Auctoritate nostra Apostolica facultatem, facimus, ut venerabilis servus Dei Ioannes Paulus I, papa, beati nomine in posterum appellatur…
Me autoritetin tonë apostolik lejojmë që shërbëtori i nderuar i Zotit Gjon Pali I, Papë, të thirret tani e tutje i lum…
me këtë formulë Papa Françesku e lartoi Albino Luçianin në nderimet e altarit, duke caktuar edhe datën e kremtimit çdo vit më 26 gusht, në kujtim të ditës në të cilën, në vitin 1978, u zgjodh pasardhësi i 263-të i Pjetrit. Ishte festë e lagur nga shiu, kjo e lumnimit të Papës së buzëqeshjes, të cilën Françesku e kryesoi në Sheshin e Shën Pjetrit i rrethuar nga mbi 500 bashkëkremtues, kardinaj, ipeshkvij, priftërinj e diakonë. Po ngjyrën gri të reve e davariste ylberi i ombrellave të qindra besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Bazilikës së Vatikanit, ndërsa shpërthente kënga e gëzimit, Aleluja, që shoqëronte çastin më prekës: në lozhën qendrore të Bazilikës së Vatikanit u zbulua ajo fytyrë e paharrueshme me tipare të ëmbla dhe shprehje gjithnjë të gëzueshme. Me petkun e bardhë papnor, i portretizuar nga artisti kinez Yan Zhang, u duk rishtas, me buzëqeshjen që nuk i ndahej kurrë, si të donte ta përqafonte butësisht sheshin.
Relikja e Gjon Palit I: një shënim i shkruar me dorë mbi virtytet teologjike
Albino Luciani, që si ipeshkëv kishte zgjedhur moton humilitas, huazuar nga Shën Karl Borromeo dhe nga Shën Agostini, të cilin e ndjente veçanërisht pranë, tani mund të nderohet me kult publik. Në elter ishte një nga reliket e tij: një autograf i shkruar në një fletë të bardhë në vitin 1956, në të cilin ne lexojmë një reflektim shpirtëror mbi tre virtytet teologjike – fenë, shpresën, dashurinë – e që të kujton fjalët e audiencave të tij të përgjithshme, mbajtur më 13, 20 dhe 27 shtator 1978, vendosur në një relikuar, vepër e skulptorit Franco Murer.
Nisi “Gloria” dhe dita e zymtë u davarit në atmosferën e lutjes e të meditimit të besimtarëve dhe shtegtarëve. Ndër delegacionet zyrtare të pranishme ishte ai i Italisë, i përfaqësuar nga Presidenti Sergio Mattarella dhe ai i Kinës (Tajvan). Shiu vazhdoi gjatë Liturgjisë së Fjalës e predikimit të Papës. Pastaj në një cep të qiellit u riduk dielli, që dalëngadalë e veshi Sheshin me dritë…
Zoti nuk do të na mashtrojë, nuk i interesojnë turmat oqeanike, nuk ka kult numrash, nuk kërkon konsensus, nuk është idhujtar i suksesit personal. Njerëzit e ndjekin, sepse shikojnë në të shpresën për të ardhmen e tyre! Ndaj nuk mbështeten tek ata që, duke përfituar nga frika e shoqërisë e duke premtuar se do t’i zgjidhin problemet, dëshirojnë të forcojnë veç pushtetin e tyre! Jezusi na kërkon: jetojeni Ungjillin, e do ta jetoni jetën, jo në gjysmë të rrugës, por deri në fund të fundit. Pa kompromise.
E nisi me një pohim e, më pas edhe me një shpjegim Papa Françesku homelinë në këtë ditë jo të zakonshme për Kishën katolike, që larton në nderimet e altarit një nga bijtë e vet më të ndritur, Papën e buzëqeshjes. Jezusi është në rrugën e tij për në Jerusalem – vijoi – dhe Ungjilli i sotëm na kujton se “një turmë e madhe shkoi me të” (Lk 14:25). Pasi citoi Ungjillin, Papa u ndalua tek shpjegimi i foljes “të shkosh”. Çfarë do të thotë “të shkosh me të?” – pyeti, për të shpjeguar, më pas, se do të thotë ta ndjekësh tjetrin, domethënë të bëhesh dishepull i tij. E pra këtyre njerëzve Zoti u bën një fjalim pak e aspak tërheqës, madje shumë kërkues:
“Nuk mund të jetë dishepull i tij, kush nuk e do më shumë se të dashurit e vet, kush nuk e mbart kryqin e tij, kush nuk shkëputet nga të mirat tokësore (krh. v. 26- 27,33)”.
Ku duhet të mbështemi, në ditë të vështira?
Ku duhet të mbështemi, në ditë të vështira? Kësaj pyetjeje jetike përpiqet t’i përgjigjet në vijim Papa gjatë homelisë mbajtur me rastin e Lumnimit të Gjon Palit I. – Para së gjithash – vijon të kujtojë – ne shohim një turmë të madhe, shumë njerëz që ndjekin Jezusin. Mund ta marrim me mend se shumë ishin magjepsur nga fjalët e tij, mahnitur nga gjestet dhe, si rrjedhim, kishin parë tek ai shpresën për të ardhmen e tyre. Çfarë do të kishte bërë çdo mjeshtër i kohës, ose – mund të pyesim – çfarë do të bënte një udhëheqës mendjemprehtë duke parë se fjalët e tij dhe karizma e tij tërheqin turmat dhe shtojnë simpatinë për të? Pyetje themelore kjo e Papës, në një ditë fatlume për Kishën, si kjo e sotmja.:
“Ndodh edhe sot – vijoi – sidomos në çastet e krizës personale dhe shoqërore, kur zemërohemi ose kemi frikë nga diçka, që kërcënon të ardhmen tonë, kur ndjehemi të pambrojtur dhe kështu, në valën e emocioneve, mbështetemi tek ata që me zhdërvjelltësi dhe dinakëri dinë ta kalojnë këtë situatë, duke përfituar nga frika e shoqërisë dhe duke premtuar të jenë ‘shpëtimtarë’ që do t’i zgjidhin problemet, ndërsa në të vërtetë dëshirojnë të të forcojnë pushtetin e tyre!”.
Ungjilli na kujton se Jezusi nuk e bën këtë!
Ungjilli na thotë se Jezusi nuk e bën këtë. Stili i Zotit ndryshon! Ai nuk i shfrytëzon nevojat tona, nuk i shfrytëzon kurrë ligështitë tona për të fuqizuar vetveten:
“Atij, që nuk do të na mashtrojë dhe nuk do të shpërndajë gëzime të lira, nuk i interesojnë turmat oqeanike. Nuk ka kult numrash, nuk kërkon konsensus, nuk është idhujtar i suksesit personal. Përkundrazi, duket se shqetësohet kur njerëzit e ndjekin me eufori dhe entuziazëm të lehtë. Pra, në vend që ta lërë veten të tërhiqet nga magjepsja e popullaritetit, ai i kërkon secilit të dallojë me kujdes arsyet e ndjekjes së tij dhe pasojat që vijnë pas”.
Ky nuk është stili i Jezusit, nuk mund të jetë as stili i dishepullit dhe i Kishës!
Shumë nga ajo turmë – shpjegoi Papa në homelinë e mbajtur gjatë Meshës për lumnimin e Papës së buzëqeshjes, që përkonte dukshëm me jetën e botës së sotme të pështjelluar keqas – ndoshta e ndoqën Jezusin mbasi shpresonin se do të ishte prijës, që do t’i çlironte nga armiqtë e tyre, udhëheqës, që do të merrte pushtetin dhe do ta ndante me ta; ose ai që, duke bërë mrekulli, do t’i zgjidhte problemet e urisë dhe të sëmundjeve: “Dikush mund të shkojë pas Zotit për arsye të ndryshme dhe disa prej tyre, duhet ta pranojmë, janë të botës: pas një pamjeje të përsosur fetare mund të fshihet thjesht kënaqësia e nevojave të dikujt, kërkimi i prestigjit personal, dëshira për të pasur një rol, për të mbajtur gjërat nën kontroll, për të zënë hapësirë, për të fituar privilegje e për t’u bërë sa më i njohur”.
Më i njohur në botë – do të shtonim – mbasi t’i ketë forcuar pozitat e të mos i interesojë më vendi i vet, sepse aspirata e tij është ta njohë bota mbarë! E Zoti mund të shfrytëzohet për të gjitha këto:
“Por ky nuk është stili i Jezusit e nuk mund të jetë stili i dishepullit dhe i Kishës. Zoti kërkon një qëndrim tjetër. Të ndjekësh atë nuk do të thotë të hysh në gjykatë apo të marrësh pjesë në një procesion ngadhënjimtar, as të sigurosh jetën. Përkundrazi, do të thotë edhe ‘të mbartësh kryqin’ (Lk 14:27): si Ai, duke marrë përsipër barrën tënde dhe të të tjerëve, duke e bërë jetën dhuratë, duke e shkrirë, duke i përngjarë dashurisë bujare dhe të mëshirshme që ka për ne”
Këto janë zgjedhje që përfshijnë tërë jetën; për këtë arsye Jezusi dëshiron që dishepulli të mos i kundërvërë asgjë kësaj dashurie, madje as dashuritë dhe të mirat më të mëdha.
Por për ta bërë këtë duhet ta shikojmë më shumë Atë, sesa veten, ta mësojmë nga Kryqi dashurinë. Atë dashuri, që dhurohet jepet deri në fund të fundit, pa masë dhe pa kufi. Këtë theksoi Françesku, duke cituar më pas fjalët e Papës Luçiani:
“Zoti na do me një dashuri të përjetshme” (Lutja e Engjëllit, 10 shtator 1978). Pa perëndim: nuk zhduket kurrë nga jeta jonë, na ndriçon gjithmonë. i ndriçon edhe netët më të errëta. Dhe pastaj, duke parë Kryqin, jemi të thirrur në lartësinë e kësaj dashurie: ta pastrojmë veten nga idetë tona të shtrembëruara për Zotin dhe nga mbylljet tona, ta duam Atë dhe të tjerët, në Kishë dhe në shoqëri, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, edhe armiqtë tanë”.
Të duam, edhe mbi kryqin e flijimit
Duaj! Edhe nëse të kushton kryqin e flijimit, të heshtjes, keqkuptimit, vetmisë, pengimit dhe persekutimit. Sepse – pati thënë Papa Luçiani – Zoti na do me një dashuri që nuk njeh perëndim (Engjëlli i Tënzot , 10 shtator 1978).
Duaj! Nëse do ta puthësh Krishtin e kryqëzuar, “nuk mund të mos përkulesh mbi kryq dhe të mos shpohesh nga ndonjë ferrë e kurorës, që rrethon ballin e Zotit” (Audienca e Përgjithshme, 27 shtator 1978). Dashuri deri në fund të fundit, me gjithë gjembat e saj: jo gjëra të bëra përgjysmë, rehati, jetesë e qetë. Nëse nuk synojmë lart, nëse nuk rrezikojmë, nëse kënaqemi me një besim që bie erë trëndafili, jemi – thotë Jezusi – si dikush që dëshiron të ndërtojë një kullë, por nuk llogarit mjetet për ta bërë aq të mirë; ai ‘hedh themelet’ dhe pastaj nuk është në gjendje ta përfundojë punën”(v. 29):
“Jezusi na kërkon: jetojeni Ungjillin, e do ta jetoni jetën, jo në gjysmë të rrugës, por deri në fund të fundit. Pa kompromise”.
Portreti i të Lumit Gjon Pali I
Në përfundim të homelisë, Françesku pikturoi me pak penelata, portetin moral të Gjon Palit I:
“Njeri që jetoi në gëzimin e Ungjillit, pa kompromise, i dashur deri në fund. Që mishëroi varfërinë e dishepullit, e cila nuk është vetëm shkëputje nga të mirat materiale, por mbi të gjitha, mundje e tundimit për ta vënë veten në qendër dhe për të kërkuar lavdinë. Përkundrazi, duke ndjekur shembullin e Jezusit, ai qe bari i butë dhe i përulur, që e konsideronte veten si pluhuri mbi të cilin Zoti u denjua të shkruante (krh. A. LUCIAN I, Opera omnia, Padova 1988, vëll. II, 11)”.
Prandaj na la trashëgim porosinë:
“Zoti na porosit shumë: jini të përvuajtur! Edhe nëse bëtë gjëra të mëdha, thoni: jemi shërbëtorë të pavlerë” (Audienca e Përgjithshme, 6 shtator 1978).
Trashëgimi i Papës Luçiani: Kisha me fytyrë të gëzuar
Me buzëqeshjen e tij proverbiale Papa Luçiani arriti të transmetojë mirësinë e Zotit. Është e bukur kisha me fytyrë të gëzuar, të qetë, buzagaze, që nuk i mbyll kurrë dyert, që nuk i ashpëron zemrat, që nuk ankohet dhe nuk ushqen inate, nuk zemërohet, nuk zymtohet, nuk vuan nga malli për të kaluarën.
Të kërkojmë, me fjalët e tij, çka kërkonte ai vetë:
“Zot, më merr ashtu siç jam, me të metat e mia, por më bëj si të duash Ti” (Audienca e Përgjithshme, 13 shtator 1978).
Marrë nga (Radio Vatikani)