Nxënës dhe mësues të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor” festuan së bashku festat e fundvitit.

Imzot Gjergj Meta apel të rinjve: Kanuni nuk vlen sot si ligj.


Në Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” u organizua një aktivitet i larmishëm në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Drejtori i Shkollës Michele Leovino uroi që këto ditë festash t’i gëzojnë me familjet dhe njerëzit më të dashur.

P. Michele theksoi: “Krishtlindja është festa më e mahnitshme, që ne festojmë. Krishtlindja kudo në botë festohet me gëzim, pasi një nga arsyet është lindja e një fëmije dhe kjo është një gëzim në çdo familje, që na çon madje edhe në fillesat, në lindjen e Jezusit. Festoni sipas traditës duke adhuruar Jezusin fëmijë dhe duke bërë vepra të mira me paqe e dashuri”.

P. Michele u ndal edhe në përjetimet e takimeve të zhvilluar me të rinjtë të ndarë në 3 grupe: Ditari i Zemrës, Heshtje dhe Diskutime, duke përcjellë mesazhin:“Të reflektojmë me qetësi, paqe dhe dashuri”.

Gjakmarrja vazhdon të mbetet një plagë për Shqipërinë. Ndaj Ipeshkvi i Dioqezës Rrëshen Imzot Gjergj Meta kishte zgjedhur pikërisht “Kanunin” si subjekt diskutimi me të rinjtë e “Shën Jozefi-t”.

“Subjekti që kam zgjedh është një subjekt mjaft delikat, Kanuni. Kjo rregullore si ligj sot nuk vlen më.

Patjetër që në të ka edhe fjalë e vlera njerëzore si: fjala e dhënë, respekti për njerëzit dhe familjen. Vlerat tradicionale duhet tua transmetojmë brezave, por Kanuni nuk mund të jetë ligj për rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, ne kemi ligjet.

Të rinjtë duhet të informohen dhe të njihen me ligjet. Ne jemi për ligjshmëri dhe garantohet me respektimin e ligjit që janë rregulla të pashkruara, apo ligje të miratuara për të ndërtuar një shoqëri të mirë, demokratike dhe të jetueshme”, deklaroi Ipeshkvi i Rrëshenit.

Imzot Gjergji vijoi më tej duke theksuar se, zoti nuk na ka krijuar vetëm, por bashkë.
Nëse shikoni një përson në një situatë, që ka nevojë për praninë tonë, mos u kurseni, bëhuni të afërm dhe ndihmojeni atë, dhe secili nga ne kështu mund të kalojë një Krishtlindje të bukur.

Presidentja e Senatit të Nxënësve, Ina Ndoj uroi sa më shumë paqe, harmoni e begati. Viti i ri të jetë plot me ëndrra si edhe të kemi vullnet për t’i realizuar ato.

Nxënësit dhe mësuesit u argëtuan me programin artistik të gërshetuar me këngë, valle, recitimi por edhe dramatizimin e veprës “Prilli i Thyer” të Ismail Kadaresë.

Urimi që u përcoll ishte “Gëzuar Krishtlindjet! Një vit i mbarë dhe i paqtë për të gjithë!”

Lindita Kokaj