14.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Katekistët të gjejnë “alfabete” të reja për të shpallur Ungjillin
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Katekistët të gjejnë “alfabete” të reja për të shpallur Ungjillin

Papa Françesku: Katekistët të gjejnë “alfabete” të reja për të shpallur Ungjillin

Mond MARKU

Dëgjimi, pasioni dhe krijimtaria janë cilësitë e spikatura nga Papa në audiencën me përgjegjësit e Komisioneve për katekezën të Konferencave Ipeshkvore Evropiane. “Katekeza – pohon papa Françesku – është traditë”, por duhet të jetë “e gjallë” dhe jo “një relike historike”. Liria e zemrës është e rëndësishme sepse hap rrugë drejt risisë së shpalljes.

Jehona e udhëtimit që sapo ka përfunduar vërehet te fjalët e Papës drejtuar pjesëmarrësve në takimin mbi “Katekezën dhe Katekistët për Ungjillëzimin e Ri”, të promovuar nga Këshilli Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri, një vit pas marrjes së Direktoriumit të ri për Katekezën. Françesku kujton Kongresin Eukaristik në Budapest për të theksuar se forca dhe shtysa për kumtimin e Ungjillit gjenden pikërisht në misterin eukaristik. Papa këmbëngul në takimin me tjetrin, në dëgjimin e jetës dhe realitetit të tij, pastaj i nxit katekistët të kujtojnë se dashuria e Jezusit nuk na braktis kurrë dhe na fton të mos nxjerrim nga “çanta” përgjigje të parapaketuara. Përgjigjet – pohon ai -, por gjithashtu duhet kujdes që të mos kemi “zemrën, qëndrimin dhe fytyrën të paketuar”.

Të dëgjosh me të vërtetë do të thotë të ballafaqosh ato kultura, ato gjuhë, gjithashtu dhe mbi të gjitha të pathënat, të pashprehurat, me Fjalën e Hyjit, me Jezu Krishtin, Ungjillin e gjallë”.

Kjo është “detyra më urgjente e Kishës midis popujve të Evropës”, për papa Françeskun.

“Tradita e madhe e krishterë e kontinentit nuk guxon të bëhet relike historike, përndryshe nuk është më “traditë”! Tradita o është e gjallë ose nuk është traditë. Dhe katekeza është traditë, është tradere [përçim], por një traditë e gjallë, nga zemra në zemër, nga mendja në mendje, nga jeta në jetë. Pra: të zellshëm dhe krijues, me shtytjen e Shpirtit Shenjt. Kam përdorur fjalën “parapaketim” për gjuhën: por, kam frikë nga katekistët me zemër, qëndrim dhe fytyrë të parapaketuar: jo. Katekisti o është i lirë, ose nuk është katekist. Katekisti e lë veten të goditet nga realiteti që gjen dhe përçon Ungjillin me një krijimtari të madhe, ose përndryshe nuk është katekist”.

Asnjëherë të lodhur dhe përsëritës

“Shkoni në qytet”: fjalët e Jezusit në Ungjillin e Mateut janë pikënisja e Papës për të kujtuar se të krishterët janë të thirrur të takojnë “njerëz të zënë me angazhimet e tyre të përditshme” sepse katekeza, siç lexohet në Direktorium, “nuk është një komunikim abstrakt i njohurive teorike për t’u memorizuar sikur të ishin formula matematike ose kimie”. Ajo është mbi të gjitha – shpjegon Françesku – kumtimi i dashurisë së Krishtit që “nuk mund të na gjejë kurrë të lodhur ose përsëritës në fazat e ndryshme të rrugëtimit kateketik”.

“Përkundrazi, është përvoja mistagogjike e atyre që mësojnë të takojnë vëllezërit e tyre aty ku jetojnë dhe punojnë, sepse ata vetë kanë takuar Krishtin, i cili i ka thirrur ata të bëhen dishepuj misionarë”.

Kumtues të mëshirës

Shërbesa e katekistit, thekson Papa, u krijua në mënyrë që “bashkësia e krishterë të ndiente nevojën për të ngjallur këtë thirrje”, për të nxjerrë në dritë “pasionin për të përçuar fenë si ungjillëzues”.

“Katekisti dhe katekistja janë dëshmitarë që vihen në shërbim të bashkësisë së krishterë, për të mbështetur thellimin e fesë në konkretësinë e jetës së përditshme. Ata janë njerëz që kumtojnë Ungjillin e mëshirës pa u lodhur; njerëz të aftë për të krijuar lidhjet e nevojshme të mirëseardhjes dhe afërsisë që lejojnë të shijohet më mirë Fjala e Hyjit dhe të kremtohet misteri eukaristik duke ofruar frytet e veprave të mira”.

Françesku kthehet te kujtimi i dashur i katekisteve të tij dhe të një murgeshe që e kishin përgatitur për Kungimin e Parë, ai rrëfen se kishte thurur me to një marrëdhënie afërsie, të një “respekti të madh”, se përjetonte një “ndjenje falënderimi”, se i kishte shoqëruar deri në fundin e jetës së tyre. Një lidhje “shumë e rëndësishme”, nënvizoi Papa.

Shenjtërit krijues

Jehona e udhëtimit vërehet gjithashtu kur ai kujton fjalët e thëna në Katedralen e Bratislavës në takimin me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët: “Ungjillëzimi nuk është kurrë thjesht një përsëritje e së kaluarës”, por duhen kujtuar ungjillëzuesit e shenjtë si Cirili dhe Metodi, si Bonifaci. Shenjtër krijues falë Shpirtit.

“Ata kanë hapur rrugë të reja, kanë sajuar gjuhë të reja, “alfabete” të reja, për të përçuar Ungjillin, për inkulturimin e fesë. Kjo gjë kërkon të dish të dëgjosh njerëzit, të dëgjosh popujt të cilëve ua kumton Ungjillin: të dëgjosh kulturën e tyre, historinë e tyre; të dëgjosh jo sipërfaqësisht, duke menduar tashmë për përgjigjet e parapaketuara që kemi në çantë, jo!”.

Nevojitet një dëgjim që të çon përsëri tek Ungjilli, i cili frymëzon shtigje të reja për t’u rrahur, i cili ripërtërin traditën. Në përshëndetjen e tij, papa Françesku falënderoi mijëra katekistë dhe katekiste nga Evropa që po përgatisin fëmijët dhe të rinjtë për të përfunduar procesin e tyre të hyrjes në jetën e krishterë.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme