4.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: pleqëria nuk duhet të fshihet, është "magjisteri i brishtësisë"
HomeKryesorPapa Françesku: pleqëria nuk duhet të fshihet, është "magjisteri i brishtësisë"

Papa Françesku: pleqëria nuk duhet të fshihet, është “magjisteri i brishtësisë”

Lutja e bukur e të moshuarit që gjejmë në Psalmin 7, që kemi dëgjuar, na inkurajon të meditojmë mbi tensionin e fortë që banon në gjendjen e pleqërisë, kur kujtimi i vështirësive të kapërcyera dhe bekimet e marra vihen në sprovën e fesë dhe shpresës.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 12. «Mos më lësho dore në pleqëri»

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Lutja e bukur e të moshuarit që gjejmë në Psalmin 7, që kemi dëgjuar, na inkurajon të meditojmë mbi tensionin e fortë që banon në gjendjen e pleqërisë, kur kujtimi i vështirësive të kapërcyera dhe bekimet e marra vihen në sprovën e fesë dhe shpresës.

Sprova tashmë paraqitet me dobësinë që shoqëron kalimin nëpër brishtësinë dhe cenueshmërinë e moshës së pleqërisë. Dhe psalmisti – një i moshuar që i drejtohet Zotit – e përmend në mënyrë të hapur faktin se ky proces bëhet një rast për braktisje, mashtrim e padrejtësi dhe arrogancë, që nganjëherë sulen mbi të moshuarin. Një formë paburrërie në të cilën jemi të specializuar në shoqërinë tonë. Është e vërtetë! Në këtë shoqëri skartuese, kjo kulturë e skartimit, të moshuarit vihen mënjanë dhe vuajnë nga këto gjëra. Njëmend, nuk mungojnë ata që përfitojnë nga mosha e vjetër, për t’i mashtruar, për t’i frikësuar në një mijë mënyra. Shpesh lexojmë në gazeta ose dëgjojmë lajme për të moshuar që mashtrohen në mënyrë të paskrupullt për t’u marrë atyre kursimet; ose që lihen të pambrojtur ose të braktisur pa përkujdesje; ose të fyer nga format e përbuzjes dhe të frikësuar në mënyrë që të heqin dorë nga të drejtat e tyre. Edhe në familje – dhe kjo është e rëndë, por ndodh edhe në familje – mizori të tilla ndodhin. Të moshuarit e skartuar, të braktisur në shtëpitë e pleqve, pa i vizituar fëmijët e tyre ose nëse shkojnë, shkojnë ndonjëherë në vit. I moshuari i vënë mu në qoshe të ekzistencës. Dhe kjo ndodh: ndodh sot, ndodh në familje, ndodh gjithmonë. Duhet të reflektojmë mbi këtë gjë.

E gjithë shoqëria duhet të nxitojë që të kujdeset për të moshuarit e vet – ata janë thesari! –, gjithnjë e më të shumtë, e shpesh edhe më të braktisur. Kur dëgjojmë për të moshuar të cilëve u është hequr autonomia, siguria e tyre, madje edhe banesa e tyre, kuptojmë se ambivalenca e shoqërisë së sotme kundrejt të moshuarve nuk është një problem i emergjencave të rastësishme, por një tipar i asaj kulture të skartimit që helmon botën në të cilën jetojmë. I moshuari i psalmit ia rrëfen Hyjit dëshpërimin e vet: «Sepse thonë armiqtë e mi për mua, e ata që më vërejnë zunë njëzëri të këshillohen: “Hyji hoqi dorë prej tij, salvojeni, bini në të se s’ka kush i del zot”» (rr. 10-11). Pasojat janë fatale. Pleqëria jo vetëm që e humb dinjitetin, por edhe dyshohet nëse e meriton të vazhdojë më gjatë. Kështu, të gjithë ne tundohemi që ta fshehim cenueshmërinë tonë, ta fshehim sëmundjen, moshën dhe pleqërinë tonë, sepse kemi frikë se ato janë paradhoma e humbjes së dinjitetit tonë. Le ta pyesim veten: a është njerëzore ta shkaktosh këtë ndjenjë? Si vallë qytetërimi modern, kaq i përparuar dhe efikas, ndihet kaq i trazuar përpara sëmundjes dhe pleqërisë, e fsheh sëmundjen, fsheh pleqërinë? Si vallë politika, e cila është kaq e përkushtuar për të përcaktuar kufijtë e një mbijetese dinjitoze, është në të njëjtën kohë e pandjeshme ndaj dinjitetit të një bashkëjetese dashamirëse me të moshuarit dhe të sëmurët?

I moshuari i psalmit që kemi dëgjuar, ky plak që e sheh pleqërinë e tij si një dështim, rizbulon besimin në Zotin. E ndjen nevojën për ndihmë. Dhe i drejtohet Hyjit. Shën Augustini, duke komentuar këtë psalm, e nxit të moshuarin: «Mos ki frikë se do të braktisesh në pleqëri. […] Përse ke frikë se [Zoti] do të të braktisë, se ai do të ta kthejë shpinën në kohën e pleqërisë, kur forcat të të lënë? Në të vërtetë, forca e tij do të jetë në ty pikërisht atëherë, kur e jotja të mungojë» (PL 36, 881-882). Dhe psalmisti i moshuar thërret: «Më shpëto e më dil zot pashë drejtësinë tënde, prire mbi mua veshin tënd e më shëlbo! Ji për mua shkëmb mbrojtjeje, kullë e pamposhtur për të më shpëtuar, sepse ti je kështjella ime e strehimi im». (rr. 2-3). Lutja dëshmon për besnikërinë e Hyjit dhe thërret aftësinë e tij për të shkundur ndërgjegjet e devijuara nga pandjeshmëria ndaj shëmbëlltyrës së jetës së vdekshme, e cila duhet të ruhet në integritetin e saj. Ai lutet përsëri kështu: «O Hyj, mos më rri larg, Hyji im, shpejto të më ndihmosh. Le të turpërohen e le të shuhen kundërshtarët e shpirtit tim, le të mbulohen me marrëzi e me turp ata që ma dëshirojnë të keqen» (rr. 12-13).

Në të vërtetë, turpi duhet të bjerë mbi ata që përfitojnë nga dobësia e sëmundjes dhe pleqërisë. Lutja rinovon premtimin e besnikërisë dhe bekimit të Hyjit në zemrën e të moshuarve. I moshuari e rizbulon lutjen dhe dëshmon për forcën e saj. Jezusi, në Ungjill, nuk e refuzon kurrë lutjen e atyre që kanë nevojë për ndihmë. Të moshuarit, për shkak të dobësisë së tyre, mund t’u mësojnë atyre që jetojnë moshë të tjera të jetës se të gjithë kemi nevojë t’i braktisemi Zotit, për të kërkuar ndihmën e tij. Në këtë kuptim, të gjithë ne duhet të mësojmë nga pleqëria: po, ka një dhunti në të qenurit i moshuar, kuptuar kjo si braktisja e vetvetes ndaj kujdesit të të tjerëve, duke filluar nga vetë Hyji.

Gjendemi, pra, para një “magjisteri të brishtësisë”, mos ta fshehim brishtësinë, jo. Ato janë të vërteta, kemi një realitet dhe kemi një magjister të brishtësisë, të cilin pleqëria është në gjendje ta kujtojë në mënyrë të besueshme për të gjithë hapësirën e jetës njerëzore. Mos ta fshehim pleqërinë, mos ta fshehim dobësitë e pleqërisë. Ky është një mësim për të gjithë ne. Ky magjister hap një horizont vendimtar për reformimin e vetë qytetërimit tonë. Një reformë që tashmë është e domosdoshme për të mirën e bashkëjetesës së të gjithëve. Margjinalizimi konceptual dhe praktik i të moshuarve, korrupton të gjitha stinët e jetës, jo vetëm atë të pleqërisë. Secili prej nesh mund të mendojë sot për të moshuarit e familjes: si sillem me ta, a i kujtoj, a shkoj për t’i vizituar? A kujdesem që atyre të mos u mungojë asgjë? A i respektoj ata? Të moshuarit që janë në familjen time, mami, babi, gjyshi, gjyshja, xhaxhai, miqtë, i kam fshirë nga jeta ime? Apo shkoj tek ata për të marrë urtinë, urtinë e jetës? Mos harro se edhe ti do të jesh një ditë i moshuar ose e moshuar. Pleqëria vjen për të gjithë. Dhe ashtu siç do të doje të trajtoheshe ti në momentin e pleqërisë, trajtoji sot të moshuarit. Janë memoria e familjes, memoria e njerëzimit, memoria e vendit. Ruajini të moshuarit sepse janë urti. Zoti u dhëntë të moshuarve që janë pjesë e Kishës bujarinë e kësaj lutjeje dhe të kësaj nxitjeje. Na prektë të gjithëve ky besim në Zotin. Dhe kjo, për të mirën e të gjithëve, të tyre, tonën dhe të fëmijëve tanë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme