nga Andrea Ceredani
42% e italianëve duan të ulin kohën e qëndrimit në smartphone. Por, në pritje të një ligji, të rinjtë zgjedhin aplikacionet e “detoksit social” për t’u kthyer te «frymëmarrja»
Gati 5 milionë llogari në Instagram, Facebook dhe TikTok janë bllokuar në pak më shumë se një muaj: ndalimi australian i rrjeteve sociale për nën-16-vjeçarët është veprues dhe ka shkaktuar tashmë një efekt domino në mbarë Evropën. Në Francë pritet një projektligj për mbrojtjen digjitale të të miturve, që Parlamenti do ta shqyrtojë në ditët në vijim. Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Keir Starmer ka njoftuar një shtrëngim të rregullave, pa përcaktuar ende një kufi moshe. Megjithatë, të rinjtë britanikë e vlerësojnë edhe ndalimin: 47% e të rinjve anglezë nga 16 deri në 21 vjeç, sipas një studimi të British Standards Institution, deklaron se do të preferonte të jetonte në një botë pa internet. Po në Itali? Qeveria ende nuk ka parashikuar një normë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale, por përdoruesit, sidomos më të rinjtë, kanë nisur tashmë të largohen vetë nga ekranet: sipas raportit Decoding the Digital Home Study të EY, që ka intervistuar rreth një mijë familje në të gjithë vendin, 42% e konsumatorëve italianë sot kërkon aktivisht detoksifikimin digjital. Ndryshimi i drejtimit është i dukshëm veçanërisht te të rinjtë e Brezit Z, të lindur mes viteve 1997 dhe 2012, që përpiqen të mos bien në varësinë nga rrjetet sociale duke iu besuar vetë smartfonëve të tyre, domethënë duke kërkuar ndihmë tek aplikacionet për “digital detox”.
Programet janë të shumta dhe secili numëron miliona shkarkime, por kanë një mekanizëm të përbashkët që të kujton atë që e shpëtoi Odisenë nga joshja e sirenave. Përdoruesi që shkarkon një aplikacion për detoksifikim digjital vazhdon të ketë mundësi që të hyjë në rrjetet sociale, por, në çastin kur hap aplikacionin, softueri e lidh pas direkut kryesor duke i bërë një pyetje të thjeshtë: «A je i sigurt se dëshiron të vazhdosh?».
«Rezultatet për mua kanë qenë të jashtëzakonshme – rrëfen për Avvenire Eleonora Gonnelli, një punonjëse e re 28-vjeçare që jeton në Torino –. Vitin e kaluar i përdorja rrjetet sociale mbi 4 orë në ditë, por sot, edhe falë aplikacioneve të “social detox”, e kam ulur hyrjen në Instagram në 50 minuta». Se sa minuta në ditë lejohen në rrjete sociale para se aplikacioni ta bllokojë hyrjen, e përcaktojnë vetë përdoruesit. Për Gonnellin kanë mjaftuar 50 minuta në ditë, të ndara në seanca nga dhjetë minuta secila: «E kam vendosur aplikacionin në këtë mënyrë për t’i dhënë vetes disa minuta çlodhjeje dhe leximi lajmesh edhe në rrjete sociale – shpjegon ajo – por aplikacioni më ndalon gjithsesi çdo herë për dhjetë sekonda, para se ta hapë rrjetin social, për të më dhënë gjithmonë mundësinë që të mendohem sërish dhe të mbyll gjithçka». Arsyet që e kanë shtyrë Gonnellin dhe dhjetëra mijëra të rinj italianë si ajo (aplikacioni i saj i social detox ka aktualisht mbi 5 milionë shkarkime në App Store) t’ia ndalojnë vetes rrjetet sociale lidhen me «mërzinë» dhe me «gjendjen e brendshme»: «Kur nuk e kufizoja hyrjen, kaloja orë të tëra të pasdites sime në Instagram – tregon ajo –. Verën e kaluar fillova të ndihesha keq: ndihesha e lodhur, e pa gjallëri dhe vazhdoja të shihja njerëz që i shfaqnin udhëtime e tyre fantastike online. Nuk isha mirë. Tani arrij t’i kufizoj këto ndjesi dhe është përmirësuar edhe marrëdhënia ime me celularin».
Gjendja e brendshme e rënë, demotivimi dhe mërzia, megjithatë, janë efekte që rrjetet sociale rrezikojnë t’i prodhojnë te të gjithë trutë në rritje e sipër. «Është për t’u vlerësuar që të rinjtë ndërgjegjësohen mbi këto probleme – komenton për Avvenire Rino Agostiniani, president i Shoqatës Italiane të Pediatrisë –. Abuzimi me rrjetet sociale në adoleshencë është shkak i drejtpërdrejtë i një ndikimi më të lartë të formave depresive dhe izolimit». Për specialistët pediatër, një zgjidhje e mundshme, përveç ndalimit të vetëvendosur, është kultivimi i marrëdhënieve personale të shëndetshme: «Marrëdhëniet në botën reale – përfundon Agostiniani – i qetësojnë simptomat e një varësie nga rrjetet sociale».
Edhe për këtë arsye shumë të rinj, ndër ata që i kufizojnë rrjetet sociale, janë në kërkim të rrugëve të reja për të thurur marrëdhënie. «Në klubin tonë – shpjegon për Avvenire Giorgio Secli – hyjnë vetëm persona që duan të njihen pa filtër digjital. Kështu krijohen bashkësi të vërteta “të detoksifikuara” nga rrjetet sociale». Secli flet për Offline Club, një projekt i lindur dy vjet më parë në Holandë dhe tashmë i përhapur në disa qytete evropiane, që organizon takime pa smartphone, të hapura për të gjithë. Në Milano, publiku përbëhet kryesisht nga të rinj 25-35 vjeç, ku mblidhen 30-40 veta njëherësh, duke e lënë celularin në hyrje: «Për orën e parë – shpjegon Secli – i lëmë në heshtje me muzikë në sfond. Është një kohë që mund ta përdorin për të lexuar, për të reflektuar ose për t’u lutur. Pastaj nis shoqërizimi». Rezultatet, sipas organizatorëve, janë inkurajuese: «Kur ulet muzika – përfundon Secli – të gjithë e shijojnë shoqërinë pa hiperlidhje. Me kalimin e viteve janë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjata».

