16.5 C
Tirana
HomeKISHPapa: T’i jepet fund çmendurisë mizore të luftës, rrezikohet një katastrofë bërthamore
HomeKISHPapa: T’i jepet fund çmendurisë mizore të luftës, rrezikohet një katastrofë bërthamore

Papa: T’i jepet fund çmendurisë mizore të luftës, rrezikohet një katastrofë bërthamore

Botojmë një pjesë nga vëllimi Ju kërkoj në emër të Hyjit. Dhjetë lutje për një të ardhme shprese nën kujdesin e Hernan Reyes Alcaide që publikohet nga Piemme, të martën, e hershuar sot nga “La Stampa”. Françesku përsërit thirrjen e tij për t’i dhënë fund çmendurisë së luftës, për të bllokuar tregtinë skandaloze të armëve që shkakton viktima të pafajshme. Ftesa është që të ndërtojmë një horizont paqeje, përmes dialogut, respektit dhe mirëbesimit, sepse në çështje është mbijetesa e njerëzimit.

Pjesa e parë

PAPA FRANÇESKU

Më shumë se dy mijë vjet më parë poeti Virgjili krijoi këtë varg: “Lufta nuk sjell shpëtim!”. Është e vështirë të besohet se që atëherë bota nuk ka nxjerrë mësim nga barbaritë që banojnë në konfliktet midis vëllezërve, bashkatdhetarëve dhe vendeve. Lufta është shenja më e qartë e çnjerëzimit. Ajo klithmë e zemrës kumbon ende. Prej vitesh nuk ua kemi vënë veshin zërave të burrave dhe grave që bënë çmos për të ndalur çdo lloj konflikti të armatosur. Magjisteri i Kishës nuk i ka kursyer fjalët për të dënuar mizorinë e luftës dhe, gjatë shekujve XIX dhe XX, paraardhësit e mi e quajtën atë «një shuplakë», e cila «nuk mund t’i zgjidhë askurrë problemet midis kombeve»; kanë pohuar se shpërthimi i saj është një «masakër e kotë» me të cilën «gjithçka mund të humbet» dhe se, në fund të fundit, «është gjithmonë një humbje e njerëzimit».

Sot, teksa kërkoj në emër të Hyjit që t’i jepet fund çmendurisë mizore të luftës, e çmoj edhe vazhdimësinë e saj mes nesh si dështim të vërtetë të politikës. Lufta në Ukrainë, e cila ka vënë ndërgjegjet e miliona njerëzve në qendër të Perëndimit përballë realitetit mizor të një tragjedie humanitare që ekzistonte tashmë prej disa kohësh dhe njëkohësisht në vende të ndryshme, na ka treguar të keqen e tmerrit të luftës. Në shekullin e kaluar, në vetëm tridhjetë vjet, njerëzimi është përballur dy herë me tragjedinë e një lufte botërore. Midis nesh ka ende njerëz që mbajnë të gdhendur në trup tmerret e asaj çmendurie vëllavrasëse. Shumë popujve u janë dashur dekada për t’u rimëkëmbur nga rrënojat ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga konfliktet. Sot jemi dëshmitarë të një lufte të tretë botërore pjesë-pjesë, që sidoqoftë kërcënon të bëhet gjithnjë e më e madhe, duke marrë formën e një konflikti global. Refuzimit të qartë të paraardhësve të mi, ngjarjet e dy dekadave të para të këtij shekulli më detyrojnë t’i shtoj, pa mëdyshje, se nuk ka asnjë rast në të cilin një luftë mund të çmohet e drejtë. Asnjëherë nuk ka vend për barbarizëm lufte. As kur mosmarrëveshja fiton një nga fytyrat e saj më të padrejta: atë të të ashtuquajturave “luftëra parandaluese”.

Madje, historia e fundit na ka dhënë shembuj të “luftërave të manipuluara”, në të cilat u krijuan pretekste të rreme dhe u falsifikuan prova për të përligjur sulmet ndaj vendeve të tjera. Kjo është arsyeja pse unë u kërkoj autoriteteve politike që të ndalojnë luftërat në zhvillim e sipër, të mos manipulojnë informacionet dhe të mos mashtrojnë popujt e tyre për të arritur objektiva lufte. Lufta nuk justifikohet kurrë. Njëmend, nuk do të jetë kurrë një zgjidhje: mjafton të mendojmë për fuqinë shkatërruese të armëve moderne për të përfytyruar se sa të larta janë rreziqet që, një mosmarrëveshje e tillë, të shkaktojë përplasje një mijë herë më të larta se dobia e supozuar që disa shohin atje. Lufta është gjithashtu një përgjigje joefektive: ajo nuk i zgjidh askurrë problemet që synon t’i kapërcejë. A thua Jemeni, Libia apo Siria, për të përmendur disa shembuj bashkëkohorë, janë më mirë se përpara konflikteve? Nëse dikush mendon se lufta mund të jetë përgjigjja, kjo është sepse bën pyetjen e gabuar. Fakti që, sot, jemi dëshmitarë të konflikteve të armatosura, pushtimeve apo sulmeve të rrufeshme mes vendeve, tregon mungesën e kujtesës kolektive.

A nuk na e ka treguar vallë shekulli XX rrezikun që i kanoset mbarë familjes njerëzore përballë spirales së luftës? Nëse të gjithë jemi përnjëmend të përkushtuar për t’u dhënë fund konflikteve të armatosura, le ta mbajmë të gjallë kujtesën tonë në mënyrë që të veprojmë në kohë dhe t’i ndalojmë ndërsa janë duke u formuar, përpara se të shpërthejnë me përdorimin e forcës ushtarake. Dhe për ta bërë këtë, nevojiten dialog, negociata, dëgjim, zotësi dhe kreativitet diplomatik, dhe një politikë largpamëse e aftë për të ndërtuar një sistem bashkëjetesë që nuk bazohet në fuqinë e armëve apo në shkëshillim. Dhe, duke qenë se lufta «nuk është një fantazmë e së kaluarës, por është bërë një kërcënim i vazhdueshëm» (letra enciklike “ Të gjithë vëllezër”, 256), kujtoj sërish shkrimtarin Elie Wiesel, një i mbijetuar i kampeve të shfarosjes naziste, i cili thoshte se sot është thelbësore të kryhet një «transfuzion memorieje» dhe ftonte që të largoheshim ca nga e tashmja për të dëgjuar zërin e të parëve tanë. Ta dëgjojmë atë zë për të mos ia parë kurrë më surratin luftës.

Njëmend, çmenduria e luftës mbetet e skalitur në jetën e atyre që e vuajnë në vetën e parë: le të mendojmë për çehren e çdo nëne dhe çdo biri që detyrohet të ikë në mënyrë të dëshpëruar; për çdo familje të dhunuar; për çdo person të kategorizuar si “dëm kolateral” i sulmeve, pa kurrfarë respekti për jetën e tyre. Unë shoh kontradiktë midis atyre që pretendojnë se kanë rrënjë të krishtera, por më pas nxisin konflikte luftarake si mënyra për të zgjidhur interesat e palëve. Jo! Një politikan i mirë duhet të synojë gjithmonë paqen; një i krishterë i mirë duhet të zgjedhë gjithmonë rrugën e dialogut. Nëse mbërrijmë në luftë, kjo është sepse politika ka dështuar. Dhe çdo luftë që shpërthen është gjithashtu një dështim i njerëzimit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme. Do të shërbehemi me kujtesën, me të vërtetën dhe drejtësinë. Të gjithë së bashku duhet të hapim rrugën drejt një shprese të përbashkët. Të gjithë ne mund dhe duhet të marrim pjesë në këtë proces social të ndërtimit të paqes. Ai fillon në secilën nga bashkësitë dhe ngrihet si një klithmë kah autoritetet lokale, kombëtare dhe botërore. Njëmend, prej tyre varen nismat e përshtatshme për të ndalur luftën. Dhe atyre, duke bërë këtë kërkesë timen në emër të Hyjit, u kërkoj gjithashtu që t’i thonë mjaft prodhimit dhe tregtisë ndërkombëtare të armëve.

Shpenzimet botërore për armatim janë një nga skandalet morale më të rënda të kohës së sotme. Ato tregojnë gjithashtu se sa shumë kontradikta ka mes të folurit për paqen dhe, njëkohësisht, promovimit ose lejimit të tregtisë së armëve. Është edhe më e pamoralshme që në mesin e të ashtuquajturave vende të zhvilluara, ndonjëherë u mbyllen dyert njerëzve që ikin nga luftërat që vetë ata kanë nxitur me shitjen e armëve. Kjo ndodh edhe këtu në Evropë dhe është një tradhti ndaj shpirtit të etërve themelues. Gara e armatimeve është dëshmi e harresës që mund të na pushtojë. Ose, edhe më keq, e pandjeshmërisë. Në vitin 2021, në mes të pandemisë, shpenzimet ushtarake botërore kaluan për herë të parë 2000 milionë dollarë. Këto të dhëna ofrohen nga një qendër e rëndësishme kërkimore në Stokholm dhe na tregojnë se për çdo 100 dollarë të shpenzuara në botë, 2.2 janë të caktuara për armët. Me anë të luftës miliona njerëz humbin gjithçka, e një pakicë fitojnë miliona. Është dëshpëruese vetëm të dyshosh se shumë nga luftërat moderne janë bërë për të promovuar armët. Kështu nuk mund të ecet para.

Vijon nesër….

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme