Shpirti Shenjt është aleati ynë në luftën kundër shpirtit të së keqes.
Prova më e fortë e ekzistencës së satanait nuk gjendet te mëkatarët apo te njerëzit e pushtuar, por te shenjtërit.
Menjëherë pas pagëzimit të tij në Jordan, «Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli» (Mt 4,1) – kështu thotë Ungjilli i Mateut. Nisma nuk është e satanit, por e Hyjit. Duke shkuar në shkretëtirë, Jezusi i bindet një frymëzimi të Shpirtit Shenjt, ai nuk bie në grackën e një armiku, jo. Pasi e kaloi provën, Ai – shkruhet – u kthye në Galile «me fuqinë e Shpirtit Shenjt» (Lk 4,14).
Jezusi, në shkretëtirë, u lirua prej satanit dhe tani mund të lirojë nga satani. Këtë e vënë në pah Ungjilltarët me tregimet e shumta të lirimit të njerëzve të pushtuar. Jezusi u thotë kundërshtarëve të tij: «Nëse unë po i nxjerrkam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj!» (Mt 12,27).
Sot jemi dëshmitarë të një fenomeni të çuditshëm në lidhje me djallin. Në një farë niveli kulturor, pandehet se thjesht nuk ekziston. Na qenka një simbol i pavetëdijes kolektive, ose i tjetërsimit, me pak fjalë, një metaforë. Por «dinakëria më e madhe e djallit është që t’i bëjë njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston», siç shkruante njëri (Charles Baudelaire). Është dinak: na bën të besojmë se ai nuk ekziston dhe kështu sundon gjithçka. Është i zgjuar. E megjithatë, bota jonë teknologjike dhe e laicizuar është plot me magjistarë, okultizëm, spiritualizëm, astrologë, shitës të bamesh dhe amuletesh dhe, për fat të keq, sektesh të mirëfillta satanike. I dëbuar nga dera, djalli është futur nga dritarja. I dëbuar nga feja, futet përmes besëtytnisë. E nëse ti je besëtytë, në mënyrë të pandërgjegjshme po bisedon me djallin. Nuk ka bisedë me djallin.
Prova më e fortë e ekzistencës së satanait nuk gjendet te mëkatarët apo te njerëzit e pushtuar, por te shenjtërit! “Si është e mundur Atë?” Po, është e vërtetë që djalli është i pranishëm dhe vepron në disa forma ekstreme dhe “çnjerëzore” të së keqes dhe ligësisë që shohim rreth nesh. Por, megjithatë, përmes kësaj rruge është praktikisht e pamundur të arrijmë, në raste individuale, te siguria se është me të vërtetë ai, duke qenë se ne nuk mund ta dimë saktësisht se ku përfundon veprimi i tij dhe ku fillon e keqja jonë. Për këtë arsye Kisha është shumë e kujdesshme dhe rigoroze në ushtrimin e ekzorcizmit, ndryshe nga sa ndodh, për fat të keq, në disa filma!
Është në jetën e shenjtërve, pikërisht aty, që djalli detyrohet të dalë në shesh, të vihet “kundër dritës”. Kush më pak e kush më shumë, të gjithë shenjtërit, të gjithë besimtarët e mëdhenj, dëshmojnë për luftën e tyre me këtë realitet të errët dhe nuk mund të supozohet, nëse duam të jemi të sinqertë, se ata ishin të gjithë të mashtruar ose thjesht viktima të paragjykimeve të kohës së tyre.
Beteja kundër shpirtit të së keqes fitohet ashtu siç e fitoi Jezusi në shkretëtirë: me fjalën e Hyjit. E shihni se Jezusi nuk bisedon me djallin, ai kurrë nuk bisedon me djallin. Ose e përzë, ose e dënon atë, por nuk bisedon me të. Dhe në shkretëtirë ai nuk i përgjigjet me fjalën e tij, por me fjalën e Hyjit. Vëllezër, motra, mos bisedoni kurrë me djallin! Kur vjen me tundimet: “ah, sa bukur kjo gjë, sa bukur do të ishte…”, ndal! Lartësoje zemrën tënde te Zoti, lute Zojën dhe dëboje atë, sikurse na mësoi Jezusi ta dëbojmë atë. Shën Pjetri sugjeron edhe një mjet tjetër, për të cilin Jezusi nuk kishte nevojë, por ne po, d.m.th. vigjilimi: «Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë» (1 Pjt 5,8). Dhe shën Pali na thotë: «Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli!» (Ef 4,27).
Pasi Krishti, në kryq, e mposhti përgjithmonë pushtetin e “princit të kësaj bote” (Gjn 12,31), djalli – thoshte një Atë i Kishës – «është i lidhur, si një qen në zinxhir; ai nuk mund të kafshojë askënd, përveç atyre që, duke sfiduar rrezikun, i afrohen… Mund të lehë, mund të nxisë, por nuk mund të kafshojë, përveç atyre që e kërkojnë vetë». Nëse je i pamend dhe shkon te djalli dhe i thua: “Si je?”, të shkatërron. Djalli? Mbajeni larg! Nuk ka bisedë me djallin. Ai duhet dëbuar. Distancë. Dhe të gjithë ne, të gjithë, kemi përvojë se si djalli afrohet me ndonjë tundim, mbi dhjetë urdhërimet. Kur ta hetojmë këtë gjë, ndal, mbaje larg! Mos iu afroni qenit të lidhur në zinxhir.
Teknologjia moderne, për shembull, përveç shumë burimeve pozitive që duhen vlerësuar, ofron edhe mjete të panumërta që “i japin djallit një mundësi”, dhe shumë bien brenda. Të mendojmë, p.sh., për pornografinë në internet, pas së cilës lulëzon një treg, siç e dimë të gjithë. Është djalli që punon aty. Ky është një fenomen shumë i përhapur, nga i cili të krishterët duhet të ruhen me kujdes dhe të cilin duhet ta refuzojnë me forcë. Sepse çdo telefon celular ka akses në këtë brutalitet, në këtë gjuhë të djallit: pornografia në internet.
Vetëdija për veprimin e djallit në histori nuk duhet të na shkurajojë. Mendimi vendimtar duhet të jetë, edhe në këtë rast, ai i besimit dhe i sigurisë: “Unë jam me Zotin, shporru”. Krishti e mposhti djallin dhe na dhuroi Shpirtin Shenjt për ta përvetësuar fitoren e tij. Vetë veprimi i armikut mund të kthehet në përfitimin tonë, nëse, me ndihmën e Zotit, bëjmë që ai të na shërbejë për pastrimin tonë. Prandaj e lusim Shpirtin Shenjt, me fjalët e himnit Veni Creator:
«Na prapso edhe armikun,
pa vonuar na jep qetim,
që të zmbrapsim çdo dëmtim
Ti për ne bëhu prijatar».
Kujdes, djalli është i zgjuar. Por ne të krishterët, me hirin e Hyjit, jemi më të zgjuar se ai. Faleminderit.