2.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa për Ditën Botërore të të Varfërve: Varfëria e Krishtit na bën...
HomeKryesorPapa për Ditën Botërore të të Varfërve: Varfëria e Krishtit na bën...

Papa për Ditën Botërore të të Varfërve: Varfëria e Krishtit na bën të pasur

Denoncimi i një varfërie, që sjell mjerim, ushqyer nga pandemia, nga lufta – sidomos nga ajo në Ukrainë – nga shtimi i refugjatëve dhe i të ikurve, nga arroganca e një “superfuqie”, që dëshiron të imponojë vullnetin e vet, nga absolutizimi i parasë dhe indiferenca; por edhe varfëria, që na bën të pasur, siç është ajo, që na ka mësuar e na mëson Krishti. Ky është Mesazhi i Papa Françesku për Ditën VI Botërore të të Varfërve me temën “Jezu Krishti u bë i varfër për ju”, që do të kremtohet më 13 nëntor 2022. “Provokim i shëndoshë për ta na ndihmuar të reflektojmë mbi mënyrën tonë të jetesës e mbi varfëritë e shumta të kohës sonë”, shkruan për këtë ditë, Ati i Shenjtë.

Pandemia dhe lufta në Ukrainë

 Që në fillim, Papa përmend shkaqet, që e kanë shtuar varfërinë në botën e sotme: pandemia, e cila, fatmirësisht po përfundon, duke u dhënë njerëzve mundësinë për të ngritur kryet edhe ekonomikisht, por që po ia la vendin luftës në Ukrainë, e cila mbjell vdekje e shkatërrim. Një “superfuqi”, denoncon Ati i Shenjtë, imponon vullnetin e saj kundër parimit të vetëvendosjes së popujve. Sa të varfër sjell lufta e pakuptimtë, ngre zërin Françesku. “Janë miliona, gratë, fëmijët, të moshuarit e detyruar të sfidojnë rrezikun e bombave për të shpëtuar, duke kërkuar strehë si refugjatë në vendet fqinjë. E ata, që mbeten në zonat e konfliktit, çdo ditë, jetojnë me frikë dhe me mungesën e ushqimit, të ujit, të kujdesit mjekësor e sidomos, të të afërmve.

Shën Pali dhe të varfërit

 Në këtë situatë do të kremtohet Dita e të Varfërve, e cila e ka bazën në impenjimin e të krishterëve ndaj tyre, që në agimin e krishtërimit. Shën Pali apostull i ftonte të krishterët, pa i detyruar, të ndihmonin ata, që kishin më pak, duke grumbulluar edhe para, që askujt të mos i mungonin gjërat më të nevojshme. Ashtu si atëherë në bashkësinë e Korintit, që e dëgjoi Apostullin e Popujve, edhe sot, – vëren Papa në Mesazh – para miliona refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika qendrore e tani, nga Ukraina, “familjet kanë hapur dyert e shtëpive për t’u bërë vend familjeve të tjera e, bashkësitë kanë pritur me bujari shumë gra e fëmijë, për t’u siguruar atyre dinjitetin, që meritojnë. Megjithatë – denoncon Ati i Shenjtë – sa më shumë zgjatet konflikti, as më shumë rëndohen pasojat e tij”.

Vendet e pasura të ndihmojnë vendet e varfëra me solidaritet

Për këtë arsye, sipas Françeskut, vendet që kanë mundur të krijojnë mirëqënie të konsiderueshme për popullsinë e tyre duhet ta ndajnë këtë pasuri sigurie dhe qëndrueshmërie me ata, që detyrohen të lënë shtëpitë e tokën për të shpëtuar e për të mbijetuar. Por ashtu siç kërkonte Shën Pali, pa detyrim, sepse ndihma e solidariteti duhet të jenë shenjë dashurie, siç dëshmoi vetë Krishti, i cili deshi të bëhej i varfër për të na pasuruar. Nganjëherë , vërehet një lloj lodhjeje, që çon në indiferencë ndaj të varfërve. Nganjëherë, edhe vetë të krishterët janë tepër të lidhur me paranë, e cila, vë në dukje Papa, nuk është problem në vetvete, por mënyra e përdorimit të saj varet nga vlera, që i japim. “Paraja – thekson Françesku – nuk duhet të jetë absolute, sikur të ishte qëllimi kryesor. Një lidhje e tillë pengon të shihet realisht jeta e përditshme dhe turbullon vështrimin, duke penguar të shihen nevojat e të tjerëve”.

Të varfrit nuk duan asistencializëm

Qëndrimi ndaj të varfërve, vijon Ati i Shenjtë, nuk duhet të jetë asistencialist, por impenjim që askujt të mos i mungojë e domosdoshmja. Prandaj, është urgjente të gjenden rrugë të reja, për të kapërcyer mendësinë e politikave shoqërore, që u drejtohen të varfërve, por nuk zbatohen kurrë bashkë me ta, nuk janë kurrë ide e tyre e nuk bëjnë pjesë në ndonjë projekt, që bashkon popujt, citon Ati i Shenjtë enciklikën “Fratelli tutti”. “Nuk jemi në botë për të mbijetuar, por që të gjithëve t’u mundësohet një jetë e denjë dhe e lumtur. Mesazhi i Jezusit na tregon rrugën dhe na bën të zbulojmë se ka një varfëri që poshtëron dhe vret, dhe ka një varfëri tjetër, ajo e tij, që na çliron dhe na bën të lumtur”.

Varfëri, që sjell mjerim dhe varfëri, që pasuron

Varfëria, që vret, shpjegon Papa, është mjerimi, bir i padrejtësisë, i shfrytëzimit, i dhunës dhe i shpërndarjes së padrejtë të pasurive të botës. Bazohet mbi logjikën e fitimit pa fre dhe i konsideron të tjerët mjete për arritjen e një qëllimi. Sjell forma të reja skllavërie, pranuar nga njerëz, që s’kanë alternativë e u duhet ta pësojnë mbi kurriz këtë padrejtësi të helmët. Përkundrazi, varfëria, që çliron, vijon Françesku, është vendim i përgjegjshëm, që na bën të gjejmë arsyet e pakënaqësisë ndaj jetës, të lëmë mënjanë frikën e kotë, për të gjetur diçka, që askush s’mund të na e rrëmbejë: dashurinë e vërtetë, falas. “Në realitet, të varfërit, – thekson Papa –  para se të jenë objekt lëmoshe, janë subjekte që na ndihmojnë të çlirohemi nga zinxhirët e shqetësimit dhe të kotësisë”.

Të ndjekim rrugën e varfërisë së Krishtit

Shën Pali, vëren Ati i Shenjtë, quan pasuri njohjen e dhembshurisë, pastrimin e shpirtit nga mëkati, drejtësisë, shenjtërimin e jetës e mijëra gjëra të tjera të mira në të gjitha kohrat. Varfëria, që na bën të pasur me këto gjëra, është ajo e Krishtit, nënvizon Papa. “Nëse duam që jeta të fitojë mbi vdekjen dhe dinjiteti të ngrihet mbi padrejtësinë, rruga është ajo e tij: të ndjekim varfërinë e Jezu Krishtit, të ndajmë jetën me dashuri, të thyejmë bukën e ekzistencës sonë me vëllezërit dhe motrat, duke filluar nga më të fundmit, nga ata që s’kanë më të domosdoshmen, që të krijohet barazi, të varfrit të çlirohen nga mjerimi dhe të pasurit nga kotësia, të dyja pa shpresë”. Së fundi, Papa uron që Dita VI Botërore e të Varfërve të jetë rast për ta shqyrtuar ndërgjegjen e për ta pyetur veten nëse varfëria e Krishtit është shoqe besnike e jetës sonë.

Marrë nga (Radio Vatikani)

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme