11.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Shën Jozefi 'një ëndërrimtar i aftë të dallojë zërin e Zotit'
HomeKryesorPapa: Shën Jozefi 'një ëndërrimtar i aftë të dallojë zërin e Zotit'

Papa: Shën Jozefi ‘një ëndërrimtar i aftë të dallojë zërin e Zotit’

Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku zhvillon katekezën e tij rreth qëndrueshmërisë së Shën Jozefit në dëgjimin e Zotit dhe fton prindërit të bëjnë të njëjtën gjë, veçanërisht kur lindin probleme me pasardhësit e tyre: “Zoti nuk lejon kurrë një problem pa na dhënë gjithashtu ndihmën e nevojshme për të merren me të “

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 26 janar 2022

Katekeza mbi shën Jozefin – 9. Shën Jozefi, njeri që “ëndërron”:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot do të doja të ndalesha mbi figurën e shën Jozefit si një njeri që ëndërron. Në Bibël, ashtu si në kulturat e popujve të lashtë, ëndrrat shiheshin si një mjet nëpërmjet të cilit Hyji zbulohej. Ëndrra simbolizon jetën shpirtërore të secilit prej nesh, atë hapësirë ​​të brendshme, të cilën të gjithë janë të thirrur ta kultivojnë dhe ruajnë, ku Hyji shfaqet dhe shpesh na flet. Mirëpo, duhet thënë gjithashtu se brenda secilit prej nesh nuk flet vetëm zëri i Hyjit: ka shumë zëra të tjerë. Për shembull, zërat e frikës sonë, zërat e përvojave të kaluara, zërat e shpresave; dhe është edhe zëri i të ligut që dëshiron të na mashtrojë dhe ngatërrojë. Prandaj është e rëndësishme që ta njohim zërin e Hyjit në mes të zërave të tjerë. Jozefi tregon se di ta kultivojë heshtjen e nevojshme dhe, mbi të gjitha, të marrë vendimet e duhura përpara Fjalës që Zoti i drejton së brendshmi. Do të na bëjë mirë sot të rimarrim katër ëndrrat e sjella në Ungjill, të cilat e kanë atë si protagonist, për të kuptuar se si të vihemi para zbulimit të Hyjit. Ungjilli na tregon për katër ëndrrat e Jozefit.

Në ëndrrën e parë (krh. Mt 1,18-25), engjëlli e ndihmon Jozefin të zgjidhë dramën që e mësyn kur merr vesh për shtatzëninë e Marisë: «Mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij» (rr. 20-21). Dhe përgjigja e tij ishte e menjëhershme: «Si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli» (rr. 24). Shumë herë jeta na vë përpara situata që nuk i kuptojmë dhe duken se nuk kanë zgjidhje. Në ato momente, të lutesh do të thotë ta lëmë Zotin të na tregojë gjënë e duhur për të bërë. Njëmend, shumë shpesh lutja na jep intuitën se si ta zgjidhim atë situatë. Të dashur vëllezër dhe motra, Zoti nuk e lejon kurrë një problem pa na dhënë edhe ndihmën e nevojshme për ta përballuar atë; nuk na hedh atje në furrë vetëm; nuk na hedh mes bishave. Jo. Kur Zoti na tregon një problem ose zbulon një problem, ai gjithmonë na jep intuitën, ndihmën, praninë e tij, për të dalë prej atij problemi, për ta zgjidhur atë.

Ëndrra e dytë zbuluese e Jozefit vjen kur jeta e Jezusit foshnjë është në rrezik. Mesazhi është i qartë: «Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë» (Mt 2,13). Jozefi, pa hezituar, bindet: «Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. Banoi atje derisa vdiq Herodi» (rr. 14-15). Në jetë të gjithë ne përjetojmë rreziqe që kërcënojnë ekzistencën tonë ose të atyre që duam. Në këto situata, të lutesh do të thotë të dëgjosh zërin që mund të lindë në ne guximin e Jozefit, për të përballuar vështirësitë pa u dorëzuar.

Në Egjipt, Jozefi pret nga Hyji për shenjën që të mund të kthehet në shtëpi; dhe kjo është pikërisht përmbajtja e ëndrrës së tretë. Engjëlli i zbulon se ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur dhe e urdhëron të niset me Marinë dhe Jezusin dhe të kthehet në atdheun e tij (krh. Mt 2,19-20). Jozefi «u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit» (rr. 21). Por pikërisht gjatë udhëtimit të kthimit, «si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje» (rr. 22). Ja, atëherë, zbulesa e katërt: «i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë. Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret» (rr. 22-23). Edhe frika është pjesë e jetës dhe ajo gjithashtu ka nevojë për lutjen tonë. Hyji nuk na premton se nuk do të kemi kurrë frikë, por që, me ndihmën e tij, ajo nuk do të jetë kriteri për vendimet tona. Jozefi përjeton frikë, por Hyji e  drejton atë përmes saj. Fuqia e lutjes sjell dritë në situata të errëta.

Në këtë moment mendoj për shumë njerëz që janë të dërrmuar nga pesha e jetës dhe nuk janë më në gjendje as të luten e as të shpresojnë. Shën Jozefi i ndihmoftë që të hapen drejt dialogut me Hyjin, për të rigjetur dritën, forcën dhe paqen. Mendoj edhe për prindërit përballë problemeve të fëmijëve të tyre. Fëmijë me shumë lëngata, fëmijë të sëmurë, edhe me sëmundje të përhershme: sa dhimbje ka aty. Prindër që shohin orientime seksuale të ndryshme te fëmijët e tyre; si ta menaxhojmë këtë dhe të shoqërojmë fëmijët dhe të mos fshihen në një qëndrim dënues. Prindër që shohin fëmijët e tyre që largohen, që vdesin, nga një sëmundje dhe gjithashtu – është më e trishtueshme, e lexojmë çdo ditë në gazeta – fëmijë që bëjnë çilimillëqe dhe përfundojnë në një aksident automobilistik. Prindër që shohin se fëmijët e tyre nuk ecin para në shkollë dhe nuk dinë si t’ia bëjnë… Janë aq shumë probleme për prindërit. Le të mendojmë se si t’i ndihmojmë ata. Këtyre prindërve u them: mos u trembni. Po, ka dhimbje. Shumë. Por mendoni se si Jozefi i zgjidhi problemet dhe kërkojini Jozefit që t’ju ndihmojë. Asnjëherë mos e dënoni fëmijën. Ngelja shumë i prekur – më ndodhte në Buenos Aires – kur merrja autobusin dhe kaloja pranë burgut: kishte një radhë njerëzish që duhej të hynin për të vizituar të burgosurit. Dhe aty ishin nënat që më dhimbseshin aq shumë: përballë problemit të djalit që ka gabuar dhe është në burg, ato nuk i linin vetëm, nuk i mbulonte marrja, por e shoqëronin atë. Ky guxim; guximi i babit dhe nënës që i shoqërojnë fëmijët e tyre gjithmonë, gjithmonë. E lusim Zotin që t’u japë të gjithë baballarëve dhe nënave këtë guxim që ia dha Jozefit. Dhe pastaj lutuni që Zoti të na ndihmojë në këto momente.

Mirëpo, lutja nuk është kurrë një gjest abstrakt apo thjesht ndjesor, siç duan ta bëjnë këto lëvizje spiritualiste, më tepër gnostike sesa të krishtera. Jo, nuk është ashtu. Lutja është gjithmonë e lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë. Vetëm kur bashkojmë dashurinë me lutjen, dashurinë për fëmijët për rastin që sapo thashë ose dashurinë për të afërmin, mund t’i kuptojmë mesazhet e Zotit. Jozefi lutej, punonte dhe tregonte dashuri – tri gjëra të bukura për prindërit: lutja, puna dhe dashuria – dhe për këtë arsye ai gjithmonë merrte atë që ishte e nevojshme për të përballuar sprovat e jetës. Le t’i besohemi atij dhe ndërmjetësimit të tij.

Shën Jozef, ti je njeriu që ëndërron,

na mëso të rikuperojmë jetën shpirtërore

si vendi i brendshëm ku Hyji shfaqet dhe na shpëton.

Hiqe prej nesh mendimin se të lutesh është e kotë;

ndihmoje secilin prej nesh të përkojë me atë që Zoti na tregon.

Arsyetimet tona qofshin të ndriçuara nga drita e Shpirtit,

zemra jonë e inkurajuar nga forca e Tij

dhe frika jonë e shpëtuar nga mëshira e Tij. Amen.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme