26.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: bijësimi, një nga format më të larta të mirëpritjes
HomeKryesorPapa Françesku: bijësimi, një nga format më të larta të mirëpritjes

Papa Françesku: bijësimi, një nga format më të larta të mirëpritjes

Në audiencën e sotme të përgjithshme kushtuar përsëri “fatit të Marisë”, Papa foli për Shën Jozefin si atë i kujtuar i Jezusit. Ishte nxitje për të medituar së bashku me të pranishmit, mbledhur në Sallën Pali VI, mbi atësinë e amësinë, në kuptimin më të thellë të fjalëve atë e nënë.

Papa kujtoi se sot “jetojmë në një epokë  jetime” e se “qytetërimi ynë i sotëm është paksa jetim”, që domethënë se nuk mjafton të nxjerrësh në dritë  një fëmijë, për t’u quajtur atë a nënë. Na e tregon këtë shembulli i Shën Jozefit që, siç shkruajnë Ungjilltarët Mateu e Luka – shpjegoi në vijim të audiencës Papa – nuk është ati biologjik i Jezusit. E për ta kuptuar si duhet atësinë ligjore, Françesku kujtoi sakaq bijësimin, që ishte tejet i shpeshtë në botën e lindjes. Shumë më tepër sesa në ditët tona.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 6. Shën Jozefi, babai ligjor i Jezusit

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot do të meditojmë mbi Shën Jozefin si babai i Jezusit. Ungjilltarët Mateu dhe Luka e paraqesin atë si babanë ligjor [e supozuar] të Jezusit dhe jo si baba biologjik. Mateu e saktëson këtë, duke shmangur formulën “lindi”, e përdorur në gjenealogji për të gjithë paraardhësit e Jezusit; por ai e përkufizon atë si “fati i Marisë, prej së cilës leu Jezusi që quhet Krisht” (1,16). Ndërsa Luka e pohon këtë duke thënë se ai ishte babai i Jezusit “si kujtonin njerëzit” (3,23), domethënë ai dukje si baba.

Për të kuptuar atësinë e supozuar ose ligjore të Jozefit, duhet pasur parasysh se në kohët e lashta në Lindje institucioni i birësimit ishte shumë i shpeshtë, më shumë se sot. Mendoni për rastin e zakonshëm në Izrael të “leviratit” të formuluar kështu në Ligjin e Përtërirë: «Kur vëllezërit banojnë së bashku dhe njëri prej tyre vdes e nuk lë fëmijë, gruaja e të vdekurit të mos martohet me një tjetër jashtë shtëpisë, por le ta marrë për grua vëllai i të vdekurit që të mos i shuhet fara vëllait të vet. Kështu i parëlinduri djalë që len prej saj, le të njihet djalë i të vdekurit që të mos i shuhet emri në Izrael» (25,5-6). Me fjalë të tjera, prindi i këtij fëmije është kunati, por babai ligjor mbetet i ndjeri, i cili i jep të porsalindurit të gjitha të drejtat trashëgimore. Qëllimi i këtij ligji ishte i dyfishtë: sigurimi i pasardhësve të të ndjerit dhe ruajtja e trashëgimisë.

Jozefi, si babai zyrtar i Jezusit, ushtron të drejtën për t’i vënë emrin djalit, duke e njohur ligjërisht atë. Ai është babai nga ana ligjore, por jo nga ana biologjike, [Jezusi] nuk lindi prej tij.

Në kohët e lashta emri ishte përmbledhja e identitetit të një personi. Ndryshimi i emrit nënkuptonte ndryshimin e vetvetes, si në rastin e Abramit, emrin e të cilit Hyji e ndryshon në “Abraham”, që do të thotë “babë i shumë njerëzve”, «sepse – thotë Libri i Zanafillës – ai do të jetë babë i shumë kombeve» (17.5). Kështu ndodhi edhe me Jakobin, i cili merr emrin “Izrael”, që do të thotë “ai që lufton me Hyjin”, sepse ka luftuar me Hyjin për ta detyruar që t’i jepte bekimin (krh. Zan 32,29; 35,10).

Por mbi të gjitha, t’i jepje një emër dikujt ose diçkaje do të thoshte të pohoje autoritetin vetjak mbi atë që emërtohej, siç bëri Adami kur u dha një emër të gjitha kafshëve (krh. Zan 2,19-20).

Jozefi e di tashmë se për djalin e Marisë ka një emër të përgatitur nga Hyji – Jezusit, emrin ia jep babai i vërtetë, Hyji – emrin “Jezus”, që do të thotë “Zoti shpëton”, siç ia shpjegon Engjëlli: «Sepse ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija» (Mt 1,21). Ky aspekt i veçantë i figurës së Jozefit na lejon, sot, të reflektojmë mbi atësinë dhe amësinë. Unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme: mendoni për atësinë sot. Sepse ne jetojmë në një epokë ku të qenurit jetim është e njohur botërisht. Ngjallë kureshtje: qytetërimi ynë është disi jetim dhe të qenurit jetim ne e ndjejmë. Na ndihmoftë figura e Shën Jozefit për të kuptuar sesi i gjendet zgjidhja ndjenjës së të qenurit jetim që na dhemb kaq shumë sot.

Nuk mjafton të lindësh një fëmijë për të thënë se je baba apo nënë. «Baba nuk lind, por bëhesh. Dhe nuk bëhesh i tillë vetëm sepse lind një fëmijë, por sepse kujdesesh për të me përgjegjësi. Sa herë që dikush merr përgjegjësinë për jetën e tjetrit, në një farë kuptimi ushtron atësinë kundrejt tij» (Letra apostolike Patris corde). Mendoj në një mënyrë të veçantë për të gjithë ata që janë të hapur për të mirëpritur jetën përmes rrugës së birësimit, që është një qëndrim kaq bujar dhe i bukur. Jozefi na tregon se kjo lloj lidhjeje nuk është dytësore, nuk është nga halli. Kjo lloj zgjedhjeje është ndër format më të larta të dashurisë, atësisë dhe amësisë. Sa fëmijë në botë presin që dikush të kujdeset për ta! Dhe sa bashkëshortë dëshirojnë të bëhen etër dhe nëna, por nuk arrijnë për arsye biologjike; ose, edhe pse tashmë kanë fëmijë, duan të bashkëndajnë ngrohtësinë familjare me ata që nuk e kanë. Nuk duhet të kemi frikë të zgjedhim rrugën e birësimit, të marrim mbi vete “rrezikun” e pranimit. Sot, edhe me të qenurit jetim, ekziston njëfarë egoizmi. Një ditë po flisja për dimrin demografik që ekziston sot: njerëzit nuk duan të kenë fëmijë, ose duan vetëm një dhe jo më shumë. Dhe shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk i duan ose kanë vetëm një sepse nuk duan të tjerë, por kanë dy qen, dy mace… Eh po, macet dhe qentë zënë vendin e fëmijëve të tyre. Po, është qesharake, e kuptoj, por është realiteti. Dhe ky mohim i atësisë dhe amësisë na zvogëlon, na e merr njerëzishmërinë. Kështu qytetërimi bëhet më i vjetër dhe pa njerëzishmëri, sepse humbet pasuria e atësisë dhe amësisë. Dhe vendi vuan, sepse nuk ka bij e bija dhe – siç tha disi me humor njëri – “e tani që nuk ka fëmijë, kush do t’i paguajë taksat për pensionin tim? Kush do të kujdeset për mua?”: ai e thoshte me të qeshur, por është e vërteta. I kërkoj Shën Jozefit hirin për të zgjuar ndërgjegjet dhe për të menduar për këtë: për të pasur fëmijë.

Atësia dhe amësia janë plotësia e jetës së një personi. Mendoni për këtë. Është e vërtetë se ekziston atësia dhe amësia shpirtërore për ata që i kushtohen Hyjit; por ata që jetojnë në botë dhe martohen duhet të mendojnë për të pasur fëmijë, për të dhënë jetë, sepse do të jenë ata që do t’u mbyllin sytë, që do të mendojnë për të ardhmen e saj. Edhe po qe se nuk mund të keni fëmijë, mendoni për birësimin. Është një përgjegjësi, po: të kesh një fëmijë, si natyral ashtu edhe me birësim, është gjithmonë një përgjegjësi. Por është më me rrezik të mos kesh asnjë. Është më me rrezik ta mohosh atësinë, ta mohosh amësinë, si realen ashtu edhe atë shpirtëroren. Një burri dhe një gruaje që me dashjen e tyre nuk e zhvillojnë ndjenjën e atësisë dhe amësisë, u mungon diçka kryesore, e rëndësishme. Mendoni për këtë, ju lutem. Uroj që institucionet të jenë gjithmonë të gatshme për të ndihmuar në këtë vështrim të birësimit, duke vigjiluar me seriozitet, por edhe duke thjeshtuar procesin e nevojshëm për realizimin e ëndrrës së shumë të vegjëlve që kanë nevojë për një familje dhe të shumë bashkëshortëve që duan të dhurohen në dashuri.

Kohë më parë kam dëgjuar dëshminë e një personi, mjeku – profesioni i tij është i rëndësishëm – ai nuk kishte fëmijë dhe bashkë me gruan e tij vendosën ta birësojnë një. Kur erdhi momenti, atyre u ofruan një fëmijë dhe u thanë: “Por, ne nuk e dimë se si do të shkojë shëndeti i tij. Ndoshta ai mund të ketë ndonjë sëmundje”. Dhe ai u tha – e kishte parë –: “Po të më kishit pyetur për këtë para se të hynit brenda, ndoshta do të kisha thënë jo. Por tani e kam parë: po e marr”. Kjo është dëshira për të qenë baba, për të qenë nënë edhe me anë të birësimit. Mos kini frikë nga kjo.

Lutem që askush të mos ndihet i privuar nga një lidhje dashurie atërore. Dhe ata që janë të sëmurë nga të qenurit jetim të ecin para pa këtë ndjenjë aq të keqe. Shën Jozefi na e dhëntë mbrojtjen dhe ndihmën e tij për jetimët; dhe ndërmjetësoftë për çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë. Për këtë ne lutemi së bashku:

Shën Jozef,

ti që e deshe Jezusin me dashurinë e një babai,

ji pranë shumë fëmijëve që nuk kanë familje

dhe dëshirojnë një baba dhe një nënë.

Mbështeti bashkëshortët që nuk mund të kenë fëmijë,

ndihmoji ata që të zbulojnë, përmes kësaj vuajtjeje, një plan më të madh.

Bëj që askujt të mos i mungojë një shtëpi, një lidhje,

një person që kujdeset për të;

dhe shëroje egoizmin e atyre që i mbyllen jetës,

në mënyrë që ta hapin zemrën ndaj dashurisë.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme