11.5 C
Tirana
HomeEditorialPapa Françesku, kultura e fshirjes dhe kriza e diplomacisë
HomeEditorialPapa Françesku, kultura e fshirjes dhe kriza e diplomacisë

Papa Françesku, kultura e fshirjes dhe kriza e diplomacisë

Nga Dom Gjergj META

Fjalimi që mbajti Papa Françesku në takimin e fillimvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Vatikan, është me siguri një ndër më të rëndësishmit e magjisterit të tij për nga pikëpamja socio-politike, pasi është një sintezë e thukët, por mjaft e efektshme e vizionit të tij për ngjarjet e vitit që lamë pas dhe për perspektivën e atij që sapo ka filluar.

Në këtë shkrim dëshiroj të veçoj disa paragrafë të atij fjalimi të gjatë, tejet substancor. Pikërisht ata në të cilët Papa Françesku e vë gishtin mbi krizën e diplomacisë multilaterale, e cila ka qenë mjaft e rëndësishme duke nisur nga paslufta e dytë botërore e deri më sot, por që aktualisht po çalon, duke u bërë kanal përçimi i së ashtuquajturës kultura e fshirjes (cancel culture).

Që në fillim të ligjëratës së tij, Ati i Shenjtë thekson këtë aspekt të diplomacisë: “… ky është qëllimi i diplomacisë: të ndihmojë që të lihen mënjanë mospërkimet e bashkëjetesës njerëzore, të sprovojë dhe të favorizojë se si mund ta zbulojmë sërish njësimin e thellë të realitetit, kur e tejkalojmë rërën e luhatshme të konfliktualitetit.”

Më tej, duke folur për diplomacinë multilaterale, Papa thotë se ajo “… po kalon prej kohësh një krizë besimi, të shkaktuar nga një besueshmëri e zvogëluar e sistemeve shoqërore, qeveritare dhe ndërqeveritare.” Në vijim ai vë në dukje se “Rezolutat e rëndësishme, deklaratat dhe vendimet, në shumicën e rasteve hartohen dhe merren pa negociatat e vërteta, në të cilat duhet të kenë zë të gjitha vendet”.

Ajo që nënvizon Papa nuk ndryshon shumë nga ajo çka është thënë e stërthënë shpeshherë: se vendet e fuqishme, duke pasur “zërin” më të madh financiar dhe politik në organizmat ndërkombëtarë dhe ndërqeveritarë, diktojnë në mënyrë të njëanshme (pra unilaterale) agjenda veprimi dhe nisma ligjore për vendet më të vogla. Pa kurrfarë doreze politikisht korrekte, këtë mund ta quajmë kolonizim ideologjik (sikurse do ta shohim më poshtë), i cili paraprihet gjithmonë nga ai ekonomik, politik, por shpesh edhe nga ai ushtarak.

Duke konstatuar se organizmat ndërkombëtarë kanë nje deficit efektshmërie (unë do të shtoja edhe besueshmërie), Papa Françesku sheh si shkakun e gjithë kësaj, vizionet e ndryshme që kanë vendet anëtare dhe faktin se vendet më të fuqishme, shpesh imponojnë “tematika që për vetë natyrën e tyre janë përçarëse dhe jo krejt në përkim me qëllimet e organizmit”. Kjo çon në një fshirje të kulturave (apo kulturë të fshirjes) dhe identiteteve të veçanta, duke e interpretuar të kaluarën me hermeneutikën e së sotshmes, gjë që shkakton rënien në një logjikë ideologjike. Krejt shkoqur, Papa e quan këtë logjikë të kulturës së fshirjes (cancel culture), një kolonizim ideologjik. Pasoja direkte e një kolonizimi të tillë është mendimi unik që shtyp dhe fshin de facto çdolloj të drejte dhe lirie mendimi dhe shprehjeje, manifestime të së cilave janë ndër të tjera e drejta e jetës nga ngjizja deri në vdekje dhe liria e religjionit.

Mutatis mutandis ne e shikojmë edhe në vendin tonë se si shumë herë “mbijnë” agjenda të shkruara kushedi se ku, për t’u aplikuar medoemos, duke përdorur si kanale diplomacitë e vendeve të mëdha. Këto agjenda në shumicën e rasteve as që bëhet fjalë të negociohen, por thjesht iu vendosen mbi tavolina ligjvënësve dhe qeverisë, duke iu kërkuar atyre vetëm ngritjen e kartonit.

Kultura e fshirjes (cancel culture) është akoma më e thellë. Siç vë në dukje Papa, ajo është”…mohim i themeleve natyrore të njerëzimit dhe i rrënjëve kulturore që përbëjnë identitetin e shumë popujve”. Ajo i gjen kudo kanalet e saj të privilegjuara, duke e mbytur diversitetin pikërisht në emër të ruajtjes së tij. Por kjo i bën dëm shoqërisë njerëzore, sepse ia pret rrënjët asaj, duke mëtuar një lloj mesianizmi historik se gjithçka fillon sot nga e para, pa marrë parasysh çka ka qenë dje.

Kriza e diplomacisë multilaterale është në fakt kriza e dialogut, e dëgjimit reciprok dhe sidomos kriza e respektimit të individualitetit dhe identitetit specifik të popujve, sikundër shpërfaqje e arrogancës, e cila duke modifikuar një citim prej librit “Ferma e Kafshëve” të George Orwell-it, na sjell ndërmend fjalinë e famshme: “Të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët.”

Duke u bërë ambasadore e mendimit unik, e kulturës së fshirjes (cancel culture), diplomacia multilaterale kthehet kështu në diplomaci unilaterale. Situatë kjo krejt e papëlqyeshme, prej së cilës është e nevojshme dhe e domosdoshme të dilet sa më parë.

“Diplomacia multilaterale – vazhdon Ati i Shenjtë – është e thirrur të jetë përnjëmend përfshirëse, jo duke fshirë, por duke iu dhënë vlerë diversiteteve dhe ndjeshmërive historike që dallojnë popujt e ndryshëm”.

Kjo ndodh veç nëse popujt, edhe kur janë të vegjël, siç është populli ynë, janë të aftë ta ruajnë dhe ta mbrojnë me këmbëngulje identitetin e ndjeshmëritë e tyre specifike, të vetëdijshëm se nëse nuk e bëjnë këtë, humbasin dinjitetin e tyre.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme