26.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Kush kërkon jetën duhet të shikojë kah Krishti
HomeKryesorPapa Françesku: Kush kërkon jetën duhet të shikojë kah Krishti

Papa Françesku: Kush kërkon jetën duhet të shikojë kah Krishti

Papa Françesku vazhdon katekezën e tij mbi Letrën drejtuar Galatasve në Audiencën e Përgjithshme të së mërkurës, duke thënë se Shën Pali i nxit të krishterët të shikojnë përtej Ligjit të Moisiut për përmbushjen e tij në Krishtin.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME:

«Ç’u lyp Ligji?» (Gal 3,19). Ja pyetja që, duke ndjekur Palin, duam të thellojmë sot, për të njohur risinë e jetës së krishterë të gjallëruar nga Shpirti Shenjt. Por nëse kemi Shpirtin Shenjt, nëse kemi Jezusin që na ka shëlbuar, pse duhet Ligji? Mbi këtë gjë do të reflektojmë sot. Apostulli shkruan: «E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit» (Gal 5,18). Ndërsa denigruesit e Palit ishin të mendimit se galatasit duhej të ndiqnin Ligjin për të qenë të shpëtuar. Ata ktheheshin prapa. Sikur ndjenin mall për kohët e tjera, për kohët para Jezu Krishtit. Apostulli nuk pajtohet assesi. Ai nuk ishte marrë vesh kështu me Apostujt e tjerë në Jerusalem. Ai i kujton fare mirë fjalët e Pjetrit kur thoshte: «Përse po e sprovoni Hyjin duke u vënë nxënësve në qafë zgjedhën, të cilën as etërit tanë as neve nuk mundëm ta mbartim?» (Vap 15,10). Vendimet që u morën nga ai “koncil i parë” – koncili i parë ekumenik kishte qenë ai i Jerusalemit dhe caktimet e nxjerra nga ai koncil ishin shumë të qarta dhe pohonin: «Përfunduam, pra, që Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruheni prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia» (Vap 15,28-29). Disa gjëra që i përkisnin kultit ndaj Hyjit, idhujtaria dhe kanë të bëjnë edhe më mënyrën e të kuptuarit të jetës së asaj kohe.

Kur Pali flet për Ligjin, ai i referohet normalisht Ligjit të Moisiut, Dhjetë Urdhërimeve. Ai është në marrëdhënie me Besëlidhjen që Hyji kishte bërë me popullin e tij, një ecje për të përgatitur këtë Besëlidhje. Sipas teksteve të ndryshme të Besëlidhjes së Vjetër, Torah – që është termi hebraik me të cilin tregohet Ligji – është mbledhja e të gjitha atyre rregullave dhe normave që izraelitët duhet të zbatojnë, në sajë të Besëlidhjes me Hyjin. Një sintezë efikase e asaj çfarë është Torah mund të gjendet në këtë tekst të Ligjit të Përtërirë i cili thotë kështu: «Atëherë Zoti përsëri do të gjejë kënaqje në ty me të gjitha të mirat siç u kënaq edhe në etërit e tu, veç që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tija që janë të shkruara në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd»(30,9-10). Zbatimi i Ligjit i garantonte popullit të mirat e Besëlidhjes dhe garantonte lidhjen e veçantë me Hyjin. Ky popull, këta njerëz, këta persona, janë të lidhur me Hyjin dhe e tregojnë këtë bashkim me Hyjin në përmbushjen, zbatimin e Ligjit. Duke bërë Besëlidhjen me Izraelin, Hyji i kishte ofruar Ligjin, Torah, në mënyrë që ai të kuptonte vullnetin e tij dhe të jetonte në drejtësi. Mendojmë se në atë kohë kishte nevojë për një Ligj të tillë, ishte një dhuratë e madhe që Hyji i dha popullit të tij, pse? Sepse në atë kohë kishte paganizëm ngado, idhujtari kudo dhe sjellje njerëzore që buronin nga idhujtaria dhe, për këtë arsye, Ligji është dhurata e madhe e Hyjit për popullin e tij, për të ecur përpara. Disa herë, veçanërisht në librat e profetëve, vërehet se mosrespektimi i parimeve të Ligjit përbënte një tradhti të vërtetë ndaj Besëlidhjes, duke provokuar reagimin e zemërimit të Hyjit. Lidhja midis Besëlidhjes dhe Ligjit ishte aq e ngushtë saqë ato dy realitete ishin të pandashme. Ligji është shprehja se një person, një popull është në besëlidhje me Hyjin.

Në dritën e gjithë kësaj, është e lehtë të kuptohet se sa mirë kishin ditur ata misionarë, të infiltruar te galatasit, të pretendonin se aderimi në Besëlidhje përfshinte edhe zbatimin e Ligjit të Moisiut, siç ishte në atë kohë. Sidoqoftë, pikërisht në këtë pikë mund të zbulojmë inteligjencën shpirtërore të shën Palit dhe intuitat e mëdha që ai ka shprehur, i mbështetur nga hiri i marrë për misionin e tij ungjillëzues.

Apostulli u shpjegon galatasve se, në të vërtetë, Besëlidhja me Hyjin dhe Ligji i Moisiut nuk janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme. Elementi i parë të cilit ai i mëshon është fakti se Besëlidhja e bërë nga Hyji me Abrahamin bazohej në fenë në përmbushjen e premtimit dhe jo në zbatimin e Ligjit, i cili ende nuk ekzistonte. Abrahami filloi të ecë shekuj para Ligjit. Apostulli shkruan: «Ja, çka dua të them: Besëlidhjen që Hyji e ka bërë [me Abrahamin] në mënyrë të rregullt, nuk e zhbën Ligji që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më vonë [me Moisiun] dhe nuk i hedh poshtë premtimet. E njëmend, nëse trashëgimi fitohet me anë të Ligjit, nuk mund të fitohet me anë të premtimit. Tashti, Abrahamit Hyji ia dha dhuratën e vet me anë të premtimit» (Gal 3,17-18). Premtimi ishte para Ligjit dhe premtimi ndaj Abrahamit, pastaj ligji erdhi 430 vjet më vonë. Fjala “premtim” është shumë e rëndësishme: populli i Hyjit, ne të krishterët, ecim në jetë me shikimin kah premtimi; premtimi është pikërisht ajo që na tërheq, na tërheq për të shkuar përpara në takimin me Zotin.

Me këtë arsyetim Pali ka arritur një objektiv të parë: Ligji nuk është baza e Besëlidhjes sepse ka ardhur më vonë, ishte i nevojshëm dhe i drejtë, por më parë ishte premtimi, Besëlidhja.

Një argument i tillë nxjerr jashtë loje ata që pretendojnë se Ligji i Moisiut është një pjesë përbërëse e Besëlidhjes. Jo, Besëlidhja është më përpara; është thirrja drejtuar Abrahamit. Torah-i, Ligji në fakt, nuk përfshihet në premtimin e bërë Abrahamit. Thënë kjo, nuk duhet menduar, sidoqoftë, që shën Pali ishte në kundërshtim me Ligjin e Moisiut. Jo, ai e zbatonte. Disa herë, në Letrat e tij, ai mbron origjinën e tij hyjnore dhe argumenton se ai ka një rol shumë specifik në historinë e shpëtimit. Mirëpo, Ligji nuk jep jetën, nuk ofron përmbushjen e premtimit, sepse nuk është në gjendje ta përmbushë atë. Ligji është një ecje që të çon përpara drejt takimit. Pali përdor një fjalë shumë të rëndësishme, Ligji është “pedagogu” drejt Krishtit, pedagogu drejt fesë në Krishtin, domethënë mësuesi që të merr për dore drejt takimit. Kush kërkon jetën duhet të shikojë kah premtimi dhe përmbushja e tij në Krishtin.

Shumë të dashur, ky shtjellim i parë i Apostullit për galatasit paraqet risinë rrënjësore të jetës së krishterë: të gjithë ata që kanë fe në Jezu Krishtin janë të thirrur të jetojnë në Shpirtin Shenjt, i cili çliron nga Ligji dhe, në të njëjtën kohë, e përmbush atë sipas urdhërimit të dashurisë. Kjo është shumë e rëndësishme, Ligji na çon te Jezusi. Por ndonjë prej jush mund të më thotë: “Por, Atë, ka diçka këtu: kjo do të thotë që nëse unë lus Besojmën, nuk duhet t’i zbatoj Urdhërimet?”. Jo, Urdhërimet janë aktuale në kuptimin që janë “pedagogë” që të çojnë në takimin me Jezusin. Por nëse ti e lë mënjanë takimin me Jezusin dhe dëshiron të kthehesh për t’i dhënë më shumë rëndësi Urdhërimeve, kjo nuk është mirë. Ky ishte pikërisht problemi i këtyre misionarëve fondamentalistë që u përzien mes galatasve për t’i ngatërruar ata. Zoti na ndihmoftë të ecim në rrugën e Urdhërimeve, por duke parë dashurinë e Krishtit, drejt takimit me Krishtin, duke e ditur se takimi me Jezusin është më i rëndësishëm se të gjitha Urdhërimet.

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme