23.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Shën Jozefi na mëson heshtjen, hapësirë në të cilën Shpirti...
HomeKryesorPapa Françesku: Shën Jozefi na mëson heshtjen, hapësirë në të cilën Shpirti...

Papa Françesku: Shën Jozefi na mëson heshtjen, hapësirë në të cilën Shpirti Shenjt flet e ngushëllon

Në katekizmin e katërt kushtuar figurës së Atit tokësor të Jezu Krishtit, Papa Françesku na këshillon ta mësojmë prej tij përmasën e përshpirtërisë, që i krijon zërit të Zotit mundësinë të shprehet: na ndihmoftë ta shërojmë gjuhën tonë e të ruhemi nga lajkat, rrenat, shpifjet!

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 4. Shën Jozefi, njeri i heshtjes

Audienca e Përgjithshme e paradites së sotme u zhvillua në orën 9.15 në sallën Pali VI, ku Ati Shenjt takoi grupe shtegtarësh dhe besimtarësh nga Italia dhe nga e gjithë bota.

Në fjalimin e tij, Papa Françesku, duke vazhduar ciklin e ri të katekezave në lidhje me shën Jozefin, e përqendroi reflektimin e tij mbi temën: Shën Jozefi, njeri i heshtjes (krh. Leximi: Jak 3,2.5.10).

Audienca e Përgjithshme u mbyll me këndimin e Pater Noster dhe Bekimin Apostolik.

Katekeze e Atit të Shenjtë

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Po vazhdojmë udhëtimin tonë të reflektimit mbi shën Jozefin. Pasi kam ilustruar mjedisin në të cilin jetoi, rolin e tij në historinë e shpëtimit dhe të qenurit e tij i drejtë dhe fati i Marisë, sot do të doja të shqyrtoja një aspekt tjetër të rëndësishëm të figurës së tij: heshtja. Sot, shpeshherë kemi nevojë për heshtje. Heshtja është e rëndësishme; unë mbetem i goditur nga një varg i Librit të Urtësisë i cili është lexuar duke menduar për Krishtlindjen dhe thotë: «Kur nata ishte në heshtjen më të thellë, fjala jote zbriti në tokë» (krh. Ur 18,14). Hyji u shfaq në momentin e heshtjes më të madhe. Është e rëndësishme të mendosh për heshtjen në këtë epokë që duket se nuk ka shumë vlerë.

Ungjijtë nuk sjellin asnjë fjalë të Jozefit të Nazaretit, asgjë, ai nuk ka folur kurrë. Kjo nuk do të thotë se ai nuk fliste, jo, ka një arsye më të thellë. Me heshtjen e tij Jozefi konfirmon atë që shkruante shën Augustini: «Fjalët tona pakësohen në masën me të cilën Fjala rritet në ne – Fjala e bërë njeri –». Fjalët pakësohen në masën me të cilën rritet Jezusi – jeta shpirtërore -. Ajo që mund ta përkufizojmë si “mënyrë papagalli”, duke folur si papagalli, vazhdimisht, zvogëlohet disi. Vetë Gjon Pagëzuesi, i cili është «Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: “Përgatitni udhën e Zotit” (Mt 3,3), thotë në prani të Fjalës: «Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem» (Gjn 3,30) ). Kjo do të thotë që Ai duhet të flasë dhe unë të hesht dhe Jozefi me heshtjen e tij na fton t’i bëjmë vend Pranisë së Fjalës së mishëruar, Jezusit.

Heshtja e Jozefit nuk është gojëkyçje; është një heshtje plot dëgjim, një heshtje vepruese, një heshtje që nxjerr në pah brendësinë e tij madhështore. «Një fjalë foli Ati dhe qe Biri i tij – komenton shën Gjoni i Kryqit, – dhe ajo flet gjithmonë në heshtje të amshuar dhe në heshtje duhet dëgjuar nga shpirti».

Jezusi u rrit në këtë “shkollë”, në shtëpinë e Nazaretit, me shembullin e përditshëm të Marisë dhe Jozefit. Dhe nuk është çudi që ai vetë do të kërkojë hapësira heshtjeje në ditët e tij (krh. Mt 14,23) dhe do t’i ftojë dishepujt të bëjnë këtë përvojë, për shembull: «Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi» (Mk 6,31).

Sa mirë do të ishte nëse secili prej nesh, duke ndjekur shembullin e shën Jozefit, do të ishte në gjendje të rikuperonte këtë dimension soditës të jetës të hapur para nesh pikërisht nga heshtja. Por të gjithë e dimë nga përvoja se nuk është e lehtë: heshtja na tremb pak, sepse na kërkon të futemi brenda vetes dhe të takojmë pjesën më të vërtetë të vetes. Dhe shumë njerëz kanë frikë nga heshtja, duhet të flasin, të flasin, të flasin ose të dëgjojnë, radion, televizorin…, por heshtjen nuk mund ta pranojnë sepse e kanë frikë. Filozofi Paskal vuri në dukje se «e gjithë pakënaqësia e njerëzve vjen vetëm nga një gjë: nga paaftësia për të qëndruar të qetë në një dhomë».

Të dashur vëllezër dhe motra, le të mësojmë nga shën Jozefi që të kultivojmë hapësira heshtjeje, në të cilat të mund të dëgjohet një Fjalë tjetër, domethënë Jezusi, Fjala: ajo e Shpirtit Shenjt që banon në ne dhe që sjell Jezusin. Nuk është e lehtë ta njohim këtë Zë, i cili shumë shpesh ngatërrohet me mijëra zëra shqetësimesh, tundimesh, dëshirash, shpresash që banojnë në ne; por pa këtë stërvitje që vjen pikërisht nga praktika e heshtjes, mund të sëmuret edhe e folura jonë. Pa praktikën e heshtjes, e folura jonë sëmuret. Ajo, në vend që ta bëjë të vërtetën të shkëlqejë, mund të bëhet një armë e rrezikshme. Njëmend, fjalët tona mund të bëhen lajka, lavdi e kotë, gënjeshtra, shpërrallime, shpifje. Është një fakt i përvojës ku, siç na kujton Libri i Siracidit, «fjala vret më shumë se shpata» (krh. 28,22). Jezusi e ka thënë qartë: kushdo që flet keq për vëllain dhe motrën e tij, kushdo që shpif për të afërmin, është vrasës (krh. Mt 5,21-22). Vret me gjuhë. Ne nuk e besojmë këtë, por është e vërteta. Të mendojmë pak për ato herë që kemi vrarë me gjuhë, do të na vijë turp! Por do të na bëjë shumë mirë, aq mirë.

Urtia biblike pohon se «vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës, ata që e duan [që e përdorin mirë] do t’i hanë frytet e saja» (Fu 18,21). Jakobi apostull, në letrën e tij, e zhvillon këtë temë të kahershme të pushtetit, pozitiv dhe negativ, të fjalës me shembuj të shkëlqyeshëm dhe thotë kështu: «Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë, ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojë mbarë trupin […] edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha. […] Me të lavdërojmë Zotin edhe Atin, por me të edhe mallkojmë njerëzit e krijuar në përngjasimin e Hyjit: prej të njëjtës gojë del bekimi dhe mallkimi» (3,2-10).

Kjo është arsyeja pse ne duhet të mësojmë nga Jozefi që të kultivojmë heshtjen: atë hapësirë ​​të brendshme në ditët tona, në të cilën i japim mundësi Shpirtit të na rigjenerojë, të na ngushëllojë, të na korrigjojë. Nuk them të biem në gojëkyçje, jo, por të kultivojmë heshtjen. Secili të shikojë brenda vetes: shpeshherë kur bëjmë ndonjë punë dhe e mbarojmë atë, menjëherë kërkojmë celularin për të bërë diçka tjetër; kështu bëjmë gjithmonë. Kjo nuk na ndihmon, kjo na bën të rrëshqasim në atë që është sipërfaqësore. Thellësia e zemrës rritet me heshtjen, heshtje që nuk është gojëkyçje, siç e thashë, por që i lë vend urtisë, reflektimit dhe Shpirtit Shenjt. Ndonjëherë kemi frikë nga momentet e heshtjes, por nuk duhet të frikësohemi! Heshtja do të na bëjë aq mirë. Dhe nga përfitimi i zemrës që do të kemi, do të shërohet edhe gjuha jonë, do të shërohen fjalët tona dhe mbi të gjitha zgjedhjet tona. Njëmend, Jozefi e bashkoi heshtjen me veprimin. Ai nuk ka folur, por ka vepruar, dhe kështu na ka treguar atë që një ditë Jezusi u tha dishepujve të tij: «Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell» (Mt 7,21). Themi fjalë të bëshme, por të kujtojmë atë këngën që thotë “Fjalë, fjalë, fjalë…” dhe asgjë thelbësore. Le të heshtim, të flasim drejtë, ndonjëherë ta kafshojmë pak gjuhën, se na bën mirë, në vend që të themi budallallëqe.

E mbyllim me një lutje:

Shën Jozef, njeri i heshtjes,

ti që nuk the asnjë fjalë në Ungjill,

na mëso të agjërojmë për nga fjalët boshe,

që të rizbulojmë vlerën e fjalëve që ndërtojnë,

inkurajojnë, ngushëllojnë, mbështesin.

Afrohu atyre që vuajnë për shkak të fjalëve që lëndojnë,

si shpifja dhe shpërrallimet,

dhe na ndihmo që fjalët tona të shkojnë krahas veprave. Amen!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme