12.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Nuk do të jemi përjetësisht të rinj, por pleqëria na...
HomeKryesorPapa Françesku: Nuk do të jemi përjetësisht të rinj, por pleqëria na...

Papa Françesku: Nuk do të jemi përjetësisht të rinj, por pleqëria na përgatit për përjetësinë

Butësia e të moshuarve na tregon butësinë e Zotit. Papa Françesku e theksoi këtë gjatë audiencës së tij të përgjithshme të së mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit, teksa vazhdoi serinë e tij të katekezave “mbi kuptimin dhe vlerën e pleqërisë në dritën e Fjalës së Zotit”. Ai reflektoi këtë javë mbi figurën e Nikodemit.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 13. «Nikodemi. “Si është e mundur të lindë njeriu kur është i moçëm?”»

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Ndër figurat e të moshuarve më të rëndësishëm në Ungjij është Nikodemi – një nga krerët e judenjve – i cili, duke dashur të njihte Jezusin, por fshehurazi, shkoi tek ai natën (krh. Gjn 3,1-21). Në bisedën e Jezusit me Nikodemin del në pah zemra e zbulesës së Jezusit dhe e misionit të tij shëlbues, kur thotë: «Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur». (rr. 16).

Jezusi i thotë Nikodemit se për “ta parë mbretërinë e Hyjit” duhet “lindur nga lart” (krh. rr. 3). Nuk bëhet fjalë për të lindur duke filluar nga e para, për të përsëritur ardhjen tonë në botë, duke shpresuar se një rimishërim i ri do të rihapë mundësinë tonë për një jetë më të mirë. Kjo përsëritje është e pakuptimtë. Madje, do ta zbrazte jetën e jetuar nga çdo kuptim, duke e fshirë atë sikur të ishte një eksperiment i dështuar, një vlerë e skaduar, një zbrazëti për t’u flakur. Jo, nuk është kjo, të lindësh përsëri, për të cilën flet Jezusi, është tjetër gjë. Kjo jetë është e çmuar në sytë e Hyjit: na identifikon si krijesa të dashura prej tij me dashamirësi. “Lindja nga lart”, e cila na lejon të “hyjmë” në mbretërinë e Hyjit, është një lindje në Shpirtin Shenjt, një kalim përmes ujërave drejt tokës së premtuar të një krijimi të pajtuar me dashurinë e Hyjit. Është një rilindje nga lart, me hirin e Hyjit. Nuk është të rilindësh fizikisht përsëri.

Nikodemi e keqkupton këtë lindje dhe thërret pleqërinë si dëshmi të pamundësisë së saj: qenia njerëzore plaket në mënyrë të pashmangshme, ëndrra e një rinie të përjetshme zhduket përfundimisht, konsumimi është vendi i ankorimit të çdo lindjeje në kohë. Si mund të imagjinohet një cak që ka formën e lindjes? Nikodemi mendon kështu dhe nuk gjen mënyrën për t’i kuptuar fjalët e Jezusit. Çfarë është kjo rilindje?

Objeksioni i Nikodemit është shumë mësimdhënës për ne. Ne, në të vërtetë, mund ta përmbysim atë, në dritën e fjalës së Jezusit, në zbulimin e një misioni që i përket pleqërisë. Në fakt, të qenurit i moshuar, jo vetëm që nuk është pengesë për lindjen nga lart, për të cilën flet Jezusi, por bëhet koha e volitshme për ta ndriçuar atë, duke e liruar nga keqkuptimi i një shprese të humbur. Epoka jonë dhe kultura jonë, të cilat shfaqin një prirje shqetësuese për ta konsideruar lindjen e një fëmije si një çështje të thjeshtë të prodhimit dhe riprodhimit biologjik të qenies njerëzore, kultivojnë më pas mitin e rinisë së përjetshme si obsesion – të dëshpëruar – të një mishi që nuk prishet. Sepse pleqëria është – në shumë mënyra – e përbuzur. Sepse bart prova të pakundërshtueshme të lamtumirës së këtij miti, që do të donte të na bënte të ktheheshim në barkun e nënës, për t’u kthyer gjithmonë të rinj në trup.

Teknika lejon të ngashënjehet nga ky mit në të gjitha mënyrat: ndërsa presim të mposhtim vdekjen, mund ta mbajmë trupin gjallë me ilaçe dhe kozmetikë, të cilat ngadalësojnë, fshehin, heqin pleqërinë. Sigurisht, një gjë është mirëqenia, e tjetër gjë është të ushqyerit e mitit. Megjithatë, nuk mund të mohohet se ngatërrimi midis dy aspekteve po krijon një farë konfuzioni mendor. Ngatërrimi i mirëqenies me ushqyerjen e mitit të rinisë së përjetshme. Bëhet shumë për ta rikthyer gjithmonë këtë rini: shumë marifete, shumë ndërhyrje kirurgjike për t’u dukur të rinj. Më kujtohen fjalët e një aktoreje të mençur italiane, Magnani, kur i thanë se duhej t’i hiqnin rrudhat dhe ajo tha: “Jo, mos i prek! U deshën kaq shumë vite për t’i pasur ato: mos i prekni!”. Është kjo: rrudhat janë një simbol i përvojës, një simbol i jetës, një simbol i pjekurisë, një simbol i një udhëtimi. Mos i prek për t’u bërë i ri, i ri në fytyrë: ajo që ka rëndësi është i gjithë personaliteti, ajo që ka peshë është zemra dhe zemra mbetet me atë rininë e verës së mirë, që sa më e vjetër të bëhet aq më e mirë është.

Jeta në mishin e vdekshëm është një “paplotësi” e bukur: si disa vepra arti që kanë një bukuri unike pikërisht në paplotësinë e tyre. Sepse jeta këtu poshtë është “nisje”, jo përmbushje: ne vijmë në botë pikërisht kështu, si njerëz të vërtetë, si njerëz që përparojnë në moshë, por janë përgjithmonë realë. Por jeta në mishin e vdekshëm është një hapësirë ​​dhe kohë shumë e vogël për ta ruajtur të paprekur dhe për ta çuar në përmbushje pjesën më të çmuar të ekzistencës sonë në kohën e botës. Feja, e cila pranon kumtimin ungjillor të mbretërisë së Hyjit për të cilën jemi të caktuar, ka një efekt të parë të jashtëzakonshëm, thotë Jezusi. Ajo na lejon të “shohim” mbretërinë e Hyjit. Ne bëhemi të aftë t’i shohim përnjëmend shenjat e shumta të përafrimit të shpresës sonë për përmbushje për atë që, në jetën tonë, mban shenjën e caktimit të amshuar për Hyjin.

Shenjat janë ato të dashurisë ungjillore, të ndriçuara në shumë mënyra nga Jezusi dhe, nëse mund t’i “shohim” ato, mund edhe të “hyjmë” në mbretëri, me kalimin e Shpirtit përmes ujit që rilind.

Pleqëria është kushti, dhënë shumëkujt prej nesh, në të cilin mrekullia e kësaj lindjeje nga lart mund të asimilohet në afrimitet dhe të bëhet e besueshme për bashkësinë njerëzore: nuk komunikon nostalgji për lindjen në kohë, por dashuri për cakun përfundimtar. Nisur nga ky këndvështrim, pleqëria ka një bukuri unike: ne ecim drejt të Amshueshmit. Askush nuk mund të rihyjë në barkun e nënës, madje as në zëvendësuesin e saj teknologjik dhe konsumator. Kjo nuk jep urti, kjo nuk ofron një rrugë të përfunduar, kjo është artificiale. Do të ishte e trishtueshme, edhe sikur të ishte e mundur. I moshuari ecën përpara, i moshuari ecën drejt cakut, drejt qiellit të Hyjit, i moshuari ecën me urtinë e tij të jetuar gjatë jetës së vet. Prandaj, pleqëria është një kohë e veçantë për të zgjidhur të ardhmen nga iluzioni teknokratik i mbijetesës biologjike dhe robotike, por mbi të gjitha sepse hapet ndaj dashamirësisë së brendësisë krijuese dhe lindëse të Hyjit. Këtu dua të theksoj këtë fjalë: dashamirësia (butësia) e të moshuarve. Vëzhgojeni një gjysh apo një gjyshe sesi i sheh nipërit e mbesat, si i përkëdhel nipërit e mbesat: ajo dashamirësi, e lirë nga çdo sprovë njerëzore, që ka mposhtur sprovat njerëzore dhe është e aftë të japë dhuratisht dashurinë, afërsinë e ngrohtë të njërit për tjetrin. Kjo dashamirësi hap derën për të kuptuar dashamirësinë e Hyjit. Të mos harrojmë se Shpirti i Hyjit është afërsi, dhembshuri dhe dashamirësi. Hyji është i tillë, ai di të përkëdhelë. Dhe pleqëria na ndihmon të kuptojmë këtë dimension të Hyjit që është dashamirësia/butësia. Pleqëria është koha e veçantë për ta liruar të ardhmen nga iluzioni teknokratik, është koha e dashamirësisë së Hyjit që krijon, krijon një rrugë për të gjithë ne. Shpirti na dhuroftë rihapjen e këtij misioni shpirtëror – dhe kulturor – të pleqërisë, që na pajton me lindjen nga lart. Kur mendojmë kështu për pleqërinë, pastaj themi: pse kjo kulturë e skartimit vendos t’i skartojë të vjetrit, duke i çmuar të padobishëm? Të vjetrit janë lajmëtarët e të ardhmes, të vjetrit janë lajmëtarët e dashamirësisë, të vjetrit janë lajmëtarët e urtisë së një jete të jetuar. Le të ecim përpara dhe të shohim kah të vjetrit.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme