10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: të moshuarit duhet të nderohen, në këtë mënyrë u njihet...
HomeKryesorPapa Françesku: të moshuarit duhet të nderohen, në këtë mënyrë u njihet...

Papa Françesku: të moshuarit duhet të nderohen, në këtë mënyrë u njihet dinjiteti i tyre

Papa Françesku vazhdoi serinë e reflektimeve të tij mbi pleqërinë gjatë katekezës së tij në Audiencën e Përgjithshme, e para e mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 mbi dy vjet më parë.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 6. “Nderoje babën dhe nënën!”: dashuria për jetën e jetuar.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot, me ndihmën e Fjalës së Hyjit që kemi dëgjuar, ne hapim një kalim nëpërmjet brishtësisë së pleqërisë, të shënuar në mënyrë të veçantë nga përvojat e përhumbjes dhe ligështimit, humbjes dhe braktisjes, zhgënjimit dhe dyshimit. Natyrisht, përvojat e brishtësisë sonë, përballë situatave dramatike –ndonjëherë tragjike – të jetës, mund të ndodhin në çdo kohë të ekzistencës. Megjithatë, në pleqëri ato mund të ngjallin më pak përshtypje dhe të shkaktojnë te të tjerët një lloj ngopjeje, madje edhe bezdie. Sa herë kemi dëgjuar apo menduar: “Të vjetrit janë të bezdisshëm”; E kemi thënë, e kemi menduar… Plagët më të rënda të fëmijërisë dhe rinisë shkaktojnë, me të drejtë, një ndjenjë padrejtësie dhe rebelimi, një forcë reagimi dhe luftimi. Përkundrazi, plagët, qoftë edhe ato të rënda, të pleqërisë shoqërohen në mënyrë të pashmangshme me ndjenjën se, në çdo rast, jeta nuk bie në kundërshtim me vetveten, sepse ajo tashmë është jetuar. Dhe kështu të moshuarit janë larguar disi edhe nga përvoja jonë: ne duam t’i largojmë ato.

Në përvojën e përbashkët njerëzore, dashuria – siç thuhet – është zbritëse: ajo nuk kthehet në jetën që gjendet pas nesh me të njëjtën forcë me të cilën derdhet mbi jetën që është ende përpara. Falasshmëria e dashurisë shfaqet edhe në këtë gjë: prindërit e kanë ditur gjithmonë, të moshuarit e mësojnë shpejt. Pavarësisht kësaj, zbulesa hap një rrugë për një rikthim të ndryshëm të dashurisë: është mënyra për t’i nderuar ata që na kanë paraprirë. Rruga e nderimit të njerëzve që na kanë paraprirë fillon nga këtu: nderoi të moshuarit.

Kjo dashuri e veçantë që hap rrugën e saj në formën e nderimit – domethënë dashamirësi dhe respekt në të njëjtën kohë – e destinuar për pleqërinë është e vulosur nga urdhërimi i Hyjit: «Nderoje babanë dhe nënën», është një angazhim solemn, i pari i “rrasës së dytë” të dhjetë urdhërimeve. Nuk ka të bëjë vetëm me babanë dhe nënën përkatës. Bëhet fjalë për brezin dhe breznitë që paraprijnë, ndarja me të cilët mund të jetë edhe e ngadaltë dhe e zgjatur, duke krijuar një kohë dhe një hapësirë ​​bashkëjetese afatgjatë me moshat e tjera të jetës. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për pleqërinë e jetës.

Nderim është një fjala e duhur për të inkuadruar këtë fushë të rikthimit të dashurisë që ka të bëjë me të moshuarit. Domethënë, ne e kemi marrë dashurinë nga prindërit, gjyshërit dhe tani ua kthejmë këtë dashuri atyre, të moshuarve, gjyshërve. Sot ne kemi rizbuluar termin “dinjitet” për të treguar vlerën e respektimit dhe kujdesit për jetën e secilit. Dinjiteti, këtu, në thelb është i barabartë me nderimin: nderimi i babait dhe nënës, nderimi i të moshuarve është njohja e dinjitetit që ata kanë.

Le të mendojmë me kujdes për këtë lakim të bukur të dashurisë që është nderimi. Vetë kujdesi për të sëmurët, mbështetja e atyre që nuk janë të vetëmjaftueshëm, garancia e gjërave për jetesë, mund të kenë mangësi në nderim. Nderimi mungon kur afërsia e tepruar, në vend që të shprehet në delikatesë dhe dashamirësi, butësi dhe respekt, kthehet në vrazhdësi dhe lënie pas dore. Kur dobësia qortohet, madje edhe ndëshkohet, sikur të ishte faj. Kur përhumbja dhe konfuzioni bëhen rrugë për përqeshje dhe agresivitet. Mund të ndodhë deri edhe mes mureve të shtëpisë, në shtëpitë për të moshuarit, madje edhe në zyra apo në hapësirat e qytetit. Inkurajimi te të rinjtë, qoftë edhe indirekt, i një qëndrimi ngopjeje – madje edhe përçmimi – ndaj pleqërisë, dobësive dhe pasigurisë së saj, prodhon gjëra të tmerrshme. I hap rrugën ekseseve të paimagjinueshme. Djemtë që i vënë zjarrin batanijes së një “endacaku” – e kemi parë –, sepse e shohin atë si prishurinë njerëzore, janë maja e ajsbergut, d.m.th. e përçmimit ndaj një jete që, duke qenë larg atraksioneve dhe impulseve të rinisë, ajo tashmë duket si një jetë skarco. Shpeshherë mendojmë se të vjetrit janë skarco ose i bëjmë ne të tillë; të vjetrit përçmohen dhe flaken nga jeta, duke i lënë mënjanë.

Kjo përbuzje që çnderon të moshuarit, në fakt na çnderon të gjithëve. Nëse unë çnderoj të moshuarit, çnderoj vetveten. Pjesa nga Libri i Siracidit, që dëgjuam në fillim, me të drejtë mban qëndrim të rreptë ndaj këtij çnderimi, i cili klith me të madhe për hakmarrje para Zotit. Ka një pasazh në historinë e Noehit që është shumë shprehës në këtë drejtim. Noehi i vjetër, heroi i përmbytjes dhe ende punëtor, shtrihet i zdërgjarë pasi ka pirë pak si shumë. Ai tashmë është i moshuar, por ka pirë shumë. Bijtë, për të mos e zgjuar në siklet, e mbulojnë me delikatesë, me sytë ulur, me shumë respekt. Ky tekst është shumë i bukur dhe i thotë të gjitha për nderimin ndaj të moshuarve; mbulimi i dobësive të të moshuarit, për të mos e turpëruar atë, është një tekst që na ndihmon shumë.

Përkundër të gjitha provanive materiale që shoqëritë më të kamura dhe më të organizuara vënë në dispozicion të pleqërisë – me të cilat sigurisht se mund të jemi krenarë – lufta për rikthimin e asaj forme të veçantë dashurie, që është nderimi, më duket ende e brishtë dhe jo në lartësinë e duhur. Ne duhet të bëjmë gjithçka, ta mbështesim dhe inkurajojmë atë, duke ofruar mbështetje më të mirë sociale dhe kulturore për ata që janë të ndjeshëm ndaj kësaj forme përcaktuese të “qytetërimit të dashurisë”. Dhe për këtë marr guximin t’i këshilloj prindërit: ju lutem, afroni fëmijët, bijtë, të rinjtë me të moshuarit, afrojini gjithmonë. Dhe kur i moshuari është i sëmurë, edhe nga mendja, gjithmonë afrohuni atyre: le ta dinë se ky është mishi ynë, se ky është ai që na bëri të jemi këtu tani. Ju lutem, mos i largoni pleqtë. E nëse nuk ka alternativë tjetër veçse t’i dërgoni në një shtëpi të moshuarish, ju lutem shkoni e shihni dhe merrini fëmijët me vete për t’u bërë vizitë atyre: janë nderi i qytetërimit tonë, të moshuarit që i kanë hapur dyert. Dhe shumë herë, bijtë e harrojnë këtë gjë. Po ju tregoj diçka personale: në Buenos Aires më pëlqente të vizitoja shtëpitë e të moshuarve. Shkoja shpesh dhe i vizitoja të gjithë. Më kujtohet se një herë e pyeta një zonjë: “Sa fëmijë keni?” – “Kam katër, të gjithë të martuar, me nipër e mbesa”. Dhe ajo filloi të më tregonte për familjen. “ A vijnë ata për të të parë?” – “Po, vijnë përherë!”. Kur dola nga dhoma, infermierja që kishte dëgjuar më tha: “At’, ka gënjyer për të mbuluar fëmijët. U bënë gjashtë muaj që nuk ka ardhur askush!”. Kjo është t’i skartosh të vjetrit, të mendosh se të vjetrit janë prishurina. Ju lutem: është mëkat i rëndë. Ky është urdhërimi i parë madhor dhe i vetmi që flet për shpërblim: «Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë». Ky urdhërim, për t’i nderuar të vjetrit, na jep një bekim, i cili tregohet në këtë mënyrë: “Do ta kesh jetën e gjatë”. Ju lutem, ruajini të vjetrit. Dhe nëse i lë mendja, ruajini gjithsesi sepse janë prania e historisë, prania e familjes sime, dhe falë tyre jam këtu, të gjithë mund të themi: falë jush, gjysh e gjyshe, kam jetën. Ju lutemi mos i lini vetëm. Dhe kjo gjë, kujdesi për të moshuarit, nuk është çështje kozmetike dhe kirurgjie plastike: jo. Përkundrazi, është një çështje nderi, e cila duhet ta shndërrojë edukimin e të rinjve përkundrejt jetës dhe fazave të saj. Dashuria për njeriun që është e përbashkët për ne, duke përfshirë nderimin për jetën e jetuar, nuk është çështje të moshuarish. Përkundrazi, është një ambicie që do ta bëjë të ndritshme rininë e cila trashëgon cilësitë e tyre më të mira. Urtia e Shpirtit të Hyjit bëftë që ta hapim horizontin e këtij revolucioni të vërtetë kulturor me energjinë e nevojshme.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme