9.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Paqja e Jezusit nuk është kurrë një paqe e armatosur
HomeKryesorPapa Françesku: Paqja e Jezusit nuk është kurrë një paqe e armatosur

Papa Françesku: Paqja e Jezusit nuk është kurrë një paqe e armatosur

Në audiencën e përgjithshme javore, Papa Françesku e denoncoi edhe një herë “agresionin e armatosur të këtyre ditëve” si “një zemërim kundër Zotit”.

Ati i Shenjtë e filloi reflektimin e tij duke u fokusuar në festën e Dielës së Larit, fillimin e Javës së Madhe, e cila përkujton hyrjen triumfuese të Jezusit në Jerusalem, “i mirëpritur si Mesia”. Papa Françesku tha se turmat që e vlerësuan Atë prisnin që Jezusi të sillte paqen si një çlirimtar i fuqishëm, ose duke nisur një epokë drejtësie sociale.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza e Atit Shenjt

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Jemi në qendër të Javës së Madhe, e cila zgjat nga e Diela e Larit deri të Dielën e Pashkëve. Të dyja këto të diela karakterizohen nga festa që bëhet përreth Jezusit, por janë dy festa të ndryshme.

Të dielën e kaluar kemi parë Krishtin të hyjë solemnisht në Jerusalem, si një festë, i mirëpritur si Mesi: dhe, për të, shtrohen petka në rrugë (krh. Lk 19,36) dhe degë të prera nga pemët (krh. Mt 21,8). Turma e ngazëllyer e bekon me zë të lartë «atë që vjen, mbretin» dhe brohorit: «Në qiell paqe, lavdi në më të lartin qiell» (Lk 19,38). Ata njerëz festojnë atje sepse shohin në hyrjen e Jezusit ardhjen e një mbreti të ri, i cili do të sillte paqe dhe lavdi. Ja cila ishte paqja që prisnin ata njerëz: një paqe e lavdishme, fryt i një ndërhyrjeje mbretërore, ajo e një Mesie të fuqishëm që do ta çlironte Jerusalemin nga pushtimi romak. Të tjerë, me shumë gjasë, ëndërronin rivendosjen e paqes shoqërore dhe shihnin te Jezusi mbretin ideal, i cili do t’i ushqente turmat me bukë, siç kishte bërë tashmë, dhe do të bënte mrekulli të mëdha, duke sjellë kështu më shumë drejtësi në botë.

Por Jezusi nuk flet kurrë për këtë. Ai ka përpara tij një Pashkë ndryshe, jo një Pashkë triumfale. E vetmja gjë për të cilën ai kujdeset në përgatitjen e hyrjes së tij në Jerusalem, është të hipë mbi një «gomar të lidhur, mbi shpinë të të cilit ende askush nuk hipi» (rr. 30). Ja si e sjell Krishti paqen në botë: përmes një zemre të urtë e të butë, të simbolizuar nga ai kërriç i lidhur, mbi të cilin askush nuk kishte hipur. Asnjë, sepse mënyra e të vepruarit të Hyjit është e ndryshme nga ajo e botës. Njëmend, pak para Pashkëve, Jezusi u shpjegon dishepujve: «Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota» (Gjn 14,27). Ka dy mënyra të ndryshme: një mënyrë se si bota na jep paqe dhe një mënyrë se si Zoti na jep paqe. Ato janë të ndryshme.

Paqja që na jep Jezusi për Pashkë nuk është paqja që ndjek strategjitë e botës, e cila beson se do ta arrijë atë me forcë, me pushtime dhe me forma të ndryshme imponimi. Kjo paqe, në realitet, është vetëm një interval midis luftërave: ne e dimë mirë këtë gjë. Paqja e Zotit ndjek rrugën e butësisë dhe të kryqit: ajo është marrja mbi vete e përgjegjësive të të tjerëve. Në të vërtetë, Krishti ka marrë mbi vete të keqen tonë, mëkatin tonë dhe vdekjen tonë. Të gjitha këto i mori mbi vete. Kështu ai na ka liruar. Ai ka paguar për ne. Paqja e tij nuk është rezultat i ndonjë kompromisi, por lind nga dhurimi i vetvetes. Mirëpo, kjo paqe e butë dhe e guximshme është e vështirë për t’u pranuar. Njëmend, turma që e lavdëroi Jezusin është e njëjta që, pas disa ditësh, thërret “Kryqëzoje” dhe, e frikësuar dhe e zhgënjyer, nuk lëviz as gishtin për të.

Në këtë drejtim, një tregim i madh i Dostojevskit, i ashtuquajturi Legjenda e Inkuizitorit të Madh, mbetet gjithmonë aktual. Thuhet për Jezusin se, pas disa shekujsh, kthehet mbi tokë. Ai pritet menjëherë nga turma brohoritëse, të cilat e njohin dhe brohorasin për të. “Ah, u ktheve! Eja, eja me ne!”. Por më pas ai arrestohet nga Inkuizitori, i cili përfaqëson logjikën mondane. Ky i fundit e merr në pyetje dhe e kritikon egërsisht. Arsyeja kryesore e qortimit është se Krishti, megjithëse e kishte të mundur, nuk deshi kurrë të bëhej Cezari, mbreti më i madh i kësaj bote, duke preferuar ta linte njeriun të lirë në vend që ta nënshtronte dhe t’ia zgjidhte problemet e tij me forcë. Ai mund të kishte vendosur paqen në botë, duke e përkulur zemrën e lirë, por të pasigurt të njeriut për shkak të një fuqie superiore, por ai nuk deshi: ai respektoi lirinë tonë. «Ti – i thotë inkuizitori Jezusit –, duke pranuar botën dhe veshjen e Cezarëve, do të kishe themeluar mbretërinë universale dhe do të kishe sjellë paqen universale» (Vëllezërit Karamazov, Milano 2012, 345); dhe me dënimin fshikullues, përfundon: «Nëse ka ndonjë që e ka merituar më shumë se të gjithë dënimin, je pikërisht Ti» (348). Ja, mashtrimi që përsëritet në histori, tundimi i një paqeje të rreme, të bazuar mbi pushtetin, që më pas të çon në urrejtje dhe tradhti ndaj Hyjit dhe në aq shumë hidhërim në shpirt.

Në fund, sipas këtij tregimi, Inkuizitori do të donte që Jezusi «t’i thoshte diçka, ndoshta edhe diçka të hidhur, të tmerrshme». Por Krishti reagon me një gjest të ëmbël dhe konkret: «I afrohet në heshtje dhe e puth butësisht në buzët e vjetra të zbehta» (352). Paqja e Jezusit nuk i zë përmbys të tjerët, ajo nuk është kurrë një paqe e armatosur: askurrë! Armët e Ungjillit janë lutja, butësia, falja dhe dashuria pa interes për të afërmin, dashuria për çdo të afërm. Kështu sillet paqja e Hyjit në botë. Ja përse agresioni i armatosur i këtyre ditëve, si çdo luftë, përfaqëson një fyerje kundër Hyjit, një tradhti blasfemuese ndaj Zotit të Pashkëve, duke preferuar në vend të fytyrës së tij të butë atë të perëndisë së rreme të kësaj bote. Lufta është gjithmonë një veprim njerëzor për të të çuar në idhujtarinë e pushtetit.

Jezusi, para Pashkës së tij të fundit, u tha dishepujve të tij: «Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet» (Gjn 14,27). Po, sepse ndërsa pushteti i kësaj bote lë vetëm shkatërrim dhe vdekje – e kemi parë këto ditë – paqja e tij ndërton historinë, duke u nisur nga zemra e çdo njeriu që e pranon atë. Pashka është, pra, festa e vërtetë e Hyjit dhe e njeriut, sepse paqja që Krishti fitoi në kryq me dhurimin e vetvetes, shpërndahet te ne. Prandaj i Ngjalluri, ditën e Pashkëve, u shfaqet dishepujve dhe, si i përshëndet ata? «Paqe me ju!» (Gjn 20,19.21). Kjo është përshëndetja e Krishtit fitimtar, e Krishtit të ngjallur.

Vëllezër, motra, Pashkë do të thotë “kalim”. Sidomos këtë vit, është rasti i bekuar për të kaluar nga zoti i botës në Hyjin e krishterë, nga lakmia që mbartim brenda nesh, në dashurinë që na bën të lirë, nga pritshmëria e një paqeje të sjellë me forcë, në angazhimin për ta dëshmuar konkretisht paqen e Jezusit. Vëllezër dhe motra, le të vihemi përpara Kryqit, burimit të paqes sonë, dhe t’i kërkojmë atij paqen e zemrës dhe paqen në botë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme