10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: imigrimi i detyruar, shkandull për shoqërinë njerëzore
HomeKryesorPapa Françesku: imigrimi i detyruar, shkandull për shoqërinë njerëzore

Papa Françesku: imigrimi i detyruar, shkandull për shoqërinë njerëzore

Tema e katekizmit të sotëm përqendrohet përsëri tek figura e fatit të Marisë, Shën Jozefit, sot migrant i persekutuar e guximtar. Është katekizmi i 43-të dhe i fundit i këtij viti, që numëron ditët e mbrame e që nisi më 13 janarin e kaluar. Pas ciklit kushtuar lutjes së krishterë dhe Letrës drejtuar Galatasve, duke nisur nga 17 nëntori i kaluar Papa u propozoi besimtarëve reflektimet e tij kushtuar Shën Jozefit. Nisi nga ëndrra që pa Jozefi për lindjen e Krishtit, për të vijuar me ëndrrën  për ikjen në Egjipt. Kësaj ikjeje ia kushtoi Papa audiencën e sotme, në të cilën historia e lashtë i flet  historisë së  njerëzimit në shekuj:

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 5. Shën Jozefi, mërgimtar i përndjekur dhe guximtar

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot dua t’ju paraqes shën Jozefin si një mërgimtar të përndjekur dhe të guximshëm. Kështu e përshkruan atë Mateu ungjilltar. Kjo ngjarje e veçantë në jetën e Jezusit, e cila i sheh si protagonistë edhe Jozefin dhe Marinë, njihet tradicionalisht si “ikja në Egjipt” (krh. Mt 2,13-23). Familja e Nazaretit e vuajti këtë përulje dhe e përjetoi mbi lëkurën e vet pasigurinë, frikën, dhimbjen e të qenurit të detyruar për të lënë vendin përkatës. Ende sot, shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, janë të detyruar të jetojnë të njëjtën padrejtësi dhe vuajtje. Shkak është pothuajse gjithmonë prepotenca dhe dhuna e njerëzve të pushtetshëm. Kjo gjë i ndodhi edhe Jezusit.

Mbreti Herod mësoi nga Dijetarët për lindjen e “mbretit të judenjve” dhe ky lajm e shqetësoi atë. Ndihet i pasigurt, ndihet i kërcënuar në pushtetin e tij. Kështu ai mbledh të gjitha autoritetet e Jerusalemit për të mësuar mbi vendin e lindjes së tij dhe u lutet Dijetarëve që t’ia tregojnë saktësisht, në mënyrë që të shkojë dhe ai për ta adhuruar – por e thotë rrejshëm. Mirëpo, duke marrë vesh se Dijetarët kishin marrë një rrugë tjetër, mendja i polli një plan të lig: të vriste të gjithë fëmijët e Betlehemit dy vjeç e poshtë, sepse, sipas llogaritjes së Dijetarëve, ajo ishte koha kur kishte lindur Jezusi.

Ndërkohë, një engjëll e urdhëron Jozefin: «Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë» (Mt 2,13). Le të mendojmë sesi, sot, kaq shumë njerëz e ndjejnë këtë shtytje brenda: “Të ikim, të ikim, sepse këtu ka rrezik”. Plani i Herodit na sjellë ndërmend atë të Faraonit i cili urdhëroi të hidheshin në Nil të gjithë fëmijët meshkuj të popullit të Izraelit (krh. Dal 1,22). Dhe ikja në Egjipt thërret krejt historinë e Izraelit duke filluar nga Abrahami, i cili edhe banoi atje (krh. Zan 12,10), deri te Jozefi, i biri i Jakobit, i shitur nga vëllezërit e tij (krh. Zan 37,36) dhe më pas u bë “kryetari i vendit” (krh. Zan 41,37-57); dhe atë të Moisiut, i cili e çliroi popullin e tij nga skllavëria e egjiptianëve (krh. Dal 1; 18).

Ikja e Familjes së Shenjtë në Egjipt e shpëton Jezusin, por fatkeqësisht nuk e pengon Herodin të kryejë masakrën e tij. Pra, përballemi me dy personalitete të kundërta: nga njëra anë Herodi me egërsinë e tij dhe nga ana tjetër Jozefi me përkujdesjen dhe guximin e tij. Herodi synon të mbrojë pushtetin e tij, “lëkurën” e vet, me një mizori të paskrupullt, siç dëshmon edhe ekzekutimi i njërës prej grave të tij, i disa prej fëmijëve të tij dhe i qindra kundërshtarëve. Ai ishte një njeri mizor: për të zgjidhur problemet, ai kishte vetëm një recetë: “ të vriste”. Ai është simboli i shumë tiranëve të djeshëm dhe të sotëm. Dhe për ta, për këta tiranë, njerëzit s’çojnë peshë: rëndësi ka pushteti, dhe nëse u duhet hapësirë ​​për pushtet, ata vrasin njerëz. Kjo gjë ndodh edhe sot: nuk duhet të shkojmë te historia e lashtë, ndodh sot. Njeriu bëhet “ujk” për njerëzit e tjerë. Historia është e mbushur me personalitete, të cilët, duke u gjendur para frikës së tyre, përpiqen ta mposhtin atë duke ushtruar pushtetin në mënyrë despotike dhe duke zbatuar qëllime çnjerëzore dhune. Porse ne nuk duhet të mendojmë se jetojmë në këtë perspektivë të Herodit vetëm nëse bëhemi tiranë, jo! Në realitet, është një qëndrim në të cilin ne të gjithë mund të biem, sa herë që përpiqemi ta largojmë frikën tonë me prepotencë, qoftë edhe vetëm verbale ose e përbërë nga padrejtësi të vogla të vëna në jetë për të mohuar ata që na rrethojnë. Edhe ne kemi në zemër mundësinë për të qenë Herodë të vegjël.

Jozefi është e kundërta e Herodit: para së gjithash ai është një «njeri i drejtë» (Mt 1,19), ndërsa Herodi është një diktator; përveç kësaj, ai tregohet i guximshëm edhe në zbatimin e urdhrit të Engjëllit. Mund të merren me mend peripecitë që i është dashur të përballojë gjatë udhëtimit të gjatë e të rrezikshëm dhe vështirësitë e qëndrimit në një vend të huaj, me një gjuhë tjetër: shumë vështirësi. Guximi i tij del në pah edhe në momentin e kthimit, kur, si mori siguri nga Engjëlli, kapërceu frikën e kuptueshme dhe me Marinë dhe Jezusin u vendos në Nazaret (krh. Mt 2,19-23). Herodi dhe Jozefi janë dy personazhe të kundërta, që pasqyrojnë dy fytyra të njerëzimit të gjithmonshme. Është një ide e gabuar të çmohet guximi si virtyti ekskluziv i heroit. Njëmend, jeta e përditshme e secilit njeri – e jotja, e imja, e të gjithë neve – kërkon guxim: nuk mund të jetohet pa guxim! Guximi për të përballuar vështirësitë e përditshme. Në të gjitha kohërat dhe në të gjitha kulturat, gjejmë burra dhe gra të guximshme, të cilët, për të qenë në përputhje me kredon e tyre, kanë tejkaluar çdo lloj vështirësie, duke duruar padrejtësitë, dënimet, madje edhe vdekjen. Guximi është sinonim i forcës, që së bashku me drejtësinë, maturinë dhe vetëpërmbajtjen bën pjesë në grupin e virtyteve njerëzore, të quajtura “kardinale”.

Mësimi që Jozefi na jep sot është ky: jeta na vë para kurdoherë kundërshti, kjo është e vërtetë dhe përballë tyre mund të ndihemi të kërcënuar, të frikësuar; mirëpo ne mund t’i kapërcejmë këto momente të caktuara, duke nxjerrë prej nesh më të keqen, siç bën Herodi, ose duke vepruar si Jozefi që reagon ndaj frikës me atë guxim që ia beson veten Provanisë së Hyjit. Sot besoj se nevojitet një lutje për të gjithë mërgimtarët, për të gjithë të përndjekurit dhe për të gjithë ata që janë viktima të rrethanave armiqësore: qofshin ato rrethana politike, historike apo personale. Por, le të mendojmë për kaq shumë njerëz që janë viktima të luftërave që duan të ikin nga atdheu dhe nuk munden; le të mendojmë për emigrantët që e marrin atë rrugë për të qenë të lirë dhe shumë përfundojnë rrugëve ose në det; le të mendojmë për Jezusin në krahët e Jozefit dhe Marisë, duke ikur, dhe tek ai të shohim secilin prej emigrantëve të sotëm. Emigrimi i ditëve të sotme është një realitet para të cilit nuk mund t’i mbyllim sytë. Është një skandal social i njerëzimit.

Shën Jozef,

ti që ke përjetuar vuajtjet e atyre që u është dashur të ikin,

ti që u detyrove të ikësh

për të shpëtuar jetën e njerëzve më të dashur,

mbroji të gjithë ata që ikin për shkak të luftës,

të urrejtjes, të urisë.

Mbështeti ata në vështirësitë e tyre,

forcoji në shpresë dhe bëj që të gjejnë pranim dhe solidaritet.

Drejtoji hapat e tyre dhe hapi zemrat e atyre që mund t’i ndihmojnë ata. Amen!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme