8.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Luciani, njihet mrekullia: do të shpallet i Lumë
HomeJeta e KishësPapa Luciani, njihet mrekullia: do të shpallet i Lumë

Papa Luciani, njihet mrekullia: do të shpallet i Lumë

Papa Françesku autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtërve që të shpallë dekretin mbi shërimin e mrekullishëm që i atribuohet ndërmjetësimit të Gjon Palit I, një Papë që mbeti në zemrat e njerëzve.

Papa Françesku, duke pritur në audiencë këtë ditë kardinalin Marcello Semeraro, autorizoi Kongregatën për Çështjet e Shenjtërve që të shpallë dekretin i cili njeh mrekullinë që i atribuohet ndërmjetësimit të Gjon Palit I. Bëhet fjalë për shërimin e ndodhur më 23 korrik të vitit 2011 në Buenos Aires, të një vajze njëmbëdhjetëvjeçare të prekur, sikurse lexohet në faqen e internetit të dikasterit, nga “encefalopati e rëndë inflamatore akute, gjendje e keqe epileptike malinje refraktare, shok septik” tanimë në prag të vdekjes: pasqyra klinike ishte shumë serioze, e karakterizuar nga kriza të shumta ditore epileptike dhe nga një gjendje septike e bronkopneumonisë. Iniciativa për të thirrur në ndihmë Papa Lucianin u mor nga famullitari i famullisë së cilës i përkiste spitali.

Prandaj Papa venecian tashmë është pranë lumnimit dhe tani pritet vetëm të mësohet data, e cila do të caktohet nga Françesku.

Papa Luciani lindi më 17 tetor 1912 në Forno di Canale (sot Canale d’Agordo), në provincën e Belunos dhe vdiq më 28 shtator 1978 në Vatikan. Albino Luciani qe Papë për vetëm 33 ditë, një nga papët me papatin më të shkurtër në histori. Ai ishte djali i një punonjësi socialist që kishte punuar për një kohë të gjatë si emigrant në Zvicër. Në shënimin që i shkroi babai i tij, duke i dhënë pëlqimin për të hyrë në seminar, lexohet: “Shpresoj që kur të bëhesh prift, do të mbash anën e të varfërve, sepse Krishti ishte në anën e tyre”. Fjalë që Luciani do t’i vërë në jetë gjatë gjithë jetës së tij.

Albino u urdhërua prift në vitin 1935 dhe në 1958-ten, menjëherë pas zgjedhjes së Gjonit XXIII i cili, si patriark i Venecias, e kishte njohur, u emërua ipeshkëv i Vittorio Veneto. Bir i një toke të varfër të karakterizuar nga emigracioni, por edhe shumë e gjallë nga pikëpamja shoqërore, dhe i një Kishe të shënuar nga figura të mëdha priftërinjsh, Luciani merr pjesë përgjatë gjithë Koncilit II Ekumenik të Vatikanit dhe zbaton me entuziazëm direktivat e tij. Ai kalon shumë kohë në rrëfyestore, është një bari që u qëndron afër njerëzve të tij. Në vitet në të cilat po diskutohej ligjshmëria e pilulës kontraceptive, ai është shprehur disa herë në mbështetje të një hapjeje të Kishës për përdorimin e saj, pasi kishte dëgjuar shumë familje të reja. Pas daljes së enciklikës Humanae vitae, me të cilën Pali VI, në vitin 1968, e shpalli pilulën moralisht të palejueshme, ipeshkvi i Vittorio Veneto do të bëhet promotor i dokumentin, duke iu përmbajtur magjisterit të Papës. Pali VI, i cili pati mundësinë ta vlerësonte, në fund të vitit 1969 e emëroi atë patriark të Venecias dhe në mars të vitit 1973 e krijoi kardinal.

Luciani, i cili zgjodhi për stemën ipeshkvore fjalën “humilitas-përvujtëri”, qe një bari i cili jetonte në përkorë, i vendosur në atë që është thelbësore në fe, i hapur nga pikëpamja shoqërore, pranë të varfërve dhe punëtorëve. Nuk lëshonte pe kur bëhej fjalë për përdorimin e paskrupullt të parave në dëm të njerëzve, siç dëshmohet nga ngulmimi i tij me rastin e një skandali ekonomik në Vittorio Veneto, ngjarje në të cilën përfshihej një nga priftërinjtë e tij. Në magjisterin e tij ai këmbëngul posaçërisht mbi temën e mëshirës. Në Venecia, si patriark, do t’i duhet të vuajë shumë për shkak të kundërshtimit që karakterizon vitet e pas-koncilit. Në Krishtlindjet e vitit 1976, në një kohë kur fabrikat e qendrës industriale të Marghera u pushtuan, ai shqiptoi fjalë që edhe sot e kësaj dite janë shumë aktuale: “Të kapardisesh me luks, të shkapërderdhësh para, e të mos pranosh që t’i investosh ato, duke i zhdukur vjedhurazi jashtë vendit, nuk përbën vetëm pandjeshmëri dhe egoizëm: kjo mund të bëhet provokim dhe të mbledhë mbi kryet tonë atë që Pali VI e quan “zemërimi i të varfërve me pasoja të paparashikueshme”. Si një komunikues i madh, ai është autor i një libri të suksesshëm të quajtur “IllustrissimiTë përndritshëm”, me letra që ai shkroi dhe në mënyrë ideale u dërgoi të mëdhenjve të së kaluarës me gjykime mbi të tashmen. Për të ka një rëndësi të veçantë katekeza dhe nevoja që, ata që përçojnë përmbajtjet e fesë, të jenë të kuptueshëm nga të gjithë. Pas vdekjes së shën Palit VI, më 26 gusht 1978 ai u zgjodh Papë në një konklavë që zgjati një ditë.

Emri i dyfishtë është tashmë një program: duke bashkuar Gjonin dhe Palin, ai jo vetëm që tregon një mirënjohje për Papët që e deshën atë ipeshkëv dhe kardinal, por gjithashtu shënon një mënyrë vijimësie në zbatimin e Koncilit, duke u mbyllur rrugën qoftë nostalgjikëve të përkulur mbi të kaluarën qoftë arratisjeve të pakontrolluara përpara. Ai heq dorë nga përdorimi i formës “Ne”, të pluralis maiestatisshumës i madhërisë, dhe në ditët e para të papatit ai heq dorë nga përdorimi i fron-vigut, duke iu bindur kërkesës së bashkëpunëtorëve të tij vetëm kur e vëren se, duke ecur në këmbë, njerëzit që nuk janë në rreshtat e parë e kanë vështirë që ta shohin atë. Audiencat e së mërkurës gjatë pontifikatit të tij shumë të shkurtër ishin takime katekezash: Papa flet pa një tekst të shkruar, citon poezi përmendësh, fton një djalosh dhe një ministrant që të afrohen dhe bisedon me ta. Në një fjalim të pashkruar, ai tregon se kur ishte fëmijë kishte vuajtur urinë dhe përsërit fjalët guximtare të paraardhësit të tij për “popujt e urisë” që interpelojnë “njerëzit pasanikë”. Ai largohet vetëm një herë nga Vatikani, në javët tepër të nxehta të fundit të verës së 1978-tës, për të përvetësuar katedralen e tij, San Giovanni në Laterano, dhe merr homazhet e kryebashkiakut të Romës, komunistit Giulio Carlo Argan, të cilit, duke iu drejtuar, Papa i ri i citon Katekizmin e shën Piut X duke kujtuar se “ndër mëkatet që thërrasin hakmarrje para syve të Zotit” janë “shtypja e të varfërve” dhe “vjedhja e pagave të drejta të punëtorëve”.

Vdiq papritur natën e 28 shtatorit të vitit 1978. Ai u gjet i pajetë nga murgesha që i sillte kafe në dhomën e tij çdo mëngjes. Në pak javë të pontifikatit të tij ai kishte hyrë në zemrat e miliona njerëzve, për thjeshtësinë e tij, përvujtërinë e tij, për fjalët e tij në mbrojtje të atyre që janë të fundit dhe për buzëqeshjen e tij ungjillore. Rreth asaj vdekjeje të befasishme dhe të papritur, janë ngritur shumë teori mbi komplote të supozuara që kanë shërbyer për të shitur libra dhe prodhuar filma. Një kërkim i dokumentuar mbi vdekjen, i cili e mbyll përfundimisht çështjen, u nënshkrua nga nën-postulatorja e procesit të lumnimit, Stefania Falasca (Cronaca di una morte, Libreria Editrice Vaticana).

Fama e shenjtërisë së Albino Lucianit u përhap shumë shpejt. Shumë njerëz i janë lutur dhe i luten atij. Shumë njerëz të thjeshtë dhe madje edhe një episkopat i tërë – ajo e Brazilit – kanë kërkuar hapjen e procesit i cili tani, pas një shqyrtimi të mirëpeshuar, ka arritur në përfundim.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme