Në katekëzën e tij të vazhdueshme mbi kuptimin dhe vlerën e pleqërisë në dritën e fjalës së Perëndisë, Papa Françesku reflektoi mbi figurën e vejushës Naomi, siç paraqitet në Librin biblik të Rutës, të cilin e quajti “një xhevahir i Biblës”.
Ai u tha atyre që u mblodhën në Audiencën e Përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit se kjo histori e bukur “hedh dritë mbi bukurinë e lidhjeve familjare” dhe i ftoi besimtarët “të rizbulonin Librin e Rutës”.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME
Katekezë mbi pleqërinë – 7. Noemi, besëlidhja mes brezave që hap të ardhmen
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita dhe mirë se erdhët!
Sot vazhdojmë të reflektojmë mbi të moshuarit, për gjyshërit, për pleqërinë, duket fjalë e shëmtuar por jo, pleqtë janë të mëdhenj, janë të bukur! Sot do ta lëmë veten të frymëzohemi nga Libri i shkëlqyer i Rutës, një xhevahir i Biblës. Shëmbëlltyra e Rutës ndriçon bukurinë e lidhjeve familjare: të përftuara nga marrëdhënia e çiftit, por që shkojnë përtej lidhjes së çiftit. Lidhje dashurie të afta për të qenë po aq të forta, në të cilat rrezaton përsosja e atij poliedri të afekteve themelore që formojnë gramatikën familjare të dashurisë. Kjo gramatikë sjell limfë jetike dhe urti gjeneruese në tërësinë e marrëdhënieve që ndërtojnë bashkësinë. Krahasuar me Këngën e Këngëve, Libri i Rutës është si rrasa tjetër në diptikun e dashurisë martesore. Po aq i rëndësishëm, po aq thelbësor, ai kremton fuqinë dhe poezinë që duhet të banojnë në lidhjet e brezit, farefisnisë, përkushtimit, besnikërisë që mbështjellin gjithë yjësinë e familjes. Madje, në konjukturat dramatike të jetës së një çifti, janë në gjendje të përftojnë një forcë të paimagjinueshme dashurie, e aftë për të rinisur shpresën dhe të ardhmen e tyre.
Ne e dimë se klishetë për lidhjet familjare të krijuara nga martesa, veçanërisht ajo e vjehrrës, ajo lidhje mes vjehrrës dhe resë, flasin kundër kësaj perspektive. Por, pikërisht për këtë, fjala e Hyjit bëhet e çmuar. Frymëzimi i fesë di të hapë një horizont dëshmie kundër rrymës përkundrejt paragjykimeve më të zakonshme, një horizont i çmuar për mbarë bashkësinë njerëzore. Ju ftoj që ta rizbuloni Librin e Rutës! Sidomos në meditimin mbi dashurinë dhe në katekezën mbi familjen.
Ky libër i vogël përmban gjithashtu një mësim të çmuar mbi besëlidhjen e brezave: ku rinia rezulton e aftë për t’i rikthyer entuziazmin moshës së pjekur – kjo është thelbësore: kur rinia u rijep entuziazëm të moshuarve -, ku pleqëria zbulohet si e aftë për të rihapur të ardhmen për rininë e plagosur. Në fillim, e moshuara Noemi, edhe pse e përmalluar nga dashuria e nuseve të bijve të saj, që kishin ngelur të veja, duket pesimiste në lidhje me fatin e tyre brenda një populli që nuk është i tyri. Prandaj, ajo i inkurajon me dashuri të rejat që të kthehen në familjet e tyre, për të rindërtuar jetën e tyre – këto gra të veja ishin të reja. Ajo thotë: «Unë nuk mund të bëj asgjë për ju». Edhe kjo gjë duket si një akt dashurie: gruaja e moshuar, pa burrë dhe pa fëmijë, këmbëngul që nuset e saj ta lënë atë. Mirëpo, është edhe një lloj dorëzimi: nuk ka të ardhme të mundshme për vejushat e huaja, pa mbrojtjen e burrave të tyre. Ruta e di këtë, por i kundërshton kësaj oferte bujare, ajo nuk dëshiron të shkojë në shtëpinë e saj. Lidhja që është krijuar mes vjehrrës dhe resë është bekuar nga Hyji: Noemi nuk mund të kërkojë që të braktiset. Në fillim, Noemi duket më shumë e dorëzuar sesa e kënaqur me këtë ofertë: ndoshta mendon se kjo lidhje e çuditshme do ta rëndojë situatën për të dyja. Në disa raste, prirja e të moshuarve ndaj pesimizmit, duhet të kundërshtohet nga presioni i dashur i të rinjve.
Në të vërtetë, Noemi, e prekur nga përkushtimi i Rutës, do të dalë nga pesimizmi i saj dhe madje do të marrë iniciativën, duke hapur një të ardhme të re për Rutën. Ajo udhëzon dhe inkurajon Rutën, të venë e djalit të saj, që të gjejë një burrë tjetër në Izrael. Boozi, kandidati, tregon fisnikërinë e tij duke e mbrojtur Rutën nga njerëzit e tij të punësuar. Fatkeqësisht, është një rrezik që ekziston edhe sot.
Martesa e re e Rutës kremtohet dhe botët janë përsëri të qetësuara. Gratë e Izraelit i thonë Noemit se Ruta, e huaja, vlen «më shumë se shtatë fëmijë» dhe se ajo martesë do të jetë një «bekim prej Zotit». Noemi, e cila ishte plot hidhërim dhe thoshte gjithashtu se emri i saj është hidhërim, në pleqërinë e saj do ta njohë gëzimin e të pasurit pjesë në brezin e një lindjeje të re. Shikoni sa “mrekulli” e shoqërojnë kthimin e kësaj gruaje të moshuar! Ajo kthehet në angazhimin për t’u vënë në dispozicion, me dashuri, për të ardhmen e një brezi të plagosur nga humbja dhe në rrezik braktisjeje. Frontet e rikompozimit janë të njëjtat që, në bazë të probabiliteteve të nxjerra nga paragjykimet e opinionit të përbashkët, duhet të shkaktojnë thyerje të pakapërcyeshme. Mirëpo, feja dhe dashuria na mundësojnë që t’i kapërcejmë ato: vjehrra e kapërcen xhelozinë për fëmijën e saj, duke dashur lidhjen e re të Rutës; gratë e Izraelit tejkalojnë mosbesimin ndaj të “huajit” (dhe nëse këtë gjë e bëjnë gratë, do të thotë se e bëjnë të gjithë); cenueshmëria e vajzës së ngelur vetëm, përballë fuqisë së mashkullit, pajtohet me një lidhje plot dashuri dhe respekt.
E gjithë kjo ndodhi sepse e reja, Ruta, ka këmbëngulur për të qëndruar besnike ndaj një lidhjeje të ekspozuar ndaj paragjykimeve etnike dhe fetare. Po rikthehem tek ajo që thashë në fillim; sot, vjehrra është personazh mitik, nuk them se e mendojmë vjehrrën si të ishte djalli, por gjithmonë e mendojmë atë si një figurë të keqe. Por vjehrra është nëna e burrit tënd, ajo është nëna e gruas tënde. Le të mendojmë sot për këtë ndjenjë disi të përhapur, që vjehrra sa më larg të jetë aq më mirë është. Jo! Ajo është nënë, është e moshuar. Një nga gjërat më të bukura të gjysheve është të shohin nipërit e mbesat e tyre, kur fëmijët e tyre lindin fëmijë, ata rigjallërohen. Shikojeni mirë marrëdhënien që keni me vjehrrat: ndonjëherë ato janë pak të veçanta, por të kanë dhënë amësinë e bashkëshortit, të kanë dhënë gjithçka. Të paktën duhet t’i bësh të lumtur, që ta vazhdojnë me lumturi pleqërinë. Dhe nëse kanë ndonjë të metë, ju duhet t’i ndihmoni që të përmirësohen. Edhe ju vjehrrave po ju them: bëni kujdes me gjuhën, sepse gjuha është një nga mëkatet më të këqija të vjehrrave, bëni kujdes.
Ruta në këtë Libër e pranon vjehrrën e saj dhe e rigjallëron atë, kurse e moshuara Noemi merr iniciativën për të rihapur të ardhmen për Rutën, në vend që t’i gëzohet thjesht mbështetjes së saj. Nëse të rinjtë janë të hapur ndaj mirënjohjes për atë që kanë marrë dhe të moshuarit marrin iniciativën për të rinisur të ardhmen e tyre, asgjë nuk mund ta ndalojë lulëzimin e bekimeve të Hyjit midis popujve! Po ua lë porosi, që të rinjtë të flasin me gjyshërit, të rinjtë të flasin me të moshuarit, të moshuarit të flasin me të rinjtë. Ne duhet t’i rivëmë baza të forta kësaj ure, aty gjendet një rrymë shpëtimi, lumturie. Zoti na ndihmoftë, duke e bërë këtë gjë, që të rritemi në harmoni në familje, në atë harmoni konstruktive që shkon nga i moshuari te më i riu, atë urë të bukur që duhet ta ruajmë dhe ta vështrojmë.
Përkthyer nga Vatican Press