10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Është Shpirti ai që ndryshon zemrën, burokracia mbi gjërat e...
HomeKryesorPapa Françesku: Është Shpirti ai që ndryshon zemrën, burokracia mbi gjërat e...

Papa Françesku: Është Shpirti ai që ndryshon zemrën, burokracia mbi gjërat e shenjta largon

Në Audiencën e Përgjithshme, Papa flet për tundimin “e fundamentalistëve të rinj” për ta mbyllur jetën e krishterë në një listë parimesh, duke kërkuar siguri në to, në vend që t’ia hapin zemrën lirisë dhe risisë së dashurisë së Zotit, e vetmja, që sjell dhuratat e paqes dhe të gëzimit në jetën e njeriut.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 13. Fryti i Shpirtit:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Predikimi i shën Palit është i gjithi i përqendruar mbi Jezusin dhe misterin e tij pashkor. Në të vërtetë, Apostulli paraqitet si kumtues i Krishtit dhe i Krishtit të kryqëzuar (krh. 1 Kor 2,2). Galatasve, të tunduar për ta bazuar fetarinë e tyre në mbajtjen e ligjeve dhe traditave, ai u kujton qendrën e shpëtimit dhe të fesë: vdekja dhe ngjallja e Zotit. Ai e bën këtë duke vënë përpara tyre realizmin e kryqit të Jezusit. Ai shkruan kështu: «Kush jua mori mendtë, kurse para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar?» (Gal 3,1). Kush ju mashtroi për t’u larguar nga Krishti i Kryqëzuar? Është një moment jo i mirë për galatasit…

Ende sot, ka shumë që janë në kërkim të sigurive fetare në vend se të Hyjit të gjallë dhe të vërtetë, duke u përqendruar te ritualet dhe rregulloret në vend që të përqafojnë, me krejt veten e tyre, Hyjin e dashurisë. Ky është tundimi i fundamentalistëve të rinj, të atyre që, me sa duket, rruga që duhet përshkuar i frikëson dhe nuk ecin para, por mbrapa sepse ndihen më të sigurt: kërkojnë sigurinë e Hyjit dhe jo Hyjin e sigurisë. Kjo është arsyeja pse Pali u kërkon galatasve të kthehen te thelbësorja, te Hyji që na jep jetën në Krishtin e kryqëzuar. Ai e dëshmon këtë në vetën e parë: «U kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti» (Gal 2,19-20). Dhe nga fundi i letrës, ai pohon: «Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit» (6,14).

Nëse humbasim fillin e jetës shpirtërore, nëse na ndjekin njëmijë probleme dhe mendime, le ta përvetësojmë këshillën e Palit: të vihemi përballë Krishtit të kryqëzuar, të nisemi përsëri prej Tij. Ta marrim Kryqin në duart tona, ta shtrëngojmë fort për zemrën tonë. Ose të ndalemi në adhurim përpara Eukaristisë, ku Jezusi është Buka e thyer për ne, i Kryqëzuari i Ngjallur, fuqia e Hyjit që derdh dashurinë e tij në zemrat tona.

Tani, gjithnjë të udhëhequr nga shën Pali, le të hedhim një hap më tej. Le të pyesim veten: çfarë ndodh kur takojmë Jezusin e kryqëzuar në lutje? Ndodh ajo që ndodhi nën kryq: Jezusi dorëzon Shpirtin (krh. Gjn 19,30), pra jep vetë jetën e tij. Ky Shpirt, që buron nga Pashka e Jezusit, është parimi i jetës shpirtërore. Është Ai që e ndryshon zemrën: jo veprat tona. Është Ai që e ndryshon zemrën, jo gjërat që bëjmë ne, por veprimi i Shpirtit Shenjt në ne e ndryshon zemrën! Është Ai që drejton Kishën, e ne jemi të thirrur t’i bindemi veprimit të tij, i cili vepron ku dhe si të dojë. Nga ana tjetër, ishte pikërisht konstatimi se Shpirti Shenjt zbriste mbi të gjithë dhe se hiri i tij vepronte pa asnjë përjashtim, që bindi edhe më ngurruesit ndër Apostuj se Ungjilli i Jezusit ishte i caktuar për të gjithë dhe jo për një pakicë të privilegjuar. Ata që kërkojnë siguri, grupin e vogël, gjërat e qarta si atëherë, largohen nga Shpirti, nuk lejojnë që liria e Shpirtit të hyjë në to. Njëmend, jeta e bashkësisë ripërtërihet në Shpirtin Shenjt; dhe është gjithmonë falë Tij që ne e ushqejmë jetën tonë të krishterë dhe vazhdojmë luftën tonë shpirtërore.

Lufta shpirtërore është pikërisht një tjetër mësim i madh i Letrës drejtuar Galatasve. Apostulli paraqet dy anë të kundërta: nga njëra anë «veprat e mishit», nga ana tjetër «fryti i Shpirtit». Çfarë janë veprat e mishit? Ato janë sjelljet në kundërshtim me Shpirtin e Hyjit. Apostulli i quan ato vepra të mishit, jo sepse në mishin tonë njerëzor ka diçka të gabuar ose të keqe; përkundrazi, ne kemi parë se si ai këmbëngul në realizmin e mishit njerëzor i bartur nga Krishti mbi kryq! Mishi është një fjalë që tregon njeriun në dimensionin e tij vetëm tokësor, të mbyllur në vetvete, në një jetë horizontale, ku ndiqen instinktet mondane dhe i mbyllet dera Shpirtit, i cili na lartëson dhe na hap ndaj Hyjit dhe ndaj të tjerëve. Por mishi na kujton gjithashtu se e gjithë kjo plaket, që e gjithë kjo kalon, kalbet, ndërsa Shpirti jep jetën. Prandaj Pali i rendit veprat e mishit, të cilat i referohen përdorimit egoist të seksualitetit, praktikave magjike që janë idhujtari dhe atyre që minojnë marrëdhëniet ndërpersonale, si «gërgasat, zilitë, dasitë, mospërkimet, smirat …» ( krh Gal 5,19-21).  E gjithë kjo është fryti – le të themi kështu – i mishit, e një sjelljeje njerëzore thjesht njerëzore, “të sëmurë” nga ana njerëzore, sepse njerëzorja ka vlerat e veta, por e gjitha kjo është njerëzore “e sëmurë”.

Fryti i Shpirtit, nga ana tjetër, është “dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5,22): kështu thotë Pali. Të krishterët, të cilët në Pagëzim “ u veshën me Krishtin” (Gal 3,27), janë të thirrur të jetojnë në këtë mënyrë. Mund të jetë një ushtrim i mirë shpirtëror, për shembull, të lexosh listën e shën Palit dhe të vrojtosh sjelljen përkatëse, për të parë nëse ajo përkon, nëse jeta jonë është vërtet sipas Shpirtit Shenjt, nëse i jep këto fryte. A i prodhon jeta ime këto fryte dashurie, gëzimi, paqeje, zemërgjerësie, dashamirësie, mirësie, besnikërie, butësie, përkormërie? Për shembull, tri të parat e renditura janë dashuria, paqja dhe gëzimi: prej këtyre ne e njohim një person në të cilin banon Shpirti Shenjt. Një person që është në paqe, që është i gëzuar dhe që do: me këto tre gjurmë vërehet veprimi i Shpirtit.

Ky mësim i Apostullit përbën gjithashtu një sfidë të madhe për bashkësitë tona. Ndonjëherë, ata që i afrohen Kishës kanë përshtypjen se po përballen me një masë të dendur urdhrash dhe rregulloresh: por jo, kjo nuk është Kisha! Kjo mund të jetë çfarëdo shoqate. Por, njëmend, njeriu nuk mund ta kuptojë bukurinë e fesë në Jezu Krishtin, duke u nisur nga shumë urdhërime dhe nga një vizion moral, i cili, duke u zhvilluar në shumë rrjedha, mund të na bëjë të harrojmë frytshmërinë zanafillore të dashurisë, të ushqyer nga lutja që jep paqe dhe dëshmi të gëzueshme. Në të njëjtën mënyrë, jeta e Shpirtit që shprehet te Sakramentet nuk mund të mbytet nga një burokraci që pengon qasjen ndaj hirit të Shpirtit, autor i kthimit të zemrës. Dhe sa herë, vetë ne, priftërinj apo ipeshkvij, shtojmë shumë burokraci për të dhënë një Sakrament, për të pranuar njerëzit, të cilët për rrjedhojë thonë: “Jo, nuk më pëlqen kjo”, dhe largohen, e nuk sheh tek ne, shumë herë, forcën e Shpirtit që ripërtërin, që na bën të rinj. Prandaj ne kemi përgjegjësinë e madhe për të shpallur Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, të gjallëruar nga fryma e Shpirtit të dashurisë. Sepse vetëm kjo Dashuri ka forcën të tërheqë dhe të ndryshojë zemrën e njeriut.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme