10.5 C
Tirana
HomeKISHPapa uron kardinalin Simoni, “besnik i patrembur i Krishtit”, për 5-vjetorin e...
HomeKISHPapa uron kardinalin Simoni, “besnik i patrembur i Krishtit”, për 5-vjetorin e...

Papa uron kardinalin Simoni, “besnik i patrembur i Krishtit”, për 5-vjetorin e kardinalatit

“Me dashuri të madhe Ju shpreh përgëzimet e mia dhe e falënderoj Zotin, që dhuron çdo të mirë, për dhuratat që Ju ka dhënë në vitet e gjata të shërbimit tuaj, bërë edhe më i frytshëm nga vuajtja e pësuar gjatë burgimit, për shkak të besnikërisë suaj të patrembur ndaj Krishtit”. Kështu i shkruan Papa Françesku kardinalit shqiptar, 93 vjeçarit Ernest Simoni Troshani, i cili të shtunën e kaluar kremtoi 5-vjetorin e krijimit kardinal, në kishën titullare të tij në Romë, kushtuar Shën Marisë së Shkallës. Vetë Ati i Shenjtë pati kremtuar meshën për krijimin e kardinalit Ernest Simoni, bashkë me kardinaj të tjerë, më 19 nëntor 2016, vetëm dy vite pas vizitës së tij në Shqipëri.

Kardinali Simoni: jeta jonë është Krishti

Në atmosferën festive të solemnitetit të Krishtit Mbret, që ndihej që të shtunën pasdite (Kisha e kremtoi të dielën), e në një kishë të mbushur plot me besimtarë shqiptarë e italianë, në praninë e ambasadores së Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri dhe të së ngarkuarës me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majldinda Dodaj, si edhe të shumë ambasadorëve të tjerë pranë Selisë së Shenjtë, kardinali Simoni mbajti homelinë e meshës, së bashkëkremtuar nga meshtarët e kishës dhe nga ata të ardhur nga Firence, ku ai banon. Duke përmendur shembuj të ndryshëm nga Shkrimi i Shenjtë, kardinali Simoni u bëri thirrje të gjithëve, sidomos të rinjve, por edhe politikanëve, të ndryshojnë jetën, të bëjnë kthesë e të bëhen të denjë për Jezu Krishtin. Ai është e vetmja arsye e jetës dhe e punës sonë – nënvizoi kardinali, që preferon ta quajnë dom Ernesti – gjërat e kësaj bote kalojnë dhe e humbasin aftësinë e tyre tërheqëse në çastin, që takohemi me Krishtin. Kardinali u dha të gjithëve bekimin e kërkoi për të pranishmit e të afërmit e tyre ndërmjetësimin e Zojës, veçanërisht të Shën Marisë së Shkallës, para fugures së të cilës u lut në përfundim të meshës. Kujtojmë se kisha, që u është besuar karmelitanëve të zbathur, e merr emrin pikërisht nga kjo fugure, e cila, sipas traditës, në vitin 1592, kur ndodhej mbi shkallën, aktualisht mbrapa kishës (që do të ndërtohej më vonë), bëri mrekullinë e shërimit të një fëmije të gjymtë, pas lutjeve të zjarrta të së ëmës.

Letra e Papës Françesku

Në përfundim të meshës, u lexua letra e Atit të Shenjtë për kardinalin Ernest Simoni, në të cilën përmendet edhe 65-vjetori i meshtarisë, që u kremtua po gjatë këtij viti, më 7 prill. Ja teksti i plotë:

Jam shpirtërisht pranë Jush e pranë të gjithë atyre, që ndajnë me Ju gëzimin për 65-vjetorin e shugurimit meshtarak dhe për 5-vjetorin e kardinalatit. Me dashuri të madhe, Ju shpreh përgëzimet e mia dhe e falënderoj Zotin, që dhuron çdo të mirë, për dhuratat që Ju ka dhënë në vitet e gjata të shërbimit tuaj, bërë edhe më i frytshëm nga vuajtja e pësuar gjatë burgimit, për shkak të besnikërisë suaj të patrembur ndaj Krishtit. Ashpërsia e persekutimit nuk Jua ftohu zemrën e, kështu, në fund të asaj përvoje dramatike rifilluat t’i shërbeni Zotit dhe vëllezërve me gëzim e butësi, duke e vendosur  dashurinë mbi gjithçka.

Dëshiroj të shpreh vlerësimin për impenjimin apostolik, që e vazhdoni me bujari e besnikëri, aty ku ju thërret Provania Hyjnore. Dëshmia Juaj i bën mirë bashkësisë së krishterë, i nxit barinjtë e Kishës dhe besimtarët laikë të jenë lajmëtarë të gëzueshëm të Ungjillit të mëshirës e dëshmitarë të shpresës. Faleminderit për zellin Tuaj baritor e për urtinë Tuaj.

Le t’ju mbështesë mbrojtja dhe ndërhyrja e Virgjërës Mari që të vazhdoni misionin për të promovuar marrëdhënie të përzemërta kishtare e vëllazërore, duke treguar në çdo nivel rëndësinë e bashkimit. Me këto ndjenja, ndërsa i kërkoj Zotit të dikojë rishtas mbi Ju hire e ngushëllime hyjnore, nga zemra, Ju jap Bekimin apostolik, të cilin e shtrij me dëshirë në të gjithë njerëzit e dashur për Ju.

Françesku

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 29 tetor 2021

Marrë nga Radio Vatikani

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme