9.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku përshëndet Sllovakinë: “Të krishterët endës të dialogut aty ku mbizotëron...
HomeJeta e KishësPapa Françesku përshëndet Sllovakinë: “Të krishterët endës të dialogut aty ku mbizotëron...

Papa Françesku përshëndet Sllovakinë: “Të krishterët endës të dialogut aty ku mbizotëron egoizmi”

Mond MARKU

Papa Françesku e përfundoi udhëtimin e tij apostolik me Meshën në Shenjtëroren e Šaštín, në solemnitetin e Zojës së Shtatë Dhimbjeve [Shtatë Hanxharëve], Pajtore e Sllovakisë. Ishin të pranishëm rreth 60 mijë besimtarë. Gjatë predikimit tha: “Mos e zvogëloni besimin në sheqer që ëmbëlson jetën. Para Jezusit nuk mund të qëndrosh i vakët, me një këmbë në dy këpucë”. Ftesa për të qenë gjithmonë në ecje: “Kur Kisha ndalon, ajo sëmuret”. Pastaj lamtumira nga vendi: “Unë ju mbaj të gjithëve në zemrën time”.

Papa Françesku ia besoi fatin e Sllovakisë dhe njerëzve të saj Virgjërës Mari, e nderuar në traditën sllovake si Zoja e Shtatë Dhimbjeve. Papa përfundoi udhëtimin e tij të 34-tërt apostolik me një Meshë të madhe në Shenjtëroren e Šaštín, një destinacion për shtegtimet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në sheshin e atij vendi kulti, në një ditë gati pranverore, ishin të pranishëm 90 ipeshkvij, mbi 500 meshtarë dhe rreth 60,000 besimtarë që valëvitin flamuj të bardhë dhe të verdhë, ndërsa Papa kalonte me popemobile. Françesku bëri një xhiro gati gjysmë ore, ndërsa turma këndoi dhe thërriti me të madhe, bëri fotografi me smartfonat e tyre. Ata të rreshtit të parë shtrinin duart nga përtej barrierave me shpresën se do të preknin Pasardhësin e Pjetrit; disa prindër ngritnin lart fëmijët e tyre.

Sllovakia ka nevojë për profetë

Këtij populli të devotshëm, Françesku i la bekimin e tij, por edhe një mandat të saktë: të jenë “profetë”. Sepse “sot Sllovakia ka nevojë për profetë”: “Nuk bëhet fjalë për të qenë armiqësor ndaj botës, por për të qenë ‘shenja kundërshtimi’ në botë”, tha Papa në predikimin e tij, duke kujtuar Ungjillin. Të krishterët duhet të tregojnë “me jetë” pikërisht bukurinë e Ungjillit.

Të krishterët që janë endës të dialogut aty ku qëndrimet bëhen të ngurta; që bëjnë të shkëlqejë jeta vëllazërore, aty ku shpesh në shoqëri ka përçarje dhe armiqësi; që përhapin aromën e mirë të mikpritjes dhe solidaritetit, aty ku shpesh mbizotëron egoizmi personal dhe kolektiv; që mbrojnë dhe ruajnë jetën aty ku sundon logjika e vdekjes.

Maria, model i fesë “në ecje”

Papa u ndal te figura e Marisë, “modeli” i një feje që ka tre karakteristika: ecjen, profecinë, dhembshurinë.

“Feja e Marisë është një fe e cila vihet në ecje”. E gjithë jeta e Zojës është “një ecje” pas Birit Jezus, si “dishepulle e parë”, deri te këmbët e Kryqit.

Kështu, Virgjëra është modeli i fesë së këtij populli sllovak: një fe që vihet në ecje, e gjallëruar gjithmonë nga një devotshmëri e thjeshtë dhe e çiltër, gjithmonë në shtegtim në kërkim të Zotit. Dhe, duke ecur, ju fitoni mbi tundimin e një feje statike, e cila kënaqet me ndonjë rit ose traditë të vjetër, dhe në vend të kësaj ju dilni nga vetja, mbani gëzimet dhe hidhërimet në çantën tuaj dhe bëni me jetën një shtegtim dashurie drejt Hyjit dhe vëllezërve”.

“Ju lutem, qëndroni gjithmonë në ecje, mos ndaloni”, nxit Papa, duke shtuar, përtej asaj që mbante të shkruar: “Kur Kisha ndalon ajo sëmuret, kur ipeshkvijtë ndalojnë sëmurin Kishën, kur meshtarët ndalojnë sëmurin popullin e Hyjit”.

Mos e zvogëloni besimin në “sheqer”

Feja e Marisë është gjithashtu një fe profetike. Vajza e Nazaretit, me vetë jetën e saj “është një profeci e veprës së Hyjit në histori, e veprimit të tij të mëshirshëm që përmbys mendësitë e botës, duke lartësuar të përulurit dhe duke ulur krenarët”. Ajo “mbart në kraharorin e saj Fjalën e Hyjit të mishëruar, Jezusin”, i cili, siç thotë Simeoni, “Hyji e caktoi […] të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë”.

Të mos e harrojmë këtë: feja nuk mund të zvogëlohet në sheqer që ëmbëlson jetën. Jezusi është një shenjë kundërshtimi. Ai erdhi për të sjellë dritën aty ku ka errësirë, duke i nxjerrë errësirat sheshit dhe duke i detyruar ato që të dorëzohen. Për këtë arsye errësirat luftojnë gjithmonë kundër Tij.

“Kush pranon Krishtin dhe i hapet Atij, ngjallet; kush e refuzon mbyllet në errësirë ​​dhe shkatërron vetveten”, pohoi Papa Françesku. “Para Jezusit, nuk mund të qëndrosh i vakët, me ‘këmbën në dy këpucë’. Të mirëpresësh atë do të thotë të pranosh që ai të zbulojë kontradiktat e mia, idhujt e mi, sugjerimet e së keqes; dhe që ai të bëhet ngjallje për mua, Ai që më ngre gjithmonë lart, që më merr për dore dhe më bën të filloj përsëri”.

Qëndroni nën kryq

Së fundi, Maria është simbol i dhembshurisë. Ajo që e quajti veten “shërbëtore e Zotit” përjetoi në Kalvar “një dhimbje që të këput shpirtin”. Megjithatë Ajo, nën kryq, “thjesht qëndron aty”.

Ajo nuk ikën, nuk përpiqet të shpëtojë veten, nuk përdor marifete njerëzore dhe anestezi shpirtërore për t’i shpëtuar dhimbjes. Kjo është dëshmia e dhembshurisë: qëndrimi nën kryq. Të qëndrosh me fytyrën e përlotur, por me fenë e atij që e di se në Birin e tij Hyji e shndërron dhimbjen dhe fiton mbi vdekjen.

“Edhe ne, duke parë Virgjërën Nënë të Dhimbjeve, hapemi para një feje që bëhet dhembshuri, e cila bëhet bashkëndarje e jetës me ata që janë të plagosur, me ata që vuajnë dhe që janë të detyruar të mbajnë kryqe të rënda mbi supet e tyre”, theksoi Papa Françesku. “Një fe që nuk mbetet abstrakte, por mishërohet dhe na bën solidar me ata që gjenden në nevojë”. Kjo fe, “me përulësi dhe pa bujë”, “i ujit me shpëtim brazdat e historisë”, pohoi Papa. Ai lutet që Hyji të ruajë gjithmonë te populli sllovak “mahnitjen dhe mirënjohjen për dhuratën e fesë”.

Lamtumira nga vendi: “Ďakujem všetkým! Faleminderit të gjithëve!”

Në fund të kremtimit, arqipeshkëvi i Bratislavës, Stanislav Zvolenský, president i Konferencës ipeshkvore, i drejtoi Papës një përshëndetje. Vetë Françesku, para bekimit përfundimtar dhe pasi vendosi një trëndafil të artë te këmbët e trupores së Zojës, u la një mesazh besimtarëve dhe shtegtarëve: “Tani ka ardhur koha të largohem nga vendi juaj. Në këtë Eukaristi falënderova Hyjin që ma bëri dhuratë të vij midis jush; dhe të përfundoj shtegtimin tim në përqafimin e devotshëm të popullit tuaj, duke kremtuar së bashku festën e madhe fetare dhe kombëtare të Pajtores, Virgjërës së Dhimbjeve”.

Papa falënderoi ata që e shoqëruan në këto tri ditë: ipeshkvijtë, autoritetet civile, anëtarët dhe vëzhguesit e Këshillit Ekumenik të Kishave, të pranishëm në Meshë. “Unë jam mirënjohës ndaj të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyra të ndryshme, veçanërisht me lutjet e tyre”, pohoi Françesku, i cili e mbylli vizitën me një premtim: “Unë ju mbaj të gjithëve në zemrën time. Ďakujem všetkým! Ju faleminderit të gjithëve!”.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme