26.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku hebrenjve sllovakë: Blasfemia më e keqe është të përdorësh emrin...
HomeJeta e KishësPapa Françesku hebrenjve sllovakë: Blasfemia më e keqe është të përdorësh emrin...

Papa Françesku hebrenjve sllovakë: Blasfemia më e keqe është të përdorësh emrin e Hyjit për veprime çnjerëzore

Papa Françesku “shtegtar” në Sheshin Rybné námestie, ku është i ngritur memoriali që përkujton më shumë se 105 mijë hebrenj të shfarosur gjatë Shoah-s. Në fjalimin e tij ndihet britma e dhimbjes për tmerret e kryera nga totalitarizmat: “Le të angazhohemi në mënyrë që të mos përdhoset imazhi i Hyjit në krijesën njerëzore”. Pastaj apeli kundër të gjitha formave të “antisemitizmit” dhe shpresa që: “Në mes të kaq shumë përçarjesh që ndotin botën, të jemi gjithmonë dëshmitarë të paqes”.

Papa Françesku hyn në sheshin ‘Rybné Námestie‘ në Bratislavë me hap të ngadaltë dhe me kokën ulur [në shenjë nderimi]. “Sheshi i Peshqve”, një vend historie dhe memoriali për mbarë Sllovakinë; një vend dhimbjeje për komunitetin hebre që këtu, përballë Memorialit të bronztë që përkujton viktimat e Shoah, nën hijen e mbishkrimit “Zachor” (në hebraisht = “kujto!”), qan për të dashurit e shfarosur nga tërbimi nazist. Para këtij komuniteti, të përgjysmuar pas Luftës së Dytë Botërore, Papa paraqitet “si shtegtar”, i cili ka ardhur “për të prekur këtë vend dhe për t’u prekur prej tij”. Në fjalimin e tij, si dje në Budapest, ai lëshon kushtrimin kundër të gjitha formave të antisemitizmit dhe që të mos përsëriten kurrë më “përdhosja” e imazhit të Hyjit, ato akte çnjerëzore të kryera, asokohe dhe ende sot, kundër personit njerëzor.

Dëshmitë prekëse

Në fjalimin e tij të kumtuar nga podiumi i ngritur nën një tendë të bardhë që mbron nga dielli, Papa Françesku lëviz midis së shkuarës dhe së ardhmes. Fjalët e tij ndjekin ato të mirëseardhjes nga Presidenti i Unionit Qendror të Komuniteteve Fetare Hebraike në Republikën Sllovake, Richard Duda, dhe dy dëshmi. Së pari dëshmia prekëse e një të mbijetuari, profesor Thomas Frankl, i cili rrëfen epopenë dramatike të jetuar nga familja e tij, nga dëbimi në çlirim, dhe gjithashtu kujton punën e madhe të bërë nga përgjegjësi i atëhershëm i Çështjeve të Nunciaturës në Sllovaki, imzot Giuseppe Burzio, “i cili u përpoq pa u lodhur të ndalte antisemitizmin e regjimit vrasës të asaj kohe”, aty ku “asnjë politikan sllovak asohere nuk e kundërshtoi hapur regjimin”. Në vijim ndërhyn Motra Samuela, e Kongregatës së Ursulineve, duke kujtuar se, gjatë viteve të persekutimit, urdhri i saj ndihmoi fëmijët hebrenj duke i fshehur dhe duke mundësuar që ata të largoheshin nga vendi, siç pohohet përmes dëshmive të disa të mbijetuarve.

Vend i bekuar

Duke marrë fjalën, Papa, para së gjithash, kujton rëndësinë e Sheshit i cili, thotë ai, “mban gjallë kujtimin e një të kaluare të vyer”: për shekuj me radhë pjesë e lagjes hebraike, aty punoi edhe rabini i famshëm Chatam Sofer vend ku gjendej sinagoga Neologun pranë Katedrales së Kurorëzimit. Edhe përmes arkitekturës shprehej “bashkëjetesa paqësore mes dy komuniteteve, një simbol i rrallë me rëndësi të madhe përkujtuese, një shenjë e jashtëzakonshme e unitetit në emër të Hyjit të etërve tanë”, vëren Papa.

Këtu edhe unë ndiej nevojën, si shumë prej tyre, për të ‘hequr sandalet’, sepse gjendem në një vend të bekuar nga vëllazëria e njerëzve në emër të të Tejetlartit.

Emri i Hyjit i çnderuar nga çmenduria e urrejtjes

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila solli vdekjen e 105,000 hebrenjve sllovakë, të dëbuar dhe të shfarosur në kampet naziste të përqendrimit, u “çnderua” pikërisht emri i Hyjit me anë të “çmendurisë së urrejtjes”. “Kur pastaj deshën që t’ia shuanin farën komunitetit, shkatërruan edhe sinagogën”, kujton Papa. Ishte regjimi komunist, së bashku me të gjithë geton, ai që shkatërroi vendin e kultit në vitin 1969, për t’i bërë vend Urës së Kryengritjes kombëtare, e njohur edhe si Ura e Re.

Shkruhet: “Nuk do ta marrësh emrin e Zotit nëpër gojë kot”. Emri hyjnor, domethënë vetë realiteti i tij personal, përmendet më kot kur cenohet dinjiteti unik dhe i papërsëritshëm i njeriut, i krijuar sipas shëmbëllimit të tij. Këtu emri i Hyjit është çnderuar, sepse blasfemia më e keqe që mund t’i bëhet atij është të përdoret për qëllimet vetjake, në vend se për të respektuar dhe dashur të tjerët.

Përballë historisë së popullit hebre, të shënuar me fyerje tragjike dhe të papërshkrueshme, Papa Françesku pranon me “turp”: “Sa herë emri i pashprehshëm i të Tejetlartit është përdorur për akte të papërshkrueshme çnjerëzore! Sa shtypës [të popullit] kanë deklaruar: ‘Hyji është me ne’; por ishin ata që nuk ishin me Hyjin”.

Kujtesa të mos i bëjë vend harresës

“Historia juaj është historia jonë, dhimbjet tuaja janë dhimbjet tona”, shton Françesku, duke kthyer shikimin drejt Memorialit, pesë metra i lartë në majë të të cilit qëndron Ylli i Davidit. “Kujtesa nuk mund dhe nuk duhet t’i bëjë vend harresës, sepse nuk do të ketë një agim të qëndrueshëm vëllazërie pa bashkëndarë dhe larguar errësirën e natës”. “Kjo – pohon Papa – është për ne koha në të cilën nuk mund të errësojmë më imazhin e Hyjit që shëmbëllen tek njeriu”. Ne duhet të gjejmë forcën për këtë, veçanërisht në një kohë kur “nuk mungojnë idhujt e kotë dhe të rremë që çnderojnë emrin e të Tejetlartit”. Janë pushteti dhe paratë “që mbizotërojnë mbi dinjitetin njerëzor”, indiferenca e atyre që “mbyllin sytë”, manipulimet “që instrumentalizojnë fenë, duke e bërë atë çështje epërsie ose duke e reduktuar atë në parëndësishmëri”. Papa konstaton përsëri “harresën e së kaluarës, injorancën që përligj gjithçka, zemërimin dhe urrejtjen”.

“Ne jemi të bashkuar – e ritheksoj – për të dënuar çdo dhunë, çdo formë të antisemitizmit dhe për t’u angazhuar në mënyrë që të mos përdhoset imazhi i Hyjit në krijesën njerëzore”.

Dritat e shpresës

Prapëseprapë, në mes të kujtimeve për kaq shumë të këqija, një dritë shprese shkëlqen në Rybné námestie. “Këtu ju vini për të ndezur çdo vit dritën e parë në shandanin Chanukia. Kështu, në errësirë, del në dritë mesazhi se fjalën e fundit nuk e ka shkatërrimi dhe vdekja, por përtëritja dhe jeta”, thotë Papa. E nëse sinagoga është shkatërruar, “komuniteti është ende i pranishëm” dhe “është i gjallë dhe i hapur për dialog”. “Këtu historitë tona takohen përsëri. Këtu së bashku ne pohojmë, para Hyjit, vullnetin për të vazhduar në rrugën e afrimit dhe miqësisë”. Në këtë drejtim, Papa shpjegon se ruan në kujtesën e tij takimin në Romë të vitit 2017 me komunitetet hebraike dhe është i kënaqur që më pas u krijua një Komision për dialog me Kishën Katolike. “Është mirë të bashkëndash e të shkëmbesh atë që bashkon. Dhe është mirë të vazhdojmë, në të vërtetën dhe me çiltërsi, në rrugën vëllazërore të pastrimit të kujtesës për të shëruar plagët e së kaluarës, si dhe në kujtesën e të mirave të marra dhe të ofruara”.

Fjalët e Talmudit

Papa Françesku pastaj citon Talmudin:

“Kush shkatërron një njeri të vetëm shkatërron mbarë botën, dhe kush shpëton një njeri të vetëm shpëton botën mbarë”.

“Të gjithë janë të rëndësishëm”, thotë ai, duke falënderuar për dyert e hapura në të dyja anët: një simbol për botën e sotme që “ka nevojë për dyer të hapura”.

Në fund, në tokën sllovake, “një vend takimi midis lindjes dhe perëndimit, midis veriut dhe jugut”, Papa Françesku uron që komuniteti hebre të vazhdojë të jetë një “shenjë bekimi për të gjitha familjet e tokës”. Prej këtu atëherë edhe nxitja për të qenë “gjithmonë, së bashku, dëshmitarë të paqes”, në mes të “kaq shumë përçarjesh që ndotin botën tonë”. “Shalom!”.

Qirinj dhe Kaddish

Takimi përfundoi me ndezjen e disa qirinjve në kujtim të viktimave të Holokaustit dhe lartësimit të një Kaddish-i, një nga lutjet më të vjetra hebraike. Françesku dëgjon i përmbledhur thellë dhe me sytë mbyllur këtë këngë në të cilën përmenden kampet e shfarosjes Auschwitz, Mathausen, Treblinka dhe gjithashtu kujtohen të Drejtët e shumtë të Kombeve që ndihmuan hebrenjtë për t’i shpëtuar barbarizmit nazist. Papa pastaj i dhuroi komunitetit hebre një pjatë qeramike ku paraqitej shën Pjetri. Pas takimit në Sheshin Rybné námestie, duke u përcjellë me duartrokitje, ai u zhvendos me makinë drejt Nunciaturës në Bratislavë për takimin privat, së pari me Presidentin e Parlamentit, Boris Kollár, dhe më pas me Kryeministrin, Eduard Heger.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme