26.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: “Lufta është një sakrilegj, të heqim dorë së ushqyeri atë!”
HomeKryesorPapa: “Lufta është një sakrilegj, të heqim dorë së ushqyeri atë!”

Papa: “Lufta është një sakrilegj, të heqim dorë së ushqyeri atë!”

Nesër, në stendat e gazetave me Corriere della Sera dhe në librari, “Kundër luftës. Guximi për të ndërtuar paqen”: një libër i Papa Françeskut që paraqet dialogun si art politik, ndërtimin mjeshtëror të paqes dhe çarmatimin si një zgjedhje strategjike. Ne po publikojmë hyrjen.

FRANÇESKU

Një vit më parë, në shtegtimin tim në Irakun e rraskapitur, mu dha rasti që ta prek me duar kërdinë e shkaktuar nga lufta, dhuna vëllavrasëse dhe terrorizmi, pashë rrënojat e shtëpive dhe plagët e zemrave, por edhe farat e shpresës për rilindje. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që një vit më vonë do të shpërthente një konflikt në Evropë. Që nga fillimi i shërbimit tim si ipeshkëv i Romës, kam folur për Luftën e Tretë Botërore, duke thënë se ne tashmë po e jetojmë atë, edhe pse ende pjesë-pjesë. Ato pjesë janë bërë gjithnjë e më të mëdha, duke u ngjitur fort mes tyre… Kaq shumë luftëra po ndodhin tani në botë, duke shkaktuar dhimbje të pamasë, viktima të pafajshme, veçanërisht fëmijë. Luftëra që shkaktojnë ikjen e miliona njerëzve, të detyruar që të lënë dheun e tyre, shtëpitë e tyre, qytetet e tyre të shkatërruara, për të shpëtuar jetën. Këto janë luftërat e shumta të harruara, të cilat herë pas here rishfaqen para syve tanë të pavëmendshëm.

Kopertina e librit të Papa Françeskut “Kundër luftës”

Këto luftëra na dukeshin «të largëta». Derisa, tani, gati si papritur, lufta shpërtheu afër nesh. Ukraina u sulmua dhe u pushtua. Dhe ata që u goditën në konflikt, për fat të keq, ishin shumë civilë të pafajshëm, shumë gra, shumë fëmijë, shumë të moshuar, të detyruar të jetojnë në strehimore të gërmuara në angrrat e dheut për t’i shpëtuar bombave, me familje që ndahen sepse bashkëshortët, baballarët, gjyshërit, qëndrojnë për të luftuar, ndërsa bashkëshortet, nënat dhe gjyshet, kërkojnë strehim pas udhëtimeve të gjata të shpresës dhe kalojnë kufirin duke kërkuar mikpritje në vende të tjera, të cilat i presin me zemër të madhe.

Përballë pamjeve që ta këpusin shpirtin, që shohim çdo ditë, përballë klithmës së fëmijëve dhe grave, nuk na mbetet tjetër veçse të bërtasim: “Ndaluni!”. Lufta nuk është zgjidhja, lufta është çmenduri, lufta është një përbindësh, lufta është një kancer që vetushqehet duke gllabëruar gjithçka! Për më tepër, lufta është një sakrilegj, që masakron atë që është më e çmuar në tokën tonë, jetën njerëzore, pafajësinë e të vegjëlve, bukurinë e krijimit.

Po, lufta është një sakrilegj! Nuk mund të mos e kujtoj përgjërimin me të cilin, në vitin 1962, shën Gjoni XXIII u kërkoi të fuqishmëve të kohës së tij të ndalonin një përshkallëzim lufte që mund ta kishte tërhequr botën në humnerën e konfliktit bërthamor. Nuk mund ta harroj forcën me të cilën shën Pali VI, duke folur në vitin 1965 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha: «Jo më luftë! Jo më luftë!». Ose, përsëri, thirrjet e shumta për paqe të shën Gjon Palit II, i cili në vitin 1991 e përkufizoi luftën si «një aventurë pa kthim».

Ajo që po shohim është barbarizmi i radhës dhe ne, për fat të keq, kemi një kujtesë të shkurtër. Po, sepse po të kishim kujtesë, do ta kujtonim atë që na kanë rrëfyer gjyshërit dhe prindërit tanë dhe do ta ndjenim nevojën për paqe ashtu si mushkëritë tona kanë nevojë për oksigjen. Lufta përmbys gjithçka, është çmenduri e mirëfilltë, qëllimi i saj i vetëm është shkatërrimi dhe ajo zhvillohet e rritet pikërisht përmes shkatërrimit dhe, po ta kishim kujtesën, nuk do të shpenzonim dhjetëra, qindra miliarda për riarmatim, për t’u pajisur me armë gjithnjë e më të sofistikuara, për të rritur tregun dhe trafikun e armëve që përfundojnë duke vrarë fëmijë, gra, pleq: janë 1981 miliardë dollarë në vit, sipas llogaritjeve të një qendre të rëndësishme studimi në Stokholm. Duke shënuar një +2.6 përqind dramatik, pikërisht në vitin e dytë të pandemisë, kur, në vend të kësaj, të gjitha përpjekjet tona do duhej të ishin përqendruar mbi shëndetin global dhe shpëtimin e jetëve nga virusi.

Po të kishim kujtesë, do ta dinim se lufta, para se të arrijë në ballë, duhet të ndalet në zemra. Urrejtja, para se të jetë tepër vonë, duhet të zhduket nga zemrat. Dhe për ta bërë këtë, nevojitet dialog, negocim, dëgjim, aftësi dhe gjetje diplomatike, politikë largpamëse e aftë për të ndërtuar një sistem të ri bashkëjetese që nuk bazohet më në armë, në fuqinë e armëve, në mjete frikësuese.

Çdo luftë përfaqëson jo vetëm një disfatë të politikës, por edhe një dorëzim të turpshëm përballë fuqive të së keqes. Në nëntor të vitit 2019, në Hiroshima, qytet simbol i Luftës së Dytë Botërore (banorët e të cilit u vranë, së bashku me ata të Nagasakit, nga dy bomba bërthamore), ritheksova se përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është, sot më tepër se kurrë, një krim, jo ​​vetëm kundër njeriut dhe dinjitetit të tij, por ndaj çdo mundësie për të ardhmen në shtëpinë tonë të përbashkët. Përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime lufte është i pamoralshëm, ashtu siç është i pamoralshëm posedimi i armëve bërthamore.

Kush mund ta imagjinonte se, në më pak se tre vjet më vonë, fantazma e një lufte bërthamore do të ngalliste në Evropë? Pra, hap pas hapi, po shkojmë drejt katastrofës. Pjesë pas pjese, bota rrezikon të bëhet skena e një Lufte të Tretë Botërore një cope. Fillon sikur të ishte e pashmangshme. Por, përkundrazi, ne duhet ta përsërisim me forcë: jo, nuk është e pashmangshme! Jo, lufta nuk është e pashmangshme! Kur e lejojmë veten të përpihemi nga ky përbindësh, i përfaqësuar nga lufta, kur e lejojmë këtë përbindësh të çojë krye dhe të udhëheqë veprimet tona, humbasin të gjithë, shkatërrojmë krijesat e Hyjit, kryejmë një sakrilegj dhe përgatisim një të ardhme vdekjeje për fëmijët dhe nipërit tanë. Lakmia, jo toleranca, ambicia për pushtet, dhuna, janë arsyet që shtyjnë përpara vendimin për luftë, dhe këto arsye shpesh përligjen nga një ideologji lufte që harron dinjitetin e pamatshëm të jetës njerëzore, të çdo jete njerëzore, respektin dhe përkujdesjen që i detyrohemi asaj.

Përballë pamjeve të vdekjes që na vijnë nga Ukraina, është e vështirë të shpresosh. Megjithatë ka shenja shprese. Ka miliona njerëz që nuk aspirojnë luftën, që nuk e justifikojnë luftën, por kërkojnë paqe. Ka miliona të rinj që kërkojnë nga ne të bëjmë gjithçka, të mundur dhe të pamundur, për të ndalur luftën, për të ndaluar luftërat. Duke menduar, para së gjithash për ta, për të rinjtë dhe për fëmijët, duhet ta përsërisim së bashku: kurrë më luftë. E në të njëjtën kohë të angazhohemi për të ndërtuar një botë që është më paqësore pse është më e drejtë, ku triumfon paqja, jo çmenduria e luftës; drejtësia dhe jo padrejtësia e luftës; falja e ndërsjellët dhe jo urrejtja e cila ndan dhe na bën të shohim te tjetri, tek ai që është i ndryshëm nga ne, një armik.

Këtu më pëlqen të citoj një bari italian besimtarësh, të nderueshmin Don Tonino Bello, ipeshkëv i Molfetta-Ruvo-Govinazzo-Terlizzi, në Pulia, profet i palodhur i paqes, që i pëlqente të përsëriste: konfliktet dhe të gjitha luftërat «e kanë rrënjën e tyre në zhdukjen e fytyrave». Kur e fshijmë [eliminojmë] fytyrën e tjetrit, atëherë armët kërcasin. Kur tjetrin, fytyrën e tij ashtu si edhe dhimbjen e tij, e mbajmë para syve, atëherë nuk na lejohet t’ia prekim dinjitetin me dhunë.

Në enciklikën Fratelli tutti [Të gjithë vëllezër] propozova që paratë të cilat përdoren për armatime dhe shpenzime të tjera ushtarake, të përdoren për të krijuar një fond global, të caktuar për eliminimin, më në fund, të urisë dhe për përkrahjen e zhvillimit të vendeve më të varfra, në mënyrë që banorët e tyre të mos iu drejtohen zgjidhjeve të dhunshme ose mashtruese dhe të mos jenë të detyruar ta braktisin dheun e tyre për të kërkuar një jetë më dinjitoze. E përsëris këtë propozim edhe sot, sidomos sot. Sepse lufta duhet ndaluar, sepse luftërat duhen ndaluar dhe do të ndalen vetëm nëse ne ndalojmë së “ushqyeri” ato.

* Libri – botuar nga Solferino dhe LEV – do të prezantohet të premten më 29 prill në orën 10.30 në Romë në Universitetin LUMSA (Sala Giubileo – via di Porta Castello 44). Pas përshëndetjes së rektorit Francesco Bonini, ndërhyjnë kardinali Piero Parolin, Sekretar i Shtetit dhe Romano Prodi. Moderuar nga Fiorenza Sarzanini, zëvendës-drejtoreshë e Corriere della Sera.

Përkthyer nga Vatican News

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme