10.5 C
Tirana
HomeEditorialPapa Françesku dhe zmbrapsja e demokracisë në Evropë
HomeEditorialPapa Françesku dhe zmbrapsja e demokracisë në Evropë

Papa Françesku dhe zmbrapsja e demokracisë në Evropë

Nga Imzot Gjergj Meta

Në Europë dhe kudo, demokracia po pëson zmbrapsje për shkak të populizmave dhe autokracive.” Ky ishte thelbi i asaj që tha Papa Françesku këto ditë, në Athinën e Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, aty ku lindi demokracia dhe ku ai ishte për një udhëtim apostolik.

Mendoj se fjalimi i tij është një leksion i mirëfilltë shoqëror dhe politik për gjithë botën, sikurse dhe për demokracinë tonë, demokracinë shqiptare, e cila nuk është aspak imune nga diagnoza e Papa Françeskut sidomos kur flitet për populizëm dhe autokraci.

Mesdheu, që ngjizi Europën dhe demokracinë, është edhe pikëtakimi i shumë kulturave, të cilat kanë sjellë zhvillim në botë, por njëherazi edhe shumë probleme që në një farë mënyre i trashëgojmë edhe sot e kësaj dite.

Aty (Athina) lindi reflektimi filozofik ase abstragimi si kategori e të menduarit e po aty lindi e drejta (ius) me institucionet e saja (Roma) të cilat aq zhvillim i kanë sjellë botës. Po ashtu kultura religjioze judeo-kristiane (Jeruzalemi) që i zbriti perandorët nga “trashendenca” e mëtuar e tyre, duke inauguruar kështu konceptin e laicitetit të shtetit, apo dallimin e Hyjit nga Cezari, humanizoi vetë konceptin e pushtetit.

Filozofia dhe e drejta zhvilluan shkencat dhe institucionet që ne gëzojmë sot e mbi të gjitha demokracinë. Por ama prej aty u nisën edhe kolonizuesit e zbuluesit e Amerikës e Afrikës me gjithë politikat shfrytëzuese dhe shfarosëse të popujve indigjenë. Po ashtu ishte po ajo shkencë që krahas arritjeve që kanë përmirësuar e lehtësuar jetën njerëzore, prodhoi edhe bombën atomike e që sot i lejon vetes, pa asnjë referim etik, manipulimin e gjeneve dhe krijimin laboratorik të njeriut.

E megjithatë, ky areal i mesdheut po kthehet dalëngadalë në një varrezë të madhe për ata që i kanë ikur luftës e varfërisë nga Azia dhe Afrika, nga Lindja e Mesme dhe ajo e largët. Gjithashtu, aty po shihen shenjat e regresit të demokracisë, e cila ndërton mure në vend të urave, pjell konflikt në vend të mirëkuptimit për të mirën e përbashkët, me rrezikun që të kthehet në varrin e demokracisë që ngjizi, lindi dhe zhvilloi. Një lloj barku që vret krijesën e vet.

A do të dijë Mesdheu të jetë edhe një herë në lartësinë e vokacionit të tij të ngjizjes së transformimeve të mëdha planetare? A mos ndoshta ka ardhur koha që aleanca midis filozofisë, së drejtës dhe religjionit (dhe jo vetëm atij judeo-kristian) t’i marrë në duar edhe një herë fatet e njerëzve, duke i treguar kufijtë babëzisë ekonomike të “perandorive” moderne dhe pretendimit të njeriut për të qenë Zot?

S’do mend që kjo është një detyrë dhe një vokacion i vështirë përballë egoizmit që çon drejt autokracive dhe populizmave personalë e nacionalistë, por jo e pamundur.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme