Mëshirë, dashuri, kujdes dhe ngushëllim. Këto janë fjalët kryesore, që lexohen në Mesazhin e Papës Françesku për Ditën e 30-të Botërore të të Sëmurëve me temë: “Bëhuni të mëshirshëm, siç është i mëshirshëm Ati juaj” (Lk 6,36). Qëndrimi pranë të vuajturve në udhëtimin e dashurisë”. Ati i Shenjtë u flet shumë “dëshmitarëve të dashurisë e të bamirësisë”, që të sëmurët i takojnë në rrugën e tyre të dhimbshme dhe i ndiejnë të afërt, sepse u derdhin mbi plagë “vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës”. Prani të rëndësishme sidomos në kohë pandemie, kur vetmia shoqëron ditët e kaluara në terapi intensive.
Françesku kujton se Dita, e themeluar nga Shën Gjon Pali II, kësaj radhe do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit e jo në Arequipa të Perusë, siç ishte menduar, për shkak të emergjencës shëndetësore. Gjithsesi, ajo mbetet rast për t’u ndërgjegjësuar mbi shoqërimin baritor e kishtar të të sëmurëve, të cilët “bashkohen me Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur”.
MESAZHI I ATIT SHENJT FRANÇESKUT PËR DITËN E XXX BOTËRORE TË TË SËMURIT
«Bëhuni edhe ju të mëshirshëm, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36).
Të vihemi pranë atyre që vuajnë, në një ecje dashurie
Të dashur vëllezër dhe motra,
tridhjetë vjet më parë, shën Gjon Pali II themeloi Ditën Botërore të të Sëmurit për të sensibilizuar popullin e Hyjit, institucionet shëndetësore katolike dhe shoqërinë civile kundrejt vëmendjes ndaj të sëmurëve dhe atyre që kujdesen për ta. [1]
Ne i jemi mirënjohës Zotit për ecurinë e viteve të fundit në Kishat vendore të mbarë botës. Janë bërë shumë hapa përpara, por ka ende shumë rrugë për të bërë për t’u siguruar të gjithë të sëmurëve, edhe në vendet dhe situatat e varfërisë dhe mënjanimit më të madh, kurat shëndetësore që u nevojiten; si dhe shoqërimin baritor, që të mund ta jetojnë kohën e sëmundjes të bashkuar me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur. Dita e 30-të Botërore e të Sëmurit, kremtimi kulmor i së cilës nuk mund të zhvillohet në Arequipa në Peru, për shkak të pandemisë, por do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, na ndihmoftë që të rritemi për nga afërsia dhe shërbimi ndaj të sëmurëve dhe familjeve të tyre.
1. Të mëshirshëm si Ati
Tema e zgjedhur për këtë ditë të tridhjetë, «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36), më së pari na bën t’i drejtojmë sytë nga Hyji “i pasur me mëshirë” (Ef 2,4), i cili i shikon gjithmonë fëmijët e tij me dashurinë e atit, edhe kur largohen prej Tij. Njëmend, mëshira është vetë emri i Hyjit, i cili e shpreh natyrën e tij jo në mënyrën e një ndjenje të rastit, por si forcë e pranishme në gjithçka që Ai kryen. Është forcë dhe butësi së bashku. Për këtë gjë mund të themi, me mahnitje dhe mirënjohje, se mëshira e Hyjit ka në vetvete edhe përmasën e atësisë edhe atë të amësisë (krh. Is 49,15), sepse Ai kujdeset për ne me forcën e një ati dhe me butësinë e një nëne, gjithmonë i etur për të na dhënë jetë të re në Shpirtin Shenjt.
2. Jezusi, mëshira e Atit
Dëshmia më e madhe e dashurisë së mëshirshme të Atit kundrejt të sëmurëve është Biri i tij i njëlindur. Sa herë Ungjijtë na tregojnë për takimet e Jezusit me njerëz të prekur nga sëmundje të ndryshme! Ai «shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi» (Mt 4,23). Mund të pyesim veten: pse kjo vëmendje e veçantë e Jezusit ndaj të sëmurëve, deri në atë pikë sa bëhet edhe vepra kryesore në misionin e apostujve, të dërguar nga Mësuesi për të kumtuar Ungjillin dhe për të shëruar të sëmurët? (krh Lk 9,2).
Një mendimtar i shekullit XX na sjell ndërmend një motivim: «Dhimbja të izolon në mënyrë absolute dhe pikërisht nga ky izolim absolut lind apeli ndaj tjetrit, thërritja ndaj tjetrit». [2] Kur një person përjeton dobësi dhe vuajtje në mishin e tij për shkak të sëmundjes, rëndohet edhe zemra e tij, frika rritet, pyetjet shumëfishohen, kërkesa për kuptim në lidhje me gjithçka që ndodh bëhet më e ngutshme. Si të mos i kujtojmë, në këtë drejtim, të sëmurët e shumtë, të cilët gjatë kësaj kohe të pandemisë e jetuan pjesën e fundit të ekzistencës së tyre në vetminë e një reparti të terapisë intensive, sigurisht të kujdesur nga punonjës shëndetësorë bujarë, por larg nga ngrohtësia e më të dashurve dhe nga njerëzit më të rëndësishëm të jetës së tyre tokësore? Ja, atëherë, rëndësia e pasjes pranë të dëshmitarëve të dashurisë hyjnore, të cilët, duke ndjekur shembullin e Jezusit, mëshirë e Atit, derdhin mbi plagët e të sëmurëve vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës. [3]
3. Ta prekim mishin e vuajtur të Krishtit
Ftesa e Jezusit për të qenë të mëshirshëm si Ati, merr një domethënie të veçantë për punonjësit shëndetësorë. Mendoj për mjekët, infermierët, teknikët e laboratorit, të ngarkuarit për shërbim dhe kurim të të sëmurëve, si dhe vullnetarët e shumtë që dhurojnë kohë të çmuar për ata që vuajnë. Të dashur punonjës shëndetësorë, shërbimi juaj pranë të sëmurëve, i kryer me dashuri dhe kompetencë, i kapërcen kufijtë e profesionit për t’u bërë kështu një mision. Duart tuaja që prekin mishin e vuajtur të Krishtit mund të jenë një shenjë e duarve të mëshirshme të Atit. Jini të vetëdijshëm për dinjitetin e madh të profesionit tuaj, si dhe për përgjegjësinë që ai bashkëmbart.
Ne e bekojmë Zotin për përparimin që shkenca mjekësore ka bërë veçanërisht kohët e fundit; teknologjitë e reja kanë bërë të mundur përgatitjen e programeve terapeutike që sjellin dobi të madhe për të sëmurët; kërkimi vazhdon të japë kontributin e vet të vyer në mposhtjen e patologjive të vjetra dhe të reja; mjekësia rehabilituese ka zhvilluar ndjeshëm njohuritë dhe kompetencat e saj. Mirëpo, e gjithë kjo nuk duhet të na bëjë askurrë të harrojmë veçantinë e çdo të sëmuri, me dinjitetin dhe dobësitë e tij. [4] I sëmuri është gjithmonë më i rëndësishëm se sëmundja e tij dhe për këtë arsye asnjë qasje terapeutike nuk mund ta anashkalojë dëgjimin e pacientit, historinë e tij, ankthet, frikësimet e tij. Edhe kur nuk është e mundur të shërosh, është gjithmonë e mundur të kurosh, është gjithmonë e mundur të ngushëllosh, është gjithmonë e mundur të bësh që njerëzit ta ndiejnë një afërsi që tregon më shumë interes për personin sesa për patologjinë e tij. Për këtë arsye, uroj që rrugëtimet formuese të punonjësve shëndetësorë të jenë në gjendje që të aftësojnë për dëgjim dhe për dimensionin e marrëdhënies.
4. Vendet e kurimit, shtëpi të mëshirës
Dita Botërore e të Sëmurit është gjithashtu një rast i përshtatshëm për ta përqendruar vëmendjen tonë mbi vendet e kurimit. Mëshira kundrejt të sëmurëve e ka shtyrë bashkësinë e krishterë gjatë shekujve që të hapë pafund “bujtina të samaritanit të mirë” ku të mund të mirëpriteshin dhe kuroheshin të sëmurët e çdo lloji, veçanërisht ata që nuk gjenin përgjigje për kërkesën e tyre shëndetësore ose për shkak të varfërisë ose të përjashtimit social apo për arsye të vështirësive të kurimit të disa patologjive. Në këto situata, ata që e paguajnë janë sidomos fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit më të brishtë. Shumë misionarë, të mëshirshëm si Ati, e shoqëruan kumtimin e Ungjillit me ndërtimin e spitaleve, dispanserive dhe vendeve të kurimit. Janë vepra të çmuara nëpërmjet të cilave ka marrë formë bamirësia e krishterë dhe, dashuria e Krishtit, e dëshmuar nga dishepujt e tij, është bërë më e besueshme. Mendoj mbi të gjitha për popullsitë e zonave më të varfra të planetit, ku ndonjëherë është e nevojshme të bëhen udhëtime të gjata për të gjetur qendra kurimi, të cilat, megjithëse me burime të kufizuara, ofrojnë atë që është e disponueshme. Ka ende shumë rrugë për të bërë dhe në disa vende marrja e kurimit të përshtatshëm mbetet një luks. Kjo dëshmohet, për shembull, nga disponueshmëria e pakët, në vendet më të varfra, e vaksinave kundër Covid-19; por akoma më shumë mungesa e kurimit të patologjive që kërkojnë ilaçe shumë më të thjeshta.
Në këtë kontekst, dëshiroj të ripohoj rëndësinë e institucioneve shëndetësore katolike: ato janë një visar i çmuar për t’u ruajtur dhe mbështetur; prania e tyre ka shënuar historinë e Kishës për afërsinë e saj ndaj të sëmurëve më të varfër dhe ndaj situatave më të lëna pas dore. [5] Sa shumë themelues të familjeve rregulltare kanë ditur të dëgjojnë britmat e vëllezërve dhe motrave të cilët nuk e kishin mundësinë e qasjes ndaj kurave ose kuroheshin keqas dhe kanë bërë të pamundurën në shërbim të tyre! Ende sot, edhe në vendet më të zhvilluara, prania e tyre është një bekim, sepse përveç kurimit të trupit me gjithë kompetencën e nevojshme, mund të ofrojnë gjithmonë atë dashuri falë të cilës i sëmuri dhe familjarët e tyre janë në qendër të vëmendjes. Në një kohë në të cilën kultura e skartimit është e përhapur dhe jeta nuk njihet gjithmonë si e denjë për t’u pranuar dhe jetuar, këto struktura, si shtëpi të mëshirës, mund të jenë shembullore në mbrojtjen dhe kurimin e çdo ekzistencë, edhe të më të brishtës, që nga fillimi deri në mbarimin e saj natyror.
5. Mëshira baritore: prani dhe afërsi
Në rrugëtimin e këtyre tridhjetë viteve, edhe baritorja e shëndetit ka parë të njohur gjithnjë e më shumë shërbimin e saj të domosdoshëm. Nëse diskriminimi më i keq që vuhet nga të varfrit – dhe të sëmurët janë të varfër për nga shëndeti – është mungesa e vëmendjes shpirtërore, ne nuk mund të mos u ofrojmë atyre afërsinë e Hyjit, bekimin e tij, Fjalën e tij, kremtimin e Sakramenteve dhe propozimin e një ecjeje për t’u rritur dhe pjekur në fe. [6] Në lidhje me këtë gjë, dua t’ju kujtoj se afërsia ndaj të sëmurëve dhe kujdesi baritor kundrejt tyre nuk është detyrë vetëm e disa mbarështuesve të përkushtuar në mënyrë specifike; Krishti u ka drejtuar të gjithë dishepujve të tij ftesën për të vizituar të sëmurët. Sa të sëmurë dhe sa të moshuar jetojnë në shtëpi dhe presin një vizitë! Shërbesa e ngushëllimit është detyrë e çdo të pagëzuari që kujtohet për fjalën e Jezusit: «Isha i sëmurë e erdhët të më shihni» (Mt 25,36).
Të nderuar vëllezër dhe motra, ia besoj ndërmjetësimit të Marisë, shëndeti i të sëmurëve, të gjithë të sëmurët dhe familjet e tyre. Të bashkuar me Krishtin, që mbart mbi vete dhimbjen e botës, gjetshin kuptim, ngushëllim dhe besim. Lutem për të gjithë punonjësit shëndetësorë në mënyrë që, të pasur me mëshirë, t’u ofrojnë pacientëve, së bashku me kurat e nevojshme, afërsinë e tyre vëllazërore.
Përzemërsisht u jap të gjithëve Bekimin tim Apostolik.
Romë, Shën Gjoni në Laterano, 10 dhjetor 2021, Përkujtimi i së Lumes Virgjërës Mari të Loretos
Françesku