10.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa dhe të rinjtë, podkasti i ri: edhe nëse bëni gabime, Hyji...
HomeKisha UniversalePapa dhe të rinjtë, podkasti i ri: edhe nëse bëni gabime, Hyji...

Papa dhe të rinjtë, podkasti i ri: edhe nëse bëni gabime, Hyji është i çmendur prej dashurisë për ju

Në funksion të DBR-së (Dita Botërore e Rinisë), një episod i ri i Popecast-it: dialog në distancë midis Françeskut dhe një grupi djemsh e vajzash që tregohen të hapur duke rrëfyer jetët e tyre. Mes tyre një transgjinor me aftësi të kufizuara, dy të burgosur, një vajzë me çrregullime psikologjike, një adoleshent që e kalon kohën duke luajtur videolojëra. Papa dëgjon, ngushëllon, inkurajon. Më pas ai mirëpret propozimin e vogëlushit Alessandro për Ditën Botërore të Fëmijëve: “Mund t’ua lëmë gjyshërve organizimin. Do ta mendoj!”

“Esta e juventud del Papa…” [Kjo është rinia e Papës]

Kush janë të rinjtë e Papës? Kush janë të rinjtë sot? Nga makrokozmosi i DBR-së – këtë radhë në Lisbonë – ndoshta është e vështirë të hysh në nuancat e një brezi të karakterizuar nga përparimi i teknologjive, i karakterizuar nga shumë brishtësi, por që dallohet edhe nga dëshira për të bërë, për të zbuluar, për ta ripropozuar veten në mënyrë novatore. Ngjyrime të brezave polikromatikë si Gen Z, Gen X, millennials janë Giona, me aftësi të kufizuara dhe transeksual, Edward dhe Valerij, në burg për vjedhje dhe grabitje, Arianna, që vuan nga çrregullimi bipolar që gjen strehim në gjumin e saj për t’i shpëtuar ankthit të jetës, Jozefi, i cili kalon pjesën më të madhe të ditëve të tij duke luajtur me videolojëra dhe shumë të tjerë të cilëve nuk ua njohim fytyrën por vetëm plagët, frikën, dëshirat, planet. Ata i besuan rrëfimet e tyre në një podkast.

“Podkasti? E mbaj mend!”

“Podkasti? Po, e mbaj mend”, përgjigjet Françesku. I pari ishte në mars me rastin e 10-vjetorit të pontifikatit të tij. Propozimi ishte për një episod të dytë në funksion të DBR-së, ku protagonistë janë djem dhe vajza me prapaskenë të ndryshme, të cilët ndërsa flasin nuk e dinë ende se zëri i tyre do të kumbonte nga altoparlantët e një kompjuteri në Casa Santa Marta. Prandaj këta persona shprehen lirshëm, hapin zemrën dhe rrëfejnë jetët e tyre duke treguar mirëbesim. Përballë atij kompjuteri qëndron ulur Pasardhësi i Pjetrit dhe herë pas here nuk i fsheh dhimbjet kur dëgjon fjalë si vetëvrasje, dënim, mënjanim. Ai buzëqesh nga larmia e thekseve. Meraku është t’u japë të gjithëve një fjalë. Dhe ajo fjalë është gjithmonë “Hyji”, horizonti i jetës. Tjetra është “përpara”.

Historia e Giona-s, me aftësi të kufizuara dhe transgjinor

Ua thotë të gjithëve. Ia thotë këtë Giona-s, një person me aftësi të kufizuara, homoseksual, transgjinor, besimtar, që nuk pretendon asgjë, por vetëm dëshiron të tregojë historinë e vet: “Kultivimi i një feje që e ndjeja me të vërtetë timen, më ka ndihmuar që ta pranoja veten në trupin tim me aftësi të kufizuara, atipik, të mos ndihesha kurrë vetëm edhe në vështirësi, sepse kisha vetëdijen se Ai që më njihte para se unë të isha, nuk do të ma jepte askurrë një kryq tepër të rëndë për shpatullat e mia”, rrëfen. “Kur u vetëdijesova se isha një person trans, do të kisha preferuar shumë të mos e besoja… Po ky trup i mrekullueshëm dhe i përsosur që është vepër e Tij? Ndjeja shqyerjen nga dikotomia mes besimit dhe identitetit transgjinor, të dy krahë të të njëjtit trup, i imi!”. Giona shpjegon se njerëzit e parë me të cilët u hap, u përpoqën t’ia ndërronin mendjen, duke parafytyruar “një shteg të errët”, atë të “dezertorëve të Krishtit”. “U ndjeva në faj”.

“Hyji na do ashtu siç jemi”

“Zoti ecën gjithmonë me ne, gjithmonë”, thotë Papa, “edhe nëse jemi mëkatarë, ai afrohet të na ndihmojë”.

“Zoti na do ashtu siç jemi. Dhe kjo është dashuria e çmendur e Hyjit. Hyji na do ashtu siç jemi, Hyji na përkëdhel gjithmonë. Hyji është babai, nëna, vëllai, gjithçka për ne. Është e vështirë ta kuptojmë këtë, por Ai na do ashtu siç jemi. Mos u dorëzo… ec përpara…”

Edward dhe Valerij, mënjanimi, baby gang, jetimorja, zemërimi

Në Amerikën e Jugut, Edward-i, rumun, ishte anëtar i një pandillash [bande]. Ato që në Itali i njohim si bandat e fëmijëve. Ai vidhte, shpërndante drogë, grabiste, si kundërpërgjigje ndaj gjendjes së varfërisë dhe mënjanimit, të talljes për rrobat e vjetra dhe italishtes me gabime. Ai e përkufizon veten si “një djalë të mbarë, por shumë të brishtë”. Valerij është rus, ka ushtruar dhunë ndaj njerëzve dhe sendeve. Shpërthimi i një zemërimi të brendshëm të krijuar brenda pas braktisjes së prindërve në jetimore dhe pandemisë, “shkëndijës” që e bëri të shpërthejë. Ai rrëfen se nuk ka ndonjë ëndërr, por vetëm pret fundin e dënimit. Të dy janë në Komunitetin Kayros për rikuperimin e miturve.

“Gabimet nuk duhet ta groposin jetën”

Historia e tyre është një histori “njerëzore”, pohon Papa, një histori që “vazhdon me suksese dhe gabime”.

“Shumë herë shoqëria është mizore sepse një gabim na etiketon për gjithë jetën… Ai gisht akuzues na shkatërron. Po ju them një gjë: nuk ishit vetëm në rrugën tuaj, edhe kur keni bërë gabime të këqija, Zoti ishte aty. Zoti i gatshëm të të kapë për dore, të të ndihmojë për t’u ngritur. Ishte Ai që përftoi rrethana historike për t’ju ngritur të dyve… Jeta nuk groposet nga gabimet. Gabimet tona shpesh na bëjnë të reflektojmë për të ecur përpara”

Arianna, çrregullimet dhe shpëtimi i Hyjit

Arianna nuk është e mitur, por është ende një vajzë e re. Ajo vuan nga çrregullimi bipolar që “e mban të bllokuar” dhe e pengon të punojë. Ajo fle për t’i shpëtuar ankthit të një jete të mbushur me vështirësi, përfshirë ato psikologjike. Ajo tregon gjithçka me kthjelltësinë që i vjen nga përjetimi i të qenurit “e shpëtuar nga Hyji”. Papa preket nga historia e saj dhe kërkon t’i dëgjojë dy herë disa pasazhe, veçanërisht atë në të cilin vajza thotë se jeton si në “një luhatje mes dëshirës për vetëvrasje dhe një zemre që shpërthen nga gëzimi”.

“Mos e humb aventurën e jetës”

Papa e paralajmëron: “Një jetë si kjo rrezikon të jetë një labirint”.

“Shiko gjithmonë përpara, mos e humb horizontin, sepse kjo është ajo që të bën të ecësh përpara. Dhe horizonti është Hyji. Mos e humb këtë aventurë të jetës. Mos hyr në labirintet e ndërgjegjes që tek e fundit nuk na shpëtojnë…”

Papa e ftoi që të respektojë të gjitha trajtimet e nevojshme psikologjike: “Të gjithë ne kemi plagë psiko-fizike, të gjithë jemi të plagosur nga jeta dhe nga mëkati. Por kujdesu për këtë”.

Agustina dhe të rinjtë argjentinas

Agustina është një e re nga Argjentina që shoqëron të rinjtë. Ajo flet për veprimin e djemve dhe vajzave të vendit të vet për një të ardhme “më të mirë”. “Argjentina… lëndë e juaja, Ati i Shenjtë”. Ai, me një vezullim në sy, sintonizohet me bashkatdhetaren e tij dhe tregon “një histori”:

“Një herë engjëjt shkuan te Hyji për t’u ankuar: “Ti, Atë i Amshuar, je i padrejtë sepse na ke dhënë të gjithëve nga një gjë nga pasuria… ndërsa Argjentinës i ke dhënë gjithçka, ajo është e pasur në gjithçka”. Dhe Ati i Amshuar përgjigjet: “Po, e vura re këtë gjë dhe për ta balancuar i dhashë asaj argjentinasit”. Problemi i Argjentinës jemi ne, të cilët shpeshherë nuk kemi forcën për të ecur para.

Shembulli i Botërorit (në futboll)

Shembulli, për Françeskun, është Botërori i fundit:

“Holanda në fillim, pjesa e parë, 2 – 0. E bukur kjo! Dhe çfarë bënë argjentinasit? “fituam!”. Në fund u desh të fitonin me një penallti. Franca, 3 me 1. “Ah, ne fituam tashmë!”. Por mungonte pjesa e dytë. Në fund fituan me një penallti. Ne besojmë se puna ka marrë fund sepse lodhemi nga udhëtimi dhe ndalojmë në gjysmë të rrugës”

Valeria dhe dëshirat dhe kritikat e të rinjve për Kishën

Ajo është një e re por nuk flet si e re por në emër të të rinjve, Valeria, mësuese feje. Bëhet zëdhënëse e kërkesave, realiteteve, madje edhe ankesave që ndesh në shërbim të saj. Si ato për një Kishë më transparente, të rinovuar në metoda, pranë njerëzve. “Një Kishë në lëvizje”, me pak fjalë, vëren Papa.

“Kisha është Kishë kur është në lëvizje. Në të kundërtën, është një sekt fetar i mbyllur në vetvete. Shumë herë në Kishë ka beteja të grupeve të vogla kundër njëri-tjetrit. Kur një dallim kthehet në parti, kjo e vret unitetin… Jo të gjithë jemi uniformë në Kishë dhe kjo është madhështia”.

Jeta virtuale e Jozefit

I fundit është Jozefi, ai e la universitetin dhe e kalon pjesën më të madhe të kohës në shtëpi duke luajtur videolojëra, duke endur vetëm marrëdhënie virtuale. Nuk është një dëshmi, por justifikim i një zgjedhjeje jete : “Në fund të fundit, nuk e lëndoj veten dhe as nuk marr ndonjë lëndim”. Papa e dëgjon dhe nga një gjysh bëhet baba, duke mos ia kursyer njëfarë rreptësie, sepse djemve si Jozefi ndoshta u shërben një shkundje.

“Ti me të vërtetë ke zhvilluar një mënyrë jetese, për të qenë në kontakt me njerëzit, por është një kontakt aseptik. Si ai që kanë njerëzit në terapi të mbrojtur ku i shikojnë anëtarët e familjes pas xhamit. Të mungon horizonti… Nuk mund të jetosh pa horizont, e di? Me kalimin e kohës do të mërzitesh me veten”

Ftesa për të marrë pjesë në DBR

“A do të shkosh në DBR?” është pyetja që u drejtohet më në fund të gjithëve. Dikush po, dikush jo, dikush as nuk e di se për çfarë flitet. Megjithatë, ftesa e Papës është e vlefshme për këdo:

“Ia vlen të shkosh në DBR. Ia vlen mundi! Kush nuk rrezikon, nuk ecën përpara. Ia vlen të shkosh atje, dhe pastaj do të flasim”

Propozimi për një “DBF”, një Ditë Botërore e Fëmijëve

Pothuajse në derë, në urgjencën e një axhende verore, të shoqëruar nga gjithçka, përveç pushimit, vjen një kërkesë e fundit: “Duhet ta dëgjosh vërtet këtë, Atë i Shenjtë!”. Është mesazhi zanor i 9-vjeçarit Alessandro, i cili hedh propozimin për një DBF-je, Dita Botërore e Fëmijëve.

“Më pëlqen shumë! Dhe mund të organizohet nga gjyshërit. Kërkojuni gjyshërve ta organizojnë një ditë të tillë. Një ide e bukur. Do të mendoj për këtë dhe do të shoh se si ta bëj”

Salvatore Cernuzio – Qyteti i Vatikanit

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme