HomeArqidioqeza Shkodër-PultMotrat Stigmatine kremtojnë 30 vjetorin e misionit në Shqipëri
HomeArqidioqeza Shkodër-PultMotrat Stigmatine kremtojnë 30 vjetorin e misionit në Shqipëri

Motrat Stigmatine kremtojnë 30 vjetorin e misionit në Shqipëri

Këto ditë, Motrat Stigmatine kanë kremtuar 30 vjetorin e misionit të tyre në Shqipëri. Me rastin e kësaj ngjarjeje të shënuar për këtë kongregatë, janë organizuar dy ditë kremtimesh, ku në ditën e parë është bërë bekimi dhe inaugurimi i Rezidencës “Si një Familje” dedikuar të moshuarve, në pikën turistike në Shirokë, një vepër kjo e provanisë Hyjnore që do ketë një impakt shpirtëror, social dhe shëndetësor.

Me ftesë të motrave ishte i pranishëm edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi, i cili përcolli urimet dhe bekimin e Atit të Shenjtë, Papa Françesku.

Në ditën e dytë u kremtua mesha e Shenjtë në Kishën e Motrave Stigmatine, udhëhequr nga Arqipeshkvi i Shkodër –Pult, Imzot Angelo Massafra në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Me kremtimin e kësaj meshe u kremtua edhe 71 vjetori i vdekjes së të lumes Maria Tuci. Të pranishëm ishin populli i Zotit, Nëna Gjenerale e ardhur nga Italia, Motër Encarna Lobato e shoqëruar nga këshilltarja e saj, Motër Dukata Radoja, si dhe mbarë bashkësia e motrave stigmatine në Shqipëri.

Misioni i motrave stigmatine i ka fillimet që në vitin 1894, të cilat, me ftesen e Fretërve Françeskan, me mbështetjen e Konsullates së Hungarisë, dhe mikëpritjen e familjes Koliqi u vendosën në Shkodër dhe duke hapur filialin edhe në Shirokë. Në një kohë shume të shkurter motrat filluan shkollën, laborator dhe kopshte. Nga Shiroka dolen 12 murgesha stigmatine, të cilat e shkruan historinë me shembullin besnik të idealit jetësor, por që fatkeqësisht sistemi komunist e këputi në mënyrë makabre.

Me ardhjen e lirisë fetare, në vitet 1991, motrat u rikthyen sërish dhe rifilluan aty ku e kishin lënë misionin e tyre. Fati i mirë i tyre ishte se gjetën disa kolona që i kishin rezistuar kohës. Ndër to ishin disa prej motrave stigmatine, që pavarësisht stuhive që kishin përjetu, i kishin qëndruar besnik Krishtit. E sot, pas 30 viteve të rihapjes së misionit, kemi ende dy motra të cilat gëzojnë ende ditë të bukuara me Krishtin dhe në familjen e Stigmatineve, dhe janë motër Marije Kaleta dhe motër Roza Kraja, të cilat sikur qiri vazhdojnë ende të bëjnë dritë. E kjo kongregatë vazhdon të lulëzojë në një mënyrë ndryshe, tash 30 vjet, duke bërë histori e duke shënuar vazhdimësinë e tyre në tokën shqiptare.

Motrat stigmatine shërbejnë në Dioqezën Shkodër-Pult dhe në Dioqezën e Sapës. Madje në Dioqezën e Sapës, kanë dy kuvende në dy famulli të ndryshme, të cilat shërbejnë në fushën pastorale dhe në edukimin e të rinjëve.

Misioni i tyre 30 vjeçar pas rënies së komunizmit flet shumë, por të bindur se gjithmonë janë në kërkim të vazhdueshëm të eksplorojnë veprat e Hyjit, ato deri më sot janë një pikë në oqeanin e misionit të tyre, ndaj nuk do të ndalen këtu, por janë të thirrur të japin atë që munden gjithnjë e më shumë. E kështu e vazhdojnë këtë rrugëtim, duke e përmbushur planin e Hyjit në përputhje me misionin në shërbim të Kishës dhe të njerëzve, nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë.

Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
115FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme