3.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku pas operimit: “As që më ka shkuar ndonjëherë ndërmend të...
HomeJeta e KishësPapa Françesku pas operimit: “As që më ka shkuar ndonjëherë ndërmend të...

Papa Françesku pas operimit: “As që më ka shkuar ndonjëherë ndërmend të jap dorëheqjen”

Papa Françesku u intervistua nga Karlos Herrera në Radio COPE. Për herë të parë ai flet për ndërhyrjen kirurgjike të korrikut dhe trajton gjithashtu çështjet e Afganistanit, Kinës, eutanazisë, reformës së Kuries.

Nga operacioni të cilit iu nënshtrua me 4 korrik të muajit të kaluar në Poliklinikën Gemelli dhe gjendja e tij aktuale shëndetësore, te kriza në Afganistan dhe shqetësimi për popullatën. Pastaj vjen dialogu me Kinën, “rruga për t’u ndjekur”, pikëpamja mbi eutanazinë dhe abortin, të dy këto simbole të “kulturës së skartimit”, gjyqi i rëndësishëm në Vatikan dhe, së fundi, sfidat e pontifikatit të tij siç është reforma e Kuries dhe lufta kundër korrupsionit dhe pedofilisë. Një pontifikat i cili, pasi ka arritur pothuajse vitin e nëntë, përkundër thashethemeve që qarkulluan nëpër mediat italiane dhe argjentinase, nuk do të ndërpritet më shpejt nga sa pritej: “As që më ka shkuar ndonjëherë ndërmend të jap dorëheqjen”. Të gjitha këto janë pjesë e intervistës që Papa Françesku dha fundjavën e kaluar për Radio Cope, transmetuesi i Konferencës ipeshkvore spanjolle, e cila zgjati një orë e gjysmë. Bëhet fjalë për intervistën e parë pas operacionit për stenozë divertikulare, e para gjithashtu në një radio në Spanjë.

Shëndeti pas operacionit te Gemelli 

Në bashkëbisedim me gazetarin Karlos Herrera, nën shikimin e figurës së Zojës që zgjidh nyejt, aq e dashur për Papën, e ruajtur në sallën te Shtëpia Shën Marta, Papa trajton të gjitha çështjet aktuale dhe nuk i shmanget pyetjeve më personale. Duke filluar me pyetjen më të thjeshtë në këtë kohë shërimi pas operacionit: “Si jeni?”. “Rroj ende”, përgjigjet papa Françesku me një buzëqeshje. Dhe rrëfen se ai që i ka “shpëtuar jetën” ishte një infermier i shërbimit shëndetësor të Selisë së Shenjtë, “një njeri me mbi 30 vjet përvojë”, i cili këmbënguli që të operohesha: “Më ka shpëtuar jetën! Ai më tha: ‘Duhet të bësh një operim’”. Dhe ashtu u bë, pavarësisht mendimit të kundërt të disave që në vend të operimit sugjeronin një kurë “me antibiotikë”. Mirëpo, këmbëngulja e infermierit doli se ishte provanore, duke qenë se ndërhyrja – pra e planifikuar – hetoi një pjesë nekrotike. Tani, pas operacionit, Françesku tregon, “Kam 33 centimetra zorrë më pak”, gjë e cila, sidoqoftë, nuk e pengon atë të bëjë një jetë “krejt normale”. “Unë mund të ha gjithçka” dhe, duke marrë “ilaçet e përshtatshme”, përballoj axhendën e  ngarkuar: “Sot, gjithë paraditen pata takime, gjithë paraditen”. Një axhendë që përfshin gjithashtu udhëtimin në Sllovaki dhe Hungari më 12-15 të këtij muaji shtator, i 34-tërti i pontifikatit të tij, dhe që nuk përjashton një udhëtim të ardhshëm në Qipro, Greqi dhe Maltë dhe në Santiago de Kompostela për Vitin e Shenjtë jakobian.

“Dorëheqja? As që e kam menduar ndonjëherë”

Gjithnjë duke folur për shëndetin e tij, Papa përgënjeshtron kategorikisht spekulimet e disa gazetave italiane dhe argjentinase në lidhje me një dorëheqje të mundshme nga pontifikati. Kur u pyet për këtë, Françesku tha: “Një fjalë mund të interpretohet në një mënyrë ose në një tjetër, apo jo? Janë gjëra që ndodhin. Ç’të them … nuk e di nga e kanë gjetur javën e kaluar që unë do të jepja dorëheqjen! Çfarë fjale dëgjuan ata në atdheun tim? Atje doli lajmi. Dhe thonë se bëri bujë kur as që më ka shkuar ndërmend!”. Me një farë ironie, Papa shpjegon gjithashtu se ai mori vesh për lajme të tilla shumë më pas: “Më thanë gjithashtu se javës së kaluar ishte në modë. Eva (Fernández, korrespondente e Cope për Italinë dhe Vatikanin) më tha … dhe unë i thashë se nuk e kisha idenë sepse këtu lexoj vetëm një gazetë në mëngjes, të përditshmen e Romës. E lexoj sepse më pëlqen mënyra se si nxjerr një titull, e lexoj shpejt e shpejt dhe kaq, nuk përfshihem në të tilla gjëra. Nuk shikoj televizion. Po, unë marr, pak a shumë pasqyrën e ditës, por e zbulova shumë më vonë, disa ditë më pas, se kishte diçka në lidhje me dorëheqjen time. Sa herë që një Papë është i sëmurë vjen gjithmonë një puhizë ose një uragan Konklave”.

Kriza në Afganistan

Një hapësirë e bollshme në intervistë i kushtohet krizës në Afganistan, lënduar nga sulmet e fundit kamikaze dhe nga hemorragjia e qytetarëve pasiqë talebanët morën pushtetin. “Një situatë e vështirë”, vëren Papa Françesku i cili nuk hyn në detajet e përpjekjeve që Selia e Shenjtë po bën në nivelin diplomatik për të shmangur hakmarrjet kundër popullsisë, por nuk i kursen fjalët e mira për punën e Sekretariatit të Shtetit. “Unë jam i sigurt se ai po ndihmon ose të paktën ofron ndihmë”, thotë ai, dhe e përcakton kardinalin Pietro Parolin, i cili është Sekretar i Shtetit, si “diplomatin më të mirë që kam takuar ndonjëherë. Një diplomat që shton, jo një nga ata që mënjanojnë, i cili është gjithmonë në kërkim, një njeri i marrëveshjes”.

Papa iu referua pastaj Kancelares gjermane Angjela Merkel, “një nga figurat më të mëdha të politikës botërore” dhe takimit të tij më 20 gusht të vitit të kaluar në Moskë me Presidentin Vladimir Putin gjatë të cilit u fol për papërgjegjshmërinë e ndërhyrjeve të jashtme politike në kombet e tjera për të ndërtuar demokracinë, duke injoruar traditat e popullit. I pyetur për këtë gjë, papa Françesku e përkufizon tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani si “të ligjshme”, pas njëzet vjet pushtimi, megjithëse “jehona që vjen te mua është diçka tjetër”, përkatësisht fakti “i lënies së popullit afgan në dorë të fatit të tij”. Për Papën, në të vërtetë, nyja që duhet zgjidhur është një tjetër: “Si të negociohet një rrugëdalje”. “Me aq sa mund të shoh – pohon në intervistë -, këtu nuk janë marrë parasysh, me sa duket, të gjitha mundësitë, nuk dua të gjykoj, jo të gjitha eventualitetet. Nuk e di nëse do të ketë një rishikim apo jo, por sigurisht që ka pasur shumë mashtrime ndoshta prej anës së autoriteteve të reja. Unë them mashtrim ose shumë naivitet, nuk e kuptoj”.

Dialogu me Kinën: kjo është rruga për t’u ndjekur

Nga Afganistani, fokusi mbetet në Azi, por zhvendoset te Kina dhe Marrëveshja për emërimet e ipeshkvijve që është rinovuar për dy vite të tjera. “Ka nga ata që këmbëngulin se përse ju nuk rinovoni marrëveshjen që Vatikani nënshkroi me atë vend sepse vini në rrezik autoritetin tuaj moral”, vëren gazetari. “Kina nuk është e lehtë, por jam i bindur se nuk duhet të heqim dorë nga dialogu”, përgjigjet Papa. “Mund të mashtrohesh në dialog, mund të bëhen gabime, e gjithë kjo mund të ndodhë … por kjo është rruga për t’u ndjekur. Ajo që është arritur deri më tani në Kinë ka qenë së paku dialogu … disa gjëra konkrete si emërimi i ipeshkvijve të rinj, me ngadalë … por këto janë gjithashtu hapa që mund të jenë të diskutueshëm nga njëra anë ose nga tjera dhe rezultatet po ashtu”.

Frymëzimi i Kardinalit Kazaroli

Për Papën, pika e referimit dhe frymëzimit është Kardinali Agostino Kazaroli, për një kohë të gjatë sekretar shteti gjatë pontifikatit të Gjon Palit II, i cili edhe me Gjonin XXIII ishte “njeriu i ngarkuar për ndërtimin e urave lidhëse me Evropën Qendrore”. Papa citon “një libër shumë të bukur”, “Il martirio della pazienza” (Martirizimi i durimit), në të cilin kardinali rrëfen përvojat e tij në vendet komuniste: “Ishte një hap i vogël, njëri pas tjetrit, për të ndërtuar ura lidhjeje… dalëngadalë, dalëngadalë, ai po arrinte kushtet e marrëdhënieve diplomatike të cilat, në fund, nënkuptonin emërimin e ipeshkvijve të rinj dhe kujdesin për popullin besimtar të Hyjit. Sot, në ndonjë mënyrë, ne duhet të ndjekim hap pas hapi ato shtigje të dialogut në situatat më konfliktuale”. Përvoja me Islamin, me imamin e madh të Al-Tayeb, ka qenë shumë pozitive nga kjo pikëpamje: “Dialog, gjithmonë dialog ose gatishmëri për dialog”.

Sfidat e Papës

Dialogu është një nga gurët e themelit të këtyre tetë viteve të pontifikatit që Papa Françesku shqyrton gjatë intervistës. Duke filluar me zgjedhjen e 13 marsit të vitit 2013, krejtësisht e papritur (“Unë erdha këtu me një çantë”), duke kaluar nëpër sfidat e ndryshme të përballuara gjithmonë me synimin për të zbatuar atë mbi të cilën ishte rënë dakord nga kardinalët në takimet para-konklave, të gjitha të përmbledhura në Evangelii Gaudium: “Mendoj se ka ende disa gjëra për të bërë, por asgjë nuk u sajua nga unë. Unë jam duke iu bindur asaj që u vendos në kohën e vet”.

“Rregullime të vogla” në Kurien romake

Reforma e Kuries Romake, përparime të mëtejshme në transparencën e financave të Vatikanit dhe parandalimi i rasteve të abuzimit brenda Kishës janë tri çështjet mbi të cilat Françesku po punon fort. Në lidhje me reformën e Kuries, Papa siguron se “po ecën hap pas hapi dhe mirë” dhe bën të ditur se këtë verë ai ishte gati të përfundonte leximin dhe nënshkrimin e kushtetutës së re apostolike Praedicate Evangelium, botimi i të cilës megjithatë u vonua “për shkakun e sëmundjes sime”. Sidoqoftë, dokumenti në fjalë, shpjegon Papa, “nuk do të përmbajë asgjë të re në krahasim me atë që shohim tani”, vetëm disa njësime të Dikastereve, të tilla si Edukimi katolik me Këshillin Papnor për Kulturën dhe Dikasteri i Ungjillëzimit të Ri që do të bashkohet me Propaganda Fide. “Rregullime të vogla”, shpjegon Papa.

Gjyqi në Vatikan

Mirëpo, mbetet një betejë e madhe çështja në lidhje me korrupsionin në financat e Vatikanit. Janë bërë përparime në konsolidimin e drejtësisë në Shtetin e Vatikanit”, pohon Papa, dhe kjo ka lejuar që “drejtësia të jetë më e pavarur, me mjete teknike, madje edhe me dëshmi të regjistruara, gjërat teknike aktuale, emërimet e gjyqtarëve të rinj, prokurorë të rinj …”. Referimi është edhe ndaj gjyqit të rëndësishëm që filloi 27 korrikun e kaluar në Vatikan për veprat penale të kryera me fondet e Sekretariatit të Shtetit, i cili numëron në mesin e dhjetë të akuzuarve ish-zëvendësin e Sekretariatit të Shtetit, kardinalin Angjelo Beçiu. Françesku, duke kujtuar se e gjithë çështja filloi me ankesat e dy personave që punojnë në Vatikan dhe që kanë parë parregullsi në punën e tyre, rithekson se “nuk ka frikë nga transparenca apo e vërteta. Ndonjëherë dhemb shumë, por e vërteta është ajo që na bën të lirë”. Sa i përket kardinalit Beçiu, të cilit ia hoqi privilegjet dhe të drejtat e kardinalatit, ai shpjegon se personi në fjalë u procedua sepse legjislacioni i Vatikanit e përcakton këtë: “Unë dua me gjithë zemrën time që ai të jetë i pafajshëm. Ai ishte një bashkëpunëtor i imi dhe më ka ndihmuar shumë. Është një person për të cilin kam njëfarë respekti si person, kështu që urimi im është që ai të dalë faqebardhë. Por është një formë afektive e prezumimit të pafajësisë … Përveç prezumimit të pafajësisë, unë dua që të dalë mirë. Tani i takon organeve të drejtësisë të vendosin”.

Lufta kundër pedofilisë, apel ndaj qeverive kundër pedopornografisë

Papa gjithashtu flet për drejtësinë në lidhje me plagën e pedofilisë. Kur u pyet për këtë çështje, ai së pari vlerëson kardinalin Sean O’Malley, president i Komisionit për Mbrojtjen e të Miturve, për “guximin” e tij dhe për të gjithë punën e bërë kundër këtij krimi që kur ishte arqipeshkëv i Bostonit, pastaj lëshon një apel të fortë ndërkombëtar për qeveritë, për të vepruar dhe reaguar kundër pedopornografisë, “një problem global dhe serioz”. “Ndonjëherë pyes veten se si qeveri të caktuara lejojnë prodhimin e pornografisë pedofile. Të mos thonë se nuk e dinë. Sot, me shërbimet sekrete, merret vesh gjithçka. Një qeveri e di se kush prodhon pornografi pedofile në vendin e vet. Për mua kjo është një nga gjërat më monstruoze që kam parë ndonjëherë”.

Eutanazia, një shenjë e “kulturës përdor dhe hidh”

Me të njëjtën forcë, Papa trajton edhe çështjen e eutanazisë, në dritën e ligjeve të fundit të miratuara në Spanjë. Legalizimi i kësaj praktike është një shenjë e asaj “kulture përdor dhe hidh” që tani përshkon shoqëritë moderne: “Ajo që është e padobishme flaket. Të moshuarit janë materiale përdor dhe hidh: ata janë një telash. Edhe të sëmurët më terminalë; edhe fëmijët e padëshiruar, dhe ato dërgohen te dërguesi para se të lindin” pohon. Është kjo “kultura e skartimit”, e denoncuar që nga fillimi i pontifikatit, e cila ka një ndikim të madh në “dimrin demografik” të Perëndimit dhe që prek veçanërisht vende të tilla si Italia, ku mosha mesatare është 47 vjeç. “Piramida është përmbysur… Kultura demografike është në humbje sepse mbështetet te përfitimi. Shikon atë përpara … dhe ndonjëherë duke treguar dhembshuri! Ajo që Kisha kërkon është të ndihmohen njerëzit të vdesin me dinjitet. Gjithmonë ka bërë kështu”, komenton Françesku i cili edhe njëherë nuk heq dorë nga stigmatizimi i abortit: “Përballë një jete njerëzore, i bëj vetes dy pyetje: a është e lejueshme të eliminosh një jetë njerëzore për të zgjidhur një problem? A është e drejtë të punësosh një vrasës për të zgjidhur një problem?”.

Shpresoj të jem në Glasgow për Cop26

Papa flet edhe për abuzimet ndaj krijimit, një nga shqetësimet e tij më të thella, të maturuar në këto vite të pontifikatit. Françesku shpreson të jetë i pranishëm në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP26) që do të mbahet nga 1 deri më 12 nëntor në Glasgow: “Në parim, programi është që unë të shkoj. Gjithçka varet nga ajo se si do të ndihem në atë moment. Por, në realitet, fjalimi im tashmë është duke u përgatitur, dhe programi duhet të jetë i pranishëm”.

Motu Proprio “Traditionis Custodes

Fokusi në intervistë pastaj zhvendoset te motu proprio Traditionis Custodes e cila rregullon meshët në gjuhën latine dhe që këtë verë ka ngjallur disa polemika në sektorët kishtarë më konservatorë. Papa i përgjigjet një pyetjeje mbi këtë temë, duke renditur kronologjinë që çoi në nënshkrimin e dokumentit: “Historia e Traditionis Custodes është e gjatë. Kur Benedikti XVI bëri të mundur kremtimin me mesharin e Gjonit XXIII (para atij të Palit VI, i cili vjen pas Koncilit II të Vatikanit) për ata që nuk ndiheshin mirë me liturgjinë aktuale, të cilët kishin njëfarë nostalgjie … më është dukur një nga veprimet baritore më të bukura dhe njerëzore të Benediktit XVI, i cili është një njeri me një njerëzi që spikat. Dhe kështu filloi. Kjo ishte arsyeja”. “Shqetësimi – rithekson Papa, ashtu si në tekstin shoqërues të motu proprio – që u shfaq më së shumti, ishte se diçka e bërë për të ndihmuar, nga ana baritore, ata që kanë pasur një përvojë të mëparshme, do të shndërrohej në një ideologji. Me fjalë të tjera, një gjë baritore e shndërruar në një ideologji. Prandaj, na u desh të reagojmë me rregulla të qarta … Nëse e lexoni mirë letrën dhe e lexoni mirë dekretin, do të shihni se është thjesht një riorganizim konstruktiv, me kujdes baritor dhe duke shmangur teprimet”.

Rekomandime për Dikasterin për Komunikimin

Në bisedën me Cope, përmendet edhe vizita e 24 majit të kaluar në Dikasterin për Komunikimin të Vatikanit dhe fjalët përnxitëse, por edhe cytëse drejtuar punonjësve të mediave të Vatikanit. “Ishte një qortim?”, pyet gazetari. “Reagimi më ka argëtuar”, shpjegon Papa, “unë thashë dy gjëra. Së pari, një pyetje: sa njerëz lexojnë L’Osservatore Romano? Nuk thashë nëse lexohet shumë apo pak. Një pyetje. Unë mendoj se është legjitime të pyesësh, apo jo? Dhe pyetja e dytë, e cila ishte më tematike, (e bëra) kur, pasi pashë të gjithë punën e re të njësisë, organigramën [grafik i organeve të një administrate] e re, funksionalizimin, fola për sëmundjen e organigrameve, e cila i jep një realiteti një vlerë më shumë funksionale sesa reale. E unë them: me gjithë këtë funksionalitet, që është me synimin që të funksionojë mirë, nuk duhet të biem në funksionalizëm. Funksionalizmi është kulti i organigrameve pa marrë parasysh realitetin. Duket se dikush nuk i ka kuptuar këto dy gjëra që thashë, ose ndoshta dikujt nuk i ka pëlqyer, ose nuk e di çfarë, dhe e ka interpretuar atë si një qortim. Kjo është normale, është një pyetje dhe një porosi. Po … ndoshta disa njerëz kanë dëgjuar diçka, dhe … Unë mendoj se Dikasteri është shumë premtues, është Dikasteri me buxhetin më të madh të Kuries në këtë moment, i cili udhëhiqet nga një laik – shpresoj që së shpejti do të ketë të tjerë të udhëhequr nga një laik ose një laike – dhe kjo po nis me reforma të reja. L’Osservatore Romano, të cilën unë e quaj ‘gazeta e partisë’, ka bërë përparime të mëdha dhe përpjekja kulturore që po bën është e mrekullueshme”.

Familja, futbolli, lotët

Në fund të intervistës, u trajtuan çështje të tjera kishtare, si për shembull, rrugëtimi sinodal në Gjermani, për të cilin Papa kujton letrën e tij të qershorit të 2019-tës për të nxitur “arsyetimin me qetësi”, si dhe çështje ndërkombëtare siç është pavarësia e Katalonjës dhe politikat e migrimit, për të cilat Papa argjentinas rithekson formulën e katër foljeve: “Të mirëpresësh, mbrosh, promovosh, integrosh”. Papa nuk i shmanget pyetjeve më personale në lidhje me marrëdhënien me familjen e tij, në veçanti me gjyshen e vet Roza dhe të qenurit tifoz me ekipin e futbollit San Lorenzo, dhe për faktin se nuk është një njeri që përlotet lehtë, megjithëse është e vërtetë që disa situata i shkaktojnë trishtim. Më pas shton se do të donte të mbahej mend “si një mëkatar që provon të bëjë mirë”, jo si “Papa supermen” që disa e përshkruajnë. Së fundi, ai rrëfen se ajo që i mungon më shumë nga ditët e Buenos Airesit është “ecja nga një famulli në tjetrën” ose ditët e dendura me mjegull të vjeshtës argjentinase ndërsa dëgjonte muzikën e kompozitorit argjentinas Astor Piacola. “Do të doja të ecja në rrugë, por duhet të përmbahem, sepse nuk do t’i bëja dot dhjetë metra”.

Marrë nga Vatican.Va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme