Papa Françesku ka kremtuar Meshën me rastin e Solemnitetit të Shenjtërve Pjetër dhe Pal, dëshmitarë të “një Kishe të liruar”. Më parë bekimi i Paliumeve për Arqipeshkvijtë Metropolitë të emëruar këtë vit.
Papa Françesku kremtoi Meshën në Solemnitetin e Shenjtërve Pjetër dhe Pal, dëshmitarë të “një Kishe të liruar”. Pjetri, i liruar nga “ndjenja e humbjes” dhe nga “pasiguritë”; Pali, i liruar nga “hipokrizitë e dukjes së jashtme” dhe nga “tundimi për t’u imponuar me forcën e botës”. Para Meshës, bekimi i Paliumeve për Arqipeshkvijtë metropolitanë. Përshëndetja për delegacionin e Patriarkatës Ekumenike të Kostandinopolit.
“Sot ne po festojmë dy Apostuj të mëdhenj të Ungjillit dhe dy shtylla që mbajnë Kishën: Pjetri dhe Pali. Le t’i shohim nga afër këta dy dëshmitarë të fesë: në qendër të historisë së tyre nuk është zotësia e tyre, por takimi me Krishtin i cili ndryshoi jetën e tyre. Ata kanë bërë përvojë me atë dashuri që i ka shëruar e liruar dhe, për këtë arsye, ata u bënë Apostuj dhe mbarështues të lirimit për të tjerët. Pjetri dhe Pali janë të lirë vetëm sepse qenë liruar. Le të ndalemi në këtë pikë qendrore”. Me këto fjalë Papa filloi predikimin e tij me rastin e Solemnitetit të shën Pjetrit dhe shën Palit Apostuj në Bazilikën e Vatikanit.
“Të dashur vëllezër dhe motra, Kisha – shtoi Papa – hedh shikimin drejt këtyre dy gjigandëve të fesë dhe sheh dy Apostuj që kanë çliruar pushtetin e Ungjillit në botë, vetëm sepse ata qenë liruar më parë nga takimi me Krishtin. Ai nuk i ka gjykuar, nuk i ka përulur ata, por ka bashkëndarë jetën e tyre me ngrohtësi dhe afërsi, duke i mbështetur me vetë lutjen e tij dhe, nganjëherë, duke i qortuar që t’i shkundte për të ndryshuar”.
“Të prekur nga Zoti, edhe ne lirohemi. E kemi gjithnjë nevojë për të qenë liruar, sepse vetëm një Kishë e liruar është një Kishë e besueshme”, vijoi papa Françesku.
“Ashtu si Pjetri – shtoi Papa -, ne jemi të thirrur të jemi të lirë nga ndjenja e humbjes përballë peshkimit tonë ndonjëherë të pasuksesshëm; të jemi të lirë nga frika që na bllokon dhe na bën të druajtur, duke u mbyllur në siguritë tona dhe duke hequr guximin e profecisë. Ashtu si Pali, ne jemi të thirrur të jemi të lirë nga hipokrizitë e dukjes së jashtme; të jemi të lirë nga tundimi për t’u imponuar me forcën e botës në vend se me dobësinë që i bën hapësirë Hyjit; të lirë nga një zbatim religjioz i rregullave që na bën të ngurtë dhe jo fleksibël; të lirë nga lidhje të dyshimta me pushtetin dhe nga frika e të qenurit të pakuptuar e të sulmuar”.
Në fund, Papa tha: “Le ta pyesim veten: sa nevojë kanë për lirim qytetet tona, shoqëritë tona, bota jonë? Sa zinxhirë duhet të këputen dhe sa dyer të kyçura duhet të hapen! Ne mund të jemi bashkëpunëtorë të këtij lirimi, por vetëm nëse më parë lejojmë të lirohemi nga risia e Jezusit dhe ecim në lirinë e Shpirtit Shenjt”.
HOMILIA E PLOTË E ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU:
Dy Apostuj të mëdhenj, Apostuj të Ungjillit dhe dy shtylla që mbajnë Kishën: Pjetri dhe Pali. Sot ne festojmë kujtimin e tyre. Le të shohim nga afër këta dy dëshmitarë të fesë: në qendër të historisë së tyre nuk është zotësia e tyre, por në qendër është takimi me Krishtin i cili u ndryshoi atyre jetën. Ata bënë përvojë me atë dashuri që i ka shëruar e liruar dhe, për këtë arsye, ata u bënë Apostuj dhe mbarështues të lirimit për të tjerët.
Pjetri dhe Pali janë të lirë vetëm sepse qenë liruar. Le të ndalemi në këtë pikë qendrore.
Pjetri, peshkatari i Galilesë, u lirua së pari nga ndjenja e papërshtatshmërisë dhe nga hidhërimi i dështimit dhe kjo ndodhi falë dashurisë së pakushtëzuar të Jezusit. Edhe pse ishte një peshkatar ekspert, ai përjetoi disa herë, në kulmin e natës, shijen e hidhur të humbjes pasi nuk zë asgjë (krh. Lk 5,5; Gjn 21,5) dhe, i gjendur para rrjetave boshe, ka pasur tundimin që të tërhiqte rremat në varkë; pavarësisht se ishte i fortë dhe i vrullshëm, ai shpesh e lë veten të mposhtet nga frika (krh. Mt 14:30); megjithëse ishte një dishepull i zjarrtë i Zotit, ka vazhduar të arsyetojë sipas botës pa qenë në gjendje të kuptojë dhe pranojë domethënien e Kryqit të Krishtit (krh. Mt 16,22); megjithëse thoshte se ishte i gatshëm të jepte jetën e tij për Të, mjaftoi vetëm që ai të ndihej i dyshuar si një nga të tijtë për t’u trembur dhe për të mohuar Mësuesin (krh. Mk 14,66-72).
Megjithatë Jezusi e donte dhuratisht dhe kishte besim në të. Ai i ka dhënë zemër që të mos dorëzohej, të hidhte përsëri rrjetat e tij në det, të ecte mbi ujë, të shikonte me guxim dobësinë e tij, ta ndiqte atë në rrugën e Kryqit, të jepte jetën e tij për vëllezërit e tij, për të kullotur delet e tij. Kështu ai e ka liruar atë nga frika, nga llogaritjet e bazuara vetëm në sigurinë njerëzore, nga shqetësimet e kësaj bote, duke përftuar brenda tij guximin për të rrezikuar gjithçka dhe gëzimin e të ndjerit peshkatar i njerëzve. Ka thirrur pikërisht atë për të përforcuar në fe vëllezërit e tij (krh. Lk 22,32). Ai i dha atij – siç dëgjuam në Ungjill – çelësat për të hapur dyert që çojnë në një takim me Zotin dhe pushtetin për të lidhur dhe zgjidhur: për të lidhur vëllezërit me Krishtin dhe për të zgjidhur nyejt dhe zinxhirët e jetës së tyre (krh. Mt 16,19).
E gjithë kjo qe e mundur vetëm sepse – siç na tha Leximi i parë – Pjetri më parë qe liruar. Zinxhirët që e mbajnë atë të burgosur këputen dhe, pikërisht ashtu sikur ndodhi natën e çlirimit të izraelitëve nga skllavëria e Egjiptit, atij i kërkohet që të ngrihet me të shpejtë, të ngjeshet dhe të lidhë sandalet për të dalë. Dhe Zoti ia hap krejtësisht dyert përpara tij (krh. Vap 12,7-10). Është një histori e re e hapjes, e çlirimit, e zinxhirëve të copëtuar, e daljes nga burgosja që të ndryn brenda. Pjetri përjeton Pashkën: Zoti e ka liruar.
Pali apostull përjetoi gjithashtu çlirimin prej anës së Krishtit. Ai u çlirua nga skllavëria më shtypëse, ajo e unit të tij dhe nga Sauli, emri i mbretit të parë të Izraelit, u bë Pal, që do të thotë “i vogël”. Ai qe çliruar edhe nga zelli fetar që e kishte bërë atë të paepur në përkrahjen e traditave të marra (krh. Gal 1,14) dhe të dhunshëm në përndjekjen e të krishterëve. Ai qe liruar. Zbatimi formal i fesë dhe mbrojtja me vrull e traditës, në vend që ta hapnin atë në dashuri për Hyjin dhe vëllezërit, e kishin ngurtësuar atë: ishte një fondamentalist. Hyji e liroi nga kjo gjë; dhe, nga ana tjetër, nuk e kurseu atë nga aq shumë dobësi dhe vështirësi që e bënë misionin e tij ungjillëzues më të frytshëm: mundimet që kërkon apostullimi, sëmundjen fizike (krh. Gal 4,13-14); dhuna, përndjekja, anijethyerjet, uria dhe etja dhe, sikurse tregon ai vetë, një gjemb që e mundoi në mish (krh. 2 Kor 12,7-10).
Pali kuptoi kështu që «Hyji zgjodhi të dobtit në sytë e botës për t’i turpëruar të fortit» (1 Kor 1,27), që ne mund të bëjmë gjithçka në atë që na jep fuqi (krh. Fil 4,13), që asgjë e askurrë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Tij (krh. Rom 8, 35-39). Për këtë arsye, në fund të jetës së tij – na e tregoi Leximi i dytë – Pali mund të thotë: «Zoti qe me mua» dhe «Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe» (2 Tm 4,17.18). Pali ka bërë përvojë me Pashkën: Zoti e ka liruar.
Të dashur vëllezër dhe motra, Kisha hedh shikimin drejt këtyre dy gjigandëve të fesë dhe sheh dy Apostuj që kanë çliruar pushtetin e Ungjillit në botë, vetëm sepse ata qenë liruar më parë nga takimi me Krishtin. Ai nuk i ka gjykuar, nuk i ka përulur ata, por ka bashkëndarë jetën e tyre me ngrohtësi dhe afërsi, duke i mbështetur me vetë lutjen e tij dhe, nganjëherë, duke i qortuar që t’i shkundte për të ndryshuar. Pjetrit, Jezusi me butësi i thotë: «Unë u luta për ty që feja jote të mos mungojë» (Lk 22,32); Palin e pyet: «Saul, Saul, pse po më salvon?» (Vap 9, 4). Jezusi vepron kështu edhe me ne: ai na premton praninë e tij duke u lutur për ne dhe duke ndërmjetësuar tek Ati; dhe na qorton butësisht kur gabojmë, në mënyrë që të gjejmë forcën të ngrihemi dhe të rifillojmë udhëtimin.
Të prekur nga Zoti, edhe ne lirohemi. E kemi gjithnjë nevojë për të qenë liruar, sepse vetëm një Kishë e liruar është një Kishë e besueshme. Ashtu si Pjetri ne jemi të thirrur të jemi të lirë nga ndjenja e humbjes përballë peshkimit tonë ndonjëherë të pasuksesshëm; të jemi të lirë nga frika që na bllokon dhe na bën të druajtur, duke u mbyllur në siguritë tona dhe duke hequr guximin e profecisë. Ashtu si Pali, ne jemi të thirrur të jemi të lirë nga hipokrizitë e dukjes së jashtme; të jemi të lirë nga tundimi për t’u imponuar me forcën e botës në vend se me dobësinë që i bën hapësirë Hyjit; të lirë nga një zbatim religjioz i rregullave që na bën të ngurtë dhe jo fleksibël; të lirë nga lidhje të dyshimta me pushtetin dhe nga frika e të qenurit të pakuptuar e të sulmuar.
Pjetri dhe Pali na japin imazhin e një Kishe të besuar në duart tona, por e udhëhequr nga Zoti me besnikëri dhe butësi – është Ai që udhëheq Kishën -; të një Kishe të dobët, por të fortë me praninë e Hyjit; imazhin e një Kishe të liruar që mund t’i ofrojë botës atë lirim që ajo nuk mund t’ia japë vetes: lirimin nga mëkati, vdekja, nga dorëzimi, nga ndjenja e padrejtësisë, nga humbja e shpresës që e shëmton jetën e grave dhe burrave të kohës sonë.
Le ta pyesim veten sot, në këtë festë dhe më pas, le të pyesim veten: sa nevojë kanë për lirim qytetet tona, shoqëritë tona, bota jonë? Sa zinxhirë duhet të këputen dhe sa dyer të kyçura duhet të hapen! Ne mund të jemi bashkëpunëtorë të këtij lirimi, por vetëm nëse më parë lejojmë të lirohemi nga risia e Jezusit dhe ecim në lirinë e Shpirtit Shenjt.
Sot vëllezërit tanë Arqipeshkvij marrin Paliumin. Kjo shenjë e unitetit me Pjetrin kujton misionin e bariut që jep jetën e tij për grigjën. Në dhurimin e jetës së vet, Bariu, i çliruar nga vetja, bëhet një instrument lirimi për vëllezërit.
Sot Delegacioni i Patriarkatës Ekumenike, i dërguar me këtë rast nga vëllai i dashur Bartolomeu, është me ne: prania juaj e mirëpritur është një shenjë e çmuar e unitetit në rrugën e lirimit nga distancat që ndajnë, në mënyrë të shkandullt, besimtarët në Krishtin. Faleminderit për praninë tuaj
Lutemi për ju, për Barinjtë, për Kishën, për të gjithë ne: në mënyrë që, të liruar nga Krishti, të mund të jemi apostuj të lirimit në mbarë botën.
Mond MARKU