10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: OKB-ja, e pafuqishme në luftën në Ukrainë: mbizotëron logjika e...
HomeKryesorPapa Françesku: OKB-ja, e pafuqishme në luftën në Ukrainë: mbizotëron logjika e...

Papa Françesku: OKB-ja, e pafuqishme në luftën në Ukrainë: mbizotëron logjika e të fuqishmëve

Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku dënoi luftën në Ukrainë dhe pafuqinë e Kombeve të Bashkuara, duke vënë në dukje se si “historia e vjetër” e konkurrencës midis fuqive më të mëdha vazhdon sot pavarësisht përpjekjeve për të vendosur paqen e qëndrueshme.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza e Atit Shenjt

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita dhe mirë se erdhët!

Të shtunën dhe të dielën e kaluar shkova në Maltë: një Udhëtim apostolik që ishte planifikuar prej disa kohësh, por që u shty dy vjet më parë, për shkak të Covid-it dhe pasojave të tij. Jo shumë e dinë se Malta, pavarësisht se ishte një ishull në mes të Mesdheut, e mori Ungjillin shumë shpejt. Pse? Sepse Pali apostull pësoi anijethyerje pranë brigjeve të saj dhe shpëtoi mrekullisht bashkë me të gjithë ata që ishin në anije, më shumë se dyqind e shtatëdhjetë vetë. Libri i Veprave të Apostujve na tregon se maltezët i mirëpritën të gjithë dhe thotë këtë fjalë: «me njerëzi të jashtëzakonshme» (28,2). Kjo është e rëndësishme, mos harroni: «me njerëzi të jashtëzakonshme». Unë i kam zgjedhur pikërisht këto fjalë: me njerëzi të jashtëzakonshme, si moton e udhëtimit tim, sepse ato tregojnë rrugën që duhet ndjekur jo vetëm për të trajtuar fenomenin e emigrantëve, por në përgjithësi që bota të bëhet më vëllazërore, më e jetueshme dhe të shpëtojë nga një “anijethyerje” që na kërcënon të gjithëve, që jemi – siç e kemi mësuar – në të njëjtën varkë, të gjithë. Në këtë kontekst, Malta është një vend-kyç.

Është e tillë, para së gjithash, gjeografikisht, për shkak të pozicionit të saj në qendër të detit që gjendet mes Evropës dhe Afrikës, por që lagë edhe Azinë. Malta është një lloj “trëndafili i erërave”, ku kryqëzohen popujt dhe kulturat; është një pikë e privilegjuar për të vëzhguar zonën mesdhetare në 360 gradë. Sot flitet shpesh për “gjeopolitikë”, por fatkeqësisht logjika mbizotëruese është ajo e strategjive të shteteve më të fuqishme për të rrënjosur interesat e tyre duke zgjeruar zonën e ndikimit ekonomik, ose ndikimin ideologjik apo ndikimin ushtarak: këtë po e shohim me luftën. Në këtë kontekst, Malta përfaqëson të drejtën dhe forcën e “të vegjëlve”, të kombeve të vogla, por të pasura me histori dhe qytetërim, të cilët duhet të ndjekin një logjikë tjetër: atë të respektit dhe të lirisë, atë të respektit e gjithashtu logjikën e lirisë, të bashkëjetesës në dallueshmëri, në kundërshtim me kolonizimin e më të fuqishmëve. Këtë po e shohim tani. Dhe jo vetëm nga njëra anë: edhe nga të tjerat… Pas Luftës së Dytë Botërore u bënë përpjekje për të hedhur themelet e një historie të re paqeje, por fatkeqësisht – ne nuk mësojmë – eci para historia e vjetër e fuqive të mëdha konkurruese. Dhe, në luftën aktuale në Ukrainë, ne jemi dëshmitarë të pafuqisë së Organizatave të Kombeve të Bashkuara.

Aspekti i dytë: Malta është një vend-kyç për sa i përket fenomenit të emigrimit. Në Qendrën e pranimit të Gjonit XXIII takova emigrantë të shumtë, të cilët zbarkuan në ishull pas udhëtimeve të tmerrshme. Nuk duhet të lodhemi duke dëgjuar dëshmitë e tyre, sepse vetëm kështu mund të dalim nga vizioni i shtrembëruar që qarkullon shpeshherë në masmediat dhe gjithashtu mund të njohim fytyrat, historitë, plagët, ëndrrat dhe shpresat e këtyre emigrantëve. Çdo emigrant është unik: nuk është një numër, ai është një person; është po aq unik sa secili prej nesh. Çdo emigrant është një person me dinjitetin e tij, rrënjët e tij, kulturën e tij. Secili prej tyre është bartës i një pasurie pafundësisht më të madhe sesa problemet që bashkëmbart. Dhe të mos harrojmë se Evropa ka qenë bërë nga emigracionet.

Natyrisht, pranimi duhet të organizohet – kjo është e vërtetë – duhet të qeveriset dhe së pari, shumë më herët, duhet të planifikohet së bashku, në nivel ndërkombëtar. Sepse fenomeni i emigrimit nuk mund të reduktohet në një emergjencë, ai është një shenjë e kohës sonë. Dhe si e tillë duhet lexuar dhe interpretuar. Mund të bëhet një shenjë konflikti, ose një shenjë paqeje. Varet si e marrim, varet nga ne. Ata që në Maltë i dhanë jetë Qendrës Gjoni XXIII kanë bërë zgjedhjen e krishterë dhe për këtë arsye e quajtën “Peace Lab”: laborator paqeje. Por unë dëshiroj të them se Malta është një laborator paqeje në tërësinë e saj! I gjithë kombi, me qëndrimin e tij, me qëndrimin e vet, është një laborator paqeje. Dhe mund ta realizojë këtë mision të tij nëse nxjerr nga rrënjët e tij limfën e vëllazërisë, dhembshurisë, solidaritetit. Populli i Maltës i ka marrë këto vlera bashkë me Ungjillin dhe falë Ungjillit do të mund t’i mbajë gjallë.

Për këtë arsye, si Ipeshkëv i Romës, shkova për ta përforcuar atë popull në fe dhe bashkim. Njëmend – aspekti i tretë – Malta është një vend-kyç nga pikëpamja e ungjillëzimit. Nga Malta dhe Gozo, dy dioqezat e vendit, janë nisur shumë priftërinj dhe rregulltarë, por edhe besimtarë laikë, të cilët kanë çuar në mbarë botën dëshminë e krishterë. Sikur kalimi i shën Palit atje ua ka lënë misionin në ADN-në e maltezëve! Për këtë arsye vizita ime ishte mbi të gjitha një akt mirënjohjeje, mirënjohjeje për Hyjin dhe për popullin e tij të shenjtë që ndodhet në Maltë dhe Gozo.

Megjithatë, era e shekullarizmit dhe pseudokulturës së globalizuar të bazuar në konsumizëm, neokapitalizëm dhe relativizëm fryn edhe atje. Prandaj, edhe atje është koha për një ungjillëzim të ri. Vizita që, si paraardhësit e mi, i bëra Shpellës së shën Palit ishte si të merrje nga burimi, në mënyrë që Ungjilli të mund të rrjedhë në Maltë me freskinë e origjinës së tij dhe të ringjallë trashëgiminë e tij të madhe të fetarisë popullore. Kjo simbolizohet nga shenjtërorja kombëtare mariane e Ta’ Pinu-së, në ishullin Gozo, ku kemi kremtuar një takim të fortë lutjeje. Aty ndjeva rrahjet e zemrës së popullit maltez, i cili ka kaq shumë besim në Nënën e vet të Shenjtë. Maria na kthen gjithmonë te thelbësorja, te Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur për ne, te dashuria e tij e mëshirshme. Maria na ndihmon për të rigjallëruar flakën e fesë duke marrë nga zjarri i Shpirtit Shenjt, i cili gjallëron shpalljen e gëzueshme të Ungjillit brez pas brezi, sepse gëzimi i Kishës është të ungjillëzosh! Të mos e harrojmë frazën e shën Palit VI: thirrja e Kishës është të ungjillëzojë; gëzimi i Kishës është ungjillëzim. Të mos e harrojmë sepse është përkufizimi më i bukur i Kishës.

Gjej rastin të përtërij falënderimet e mia për Zotin President të Republikës së Maltës, kaq i sjellshëm dhe vëllazëror: faleminderit atij dhe familjes së tij; për Zotin Kryeministër dhe Autoritetet e tjera civile, të cilët më pritën me kaq dashamirësi; si dhe për Ipeshkvijtë dhe të gjithë anëtarët e bashkësisë kishtare, për vullnetarët dhe të gjithë ata që më shoqëruan me lutje. Nuk do të lë pa përmendur Qendrën e pranimit për emigrantët Gjoni XXIII: atje, ai frati françeskan që e çon përpara, at’ Dionisio Mintoff, është 91 vjeç dhe vazhdon të punojë në atë mënyrë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të dioqezës. Është një shembull i zellit apostolik dhe dashurisë për emigrantët, që sot nevojitet aq shumë. Me këtë vizitë, ne mbjellim, por është Zoti që e bën të rritet. Mirësia e tij e pafundme i dhuroftë fryte të bollshme paqeje dhe çdo të mirë popullit të dashur maltez! Faleminderit popullit maltez për pritjen e tij kaq njerëzore, kaq të krishterë. Faleminderit shumë!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme