Takimi me një përfaqësi të Patriarkatës Ekumenike të Konstandinopojës, në vigjilje të solemnitetit të Pajtorëve të Kishës së Romës. Motivi i “shkëmbimit” të vizitave.
Në “rrugën drejt bashkimit të plotë”, me “ndihmën e Shpirtit”, ka ardhur koha për t’i dhënë një “hov të mëtejshëm udhëtimit tonë për të shembur paragjykimet e vjetra dhe për të kapërcyer përfundimisht rivalitetet e dëmshme”.
Fjalimi i Papa Françeskut për delegacionin e Patriarkatës Ekumenike të Konstandinopolit, i cili mbërriti në Romë, si e do tradita tashmë, me rastin e Solemnitetit të Apostujve të Shenjtë Pjetër dhe Pal, ishte thellësisht i ndjerë dhe delegacioni në fjalë u prit në audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit.
Duke u ndalur mbi vështrimin e krizës së shkaktuar nga pandemia, Papa vuri në dukje se “çdo krizë na vendos në një udhëkryq dhe hap dy rrugë: atë të përkuljes mbi vetvete, në kërkimin e sigurisë dhe mundësive vetjake, ose atë të hapjes kundrejt tjetrit, me rreziqet që bashkëmbart, por mbi të gjitha me frytet e hirit që Hyji siguron”.
Për Françeskun, pra, në dialogun ekumenik “nëse do të jemi zemërbutë para dashurisë, Shpirti Shenjt, i cili është dashuria krijuese e Hyjit dhe që sjell harmoni në larmi, do të hapë rrugët për një vëllazëri të përtërirë”. Ndërkohë, Ipeshkvi i Romës evokoi “dëshminë e rritjes së bashkimit midis nesh të krishterëve”, e cila “do të jetë gjithashtu një shenjë shprese për shumë burra dhe gra, të cilët do të ndjehen të inkurajuar të promovojnë një vëllazëri më universale dhe një pajtim në gjendje që të korrigjojnë gabimet e të së kaluarës”. Kjo “është mënyra e vetme për të çkyçur një të ardhme paqeje”.
Nesër (sot), dita e festës së Shën Pjetrit dhe Palit, delegacioni i dërguar nga Patriarku Bartolomeu, i udhëhequr nga Metropoliti i Kalcedonisë Emanuel, do të marrë pjesë në meshën papnore në Vatikan për Solemnitetin e shenjtërve Pajtorë të Kishës së Romës. Ndërsa më 30 nëntor një delegacion i Vatikanit do të marrë pjesë në liturgjinë e kremtuar në Fanar, selia e Patriarkatës Ekumenike në Stamboll, për festën e Shën Andresë, i “thirruri i parë” midis Apostujve.
Ky shkëmbim i rregullt i delegacioneve zyrtare për festat e Pajtorëve zhvillohet vetëm me Patriarkatën Ekumenike të Konstandinopolit. Me një histori që tashmë ka më shumë se 50 vjet, e cila lindi në vazhdën e takimit historik në Jerusalem, në janar 1964, midis Palit VI dhe Atenagorës. Në vitin 1965 Roma dhe Konstandinopoli hedhin pas shpine kujtimin e shkishërimeve të vjetra të vitit 1054. Dy vjet më vonë, në 1967-tën, kur në qytetin e Romës u festua viti i fesë, në njëqindvjetorin e nëntëmbëdhjetë të martirizimit të Pjetrit dhe Palit, Patriarkati dërgon një delegacion. Po atë vit, në korrik, Pali VI shkoi te Atenagora i cili ia ktheu vizitën nga ana e tij në tetor. Për festën e Shën Andresë në vitin 1969, Kardinali Johannes Willebrands, presidenti i Sekretariatit të atëhershëm për Bashkimin e të krishterëve, planifikon të bëjë vizitën e tij të parë në Patriarkatën Ekumenike, pikërisht si president i Sekretariatit. Në qershorin vijues, Konstandinopoli dërgoi një delegacion në Romë për Solemnitetin e Shenjtërve Pjetër dhe Pal.
Kështu, që atëherë, çdo 30 nëntor, në festën e Shën Andresë, një delegacion nga Selia e Shenjtë shkon te Patriarkata Ekumenike dhe çdo 29 qershor, në festën e Shenjtërve Pjetër dhe Pal, një delegacion nga Konstandinopoli vjen në Romë.
Marrë nga: Avvenire
Mond Marku