hyjit, në ditën e Zotit, u mblodh para misterit të Eukaristisë, nga i cili lind dhe rilind vazhdimisht. Ishte i përqafuar nga Kryqi që qëndronte mbi altar, për të dëftuar të njëjtin drejtim të treguar nga Eukaristia, domethënë, rruga e dashurisë së përulur dhe pa interes, e dashurisë bujare dhe respektuese ndaj të gjithëve, e rrugës së fesë që të pastron nga bota dhe të çon te thelbësorja. Kjo fe na pastron gjithmonë dhe na distancon nga karakteri mondan që na shkatërron të gjithëve: është një krimb që na shkatërron nga brenda.

Shtegtimi i lutjes përfundoi në Sllovaki me Festën e Marisë së Dhimbjeve. Edhe atje, në Šaštín, te Shenjtërorja e Virgjërës së Shtatë Dhimbjeve, u mblodh një popull prej bijsh në festën e Nënës, e cila është edhe festa fetare kombëtare. Shtegtimi im ishte kështu një shtegtim lutjeje në zemër të Evropës, i cili filloi me adhurim dhe përfundoi me devotshmëri popullore. Të lutemi, mbi të gjitha, sepse kjo është ajo për të cilën është i thirrur Populli i Hyjit: të adhurojmë, të lutemi, të ecim, të shtegtojmë, të bëjmë pendesë dhe në gjithë këtë të ndjejmë paqen dhe gëzimin që na jep Zoti. Jeta jonë duhet të jetë kështu: adhurim, lutje, ecje, shtegtim, pendesa. Kjo ka një rëndësi të veçantë në kontinentin evropian, ku prania e Hyjit është tretur – ne e shohim këtë çdo ditë: prania e Hyjit tretet – nga konsumizmi dhe “avujt” e një mendimi të vetëm – një gjë e çuditshme, por e vërtetë – fryt i përzierjes së ideologjive të vjetra dhe të reja. Kjo na largon nga familjariteti me Zotin, nga familjariteti me Hyjin. Edhe në një kontekst të tillë, përgjigjja shëruese vjen nga lutja, nga dëshmia dhe nga dashuria e përulur. Dashuria e përulur që shërben. Le ta rimarrim këtë ide: i krishteri është për të shërbyer.

Kjo është ajo që kam parë në takimin me popullin e shenjtë të Hyjit. Çfarë kam parë? Një popull besnik që ka vuajtur nga persekutimi ateist. E kam parë këtë edhe në fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona hebreje, me të cilët kujtuam Shoah-un. Sepse nuk ka lutje pa kujtesë. Nuk ka lutje pa kujtesë. Çfarë do të thotë kjo? Se ne, kur lutemi, duhet të kujtojmë jetën tonë, jetën e popullit tonë, jetën e kaq shumë njerëzve që na shoqërojnë në qytet, duke marrë parasysh historinë e tyre. Një nga ipeshkvijtë sllovakë, tashmë i moshuar, duke më përshëndetur, më tha: “Unë kam punuar si shofer tramvaji për t’u fshehur nga komunistët”. Ky Ipeshkëv është i zoti: në diktaturë, në persekutim ai ishte drejtues tramvaji, më pas, fshehurazi, ai ushtronte “zanatin” e tij si Ipeshkëv dhe askush nuk e dinte. Kështu ndodh në persekutim. Nuk ka lutje pa kujtesë. Lutja, kujtimi i jetës vetjake, i jetës së popullit të vet, i historisë së vet: të bëjmë përkujtim dhe t’ia risjellim ngjarjet kujtesës sonë. Kjo është e mirë dhe ndihmon për t’u lutur.

2. Aspekti i dytë: ky udhëtim ishte një shtegtim te rrënjët. Duke takuar vëllezërit Ipeshkvij, si në Budapest ashtu edhe në Bratislavë, isha në gjendje të prekja me dorë kujtimin mirënjohës të këtyre rrënjëve të fesë dhe të jetës së krishterë, të gjalla në shembullin e ndritshëm të dëshmitarëve të fesë, të tillë si Kardinali Mindszenty dhe Kardinal Korec, si Ipeshkvi i lum Pavel Peter Gojdič. Rrënjë që shkojnë thellë deri në shekullin e nëntë, deri në veprën ungjillëzuese të vëllezërve të shenjtë Cirili dhe Metodi, të cilët e shoqëruan këtë udhëtim si një prani e vazhdueshme. Unë e ndjeva forcën e këtyre rrënjëve në kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në ritin bizantin, në Prešov, në festën e Kryqit të Shenjtë. Në këngët ndjeva rrahjen e zemrës së popullit të shenjtë besnik, të farkëtuar nga kaq shumë vuajtje për shkak të fesë.

Unë kam këmbëngulur disa herë mbi faktin se këto rrënjë janë gjithmonë të gjalla, plot me limfë jetësore që është Shpirti Shenjt, dhe se si të tilla ato duhet të ruhen: jo si objekte muzeale, jo të ideologjizuara dhe të instrumentalizuara për interesa prestigji dhe pushteti, për të konsoliduar një identitet të mbyllur. Jo. Kjo do të thotë t’i tradhtosh dhe t’i bësh të pafrytshme ato! Cirili dhe Metodi nuk janë para nesh personazhe për t’u përkujtuar, por modele të cilëve u duhet përngjarë, mësues nga të cilët mund të mësojmë gjithmonë frymën dhe metodën e ungjillëzimit, si dhe angazhimin shoqëror – gjatë këtij udhëtimi në zemër të Evropës shpesh mendoja për etërit e Bashkimit Evropian, siç e ëndërronin ata, jo si agjenci për shpërndarjen e kolonizimeve ideologjike të modës, jo, por siç e ëndërronin ata -. Të kuptuara dhe të jetuara në këtë mënyrë, rrënjët janë garanci e së ardhmes: prej tyre përftohen degë të trasha shprese. Edhe ne kemi rrënjë: secili prej nesh ka rrënjët e veta. A i kujtojmë rrënjët tona? Ato të baballarëve, gjyshërve tanë? A jemi të lidhur me gjyshërit që janë si thesari? “Po, ata janë të vjetër …”. Jo, jo: ata të japin limfën, ti duhet të shkosh tek ata dhe të marrësh prej tyre për t’u rritur dhe të ecësh para. Ne nuk themi: “Shko, dhe strehohu te rrënjët”: jo, jo. “Shkoni te rrënjët, merrni aty limfën dhe vazhdo rrugën. Shko në vendin tënd”. Mos e harroni këtë. Dhe po ju përsëris atë që kam thënë shumë herë, atë varg aq të bukur: “Çdo lulëzim i pemës vjen nga ajo që është e nëndheshme”. Mund të rritesh në masën me të cilën je i bashkuar me rrënjët: forca të vjen prej aty. Nëse ti i pret rrënjët, duke preferuar çdo gjë të re, ideologji të reja, kjo nuk të çon askund, nuk të ndihmon të rritesh: do të përfundosh keq.

3. Aspekti i tretë i këtij Udhëtimi ishte një shtegtim shprese. Lutja, rrënjët dhe shpresa, tre tiparet. Pashë shumë shpresë në sytë e të rinjve, në takimin e paharrueshëm në stadiumin Košice. Kjo gjithashtu më dha shpresë, kur sheh shumë e shumë çifte të reja dhe shumë fëmijë. E unë mendova për dimrin demografik që po përjetojmë, ndërsa ato vende po lulëzojnë me çifte të reja dhe fëmijë: një shenjë shprese. Sidomos në kohë pandemie, ky moment feste ishte një shenjë e fortë dhe inkurajuese, falë edhe pranisë së shumë çifteve të reja, me fëmijët e tyre. Sa e fortë dhe profetike është dëshmia e të Lumes Anna Kolesárová, një vajzë sllovake e cila, duke e paguar me jetën e vet, mbrojti dinjitetin e saj kundër dhunës: një dëshmi që, për fat të keq, është më aktuale se kurrë, sepse dhuna kundër grave është një plagë e hapur kudo.

Kam parë shpresë në kaq shumë njerëz të cilët, në heshtje, merren me të afërmin dhe kujdesen për të. Mendja më shkon te Motrat Misionare të Bamirësisë të Qendrës Betlehem në Bratislavë, motra të zonja, të cilat marrin të hedhurit e shoqërisë: ata luten dhe shërbejnë, luten dhe ndihmojnë. Luten shumë dhe ndihmojnë shumë, pa pretendime. Janë heroinat e këtij qytetërimi. Unë do të doja që të gjithë ne të falënderonim Nënë Terezën dhe këto motra të zonja: të gjithë së bashku një duartrokitje për këto motra të mira! Këto motra mirëpresin njerëz të pastrehë. Mendoj për komunitetin Rom dhe ata që angazhohen me ta për një ecje vëllazërimi dhe gjithëpërfshirjeje. Ishte prekëse të ndaje me ta festën e komunitetit Rom: një festë e thjeshtë, por me Ungjill. Romët janë vëllezërit tanë: duhet t’i pranojmë ata, duhet t’u qëndrojmë afër siç bëjnë Etërit salezianë në Bratislavë, shumë pranë romëve.

Të dashur vëllezër dhe motra, kjo shpresë, kjo shpresë e Ungjillit që pata mundësinë të shoh në këtë udhëtim, realizohet, bëhet konkrete vetëm nëse lidhet me një fjalë tjetër: së bashku. Shpresa nuk zhgënjen kurrë, shpresa nuk shkon kurrë vetëm, por së bashku. Në Budapest dhe Sllovaki u gjendëm së bashku me ritet e ndryshme të Kishës katolike, së bashku me vëllezërit e Rrëfimeve të tjera të krishtera, së bashku me vëllezërit hebrenj, së bashku me besimtarët e feve të tjera, së bashku me më të dobëtit. Kjo është rruga, sepse e ardhmja do të jetë me shpresë nëse do të ndërtohet së bashku, jo vetëm: kjo është e rëndësishme.

Pas këtij udhëtimi, në zemrën time kam një falënderje të madhe. Faleminderit Ipeshkvijve, faleminderit Autoriteteve civile, faleminderit Presidentit të Hungarisë dhe Presidentes së Sllovakisë; faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve në organizim; faleminderit vullnetarëve të shumtë; faleminderit secilit që është lutur. Ju lutem shtoni edhe një lutje tjetër, në mënyrë që farat e shpërndara gjatë Udhëtimit të japin fryte të mira. Të lutemi për këtë.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme