10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Pleqëria është stina e urtisë në shoqërinë e lodhjes
HomeKryesorPapa: Pleqëria është stina e urtisë në shoqërinë e lodhjes

Papa: Pleqëria është stina e urtisë në shoqërinë e lodhjes

Papa Françesku reflektoi mbi Librin e Kishtarit, në Audiencën e Përgjithshme javore, duke vënë në dukje se si refreni i tij “çdo gjë është kotësi” përfaqëson një tundim të veçantë në kohën dhe kohën tonë.

Ai tha se njeriu i mençur, Kishtari u largua nga kuptimi dhe pakuptimi në kërkimin e tij për njohjen e jetës, duke thënë se ai zhytej në absurditet kur anonte drejt njohurive të shkëputura nga “pasioni për drejtësi”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 11. Kishtari: nata e pasigurt e kuptimit dhe gjërave të jetës

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në reflektimin tonë mbi pleqërinë – vazhdojmë të reflektojmë mbi pleqërinë –, sot përballemi me Librin e Kishtarit, një tjetër xhevahir i vendosur në Bibël. Kur e lexon për herë të parë këtë libër të shkurtër mbetesh i goditur dhe i habitur nga refreni i tij i famshëm: «Gjithçka është kotësi», gjithçka është kotësi: refreni që shkon e vjen; gjithçka është kotësi, gjithçka është “mjegull”, gjithçka është “tym”, gjithçka është “bosh”. Është e habitshme të gjesh këto shprehje brenda Shkrimit Shenjt, të cilat vënë në dyshim kuptimin e ekzistencës. Në realitet, lëkundja e vazhdueshme e Kishtarit ndërmjet kuptimit dhe moskuptimit është një paraqitje ironike e një njohjeje të jetës që shkëputet nga zelli për drejtësinë, garantuesi i së cilës është gjykimi i Hyjit. Dhe përfundimi i Librit tregon rrugën për të dalë nga sprova: «Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tij; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu» (12,13). Kjo është këshilla për të zgjidhur këtë problem.

Përballë një realiteti që, në momente të caktuara, duket se përshtat të gjitha të kundërtat, ndërkohë që u rezervon atyre të njëjtin fat, që është ai i përfundimit në asgjë, rruga e indiferencës mund të na duket edhe neve i vetmi ilaç për një zhgënjim të dhimbshëm. Në ne lindin pyetje të tilla: A e kanë ndryshuar botën përpjekjet tona? A është dikush i aftë të vërtetojë ndryshimin midis së drejtës dhe së padrejtës? Duket se e gjithë kjo është e kotë: përse të bësh kaq shumë përpjekje?

Është një lloj intuite negative që mund të lindë në çdo stinë të jetës, por nuk ka dyshim se pleqëria e bën këtë takim me zhgënjimin pothuajse të pashmangshëm. Zhgënjimi, në pleqëri, vjen. Dhe prandaj rezistenca e pleqërisë ndaj efekteve demoralizuese të këtij zhgënjimi është vendimtare: nëse të moshuarit, të cilët tashmë kanë parë gjithçka, e mbajnë të paprekur zellin e tyre për drejtësinë, atëherë ka shpresë për dashurinë dhe gjithashtu për fenë. Dhe për botën bashkëkohore, kalimi nëpër këtë krizë, një krizë e shëndetshme, është bërë vendimtar, përse? Sepse një kulturë që pandeh të masë gjithçka dhe të manipulojë gjithçka, përfundon duke prodhuar një demoralizim kolektiv të kuptimit, një demoralizim të dashurisë, një demoralizim të së mirës gjithashtu.

Ky demoralizim na heq vullnetin për të vepruar. Një “e vërtetë” e supozuar, e cila thjesht mban në vëzhgim botën, mban shënim edhe indiferencën e saj ndaj të kundërtave dhe i dorëzon ato, pa shëlbim, ndaj rrjedhës së kohës dhe fatit të hiçit. Në këtë formë të saj – mbushur me shkencë, por edhe shumë i pandjeshëm dhe shumë amoral – kërkimi modern i së vërtetës është tunduar të heqë dorë totalisht nga zelli për drejtësi. Nuk beson më në fatin e vet, premtimin e vet, shpengimin e vet.

Për kulturën tonë moderne, e cila do të donte t’ia besonte praktikisht gjithçka njohjes së saktë të gjërave, shfaqja e kësaj arsyeje të re cinike –  që ndërthur dijen dhe papërgjegjshmërinë – është një pasojë shumë e rëndë. Njëmend, dija që na shkëput nga morali, fillimisht duket si një burim lirie, energjie, por shpejt kthehet në një paralizë të shpirtit.

Kishtari, me ironinë e tij, demaskon tashmë këtë tundim fatal të një gjithpushtetësie të dijes – një “delir i gjithëdijshmërisë” – që përfton një pafuqi të vullnetit. Murgjit e traditës më të lashtë të krishterë e kishin identifikuar saktësisht këtë sëmundje të shpirtit, e cila, befas, zbulon kotësinë e dijes pa fe dhe pa moral, iluzionin e së vërtetës pa drejtësi. E quanin “përtaci”. Dhe kjo është një nga tundimet që i sulmon të gjithë, edhe të vjetrit. Nuk është thjesht dembelizëm: jo, është më shumë. Nuk është vetëm depresioni: jo. Përtacia, në të vërtetë, është dorëzimi ndaj njohjes që ofron bota pa pasur më zell për drejtësinë dhe veprimet pasuese.

Boshllëku i kuptimit dhe forcës i hapur nga kjo dije, e cila refuzon çdo përgjegjësi etike dhe çdo dashamirësi për të mirën e vërtetë, nuk është e padëmshme. Ai jo vetëm që i heq forcat vullnetit për të mirën: për pasojë, ai ia hap derën agresivitetit të forcave të së keqes. Ato janë forcat e një arsyeje të çmendur, e bërë cinikë nga ideologjia me tepri. Njëmend, me gjithë përparimin tonë, me gjithë mirëqenien tonë, jemi bërë vërtet një “shoqëri e lodhjes”. Mendoni pak për këtë: ne jemi shoqëria e lodhjes! Ne duhej të prodhonim një mirëqenie të gjerë dhe tolerojmë një treg shkencërisht selektiv të shëndetit. Ne duhej t’i vendosnim paqes një kufi të pakapërcyeshëm dhe shohim gjithnjë e më shumë luftëra të pamëshirshme kundër njerëzve të pambrojtur. Shkenca përparon, natyrisht, dhe kjo është mirë. Por urtia e jetës është një çështje krejtësisht tjetër dhe duket se ka ngecur vendnumëro.

Së fundi, kjo arsye jo-dashamirëse dhe e papërgjegjshme i heq kuptimin dhe energjinë edhe njohjes së të vërtetës. Nuk është rastësi që stina jonë është ajo e lajmeve të rreme [fake news], besëtytnive kolektive dhe të vërtetave pseudo-shkencore. Ngjall kureshtje: në këtë kulturë të dijes, të njohjes së të gjitha gjërave, madje edhe të saktësisë së dijes, janë përhapur shumë shtrigëri [magji], por shtrigëri e kultivuar. Është shtrigëri me një kulturë të caktuar, por që të çon në një jetë besëtytnie: nga njëra anë, për të ecur përpara me inteligjencë në njohjen e gjërave deri në rrënjë; nga ana tjetër, shpirti që ka nevojë për diçka tjetër dhe merr rrugën e besëtytnive dhe përfundon në shtrigëri. Pleqëria mund të mësojë nga mençuria ironike e Kishtarit artin e nxjerrjes në dritë të mashtrimit të fshehur në delirin e një të vërtete të mendjes pa dashuri për drejtësinë. Të moshuarit plot urti dhe humor u bëjnë shumë mirë të rinjve! I shpëtojnë ata nga tundimi i një dijeje, të botës, që është e trishtë dhe pa urti. Gjithashtu, këta të moshuar i kthejnë të rinjtë te premtimi i Jezusit: «Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen» (Mt 5,6). Do të jenë ata që do të mbjellin uri dhe etje për drejtësi te të rinjtë. Guxim, të gjithë ne të moshuarit: guxim dhe përpara! Ne kemi një mision shumë të madh në botë. Por, ju lutem, nuk duhet të kërkojmë strehë te ky idealizëm paksa jo konkret, jo real, pa rrënjë – le ta themi qartë: në shtrigëritë e jetës.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme