16.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Të jetosh në lirinë e krishterë është ndër gjërat më të...
HomeKryesorPapa: Të jetosh në lirinë e krishterë është ndër gjërat më të...

Papa: Të jetosh në lirinë e krishterë është ndër gjërat më të bukura. Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë

Në Audiencën e Përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Papa Françesku përfundoi ciklin e katekizmit kushtuar Letrës drejtuar Galatasve. Duke u ndaluar tek figura e Shën Palit e tek “parresia” e tij, i ftoi besimtarët të mos bien në tundimin, që i shtyn të kthehen pas, “tek skllavëritë e vjetra”. “Në çastet e vështirësive, ta zgjojmë Krishtin – ftoi. Ai shikon përtej stuhive”. Papa i shprehu mirënjohjen Policisë, që shërben ndër burgje si dhe zjarrfikësve.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 15. Mos të lodhemi

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Kemi arritur në përfundimin e katekezave mbi Letrën drejtuar Galatasve. Në fakt, do të kishte qenë e mundur të reflektohej edhe mbi shumë përmbajtje të tjera, të pranishme në këtë shkrim të shën Palit! Fjala e Hyjit është një burim i pashtershëm. Apostulli në këtë Letër na ka folur si ungjillëzues, si teolog dhe si bari.

Ipeshkvi i shenjtë, Injaci i Antiokisë, ka një shprehje të bukur kur shkruan: «Ka vetëm një mësues i cili foli dhe ajo që tha u bë; por gjërat që ai bëri në heshtje janë të denja për Atin. Kushdo që e ka fjalën e Jezusit mund të dëgjojë edhe heshtjen e tij» (Ad Ephesios, 15,1-2). Mund të themi se Pali apostull ka qenë i aftë t’i jepte zë kësaj heshtjeje të Hyjit. Intuitat e tij më origjinale na ndihmojnë të zbulojmë risinë marramendëse që ndryn brenda saj zbulesa e Jezu Krishtit. Ai ishte një teolog i vërtetë, i cili e ka soditur misterin e Krishtit dhe e ka përçuar atë me inteligjencën e tij kreative. Ai ishte gjithashtu i aftë ta ushtronte misionin e tij baritor përballë një bashkësie të përhumbur dhe të hutuar. Këtë e bëri me metoda të ndryshme: herë pas here përdorte ironinë, rreptësinë, butësinë… E mbronte autoritetin e tij si Apostull, por në të njëjtën kohë nuk i fshihte dobësitë e karakterit të tij. Fuqia e Shpirtit gërmoi përnjëmend në zemrën e tij: takimi me Krishtin e Ngjallur e fitoi dhe e shndërroi krejt jetën e tij dhe ai e shkriu tërësisht atë në shërbim të Ungjillit.

Pali nuk ka menduar kurrë për një krishterim me tipare irenike, pa shpirt luftarak dhe energji, përkundrazi. Ai e mbrojti lirinë e sjellë nga Krishti me një pasion që të përmallon edhe sot e kësaj dite, sidomos kur mendojmë për vuajtjet dhe vetminë që duhej të barte. Ishte i bindur se kishte marrë një thirrje të cilës vetëm ai mund t’i përgjigjej; dhe deshi t’ua shpjegonte Galatasve se edhe ata ishin të thirrur në atë liri, e cila i çliroi nga çdo formë skllavërie, sepse i bënte trashëgimtarë të premtimit të hershëm dhe, në Krishtin, bij të Hyjit. Ishte i vetëdijshëm për rreziqet që sjell ky konceptim i lirisë, e nuk i minimizoi asnjëherë pasojat. Ai ishte i vetëdijshëm për rreziqet që sjell liria e krishterë, por nuk i minimizoi pasojat. Ka pohuar me parrezi, domethënë me guxim, para besimtarëve se liria nuk është aspak e barasvlershme me shthurjen dhe as nuk çon te ato forma të vetëmjaftueshmërisë mendjemadhe. Përkundrazi, Pali e vendosi lirinë nën hijen e dashurisë dhe e shihte ushtrimin e saj koherent në shërbim të dashurisë. I gjithë ky vizion është vendosur në horizontin e jetës sipas Shpirtit Shenjt, i cili përmbush Ligjin e dhuruar nga Hyji Izraelit dhe nuk i lë ata që të bien përsëri në skllavërinë e mëkatit. Tundimi për t’u kthyer prapa ekziston gjithmonë. Një përkufizim i të krishterëve, i cili gjendet në Shkrim, thotë se ne të krishterët nuk jemi njerëz që ecim prapa, që kthehemi pas. Një përkufizim i bukur. Tundimi është të ktheheni pas për të qenë më të sigurt; kthimi vetëm te Ligji, duke lënë pas dore jetën e re të Shpirtit. Kjo është ajo që Pali na mëson: Ligji i vërtetë gjen plotësinë e tij në këtë jetë të Shpirtit që Jezusi na e ka dhënë. Dhe kjo jetë e Shpirtit mund të jetohet vetëm në liri, liria e krishterë. Dhe kjo është një nga gjërat më të bukura.

Në fund të këtij itinerari katekezash, më duket në ne mund të lindë një qëndrim i dyfishtë. Nga njëra anë, mësimi i Apostullit ngjall në ne entuziazëm; ndihemi të shtyrë për ta ndjekur menjëherë rrugën e lirisë, për të “ecur sipas Shpirtit”. Të ecim gjithmonë sipas Shpirtit: kjo na bën të lirë. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona, sepse e përjetojmë çdo ditë mbi lëkurën tonë se sa zor e kemi për t’iu bindur Shpirtit, për të mbështetur veprimin e tij mirëbërës. Atëherë mund të na kapë lodhja që frenon entuziazmin. Ndihemi sikur na ka lëshuar zemra, të dobët, herë-herë të margjinalizuar kundrejt stilit të jetesës sipas mendësisë së këtij shekulli. Shën Augustini na sugjeron si të reagojmë në këtë situatë, duke iu referuar episodit ungjillor të stuhisë në liqen. Ai thotë kështu: «Feja e Krishtit në zemrën tënde është si Krishti në barkë. Dëgjon ofendime, lodhesh, je i rraskapitur dhe Krishti fle. Zgjo Krishtin, shkunde besimin tënd! Madje edhe në trazira je në gjendje të bësh diçka. Shkunde fenë tënde. Krishti të zgjohet dhe të të flasë … Prandaj zgjo Krishtin … Beso në atë që është thënë dhe do të bëhet fashë e madhe në zemrën tënde” (Discorsi 163/B 6). Në momentet e vështirësisë jemi – thotë këtu shën Augustini – si në barkë në momentin e stuhisë. Dhe çfarë kanë bërë Apostujt? Ata zgjuan Krishtin që po flinte ndërsa ishte stuhi; por Ai ishte i pranishëm. E vetmja gjë që mund të bëjmë në momente të vështira është të “zgjojmë” Krishtin që është brenda nesh, por “fle” si në barkë. Është pikërisht kështu. Duhet ta zgjojmë Krishtin në zemrën tonë dhe vetëm atëherë do të jemi në gjendje t’i sodisim gjërat me shikimin e tij, sepse Ai sheh përtej stuhisë. Nëpërmjet atij vështrimi të tij të qetë, ne mund të shohim një panoramë që, të vetëm, as që mund të imagjinohet se e shohim.

Në këtë udhëtim angazhues, por magjepsës, Apostulli na kujton se nuk mund t’ia lejojmë vetes asnjë lodhje ndërsa bëjmë mirë. Mos u lodhni duke bërë mirë. Duhet të kemi mirëbesimin se Shpirti i vjen gjithmonë në ndihmë dobësisë sonë dhe na jep mbështetjen që na nevojitet. Pra, le të mësojmë të thërrasim më shpesh Shpirtin Shenjt! Dikush mund të thotë: “E si mund të thirret Shpirti Shenjt? Sepse unë di t’i lutem Atit, me lutjen Ati ynë; unë di si t’i lutem Zojës me Të falem Mari; di t’i lutem Jezusit me Lutjen e Plagëve, po Shpirtit? Cila është lutja e Shpirtit Shenjt?”. Lutja drejtuar Shpirtit Shenjt është spontane: ajo duhet të lindë nga zemra jote. Në momentet e vështirësisë ti duhet të thuash: “Shpirti Shenjt, eja”. Fjala kyçe është kjo: “eja”. Por duhet ta thuash ti me gjuhën tënde, me fjalët e tua. Eja se jam në vështirësi, eja se jam në errësirë, në terr; eja se nuk di çfarë të bëj; eja se po bie. Eja. Eja. Është fjala e Shpirtit për të thirrur Shpirtin. Le të mësojmë për ta thirrur më shpesh Shpirtin Shenjt. Mund ta bëjmë me fjalë të thjeshta, në momente të ndryshme të ditës. Dhe ne mund të marrim me vete, ndoshta në atë Ungjill xhepi, lutjen e bukur që Kisha bën për Rrëshajë: «Eja, o Shpirt Shenjt / e prej qiellit derdh mbi ne / rrezet tua, plot me dritë! / Eja, o atë për nevojtarë / eja, ti n’dhanti bujar / eja, ti që mendjet shdrit’. / Ti n’gushtica ngushllim bjen / ti ndër zemra si mik vjen…». Eja. Dhe kështu vazhdon, është një lutje shumë e bukur. Thelbi i lutjes është “eja”, kështu luteshin Zoja dhe Apostujt pasi Jezusi u ngjit në Qiell; ata ishin vetëm në Qenakull dhe e thërrisnin Shpirtin. Do të na bëjë mirë të lutemi shpesh: Eja, Shpirti Shenjt. Dhe me praninë e Shpirtit ne mbrojmë lirinë. Ne do të jemi të lirë, të krishterë të lirë, jo të kapur pas të kaluarës në kuptimin negativ të fjalës, jo të lidhur pas praktikave, por të lirë me lirinë e krishterë, ajo na bën të rritemi. Kjo lutje do të na ndihmojë të ecim në Shpirt, në liri dhe në gëzim, sepse kur vjen Shpirti Shenjt, vjen gëzimi, gëzimi i vërtetë. Zoti ju bekoftë.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme