14.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa: një lëvizje globale kundër indiferencës për një qytetërim dashurie
HomeKisha UniversalePapa: një lëvizje globale kundër indiferencës për një qytetërim dashurie

Papa: një lëvizje globale kundër indiferencës për një qytetërim dashurie

Mond Marku

Në një mesazh të shkruar me rastin e takimit të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore që kishte në qendër lumninë e parë, Papa Françesku shquan frymën e varfërisë si rrugën për të siguruar lumturinë individuale dhe të popujve. Kërkimi pakufi i përfitimit dhe i pasurisë, shkruan ai, sjell varfëri, pabarazi dhe konflikte. Dhe porosit: le t’i edukojmë të rinjtë për një globalizim të solidaritetit.

Mesazhi i Papa Françeskut për pjesëmarrësit në takimin, sot dhe nesër, të promovuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore në Casina Piu IV, në Vatikan, hap punimet që do të kenë për qëllim të thellojnë të parën nga tetë lumnitë e shpallura nga Jezusi, ku thuhet: “Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve”. Titulli i takimit është: “Caritas, Social Friendship, and the End of Poverty. Science and Ethics of Happiness”, d.m.th. “Caritas, miqësia shoqërore dhe fundi i varfërisë. Shkenca dhe etika e lumturisë”.

Ku qëndron lumturia?

Lumturia është dëshira më e thellë e çdo burri dhe gruaje dhe Zoti ua premton atyre që jetojnë sipas stilit të tij, ai i treguar në Lumnitë të cilat, për shën Augustinin, përfaqësojnë “gjithë përsosmërinë e jetës sonë”. Papa Françesku fillon t’iu drejtohet pjesëmarrësve në takimin e Akademisë Papnore prej këtu. Të gjithë priren drejt lumturisë, por jo të gjithë kanë të njëjtin koncept të lumturisë, vëren Papa, duke shprehur një konsideratë të parë:

Sot ne gjendemi përballë një paradigme mbizotëruese, të përhapur gjerësisht nga “mendimi i vetëm”, ​​i cili ngatërron dobinë me lumturinë, argëtimin me të jetuarit mirë dhe pretendon të jetë kriteri i vetëm i vlefshëm i shoshitjes. Kjo është një formë e hollë e kolonializmit ideologjik. Bëhet fjalë për të imponuar ideologjinë sipas së cilës lumturia qëndron vetëm në atë që është e dobishme, në gjërat dhe të mirat, në bollëkun e gjërave, famën dhe paratë.

Të varfrit dhe më të dobëtit që s’i kapë syri

Ky kërkim i kënaqësisë egoiste prodhon frikën e mos zotërimit të mjaftueshëm dhe i çon individët dhe kombet, të pasurit dhe të varfrit, në babëzi e lakmi, si dhe sjell “një materializëm mbytës dhe një gjendje të përgjithshme konflikti”. Në këtë mënyrë cenohet dinjiteti i njerëzve dhe i vetë planetit dhe rriten varfëria e pabarazia. Papa Françesku shkruan:

Në këto kohë të begatisë, ku do ishte e udhës të  mund t’i jepej fund varfërisë, pushtetet e mendimit të vetëm nuk thonë asgjë për të varfrit, të moshuarit, emigrantët, të palindurit, të sëmurët rëndë. Të padukshëm për shumicën, ato trajtohen si “përdor e hidh”. Dhe kur ato bien në sy shpesh paraqiten si një barrë e padenjë për kuletën publike. Është krim kundër njerëzimit që, si rezultat i kësaj paradigme babëzie dhe egoiste sunduese, të rinjtë tanë të shfrytëzohen nga skllavëria e re dhe në rritje e trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht në punën e detyruar, prostitucionin dhe shitjen e organeve.

Për të dalë nga kjo situatë botërore, ajo për të cilën kemi nevojë, pohon Françesku, nuk është të kemi më shumë të mira, por “të zbatojmë paradigmën gjithnjë të re dhe revolucionare të lumnive të Jezusit, duke filluar me të parën”. Të qenurit i varfër në shpirt ose, siç shkruan Papa, “shpirti i varfërisë” është “ajo pikë kthese që hap rrugën drejt lumturisë përmes një ndryshimi të plotë të paradigmës”. Është “një rrugë e sigurt për të arritur plotësinë në të cilën jemi thirrur” të gjithë.

Mjerimi fryt i padrejtësisë është ferr

Në këtë pikë, Papa Françesku nënvizon dallimin midis varfërisë së shpirtit, për të cilën flet Jezusi dhe varfërisë materiale, domethënë mungesës së asaj që është e nevojshme për të jetuar, të cilën ai e përshkruan me fjalë të rënda. Në mesazh lexohet:

Varfëria e kuptuar si mungesë e asaj që është e nevojshme – domethënë mjerimi – është shoqërisht, siç e shohin qartë L. Bloy dhe Péguy, një lloj ferri, sepse dobëson lirinë njerëzore dhe i shpie ata që vuajnë prej saj në një gjendje ku bëhen viktima të formave të reja të skllavërisë (puna e detyruar, prostitucioni, trafikimi i organeve e kështu me radhë) për të mbijetuar. Bëhet fjalë, pra, për kushte kriminale të cilat, para një drejtësie të mirëfilltë, duhet të denoncohen dhe luftohen në mënyrë të paepur. Të gjithë, sipas përgjegjësisë përkatëse, dhe në veçanti qeveritë, kompanitë shumëkombëshe dhe kombëtare, shoqëria civile dhe komunitetet fetare, duhet ta bëjnë këtë. Ato janë degradimet më të këqija të dinjitetit njerëzor dhe për një të krishterë, janë plagët e hapura të trupit të Krishtit që nga kryqi i tij thërret: kam etje.

Prandaj është detyrë të ndihmosh të varfrit, për hir të Jezusit, shkruan Papa; të gjithë do të maten sipas asaj që kanë bërë për të ndihmuar “vëllezërit e tyre në nevojë”. Dhe citon dy modele shembullore: shën Françesku i Asizit dhe Nënë Tereza e Kalkutës, por ai thekson gjithashtu se shumë burra dhe gra “kanë marrë hire nga të varfrit, sepse në çdo vëlla dhe motër në vështirësi ne përqafojmë mishin e Krishtit që vuan”.

A mos jam unë rojtari i tim vëllai?

Papa pastaj merr në shqyrtim hendekun në rritje midis të pasurve dhe të varfërve që është shkaku i trazirave shoqërore, i konflikteve dhe i vënies në rrezik të demokracisë. Ai shkruan:

Kjo është për shkak të erozionit progresiv të marrëdhënieve të vëllazërimit, miqësisë shoqërore, harmonisë, mirëbesimit, besueshmërisë dhe respektit, të cilat janë në bazë të cilësdo bashkëjetesë civile. Natyrisht, babëzia që drejton sistemin e ka lënë mënjanë prej kohësh pasojën kryesore ekonomike, shoqërore dhe politike të “shpirtit të varfërisë”, që kërkon drejtësi shoqërore dhe bashkëpërgjegjësi në mbarështimin e të mirave dhe fryteve të punës njerëzore. “A mos jam unë rojtari i tim vëllai?”

Papa Françesku dëshiron të sqarojë një kundërshtim të mundshëm dhe për ta bërë këtë ai citon Katekizmin e Kishës Katolike i cili mbi temën e pronës private thotë: “Caku universal i të mirave mbetet parësor, edhe në qoftë se promovimi i të mirës së përbashkët kërkon respektimin e pronës private, të drejtën për të dhe të ushtrimit të saj”. Prandaj Papa pohon në mesazhin e tij se: “zotëruesit e të mirave duhet t’i përdorin ato me shpirt varfërie, duke ruajtur pjesën më të mirë për mysafirin, të sëmurin, të varfrin, të moshuarin, për të pambrojturin, të përjashtuarin; të cilët janë fytyra, aq shpesh e harruar, e Jezusit”.

“Shën Ambrozi shkruan: atë që ti ua jep të varfërve nuk e ke më pjesë të të mirave të tua; çfarë i ke dhënë skamnorit i përket atij. (…) Toka u dha për mbarë botën dhe jo vetëm për të pasurit”.

T’i edukojmë të rinjtë për një “globalizim të solidaritetit”

Krahas globalizimit të përhapur të indiferencës, të denoncuar disa herë, Papa thekson se, megjithëse është mbizotërues, “gjatë gjithë kësaj kohe të pandemisë ne kemi parë se si globalizimi i solidaritetit ka qenë në gjendje të diktohet me maturinë e tij karakteristike në cepat e ndryshëm të qyteteve tona”. Është mirë që ai të përhapet dhe mbi të gjitha, vëren Papa, është thelbësore që ai të mishërohet në jetën e të rinjve. Prandaj ne duhet të angazhohemi për këtë. Së fundi, ai kujton porositë e Palit apostull i cili e paralajmëron dishepullin Timote për rreziqet që lidhen me pasurinë dhe babëzinë. Duke iu referuar Letrës së parë drejtuar Timoteut, Françesku shkruan:

Shumëkujt ky tekst do t’i duket se ka një vlerë fetare ose asketike, por jo ekonomike. Në të vërtetë, atyre do t’u duket shkatërrues për ekonominë. Sidoqoftë, është një tekst jashtëzakonisht socio-ekonomik dhe politik, sikurse janë Lumnitë e Krishtit dhe veçanërisht ai i shpirtit të varfërisë që e frymëzon atë. Sepse Pali tregon me qartësi të pamasë: “e munduan vetveten me shumë vuajtje”, domethënë babëzia nuk u solli atyre mirëqenien ekonomike dhe shoqërore që kërkonin, as lirinë dhe lumturinë që dëshironin. Përkundrazi, babëzia skllavëron pushtetin e kohës pa mëshirë dhe pa drejtësi në luftën e paepur për viçin e artë dhe sundimin, siç vërehet tek ekonomia moderne”.

Të kërkojmë së bashku qytetërimin e dashurisë

Prandaj, shpirti i varfërisë, caku i vendosur mbi fitimin, është mënyra e vetme që mund të garantojë “vetë mirëqenien e individit, të ekonomisë dhe shoqërisë vendore dhe globale”. Nisur prej kësaj, atëherë, parashtrohet angazhimi për të cilin jemi të thirrur të gjithë ne sot: “për të krijuar një lëvizje globale kundër indiferencës që – shkruan Papa në përfundim të mesazhit të tij – krijon ose rikrijon institucione shoqërore të frymëzuara nga lumnitë dhe na shtyn të kërkojmë qytetërimin e dashurisë”.

Pasqyrimi i këtyre dy ditëve të takimit

Në faqen e internetit të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore shpjegohet se nisma që ka filluar sot “synon të krijojë një etikë të re globale për shekullin XXI, bazuar në urtësinë mijëvjeçare të Lindjes dhe Perëndimit, mbi Lumnitë dhe mbi shkencën moderne dhe aspiratat e planetit tonë”. Prandaj takimi do të marrë parasysh sfidat etike, institucionale dhe ekonomike të çrrënjosjes së varfërisë, në mënyrë që të arrihet lumturia në një nivel universal. Disa nga pyetjet kryesore të cilave pjesëmarrësit do të përpiqen t’u japin një përgjigje, janë: Kush janë skamnorët në shpirt? Cilat janë shkaqet e varfërisë dhe pasojat e saj? Cilat janë të drejtat ekonomike të të varfërve? Cilat janë detyrimet tona etike dhe / ose fetare kundrejt të varfërve? Çfarë mundësish ekzistojnë për rishpërndarjen e të ardhurave dhe mbrojtjen sociale?

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme