Në Audiencën e Përgjithshme të ditës së sotme (18.08.21), Papa Françesku nënvizoi se “mësimi i Shën Palit mbi vlerën e Ligjit meriton vëmendje të plotë”. “Ta pyesim veten nëse jemi akoma duke jetuar në periudhën ku kemi nevojë për Ligjin – shtoi ai – apo nëse, përkundrazi, jemi të vetëdijshëm se kemi marrë hirin me të cilin bëhemi fëmijë të Hyjit për të jetuar në dashuri.”
AUDIENCA E PËRGJITHSHME:
Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 5. Vlera propedeutike e Ligjit
Vëllezër e motra, mirëdita!
Shën Pali, i dashuruar me Jezu Krishtin, e që kishte kuptuar mirë se çfarë është shpëtimi, na ka mësuar se “fëmijët e premtimit” (Gal 4,28) – domethënë të gjithë ne, të shfajësuar nga Jezu Krishti – nuk qëndrojnë nën lidhjen e Ligjit, por janë të thirrur për një stil jete të angazhuar në lirinë e Ungjillit. Megjithatë, Ligji ekziston. Por ekziston në një mënyrë tjetër: i njëjti Ligj, Dhjetë Urdhërimet, por në një mënyrë tjetër, sepse prej vetvetes, si të ketë ardhur Zoti Jezus, ai nuk mund të shfajësojë. Prandaj, në katekezën e sotme do të doja ta shpjegoj këtë. Na lind pyetja: cili është, sipas Letrës drejtuar Galatasve, roli i Ligjit? Në pjesën që sapo kemi dëgjuar, Pali pohon se Ligji ishte si një pedagog. Është një imazh i bukur, ai i pedagogut për të cilin folëm në audiencën e fundit, një imazh që meriton të kuptohet në kuptimin e tij të drejtë.
Apostulli duket se u sugjeron të krishterëve të ndajnë historinë e shpëtimit në dysh, gjithashtu edhe historinë e tij personale. Ka dy momente: para se të bëhen besimtarë në Krishtin Jezus dhe pasi të kenë pranuar fenë. Në qendër vendoset ngjarja e shënuar e vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit, të cilën Pali e ka predikuar për të ngjallur fenë në Birin e Hyjit, gurrë shpëtimi dhe në Krishtin Jezus ne jemi të shfajësuar. Ne jemi të shfajësuar për hir të falasshmërisë së fesë në Krishtin Jezus. Prandaj, duke filluar nga besimi në Krishtin, ekziston një “para” dhe një “pas” në lidhje me vetë Ligjin, sepse ligji ekziston, Urdhërimet ekzistojnë, por ka një qëndrim para ardhjes së Jezusit dhe pas saj. Historia e mëparshme përcaktohet nga të qenurit “nën Ligj”. Dhe kushdo që ecte në rrugën e Ligjit shpëtohej, ishte i shfajësuar; ajo më pas – pas ardhjes së Jezusit – jetohet duke ndjekur Shpirtin Shenjt (krh. Gal 5,25). Është hera e parë që Pali përdor këtë shprehje: të jesh “nën Ligj”. Kuptimi që qëndron prapa saj bashkëmbart idenë e një nënshtrimi negativ, tipik për skllevërit: “të gjendesh poshtë”. Apostulli e shtjellon këtë duke thënë se kur dikush është “nën Ligj”, është si të ishte “i vëzhguar” dhe “i ndryrë”, një lloj kujdestarie parandaluese. Kjo kohë, thotë shën Pali, ka zgjatur shumë – nga Moisiu deri në ardhjen e Jezusit – dhe përjetësohet për aq kohë sa dikush jeton në mëkat.
Marrëdhënia midis Ligjit dhe mëkatit do të shpërfaqet në një mënyrë më sistematike nga Apostulli në Letrën e tij drejtuar Romakëve, shkruar disa vjet pas asaj të Galatasve. Si përmbledhje, Ligji çon në një përcaktim të shkeljes dhe në vetëdijesimin e njerëzve për mëkatin e tyre: “Ke bërë këtë, prandaj Ligji – Dhjetë Urdhërimet – të thotë këtë: ti je në mëkat”. Madje, siç mëson përvoja e zakonshme, urdhri përfundon duke stimuluar shkeljen. Kështu shkruan ai në Letrën drejtuar Romakëve: «E njëmend, kur ne ishim ende nën sundimin e mishit, prirjet e mëkateve, të ngacmuara nga Ligji, vepronin në gjymtyrët tona që të jepnim fryte për vdekje. E tani u liruam nga pushteti i Ligjit, pasi vdiqëm për natyrën e vjetër që na mbante në robëri» (7,5-6). Përse? Sepse ka ardhur shfajësimi i Jezu Krishtit. Pali mpreh vizionin e tij për Ligjin: «Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji» (1 Kor 15,56). Një dialog: ti je nën Ligj dhe je aty me derën e hapur ndaj mëkatit.
Në këtë kontekst, referimi ndaj rolit pedagogjik të kryer nga ligji merr kuptimin e tij të plotë. Mirëpo, Ligji është pedagogu, e ku të çon ky? Te Jezusi. Në sistemin shkollor të antikitetit, pedagogu nuk kishte funksionin që sot ia atribuojmë atij, domethënë atë të mbarëvajtjes së edukimit të një djali apo një vajze. Ndërsa në atë kohë bëhej fjalë për një skllav që kishte për detyrë të shoqëronte djalin e zotërisë për te mësuesi dhe pastaj ta kthente në shtëpi. Kështu ai duhej ta mbronte nga rreziqet, ta mbikëqyrte atë në mënyrë që të mos bënte sjellje të gabuara. Funksioni i tij ishte më tepër disiplinor. Kur djali bëhej i rritur, pedagogu s’kishte më rol. Pedagogu, të cilit i referohet Pali, nuk ishte mësuesi, por ishte ai që shoqëronte për në shkollë, mbikëqyrte djalin dhe e çonte në shtëpi.
Duke iu referuar Ligjit në këto terme, ia lejon shën Palit të qartësojë funksionin e kryer prej tij në historinë e Izraelit. Torah, domethënë Ligji, kishte qenë një akt i shpirtmadhësisë së Hyjit kundrejt popullit të tij. Pas zgjedhjes së Abrahamit, akti tjetër i madh ishte Ligji: caktimi i rrugës për të ecur përpara. Sigurisht që ka pasur funksione kufizuese, por në të njëjtën kohë ka mbrojtur popullin, e ka edukuar, disiplinuar dhe mbështetur në dobësinë e tij, e mbi të gjitha e ka mbrojtur nga paganizmi; kishte shumë qëndrime pagane në ato kohëra. Ligji thotë: “Ka vetëm një Hyj dhe ai na ka vënë udhës që ecet”. Një akt mirësie nga Zoti. E sigurisht, siç kam thënë, ai ka pasur funksione kufizuese, por në të njëjtën kohë e ka mbrojtur popullin, e ka edukuar, e ka disiplinuar, e ka mbështetur në dobësinë e tij. Kjo është arsyeja pse Apostulli ndalon më pas në përshkrimin e fazës së moshës së mitur. Ai thotë kështu: «Dua të them: Derisa trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet në asgjë nga skllavi edhe pse është pronari i të gjithë pasurisë. Ai është nën kujdestarë e mbarështues deri në atë ditë që ka caktuar i ati. Po kështu edhe ne. Kur ishim të mitur, ishim skllevër të parimeve fillestare të shekullit» (Gal 4, 1-3). Me pak fjalë, bindja e Apostullit është se Ligji sigurisht që ka një rol pozitiv – pra si një pedagog që bën të ecet para -, por është një rol i kufizuar në kohë. Kohëzgjatja e tij nuk mund të shtrihet përtej masës, sepse lidhet me pjekurinë e njerëzve dhe zgjedhjen e tyre për liri. Si të arrihet te feja, Ligji e shteron vlerën e tij propedeutike dhe duhet t’i lëshojë vendin një autoriteti tjetër. Çfarë do të thotë kjo? Që, meqenëse Ligji ka kryer punën e vet, mund të themi: “Besojmë në Jezu Krishtin dhe bëjmë ç’të duam?” Jo! Urdhërimet janë aty, por ato nuk na shfajësojnë. Ai që na shfajëson është Jezu Krishti. Urdhërimet duhet të zbatohen, por ato nuk na japin drejtësinë; ekziston falasshmëria e Jezu Krishtit, takimi me Jezu Krishtin që na shfajëson dhuratisht. Merita e fesë është të marrësh Jezusin. E vetmja meritë: të hapësh zemrën. E çfarë të bëjmë me Urdhërimet? Ne duhet t’i zbatojmë ato, por si ndihmë për takimin me Jezu Krishtin.
Ky mësim mbi vlerën e ligjit është shumë i rëndësishëm dhe meriton të konsiderohet me kujdes në mënyrë që të mos biem në keqkuptime dhe të bëjmë hapa të rremë. Do të na bëjë mirë të pyesim veten nëse jemi akoma duke jetuar në periudhën ku kemi nevojë për Ligjin, apo nëse, përkundrazi, jemi të vetëdijshëm se kemi marrë hirin me të cilin bëhemi fëmijë të Hyjit për të jetuar në dashuri. Si jetoj unë? Me frikën që nëse nuk bëj këtë gjë do të shkoj në ferr? Apo jetoj edhe me atë shpresë, me atë gëzim të falasshmërisë së shpëtimit në Jezu Krishtin? Kjo është një pyetje e mirë. Gjithashtu edhe e dyta: a i përçmoj Urdhërimet? Jo. Unë i zbatoj ato, por jo si të ishin absolute, sepse e di se ai që më shfajëson është Jezu Krishti.
Marrë nga Vatican.va
Mond MARKU