13.5 C
Tirana
HomeEditorialNa formo “sot” si nxënës misionarë: një Libër i vetëm, një Ligj...
HomeEditorialNa formo “sot” si nxënës misionarë: një Libër i vetëm, një Ligj...

Na formo “sot” si nxënës misionarë: një Libër i vetëm, një Ligj i vetëm, një Mësues i vetëm

Nga Imzot Lazzaro You Heung-Sik

Para së gjithash më lejoni t’ ju them se jam shumë i kënaqur që jam këtu me ju për 30-të vjetorin e rihapjes së Seminarit “Nëna e Këshillit të Mirë”. Ndër detyrat e mia si Prefekt i Kongregatës për Klerin, e kam për zemër në mënyrë të veçantë formimin e meshtarëve.

E çmoj si dhuratë të Hyjit që udhëtimi im i parë si Prefekt i Kongregatës më sjell në vendin tuaj: tokë Martirësh, njësoj siç është tokë Martirësh atdheu im. Kisha në Kore ka përjetuar 100 vite përndjekje. Edhe ju këtu në Shqipëri keni vuajtur shumë për shkak të fesë, e jo vetëm të krishterët, por edhe besimtarët mysliman.

Martirët i japin Kishës rrënjë të thella. Ata janë dëshmitarë të fesë, duke flijuar për Hyjin madje edhe jetën. Sa me fat jemi për të qenë trashëgimtarët e tyre, për të pasur mundësi për të jetuar sikurse ata fenë!

Duke e shikuar këta tre dhjetëvjeçarë të rihapjes së Seminarit të Shkodrës në 1991, duhet të falënderojmë para së gjithash Hyjin për shumë dhurata dhe fryte të këtyre 30 vjetëve; duhet të jemi falënderues edhe për të gjithë ata që u dhuruan këtu me shumë bujari në shërbim të formimit meshtarak. Nuk ishte lehtë të fillohet dhe nuk është lehtë të ecet përpara. Sa fe e sa përkushtim! Deo gratias!

Nuk mund të harrojmë edhe ata që kontribuuan në mënyra të ndryshme për këtë rrugëtim: duke filluar nga familjet e seminaristëve, nga meshtarët e famullisë së lindjes, nga rregulltaret dhe rregulltarët, nga bamirësit dhe të gjithë besimtarët si dhe  ipeshkvijtë!

Nuk mund të harrojmë edhe vetë seminaristët, me përgjigjen ndaj thirrjes, me angazhimin e tyre në studim dhe në jetën vëllazërore, duke u përballur me besim në Zotin edhe çastet e dyshimit e të vështirësisë e duke thënë “po-në” e tyre në momentin e shugurimit!

Në prapavijën e këtyre 30 vjetëve, dua këtë paradite të reflektoj së bashku me ju mbi temën që ju është shpallur: Na formo “sot” si nxënës misionarë: një Libër i vetëm, një Ligj i vetëm, një Mësues i vetëm.

Na formo “sot” si nxënës misionarë

Na formo “sot” si nxënës misionarë. Po: na formo. Mos na formo vetëm si meshtarë të ardhshëm, por na formo të gjithëve së bashku, meshtarë dhe laik, të rinj e të moshuar, burra e gra: na formo si Popull të Hyjit!

Na formo për t’u bërë nxënës misionarë. Nuk bëhet fjalë thjesht të bëhesh meshtarë apo të zgjedhësh një thirrje tjetër. Është një thirrje tjetër më themelore që duhet të vendoset në qendër të vëmendjes si mendim paraprak, si bazë të gjithçkahes: të ndjekësh Jezusin, të bëhesh nxënës. Jo rastësisht Ratio fundamentalis për formimin e meshtarëve në fuqi prej 2016 ia kushton krejt fazën e parë të formimit kësaj: të bëhesh nxënës (krh. nr.61-67). Të vazhdosh të bëhesh gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më thellësisht gjatë gjithë jetës nxënës (krh. Hyrja, nr.3). Kjo na bashkon, pikërisht, me të gjithë të pagëzuarit, me gjithë popullin e Hyjit!

Nxënës misionarë, ka saktësuar Papa Françesku qysh prej fillimit të pontifikatit të tij. Lexojmë në nxitjen apostolike të tij programuese Evangelii gaudium: «Kisha “në dalje” është bashkësia e nxënësve misionarë që marrin nismën, që angazhohen, që shoqërojnë, që japin fryt dhe festojnë» (nr.24; krh. nr.119-121). Ky është qëllimi i formimit që po e jetojmë së bashku, si Popull i Hyjit: të bëhemi nxënës misionarë, që angazhohen gjithnjë e më shumë e në mënyrë aktive, duke marrë nisma dhe duke dhënë fryte. Prej këtu duhet të nisemi, nëse duam, që të lindin e të piqen thirrje të reja, jo vetëm në meshtari, por edhe në martesën e krishterë dhe në jetën e kushtuar.

Na formo “sot”, thekson titulli i këtij fjalimit tim. Po, kohët e sotme nuk janë ato të djeshmet. «Ajo që po jetojmë nuk është  thjesht një epokë e ndryshimeve të mëdha, por një ndryshim epokash», pati thënë Papa në dhjetor 2019 në Kurien Romake. Pastaj shpjegoi: «Jemi, pra, në njërin prej atyre momenteve në të cilin ndryshimet nuk janë më lineare, por epokale; përbëjnë disa zgjedhje që shndërrojnë shpejtësisht mënyrën e të jetuarit, të krijuarit marrëdhënie, të komunikuarit dhe të përpunuarit të mendimit, të marrëdhënieve mes breznive njerëzore dhe të kuptuarit dhe të jetuarit e shkencës» (21 dhjetor 2019). Mendoj se kjo vërehet edhe në Shqipëri.

Ky ndryshim epokash, që të gjithë po e provojmë, na shtyn për një reflektim serioz. Na thërret në thelbësore. Shumë gjëra janë traditë e krishterë, janë të bukura e të mira, por nuk duhet të shpërqendrohemi me aksesorë: duket të shkojmë në qendrën e gjithçkahes, në rrënjët prej të cilave lindi krishterimi.

Kjo ishte përvoja ime kur, pas viteve të para në Seminar dhe tre viteve të shërbimit ushtarak, erdha në Romë dhe aty vazhdova formimin tim meshtarak. Jetoja në një ambient ku gjithçka ishte çuar në esenciale, në atë që është me të vërtetë e thelbësore. I shprehnim këto në tri fjali të thjeshta mbi të cilat kam dëshirë që të ndalem me ju këtë mëngjes:

Një libër i vetëm: Ungjilli.

Një ligj i vetëm: urdhërimi i ri.

Një Mësues i vetëm: Jezusi mes nesh.

Lindi kështu një përvojë çliruese dhe e pasur me fryte; një përvojë që më dha trajtë thellësisht, më shoqëroi deri më sot dhe më është dritë në çdo situatë.

Një libër i vetëm: Ungjilli

Françesku i Asizit, në një kohë shumë të vështirë për Kishën dhe shoqërinë, filloi një revolucion, që vazhdon nga tetë shekuj dhe që ka sjellë fryte të panumërta. Sekreti i tij ishte kthimi tek jeta e Ungjillit sine glossa: pa filtra e reduktime, pa rehati dhe spiritualizma abstrakt.

Në këto vite, Papa Françesku na fton në një revolucion të këtij lloji apo më mirë të themi në një reformë të jetës sonë e të krejt Kishës në dritën e Ungjillit. Nxitja apostolike Evangelii gaudium – gëzimi që buron nga Ungjilli – është udhërrëfyesi (road map) i tij. Sa herë na ka ftuar që të mbajmë vazhdimisht në xhep një Ungjill të vogël e ta lexojmë çdo ditë nga një pjesë! Kohëve të fundit, pastaj, e shpalli “të dielën e Fjalës së Hyjit”, për të nënvizuar se sa e rëndësishme është jeta e Fjalës. E vendosi në të dielën e tretë të kohës së rëndomtë dhe sapo e kemi kremtuar.

Ja, pra, çka duhet të jetë bashkësia e krishterë, familja e krishterë, e aq më tepër Seminari: një Shkollë e jetës së Ungjillit (krh. Pastores dabo vobis, 42). Madje: e gëzimit të Ungjillit!

Guxoj të pohoj: kush nuk jeton Fjalën, nuk mund t’i thotë vetes i krishterë! E thotë edhe vetë Jezusi në fundin e Fjalimit mbi Mal: nuk mjafton të dëgjosh, të meditosh e ta studiosh Fjalën, por duhet ta përkthesh atë në jetë: vetëm kush e vë në zbatim Fjalën, ndërton mbi shkëmb (krh. Mt 7,24-27). Të lejojmë që Fjala të depërtojë e të shndërrojë ekzistencën tonë dhe marrëdhëniet tona është themeli i sigurt që i duron të gjitha stuhitë dhe na bën t’i bëjmë ballë si duhet krizave që mund ta mundojnë rrugëtimin tonë.

Ende e kujtoj kohën kur hyra në Seminar. Nuk u gjenda mirë menjëherë. Madje, isha pak i zhgënjyer prej asaj që gjeta. I shikoja gjërat me sy dhe i shtjelloja sipas ndjesisë sime. Kur e zbulova çfarë do të thotë ‘të jetosh Fjalën’, gjithçka ndryshoi: jo pse ndryshuan rrethanat e jashtme, por sepse kishin ndryshuar sytë e mi, kishte ndryshuar zemra ime.

U futa në krizë edhe kur Ati i Shenjtë, pak muaj më parë, më thirri në Romë për Kongregatën e Klerit. Sikur t’i kisha parë gjërat në mënyrë njerëzore, do të kisha thënë menjëherë jo. Isha aq mirë në dioqezën time në Kore. Por Fjala e Hyjit ma bëri të kuptoj se duhet të them po: të lë vendin tim, të lë gjërat e zakonshme, të lë të gjitha rahatitë e të shkoj drejt shumë gjërave të panjohura: si do t’ia bëj për gjuhën? Si t’ia bëj për të gjitha ato pyetje që shtron jeta e klerit botërorë? Çdo ditë lejoj veten të udhëhiqem nga Jezusi në Fjalën e tij dhe jam i sigurt: me të gjithçka do të shkojë mirë.

Jam i bindur se nëse kthehemi në jetën e Ungjillit si në glosa na lejon që të përballemi edhe me krizat më të këqija, si ajo e abuzimeve, që i bën aq keq Kishës, por së pari personave që bien viktima.

Edhe sa i përket krizës së Korona virusit: si mund të mendojmë se do ta tejkalojmë në mënyrë të efektshme nëse nuk rrënjosemi në mënyrë të re në jetën e Ungjilli?!

Por kemi një pjesë tjetër në Ungjill që na bën të mendojmë. Kur nëna dhe vëllezërit e Jezusit po e kërkon Atë, ai tha: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi – janë këta – që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit» (krh. Lk 8,19-21).

Duke e jetuar Ungjillin, bëhemi vëllezër e motra mes nesh dhe me të gjithë. Bëhemi të tillë me veprime konkrete: duke filluar të bashkëndajm, jemi solidarë, i ndiejmë si tonat vështirësitë e tjetrit. Nëse jo, e pohojmë me gojë se jemi vëllezër e motra, por me jetë e mohojmë.

Ja çka domethënë: “Një libër i vetëm: Ungjilli”. Domethënë të ndërtosh mbi shkëmb. Domethënë të vësh në qendër Hyjin e jo preferencat tona, arsyetimet tona, aspiratat tona.

Të kesh si libër të vetëm Ungjillin na bënë që të shkojmë edhe drejt vëllezërve dhe motrave e atëherë lind dhe forcohet bashkimi. Kjo është drama e shumë bashkësive të krishtera: janë bashkësi liturgjike, por në fakte, në jetë nuk janë.

Të kesh si libër të vetëm Ungjillin domethënë, në fund të fundit, të gjesh gëzimin: Evangelii gaudium!

Kjo është pika fillestare e të formuarit tonë si nxënës misionarë.

Një Ligj i vetëm: urdhërimi i ri

I pyetur prej një mësues Ligji, Jezusi përmbledh mësimin e BV në një urdhërim të dyfishtë: «Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd» dhe «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!» (krh. Mt 22,34-40).

Dashuria ndaj të afërmit ka të njëjtën vlerë si dashuria ndaj Hyjit! Madje, marrëdhëniet tona me të tjerët – e veçanërisht me kë është në nevojë – janë marrëdhënie me Hyjin: «çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua» (Mt 25,40), thotë Jezusi në shëmbëlltyrën e Gjykimit të fundit.

Porse Jezusi bën një hap më tej. Pasi që ua lau nxënësve këmbët, pohon: «Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri-tjetrin!». E shton: «Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi» (Gjn 13,34-35).

Dashuria e ndërsjellët është shenjë dalluese e ne nxënësve misionarë që na bën të dallohemi si nxënës të Jezusit. Për më tepër: dashuria e ndërsjellët dëfton Jezusin, dëfton jetën e tij!

Të mendojmë të gjitha momentet në të cilat Jezusi qëndronte para Atit: me gatishmëri të plotë, në dëgjim të plotë. E si i pranonte Ati lutjet e Jezusit: me një dëgjim po aq të thellë. Jeta e Jezusit me Atin është një dashuri reciproke, dhurimi i ndërsjellët i vetvetes, pa kushte. Kjo është ajo që Jezusi erdhi të sjellë në tokë: «Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! […] Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet» (Gjn 15,9.13).

Në fillim të këtij mijëvjeçari të ri, urdhërimi i dashurisë së ndërsjellët ka një rëndësi dhe urgjencë të veçantë. Papa Gjon Pali II, në letrën e tij apostolike Novo millennio ineunte (nr.42), shkroi:

«Nëse kemi vërtet kundruar fytyrën e Krishtit, shumë të dashur Vëllezër e Motra, programimi ynë baritor nuk mund të mos frymëzohet tek “urdhërimi i ri” që ai na ka dhënë». Bëhet fjalë – thotë papa Wojtyla – për një çështje «në të cilën do të duhet të shprehet një angazhim i vendosur programatik, në nivel kishe të gjithmbarshme dhe kishash të veçanta: ajo e kungimit (koinonia) që mishëron e dëfton qenësinë e vet, të misterit të Kishës». Dhe shpjegon: «Është pikërisht duke realizuar këtë kungim dashurie, që kisha dëftohet si “sakrament”, apo si “shenjë dhe vegël e kungimit të thellë me Hyjin dhe e unitetit të të gjithë llojit njerëzor” (Lumen Gentium, n.1) ».

Kur Shën Gjon Pali II i shkroi këto gjëra, shumë ipeshkvij korean bënë një shqyrtim ndërgjegjeje. I thanë vetes: «Ne takohemi rregullisht për Konferencën Ipeshkvore, për të trajtuar shumë tema e për t’u përballur me shumë probleme. Porse nuk kemi një kohë ku thjesht rrimë së bashku». Kështu vendosen që çdo tre muaj të takohen, një mbrëmje dhe mëngjesin vijues, për një bashkëndarje vëllazërore. Një nismë që vazhdon tashmë që 20 vjet që ka ndryshuar atmosferën dhe marrëdhëniet mes nesh.

Duhet të kthehemi e gjithmonë sërish të rikthehemi tek ky Ligj i vetëm: urdhërimi i ri, dashuria e ndërsjellët. Nuk bëhet fjalë për një aksesor, për diçka që mund të jetë e mund edhe të mos jetë. Bëhet fjalë – thoshte Gjon Pali II – «për thelbin e vetë Kishës». Për këtë ishte i bindur edhe Shën Bonaventura kur përkufizoi Kishën si «ndodhinë e të dashurit të ndërsjellët»: «Ecclesia enim mutuo se diligens est» (Heksameroni I,4).

Nuk mund të mos lejojmë vetëm të jemi të pyetur thellësisht nga këto shprehje të Shën Gjon Palit II dhe Shën Bonaventurës: bashkimi «mishëron dhe shfaq vetë esencën e misterit të Kishës»; «Kisha është ndodhia e të dashurit të ndërsjellët».

Nëse jetojmë kështu, atëherë ushqehemi prej vetë jetës së të shenjtërueshmes Trini dhe e zbulojmë të shenjtërueshmen Trini; ua komunikojmë të tjerëve jetën e të shenjtërueshmes Trini.

E gjithë kjo nuk mundet të mos e ndriçojë procesin sinodal që Papa Françesku e ka nisur duke pasur parasysh Sinodin e ipeshkvijve të vitit 2023. Të gjithë jemi të ftuar për të marrë pjesë në këtë rrugëtim sinodal në këto muajt e ardhshëm: bashkimpjesëmarrjemision, për të mësuar të jemi edhe pastaj – gjithmonë e më shumë – Kishë sinodale.

Nuk ka mënyrë tjetër për të jetuar sinodalitetin pa dëgjim të ndërsjellët, pa e pranuar njëri-tjetrin e pa iu dhuruar njëri-tjetrit sikurse Ati e Biri në të shenjtërueshmen Trini. Udha për të jetuar këtë dëgjim, këtë pjesëmarrje është urdhërimi i ri: shkëmbimi i dashurisë.

«Një Ligj i vetëm: urdhërimi i ri».

Të duam njëri-tjetrin është zemra e jetës sonë si nxënës misionarë.

Na bën të jetojmë jetën e dhurimit të ndërsjellët që jetonte Jezusi me Atin. Na bën pjesëmarrës të jetës së të shenjtërueshmes Trini.

Na bën dëshmitarë të kësaj jete. Na bën që ta shohim. Na bën sikur hostensor të jetës së Hyjit: «Shih se si duhen mes njëri – tjetrit dhe se si janë të gatshëm për të vdekur njëri për tjetrin», ka shkruar Tertullian-i (shek. II-III) në veprën e tij Apologeticus (39,7).

Dashuria e ndërsjellët është rruga për të bërë një përvojë të vërtetë të sinodalitetit. Por për këtë do të flasim sërish pas pak.

Një Mësues i vetëm: Jezusi në mesin tonë

Me 17 tetor 2015, Papa Françesku, në fjalimin e tij për 50-të vjetorin e themelimit të Sinodit të ipeshkvijve, pohoi: «Një Kishë sinodale është një Kishë e dëgjimit, në vetëdijen se dëgjimi është më shumë se të ndierit […]: njëri në dëgjim të të tjerëve; të gjithë në dëgjim të Shpirtit Shenjtë, “Shpirtit të së vërtetës”».

Disa paragrafë më poshtë, pohon: «Por në këtë Kishë, si në një piramidë të përmbysur, ku maja gjendet në vend të themelit. Për këtë ata që ushtrojnë autoritet quhen “ministra”: sepse, sipas domethënies fillestare të fjalës, janë më të vegjlit mes të gjithëve. […] Të mos harrojmë kurrë! Për nxënësit e Jezusit, dje, sot e përgjithmonë, i vetmi autoritet është autoriteti i shërbimit, e vetmja fuqi është fuqia e kryqit».

«Si në një piramidë të përmbysur»: është një imazh shokues! Nuk dëshiron të vërë në dyshim renditjen hierarkike të Kishës, por thekson risinë rrënjësore të kësaj renditje që duhet të jetë e tëra – dhe në të gjitha mënyrat – shërbim dhe nuk duhet kurrë të zërë vendin e Jezusit, por përkundrazi t’i bëjë vend: «Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë – atë që është në qiell!» (Mt 23,8-9).

Vëllezër, le të respektojmë çdo thirrje në veçanti, sepse të gjithë kemi të njëjtin dinjitet prej të pagëzuarish, të bijve dhe bijave të Hyjit. Duhet të bëjmë akoma shumë rrugë për të realizuar dhe dëshmuar këtë!

Kam marrë vesh që ju e thërrisni kardinalin tuaj “dom Ernest”. Sa bukur! Edhe unë si Prefekt dhe zëvendësi im si sekretar i Kongregatës për Klerin, iu kemi thënë bashkëpunëtorëve tanë të na quajnë thjesht “dom Lazzaro” dhe “dom Andres”. I tregova këtë Papës dhe ai më tha: «Mirë. Kështu është më thjesht». E prej atij çasti kam filluar të quhem “dom Lazzaro”. Jam i kënaqur. Tashmë titullin “Shkëlqesi” mund ta lë në shtëpi!

Porse nuk mjafton vetëm vëllazëria dhe dinjiteti i njëjtë. Në dëgjimin e ndërsjellët bëhet fjalë edhe të vihemi njëkohësisht në dëgjimin e Jezusit. Në shërbimin e ndërsjellët kemi mundësinë që t’i bëjmë vend Atij.

Kjo ishte përvoja e nxënësve të Emmausit: përplot me dyshime dhe pyetje, ishin të pështjelluar dhe nuk kuptonin. Por iu dhuruan njëri-tjetrit e kështu u hap vendi për Jezusin. Kur u bë i pranishëm në mes të tyre, brenda pak kohe çdo hije u zhduk sikurse mjegulla përpara diellit dhe gjithçka ishte e qartë!

Të ecësh së bashku me Mësuesin: kjo është ajo që duhet për Kishën, dhe është ajo që duhet në mënyrë të veçantë për Seminaret.

Lexojmë në nxitjen apostolike Pastore dabo vobis: «Identiteti i thellë i seminarit është që të jetë, në mënyrën e vet, një vazhdimësi në Kishë e bashkësisë apostolike të bashkuar përreth Jezusit, në dëgjim të Fjalës së tij, në ecje drejt përvojës së Pashkëve, në pritje të dhuratës së Shpirtit për mision» (nr.60).

E gjithë kjo nuk mund dhe nuk duhet të mbesë vetëm një kujtim; nuk mund dhe nuk duhet të jetë vetëm një frymëzim i devotshëm, por duhet të bëhet përvojë e efektshme, e njëmendtë e Jezusit të gjallë tash e këtu.

Me të drejtë ka vrojtuar Karl Rahner: i krishteri i të ardhmes ose është mistik ose nuk do të jetë.

Papa Françesku bëri edhe një hap më tej kur në nxitje apostolike Evangelii gaudium flet për një “mistikë të të jetuarit së bashku” (nr.87) dhe të një “vëllazërie mistike” (nr.92) dhe e shpjegon dinamizmin: «Kur jetojmë mistiken e të afruarit ndaj të tjerëve me qëllim që të kërkojmë të mirën e tyre, zgjerojmë brendësinë tonë për të pranuar dhuratat më të bukura të Zotit. Çdo herë që takohemi me një qenie njerëzore në dashuri, vihemi në gjendje për të zbuluar diçka të re rreth Hyjit» (nr.272).

Në thelb bëhet fjalë për të bërë përvojën e të Ngjallurit, të Jezusit të gjallë: jo vetëm të Birit të Hyjit që përshkoi këtë tokë para 2000 vjetësh, por të Jezusit të pranishëm këtu dhe sot e të gjejmë kështu në të udhërrëfyesin që na jep trajtë sipas zemrës së vet e na mëson që të shohim botën me sytë e tij, me atë «vështrim soditës» për të cilin na flet Papa Françesku në Evangelii gaudium kur shkruan në nr.71:

«Kemi nevojë të njohim qytetin duke u nisur nga një shikim kundrues, apo një shikim të fesë që të zbulojë atë Hyj që banon në shtëpitë e veta, në rrugët e veta, në sheshet e veta. […] Ai jeton në mes të qytetarëve duke promovuar solidaritetin, vëllazërinë, dëshirën për të mirën, për të vërtetën, për drejtësinë. Kjo prani nuk duhet të shpiket, por të gjendet e të zbulohet».

Ëndërroj me Papa Françeskun një Kishë që jeton këtë mistikë vëllazërore, këtë misitikë të syve të hapur që di të dallojë Hyjin në mes të shtëpive e, së pari, në mes të personave dhe i bën vend, sipas fjalës së Jezusit: «ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre» (Mt 18,20).

«Një Mësues i vetëm: Jezusi në mesin tonë» domethënë: të llogarisim për praninë e gjallë të të Ngjallurit dhe t’i besohemi atij; t’i bëjmë vend atij e të lejojmë të udhëhiqemi pre tij.

Të shikojmë personat, botën, dhe situatat me sytë e tij.

T’ia rikthejmë, në këtë mënyrë, jetës sonë hijeshinë e një përvoje të gjallë dhe reale të Hyjit, që vetëm kjo mund të ngjallë thirrje të reja.

Domethënë edhe që sinodaliteti të mos shndërrohet në një kopje të shëmtuar të demokracisë.

Përmbyllja

Nëse nuk vendosim në themelin e gjithçkaje jetën e Fjalës, e nëse nuk hapim, me dashuri të ndërsjelltë, vendin për praninë e Jezusit, rrezikojmë që gjithçka të reduktohet në ideologji, e madje edhe në bla bla bla. Diskutojmë në terr dhe shtohet pështjellimi.

Por kur jeta jonë është e bazuar në një Libër të vetëm, mbi një Ligj të vetëm dhe mbi një Mësues të vetëm, flasim në dritë dhe do të gjejmë rrugët për të qenë në kohën dhe në botën e sotme nxënës misionarë.

Ta ripërtërijmë, pra, angazhimin tonë për të jetuar çdo ditë Fjalën, për të vënë në zbatim urdhërimin e ri, për të ecur së bashku me Jezusin Mësues!

Duke vendosur këtë në themel, mund të ecim përpara gjithmonë, me këdo e kudo, në cilëndo situatë e në cilindo kontekst.

Po e përmbyll duke ju sjellë përshëndetjen dhe afektin e Papa Françeskut, që e di mirë për këtë udhëtimin tim, e ju kërkoj lutjet tuaja për të e edhe për mua, në këtë mision të ri në shërbim të meshtarëve të botës dhe të krejt Popullit të Hyjit.

Reflektim-konferencë me rastin e 30-të vjetorit të rihapjes së Seminarit “Nëna e Këshillit të Mirë” Shkodër (Shqipëri) – 4 shkurt 2022

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme