22.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Nga revolucioni i dhembshurisë burojnë mëshira e drejtësia
HomeKryesorPapa Françesku: Nga revolucioni i dhembshurisë burojnë mëshira e drejtësia

Papa Françesku: Nga revolucioni i dhembshurisë burojnë mëshira e drejtësia

Ta provosh dhembshurinë do të thotë “ta ndjesh se dikush na do e na mirëpret, ashtu, të varfër e të mjerë, siç jemi”. E do të thotë edhe “të shndërrohesh nga  dashuria e Zotit”. Kjo, përmbledhtas, është zemra e katekizmit të sotëm, përqendruar, ashtu si në audiencën e përgjithshme e javës së kaluar, tek figura e Shën Jozefit.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 8. Shën Jozefi at’ i dashur [i butë].

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot dëshiroj të thelloj figurën e shën Jozefit si at’ i dashur [i butë].

Në Letrën Apostolike Patris corde (8 dhjetor 2020) pata mundësinë të reflektoja mbi këtë aspekt të të qenurit i dashur, një aspekt i personalitetit të Shën Jozefit. Në të vërtetë, edhe pse Ungjijtë nuk na japin detaje se si ai e ushtroi atësinë e tij, prapëseprapë mund të jemi të sigurt se të qenurit e tij një njeri “i drejtë” është përkthyer edhe në edukimin e dhënë Jezusit. «Jozefi e pa Jezusin të rritej ditë pas dite “në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve” (Lk 2,52): kështu thotë Ungjilli. Ashtu siç bëri Zoti me Izraelin, kështu ai “e mësoi të ecë, duke e marrë për dore: ai ishte për të si një baba që fëmijën e ngre deri në mollëzat e veta, që përkulet mbi të për ta ushqyer» (krh. Oz 11,3-4 )» (Patris corde, 2). Ky përkufizim i Biblës, që tregon marrëdhënien e Hyjit me popullin e Izraelit, është i bukur. Ne mendojmë se e njëjta marrëdhënie ka qenë ajo e shën Jozefit me Jezusin.

Ungjijtë dëshmojnë se Jezusi përdorte gjithmonë fjalën “at’” për të folur për Hyjin dhe dashurinë e tij. Shumë shëmbëlltyra kanë si protagonist figurën e atit. Ndër më të famshmet është sigurisht ajo e Atit të mëshirshëm, e treguar nga Luka ungjilltar (krh. Lk 15,11-32). Pikërisht në këtë shëmbëlltyrë, përveç përvojës së mëkatit dhe faljes, nënvizohet edhe mënyra sesi falja arrin te personi që ka gabuar. Teksti thotë: «Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi» (rr. 20). I biri priste një ndëshkim, një drejtësi që më së shumti mund t’i jepte vendin e njërit prej shërbëtorëve, por e gjen veten të mbështjellë në përqafimin e të atit. Të qenurit i dashur është diçka më e madhe se logjika e botës. Është një mënyrë e papritur e të bërit drejtësi. Ja pse nuk duhet të harrojmë kurrë se Hyji nuk frikësohet nga mëkatet tona: le ta ngulisim mirë këtë në mendjen tonë. Hyji nuk frikësohet nga mëkatet tona, ai është më i madh se mëkatet tona: ai është at’, është dashuri, ai është i butë. Ai nuk frikësohet nga mëkatet tona, nga gabimet tona, nga rrëzimet tona, por frikësohet nga mbyllja e zemrës sonë – po, kjo e bën atë të vuajë – ai frikësohet nga mungesa e besimit tonë në dashurinë e tij. Ka një ngrohtësi të madhe në përjetimin e dashurisë së Hyjit. Është bukur të mendosh se i pari që ia përçoi Jezusit këtë realitet ishte pikërisht Jozefi.

Njëmend, gjërat e Hyjit na arrijnë gjithmonë përmes ndërmjetësimit të përvojave njerëzore. Kohë më parë – nuk e di nëse e kam treguar tashmë – një grup të rinjsh që bëjnë teatër, një grup të rinjsh të rrymës pop, “para”, u preken nga kjo shëmbëlltyrë e atit të mëshirshëm dhe vendosën ta bëjnë një vepër teatri pop me këtë argument, me këtë histori. Dhe e bënë mirë. I gjithë argumenti është, tek e fundit, se një mik dëgjon djalin që ishte larguar nga babai i tij, i cili donte të kthehej në shtëpi, por kishte frikë se mos i ati do ta hidhte jashtë dhe ta ndëshkonte. Shoku i tij, në atë vepër pop, i thotë: «Dërgo një lajmëtar dhe thuaji se dëshiron të kthehesh në shtëpi dhe nëse ati pranon, të vendosë një shami në dritare, atë që do ta shohësh sapo të marrësh kthesën e fundit”. Kështu u bë. Dhe vepra, me këngë e kërcime, vazhdon deri në momentin kur djali hyn për në rrugën e fundit ku shihet shtëpia. E kur ngre sytë, sheh shtëpinë plot me shami të bardha: plot. Jo një, por tre-katër për çdo dritare. Kështu është mëshira e Hyjit. Nuk ka frikë nga e kaluara jonë, nga të këqijat tona: ai ka frikë vetëm nga mbyllja jonë. Të gjithë kemi hesape për të larë; por të lash hesapet me Hyjin është një gjë shumë e bukur, sepse ne fillojmë të flasim dhe Ai na përqafon. Butësia!

Atëherë mund ta pyesim veten nëse ne e kemi përjetuar këtë butësi dhe nëse ne, nga ana tjetër, jemi bërë dëshmitarë të saj. Në të vërtetë, butësia nuk është para së gjithash çështje emocionale apo sentimentale: është ajo përvojë ku ndihemi të dashur dhe të pranuar në varfërinë dhe mjerimin tonë, dhe për këtë arsye të shndërruar nga dashuria e Hyjit.

Hyji nuk mbështetet vetëm në talentet tona, por edhe në dobësinë tonë të shëlbuar. Kjo, për shembull, e shtyn shën Palin të thotë se ekziston një plan edhe për brishtësinë e tij. Njëmend, ai i shkruan bashkësisë së Korintit në këtë mënyrë: «Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur […]. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi”» (2 Kor 12,7-9). Zoti nuk na i heq të gjitha dobësitë, por na ndihmon të ecim me dobësi, duke na marrë për dore. Ai i merr për dore dobësitë tona dhe vihet pranë nesh. Kjo është butësia. Përvoja e kësaj butësie qëndron në të shikuarit e fuqisë së Hyjit duke kaluar pikërisht përmes asaj që na bën më të brishtë; mirëpo, me kusht që ne ta lëmë vështrimin e të Ligut i cili «na bën ta shikojmë dobësinë tonë me një gjykim negativ», ndërsa Shpiti Shenjt «e nxjerr atë në dritë me butësi» (Patris corde, 2). «Butësia është mënyra më e mirë për të prekur atë që është e brishtë tek ne. […] Shikoni se si infermieret, infermierët i prekin plagët e të sëmurëve: me butësi, për të mos i lënduar më shumë. Kështu i prek Zoti plagët tona, me të njëjtën butësi.

Për këtë arsye është e rëndësishme ta takojmë Mëshirën e Hyjit, veçanërisht në Sakramentin e Pajtimit, në lutjen personale me Hyjin, duke bërë një përvojë të së vërtetës dhe butësisë. Në mënyrë paradoksale, edhe i Ligu mund të na thotë të vërtetën: është gënjeshtar, por arrin të na thotë të vërtetën për të na çuar drejt gënjeshtrës; por, nëse e bën, është për të na dënuar. Ndërsa Zoti na thotë të vërtetën dhe na e zgjat dorën për të na shpëtuar. Ne e dimë se e Vërteta që vjen nga Hyji nuk na dënon, por na pranon, na përqafon, na mbështet, na fal» (Patris corde, 2). Hyji fal gjithmonë: nguliteni mirë në mendjen dhe zemrën tuaj. Hyji fal gjithmonë. Jemi ne ata që lodhemi duke kërkuar falje. Por ai fal gjithmonë, edhe gjërat më të këqija.

Na bën mirë, atëherë, të reflektojmë për atësinë e Jozefit, i cili është pasqyra e atësisë së Hyjit dhe ta pyesim veten nëse e lejojmë Zotin të na dojë me butësinë e tij, duke na shndërruar të gjithë neve në burra dhe gra të aftë për të dashur në këtë mënyrë. Pa këtë “revolucion të butësisë” – duhet një revolucion butësie! – rrezikojmë të mbetemi të burgosur në një drejtësi që nuk na lejon të ngrihemi lehtë dhe që ngatërron shëlbimin me dënimin. Për këtë arsye, sot dua të kujtoj në mënyrë të veçantë vëllezërit dhe motrat tona që janë në burg. Është e drejtë që ata që kanë bërë një gabim të paguajnë për gabimin e tyre, por është po aq e drejtë që ata që kanë bërë një gabim të mund të gjejnë shëlbim në gabimin e tyre. Nuk mund të ketë dënime pa dritare shprese. Çdo dënim ka gjithmonë një dritare shprese. Le të mendojmë për vëllezërit dhe motrat tona në burg dhe le të mendojmë për butësinë e Hyjit për ta dhe të lutemi për ta, që ata të gjejnë në atë dritare shprese një rrugëdalje drejt një jete më të mirë.

Përfundojmë me këtë lutje:

Shën Jozef, at’ dashur,

na mëso që ta pranojmë dashurinë pikërisht në atë që është më e dobët në ne.

Bëj që të mos vendosim asnjë pengesë

mes varfërisë sonë dhe madhështisë së dashurisë së Hyjit.

Ngjall në ne dëshirën për t’iu afruar sakramentit të Pajtimit,

për të gjetur faljen dhe për t’u bërë të aftë që t’i duam me butësi

vëllezërit dhe motrat tona në varfërinë e tyre.

Ji pranë atyre që kanë gabuar dhe për këtë arsye  paguajnë çmimin;

ndihmoji ata të gjejnë, së bashku me drejtësinë, edhe butësinë për të filluar nga e para.

Mësoju atyre se mënyra e parë për të filluar nga e para

është të kërkojnë sinqerisht falje, për të ndjerë përkëdheljen e Atit.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme