18.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Të ecësh në Shpirtin Shenjt është butësi, durim, lutje dhe afërsi
HomeKryesorPapa: Të ecësh në Shpirtin Shenjt është butësi, durim, lutje dhe afërsi

Papa: Të ecësh në Shpirtin Shenjt është butësi, durim, lutje dhe afërsi

Në Audiencën e Përgjithshme në sallën Pali VI, Papa Françesku vazhdon komentin e letrës drejtuar Galatasve dhe kujton se Zoti “është gjithmonë më i fortë se rezistencat tona dhe më i madh se mëkatet tona”: kur një vëlla korrigjohet, ajo që ka më shumë rëndësi është dashuria.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 14. Të ecim sipas Shpirtit

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në pjesën marrë nga Letra drejtuar Galatasve që sapo dëgjuam, shën Pali i nxit të krishterët që të udhëhiqen [të ecin] sipas Shpirtit Shenjt (krh. 5,16.25. Ka një stil: të ecësh sipas Shpirtit Shenjt. Konkretisht, të besosh në Jezusin do të thotë ta ndjekësh atë, të shkosh pas tij në rrugën e tij, siç bënë dishepujt e parë. Dhe në të njëjtën kohë do të thotë të shmangësh rrugën e kundërt, atë të egoizmit, të kërkimit të interesit vetjak, të cilin Apostulli e quan «dëshira e mishit» (rr. 16). Shpirti është udhëheqësi i kësaj ecjeje në rrugën e Krishtit, një ecje magjepsëse, por edhe e mundimshme që fillon me Pagëzimin dhe zgjat për gjithë jetën. Le të mendojmë për një ekskursion në një mal të lartë: është tërheqës, pikarritja na tërheq, por kërkon shumë mund dhe këmbëngulje.

Ky imazh mund të jetë i dobishëm për ne për të hyrë në brendësinë e fjalëve të Apostullit: “të ecësh sipas Shpirtit”, “Të lejosh që të udhëhiqesh” prej Tij. Janë shprehje që tregojnë një veprim, një lëvizje, një dinamizëm që nuk të lejon të ndalosh në vështirësitë e para, por na nxit të besojmë në «forcën që vjen nga lart» (Erma, Pastor, 43, 21). Duke ndjekur këtë rrugë, i krishteri fiton një vizion pozitiv për jetën. Kjo nuk do të thotë se e keqja e pranishme në botë është sikur të ishte zhdukur, ose se janë zhdukur impulset negative të egoizmit dhe të krenarisë; por do të thotë të besosh se Hyji është gjithmonë më i fortë se rezistencat tona dhe më i madh se mëkatet tona. Dhe kjo është e rëndësishme!

Ndërsa i nxit galatasit të marrin këtë rrugë, Apostulli e vendos veten në nivelin e tyre. Heq dorë nga folja në mënyrën urdhërore – “ecni” (v. 16) – dhe përdor “ne”-në në mënyrën lidhore: “të udhëhiqemi [ecim] sipas Shpirtit” (v. 25). Si për të thënë: le ta vendosim veten në të njëjtën linjë dhe le të udhëhiqemi nga Shpirtit Shenjt. Është një nxitje, një mënyrë përnxitëse. Shën Pali e ndjen të nevojshme këtë nxitje edhe për veten e tij. Megjithëse e di se Krishti jeton në të (krh. 2,20), ai është gjithashtu i bindur se ende nuk ia ka arritur qëllimit të tij, majës së malit (krh. Fil 3,12). Apostulli nuk e vendos veten përmbi bashkësinë e tij, nuk thotë: “Unë jam kreu, ju jeni të tjerët; unë kam arritur në majën e malit dhe ju jeni në ecje” – nuk e thotë këtë -, por vihet në ecje bashkë me të gjithë, për të dhënë shembullin konkret se sa e nevojshme është t’i bindemi Hyjit, duke përkuar, gjithnjë e më shumë e më mirë, me udhëheqjen e Shpirtit. Dhe sa bukur është kur shohim barinj që ecin me popullin e vet dhe që nuk shkëputen prej tij. Kjo është kaq e bukur; i bën mirë shpirtit.

Kjo “ecje sipas Shpirtit” nuk është vetëm një veprim individual: ka të bëjë edhe me bashkësinë në tërësi. Në të vërtetë, ndërtimi i bashkësisë duke ndjekur rrugën e treguar nga Apostulli është entuziazmues, por sfidues. “Dëshirat e mishit”, “tundimet” – le të themi – që të gjithë ne i kemi, d.m.th. zilitë, paragjykimet, hipokrizitë, inatet vazhdojnë të ndihen dhe zbatimi i një rregulloreje të rreptë mund të jetë një tundim në të cilin bihet lehtë, por duke bërë kështu, njeriu do të linte rrugën e lirisë dhe, në vend që të ngjitej në majë, do të kthehej poshtë. Ecja në rrugën e Shpirtit kërkon në radhë të parë t’i lësh hapësirë ​​hirit dhe dashurisë. Bëni vend hirit të Hyjit, mos kini frikë. Pali, pasi bëri që zëri i tij të dëgjohej në mënyrë të rreptë, i fton galatasit që të marrin mbi vete vështirësitë e njëri-tjetrit dhe, nëse dikush gabon, të përdorin butësi (krh. 5,22). Le t’i dëgjojmë fjalët e tij: «Vëllezër, nëse ndokush bie në faj, ju që jeni njerëz shpirtërorë, ndreqeni të tillin me shpirt butësie. Ruaje veten që edhe ti të mos biesh në tundim. Mbartjani njëri-tjetrit barrën» (6,1-2). Një qëndrim shumë i ndryshëm nga llomotitjet; jo, kjo nuk është sipas Shpirtit. Sipas Frymës, është të tregosh këtë ëmbëlsi ndaj vëllait ndërsa e ndreq atë dhe për të ruajtur veten me përulësi që të mos biesh në ato mëkate.

Në të vërtetë, kur tundohemi për t’i gjykuar keq të tjerët, siç ndodh shpesh, para së gjithash duhet të reflektojmë mbi dobësinë tonë. Sa e lehtë është të kritikosh të tjerët! Por ka njerëz që duket se janë diplomuar për llomotitje. Çdo ditë kritikojnë të tjerët. Por shiko veten! Është mirë të pyesim veten se çfarë na shtyn të ndreqim një vëlla apo motër, dhe nëse nuk jemi edhe ne disi bashkëpërgjegjës për gabimin e tij. Shpirti Shenjt, përveçse na jep dhuratën e butësisë, na fton në solidaritet, t’ia bartim barrën e njëri-tjetrit. Sa barrë ka në jetën e njeriut: sëmundje, mungesë pune, vetmi, dhimbje…! E sa sprova të tjera që kërkojnë afërsinë dhe dashurinë e vëllezërve! Mund të na ndihmojnë edhe fjalët e shën Augustinit kur komenton të njëjtin fragment: «Prandaj, vëllezër, nëse dikush kapet në ndonjë faj, […] ndreqeni në këtë mënyrë, me butësi. Dhe nëse ti e ngre zërin, duaje nga ana e brendshme. Qoftë kur inkurajon, qoftë kur tregohesh atëror, apo qorton ose je i ashpër, bëje me dashuri» (Discorsi 163/B 3). Duaj gjithmonë. Rregulli suprem i ndreqjes vëllazërore është dashuria: të dëshirojmë të mirën e vëllezërve dhe motrave tona. Bëhet fjalë për të toleruar problemet e të tjerëve, të metat e të tjerëve në heshtje në lutje dhe më pas për të gjetur rrugën e duhur për ta ndihmuar atë që të ndreqë veten. Kjo nuk është e lehtë. Mënyra më e lehtë është të llomotitësh. Ta qesësh tjetrin fare sikur unë të isha perfekt. Kjo nuk duhet bërë. Butësi. Durim. Lutje. Afërsi.

Le të ecim me gëzim dhe durim në këtë rrugë, duke lejuar që të udhëhiqemi nga Shpirti Shenjt.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme