10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Sinodi s’është konferencë kishtare, por ngjarje hiri hyjnor
KryesorPapa Françesku: Sinodi s’është konferencë kishtare, por ngjarje hiri hyjnor

Papa Françesku: Sinodi s’është konferencë kishtare, por ngjarje hiri hyjnor

Në orën 10.00 të paradites së sotme, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku kremtoi Meshën e Shenjtë për hapjen e Asamblesë XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje dhe mision”.

Publikojmë më poshtë homilinë që Papa bëri pas shpalljes së Ungjillit të Shenjtë:

Homilia e Atit Shenjt:

Një njeri, një person i pasur, shkoi për të takuar Jezusin ndërsa ai «ecte rrugës» (Mk 10,17). Shumë herë Ungjijtë e paraqesin Jezusin “rrugës”, ndërsa vihet në udhëtim përkrah njeriut dhe dëgjon pyetjet që gjenden në zemrën e tij dhe e trazojnë. Kështu, Ai na zbulon se Hyji nuk banon në vende pa impuls, në vende të qeta, larg realitetit, por ecën me ne dhe na arrin aty ku jemi, në rrugët nganjëherë të trazuara të jetës. Dhe sot, duke hapur këtë rrugëtim sinodal, fillojmë duke pyetur veten të gjithë ne – Papa, ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe rregulltaret, motrat dhe vëllezërit laikë -: ne, bashkësia e krishterë, a e kemi mishëruar stilin e Hyjit, i cili ecën në histori dhe bashkëndan ngjarjet e njerëzimit? A jemi të gatshëm për aventurën e udhëtimit apo, të frikësuar nga të panjohurat, parapëlqejmë të gjejmë strehë në justifikimet e “nuk shërben” ose “kështu është bërë gjithmonë”?

Të bësh një Sinod do të thotë të ecësh në të njëjtën rrugë, të udhëtosh së bashku. Le të shikojmë Jezusin, i cili së pari takon njeriun e pasur në rrugë, pastaj dëgjon pyetjet e tij dhe më në fund e ndihmon atë të dallojë se çfarë të bëjë për të pasur jetën e pasosur. Takoj, dëgjoj, dalloj [shoshitja]: tre folje të Sinodit mbi të cilat do të doja të ndalesha.

Takoj. Ungjilli hapet duke rrëfyer një takim. Një njeri shkon të takojë Jezusin, gjunjëzohet para Tij, duke i bërë një pyetje përcaktuese: «Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?» (rr. 17). Një pyetje kaq e rëndësishme kërkon vëmendje, kohë, gatishmëri për të takuar tjetrin dhe për të lejuar që shqetësimi i tij të më interpelojë. Zoti, në të vërtetë, nuk është i shkëputur, nuk shfaq trazim ose bezdisje, përkundrazi, ndalet me të. Ai është i gatshëm për takim. Asgjë nuk e lë atë indiferent, gjithçka e merr me interes të madh. Të takosh personat, të ndërthurësh shikimet, të bashkëndash historinë e secilit: kjo është afërsia e Jezusit. Ai e di se një takim mund të ndryshojë jetën. Dhe Ungjilli është i mbushur me takime me Krishtin të cilat ngushëllojnë dhe shërojnë. Jezusi nuk ecte nxitimthi, nuk shikonte orën për ta përfunduar shpejt takimin. Ai ishte gjithmonë në shërbim të personit që takonte, për ta dëgjuar atë.

Edhe ne, që nisim këtë udhëtim, jemi të thirrur që të bëhemi ekspertë në artin e takimit. Jo për të organizuar evente ose për të bërë një reflektim teorik mbi problemet, por para së gjithash për të marrë kohën e duhur me qëllimin për të takuar Zotin dhe për të favorizuar takimin mes nesh. Një kohë për t’i lënë hapësirë ​​lutjes, adhurimit – kësaj lutjeje që ne e lëmë pasdore aq shumë: të adhurosh, t’i japësh kohë ​​adhurimit -, asaj që Shpirti dëshiron t’i thotë Kishës; për t’u kthyer kah fytyra e tjetrit dhe fjala e tij, për t’u takuar personalisht, për të lejuar që pyetjet e motrave dhe vëllezërve të na prekin, për të ndihmuar njëri-tjetrin deri aty sa karizmat dhe thirrjet në veçantinë e tyre përkatëse të na pasurojnë. Çdo takim – siç e dimë – kërkon hapje, guxim, gatishmëri për të lejuar që tjetri të na interpelojë me jetën dhe historinë e vet. Ndërsa ndonjëherë ne preferojmë të strehohemi në marrëdhënie formale ose të mbajmë maskat siç e do rasti – fryma klerikale dhe zyrtare: ku mbahem më tepër si i përnderuar se si at’ -, takimi na ndryshon dhe shpesh na sugjeron rrugë të reja që nuk kemi menduar t’i ndjekim. Sot, pas Angelus, do të pres në takim një grup të bukur me njerëz rrugësh, të cilët thjesht u mblodhën sepse është një grup njerëzish që shkon për t’i dëgjuar ata, vetëm për t’i dëgjuar. Dhe nga dëgjimi ata arritën të vihen në ecje. Dëgjimi. Shumë herë është pikërisht mënyra me të cilën Hyji na tregon rrugët që duhen ndjekur, duke na bërë të dalim nga zakonet tona të lodhshme. Çdo gjë ndryshon kur jemi të aftë për takime të njëmendta me Të dhe mes nesh. Pa formalizma, pa shtirje, pa ‘makijazh’.

Folja e dytë: dëgjoj. Një takim i vërtetë lind vetëm nga dëgjimi. Njëmend, Jezusi dëgjon pyetjen e atij njeriu dhe shqetësimin e tij fetar dhe ekzistencial. Nuk jep një përgjigje të zakonshme, nuk ofron një zgjidhje të parapaketuar, nuk shtiret se po përgjigjet me mirësjellje vetëm për ta hequr qafe atë dhe për të vazhduar punën e vet. Ai thjesht e dëgjon atë. Për aq kohë sa është e nevojshme, ai e dëgjon atë, pa nxitim. Dhe – gjëja më e rëndësishme – Jezusi nuk ka frikë ta atë dëgjojë me zemër dhe jo vetëm me veshë. Në të vërtetë, përgjigjja e tij nuk mjaftohet me ballafaqimin e pyetjes, por ia mundëson pasanikut të rrëfejë historinë e vet, të flasë lirisht për veten e tij. Krishti i kujton atij urdhërimet dhe ai fillon të flasë për fëmijërinë e vet, të bashkëndajë rrugëtimin e tij fetar, mënyrën se si është orvatur për të kërkuar Hyjin. Kur dëgjojmë me zemër ndodh kështu: tjetri ndihet i mirëpritur, jo i gjykuar, i lirë për të treguar përvojën e tij dhe rrugëtimin e vet shpirtëror.

Le ta pyesim veten, me sinqeritet, në këtë itinerar sinodal: si jemi me dëgjimin? Si janë “veshët” e zemrës sonë? A i lejojmë njerëzit të shprehen, të ecin në fe edhe nëse kanë rrugëtime të vështira të jetës, të kontribuojnë në jetën e bashkësisë pa u penguar, refuzuar apo gjykuar? Të bësh një Sinod do të thotë të vendosësh veten në të njëjtën rrugë të Fjalës së bërë njeri: do të thotë të ndjekësh hapat e tij, duke dëgjuar Fjalën e tij së bashku me fjalët e të tjerëve. Do të thotë të zbulosh me mahnitje se Shpirti Shenjt fryn gjithmonë në një mënyrë befasuese, për të sugjeruar shtigje dhe gjuhë të reja. Është një ushtrim i ngadalshëm, ndoshta i mundimshëm për të mësuar që të dëgjojmë njëri-tjetrin – ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe laikët, të gjithë, të gjithë të pagëzuarit – duke shmangur përgjigjet artificiale dhe sipërfaqësore, përgjigjet prêt-à-porter [të gatshme], jo. Shpirti na kërkon të dëgjojmë pyetjet, mundimet, shpresat e çdo Kishe, të çdo populli dhe kombi. Dhe gjithashtu të jemi në dëgjim të botës, të sfidave dhe ndryshimeve që ajo na vë përpara. Të mos e izolojmë zemrën, të mos blindohemi brenda sigurive tona. Siguritë shpeshherë na mbyllin. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin.

Më në fund, dallimi [shoshitja]. Takimi dhe dëgjimi i ndërsjellë nuk janë një qëllim në vetvete, që i lë gjërat ashtu siç janë. Përkundrazi, kur hyjmë në dialog, vihemi në pikëpyetje, në ecje dhe në fund të kësaj nuk jemi më si më parë, kemi ndryshuar. Ungjilli sot na e tregon këtë. Jezusi e heton se njeriu që ka përballë është i mirë dhe fetar dhe i zbaton urdhërimet, por ai dëshiron ta çojë atë përtej zbatimit të thjeshtë të urdhërimeve. Në dialog, e ndihmon atë të bëjë dallim. I propozon atij të shohë brenda vetes, nën dritën e dashurisë me të cilën Ai vetë, duke e shikuar, e do (krh. rr. 21), dhe, në këtë dritë, të dallojë se për çfarë gjëje është e kapur vërtetë zemra e tij; që pastaj të zbulojë se e mira e tij nuk është të shtojë akte të tjera fetare, por, përkundrazi, të zbrazet nga vetvetja: të shesë atë që ia zë zemrën për t’i bërë vend Hyjit.

Është një tregues i rëndësishëm edhe për ne. Sinodi është një ecje dallimi shpirtëror, i shoshitjes kishtare, që bëhet në adhurim, në lutje, në kontakt me Fjalën e Hyjit. Dhe leximi i dytë sot na thotë se Fjala e Hyjit «është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës» (Heb 4,12). Fjala na hap drejt dallimit dhe e ndriçon atë. Ai e orienton Sinodin në mënyrë që të mos jetë një “convention” kishtar, një takim studimesh ose një kongres politik, në mënyrë që të mos jetë një parlament, por një ngjarje hiri, një proces shërimi i udhëhequr nga Shpirti. Në këto ditë Jezusi na thërret, siç bëri me njeriun e pasur të Ungjillit, të boshatisemi, të çlirohemi nga ajo që është mondane, dhe gjithashtu nga mbylljet tona dhe modelet tona baritore të përsëritura; të pyesim veten se çfarë dëshiron të na thotë Hyji në këtë kohë dhe në cilin drejtim dëshiron të na udhëheqë.

Të dashur vëllezër dhe motra, ju uroj ecje të mbarë së bashku! Qofshim shtegtarë të dashuruar pas Ungjillit, të hapur ndaj surprizave të Shpirtit Shenjt. Të mos humbasim mundësitë e hirit të takimit, të dëgjimit reciprok, të dallimit. Me gëzimin e vetëdijes se, ndërsa ne kërkojmë Zotin, është Ai që vjen i pari të na takojë me dashurinë e tij.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

spot_img

Te fundit

spot_img