26.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa: në të Papërlyerën zbulohet përvujtëria, që të bën shenjt
HomeKisha UniversalePapa: në të Papërlyerën zbulohet përvujtëria, që të bën shenjt

Papa: në të Papërlyerën zbulohet përvujtëria, që të bën shenjt

Solemniteti i Zojës së Papërlyer sot, hapi i parë drejt Krishtlindjes, nisi me vizitën tradicionale të Papës në Sheshin e Spanjës, tek këmbët e Zojës dhe me gjunjëzimin para Zojës Salus Populi Romani e vijoi me lutjen e Engjëllit të Tënzot, përmes së cilës Papa u hapi simbolikisht besimtarëve  portën e shtëpisë së Nazaretit, ku Maria mori lajmin e Engjëllit. E mbyllur ndërmjet katër mureve të shtëpisë, ajo ndjehet më mirë se kudo tjetër. E pikërisht në këtë intimitet shtëpijak, Ungjilli – kujtoi Papa – na jep një hollësi, që zbulon gjithë bukurinë e zemrën së Marisë.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dy ditë më parë u kthye nga shtegtimi në Qipro e në Greqi. E në vijim falënderoi për këtë shtegtim Zotin e të gjithë ata, që e shoqëruan me lutje, si dhe popullsitë e këtyre vendeve të dashura, për mirësjelljen dhe dashurinë, me të cilën e pritën.

Këto janë fjalët e Atit Shenjtë në fillim të lutjes drejtuar Marisë:

Përpara Angelus

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Ungjilli i Liturgjisë së sotme, në të Kremten e së Lumes Mari Virgjër, Zoja e Papërlyer, na çon në shtëpinë e saj në Nazaret, ku ajo mori lajmin e engjëllit (krh Lk 1,26-38). Një person zbulohet më mirë se diku tjetër kur ndodhet brenda mureve të shtëpisë. Dhe pikërisht në atë intimitet familjar, Ungjilli na jep një detaj që zbulon bukurinë e zemrës së Marisë.

Engjëlli e quan atë “Hirëplote”. Nëse ajo është plot hir, do të thotë se Zoja është e zbrazët për nga e keqja, ajo është e pa mëkat, e Papërlyer. Tani, nga kjo përshëndetje, Maria – thotë teksti – mbeti “shumë e shqetësuar” (Lk 1,29). Ajo, jo vetëm se është e befasuar, por edhe e shqetësuar. Kur njeriu merr përshëndetje, nderime dhe përgëzime të mëdha ndonjëherë rrezikon të nxitet në krenari dhe mendjemadhësi. Le të kujtojmë se Jezusi nuk është i butë me ata që shkojnë nëpër sheshe në kërkim të përshëndetjeve, puthadorjeve, rënies në sy (krh Lk 20,46). Maria, nga ana tjetër, nuk e lartëson veten, por shqetësohet; në vend që të ndjejë kënaqësi, ndjen habi. Përshëndetja e engjëllit i duket më e madhe se ajo. Përse? Sepse ajo ndihet e vogël brenda dhe kjo vogëlsi, kjo përvujtëri, tërheq vështrimin e Hyjit.

Kështu, brenda mureve të shtëpisë së Nazaretit, ne shohim një tipar të mrekullueshëm. Si është zemra e Marisë? Si i mori komplimentet më të larta, ajo shqetësohet, sepse dëgjon t’i thuhet ajo gjë që ajo nuk ia atribuon vetes. Njëmend, Maria nuk i atribuon vetes prerogativa, nuk pretendon asgjë, nuk njeh asgjë si meritë së sajën. Ajo nuk kënaqet me veten, nuk e lartëson veten. Sepse, në përvujtërinë e saj, ajo e di se gjithçka e ka marrë prej Hyjit; prandaj është e lirë nga vetja, plotësisht e kthyer kah Hyji dhe të tjerët. Maria e Papërlyer nuk ka sy për vetveten. Këtu është përvujtëria e vërtetë: të mos kesh sy për vetveten, por për Hyjin dhe të tjerët.

Le të kujtojmë se kjo përsosmëri e Marisë, plot hir, shpallet prej engjëllit brenda mureve të shtëpisë së saj: jo në sheshin kryesor të Nazaretit, por aty, në fshehtësi, në përvujtërinë më të madhe. Në atë shtëpi të vogël në Nazaret, ka rrahur zemra më e madhe që një krijesë ka pasur ndonjëherë. Të dashur vëllezër dhe motra, ky është një lajm i jashtëzakonshëm për ne! Sepse na thotë se Zoti, për të bërë mrekulli, nuk ka nevojë për mjete të mëdha dhe aftësitë tona të papara, por për përvujtërinë tonë, për shikim tonë të hapur ndaj Tij dhe ndaj të tjerëve. Me atë lajmërim, brenda mureve skamnore të një shtëpie të vogël, Hyji ndryshoi historinë. Edhe sot, Ai dëshiron që të bëjë gjëra të mëdha me ne në jetën e përditshme: domethënë në familje, në punë, në mjedise të përditshme. Hirit të Hyjit i pëlqen të veprojë aty, më shumë se në ngjarjet e mëdha të historisë. Por, pyes veten, a e besojmë ne këtë? Apo mendojmë se shenjtëria është një utopi, diçka profesionistësh, një iluzion i devotshëm i papajtueshëm me jetën e zakonshme?

Le t’i kërkojmë Zojës një hir: të na lirojë nga ideja devijuese se një gjë është Ungjilli e tjetër gjë jeta; që të na ndezë me entuziazëm për idealin e shenjtërisë që nuk është çështje objektesh të shenjta, por e të jetuarit çdo ditë të gjërave që na ndodhin me përvujtëri dhe gëzim, si Zoja, të lirë nga vetvetja, me sytë e drejtuar kah Hyji dhe i afërmi që takojmë. Ju lutem, mos ta humbim guximin: Zoti u ka dhënë të gjithëve një mall të mirë për të endur shenjtërinë në jetën e përditshme! Kur të na sulmojë dyshimi se nuk ia dalim ose trishtimi i të qenurit të papërshtatshëm, le të lejojmë që të na shikojnë “sytë e mëshirshëm” të Zojës, sepse askush nuk është braktisur askurrë ndër ata që e kanë kërkuar ndihmën e saj!

Pas Angelus

Të dashur vëllezër dhe motra,

dy ditë më parë u ktheva nga udhëtimi im në Qipro dhe Greqi. Falënderoj Zotin për këtë shtegtim; ju falënderoj të gjithëve për lutjet që më shoqëruan dhe njerëzit e atyre dy vendeve të dashura, autoritetet e tyre civile dhe fetare, për ngrohtësinë dhe dashamirësinë me të cilën më pritën. Për të gjithë ju, përsëris: faleminderit!

Qiproja është një perlë në Mesdhe, një perlë me bukuri të rrallë, e cila megjithatë mban plagën e telit me gjemba, dhimbjen e një muri që ndan. Në Qipro u ndjeva si në familje; te të gjithë gjeta vëllezër e motra. Çdo takim e mbaj në zemër, veçanërisht Meshën në stadiumin Nikosias. Vëllai im i dashur ortodoks Chrysostomos më përmalloi kur më foli për Kishën Nënë: si të krishterë, ne përshkojmë rrugë të ndryshme, por jemi bij të Kishës së Jezusit, që është Nënë dhe na shoqëron, na mbron, na bën të ecim përpara, të gjithë si vëllezër. Urimi im për Qipron është që ajo të jetë gjithmonë një laborator vëllazërimi, ku takimi mbizotëron mbi përballjen, ku vëllai mirëpritet, sidomos kur është i varfër, i flakur, i emigruar. E përsëris se përballë historisë, përballë fytyrave të atyre që emigrojnë, ne nuk mund të heshtim, nuk mund të kthejmë shpinën.

Në Qipro, si në Lesbos, pata mundësinë ta shikoja këtë vuajtje në sy: ju lutem, të shikojmë në sytë e atyre që takojmë, të lejojmë që të prekemi nga fytyrat e fëmijëve, bij të emigrantëve të dëshpëruar. Të lejojmë që vuajta e tyre të gërmojë brenda nesh në mënyrë që të reagojmë ndaj indiferencës sonë; t’i shikojmë fytyrat e tyre, në mënyrë që të zgjohemi nga gjumi i zakonit!

Sakaq mendoj me mirënjohje për Greqinë. Edhe atje gjeta një pritje vëllazërore. Në Athinë ndjeva se isha i zhytur në madhështinë e historisë, në atë memorie Evropës: humanizëm, demokraci, urti, fe. Edhe aty përjetova mistikën e të qenurit bashkë: në takimin me vëllezërit ipeshkvij dhe me bashkësinë katolike, në Meshën festive të kremtuar në ditën e Zotit dhe më pas me të rinjtë e ardhur nga shumë anë, disa nga shumë larg për të jetuar dhe bashkëndarë gëzimin e Ungjillit. E më tej, përjetova dhuratën e përqafimit të Kryepeshkopit të dashur ortodoks Ieronymos: fillimisht më priti në shtëpinë e tij dhe të nesërmen erdhi për të më takuar. Këtë vëllazëri e mbaj në zemrën time. Ia besoj Nënës së Shenjtë të Hyjit farat e shumta të takimit dhe shpresës që Zoti ka mbjellë në këtë shtegtim. Ju kërkoj që të vazhdoni të luteni në mënyrë që ato të mbijnë në duresë dhe të lulëzojnë në mirëbesim.

Sot përfundon viti kushtuar shën Jozefit, Mbrojtësit të Kishës universale. Pasnesër, 10 dhjetor, do të mbyllet, në Loreto, jubileu Lauretan. Hiri i këtyre ngjarjeve vazhdoftë veprimin në jetën tonë dhe në bashkësitë tona. Virgjëra Mari dhe shën Jozefi na drejtofshin në rrugën e shenjtërisë!

Ju përshëndes të gjithëve, nga Roma dhe shtegtarë! Një urim i veçantë për Veprimin Katolik Italian: qoftë një palestër sinodaliteti në dioqezat dhe famullitë. Përshëndes fëmijët e Korit “Milleunavoce”, besimtarët e Zaragozës dhe të rinjtë e Valdemoros, dioqeza e Getafes, Spanjë. Përshëndes gjithashtu delegacionin e Bashkisë Rocca di Papa, me pishtarin që do të ndezë Yllin e Krishtlindjes në kalanë e qytetit. Përshëndes grupin e meksikanëve nga Puebla.

Ju uroj të gjithëve një festë të gëzuar, veçanërisht ju djemve të Zojës së Papërlyer, është festa juaj! Ju lutem, mos harroni të luteni për mua, unë e bëj atë për ju. Drekën e mirë dhe mirupafshim!

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme