Nga data 13 deri më 17 dhjetor Arqipeshkvi i Milanos, Imzot Mario Delpini, i shoqëruar nga don Maurizio Zago, ishte në “Tokën e Shqiponjave” për të takuar bashkësinë e ambrozianëve “fidei donum”, don Enzo Zago dhe don Alberto Galimberti.
Të hënën e 13 dhjetorit, Arqipeshkvi fluturoi drejt Shqipërisë për të takuar dy misionarët ambrozianë që veprojnë në veri dhe në jug në “Tokës së Shqiponjave”. Shoqërues i tij ishe don Maurizio Zago, përgjegjës dioqezan i Baritores misionare, i cili bëri udhëtimin e tij të parë me detyrën e tij të re pikërisht në Shqipëri gjatë Pashkëve 2019. Edhe Imzot Delpini kthehet për të dytën herë, por si Arqipeshkëv, jo më si vikar i përgjithshëm.
«Kjo nuk është një periudhë e përshtatshme për udhëtime të gjata – pohon don Zago -, por Shqipëria është afër dhe duke qenë vetëm dy priftërinj fidei donum për t’u takuar, në katër ditë mund të mbajmë lidhjen me misionet. Në veçanti me zonën e jugut, ku kemi filluar të operojmë së fundmi dhe kemi hapur një marrëveshje të re me Imzot Giovanni Peragine në Shqipërinë e Jugut».
Programi i udhëtimit
Udhëtimi i shkurtër ishte planifikuar nga data 13 deri më 17 dhjetor. Ndalesa e parë ishte në veri, në Dioqezën e Sapës, ku një vit më parë mbërriti don Alberto Galimberti i cili pasoi don Enzo Zago-n, sot në Vlorë. «Vendimi për të dërguar dom Alberton në veri për të vazhduar baritoren e don Enzo-s, lidhej me faktin që ky i fundit do të shkonte në Shqipërinë e Jugut, për të krijuar, edhe pse kilometra larg, një prani të dyfishtë misionare», vijon përgjegjësi dioqezan.
Takimi mes Delpinit dhe Simon Kullit, ipeshkëv i Sapës, u mbajt të martën e 14 dhjetorit, më pas Arqipeshkvi ka mbajtur një reflektim për të gjithë meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe asistentët baritorë të Dioqezës. Pasdite ai shkoi në famullinë e Shën Jozefit në Gjadër për të takuar të rinjtë dhe adoleshentët e oratorit, ku kremtoi edhe Meshën, vizitoi dy familje dhe në fund e mbylli me një takim me vajzat e Shtëpisë Rozalba, ku u ndal edhe për darkë.
Me 15 dhjetor, Imzot Delpini shkoj nëpër fshatra dhe vizitoi punishtet e atyshme, si dhe disa të sëmurë dhe të moshuar. Pasdite ai u prit në Blinisht nga djemtë e oratorit, ku më pas, në kishën e madhe kushtuar Martirëve shqiptarë, kremtoi Meshën, ku morën pjesë edhe besimtarët nga fshatrat e tjera (Baqel, Kodhel, Krahen dhe Piraj); në mbarim ai vizitoi një familje ndërsa darkën e kaloi në shoqërinë e motrave dhe asistentëve baritorë.
Në jugun mysliman
«Të enjten do të shkojmë në Tiranë dhe do të vizitojmë Nunciaturën – vijon don Maurizio Zago – më pas do të shkojmë në jug, por gjatë rrugës për në Vlorë, para se të arrijmë te Imzot Peragine, do të ndalemi në disa bashkësi të vikariatit. Nga pikëpamja kishtare, struktura e Dioqezës është më e thjeshtë dhe më e “lehtë”, sepse prania e Kishës katolike është shumë e vogël në krahasim me veriun e Shqipërisë».
Në Vlorë popullsia është pothuajse e gjitha myslimane, edhe pse jo shumë praktikante; një xhami e vogël nuk është frekuentuar kurrë dhe një tjetër, e sapondërtuar, tashmë është mbyllur. Pikërisht në këtë kontekst, don Enzo Zago, fidei donum prej 14 vitesh, mbërriti në mes të nëntorit dhe tani nis një tjetër aventurë. Ditët e fundit ka marrë detyrën e koordinimit të të gjitha rrugëtimeve të katekumenatit për të rinjtë dhe të rriturit që e kërkojnë. Ai i takoi ata, por nuk do të jetë vetëm, sepse do të ketë në krah disa laikë tashmë të pagëzuar.
Ndërsa të premten përpara së të nisej për fluturim bëri një takim me priftërinj, rregulltarë dhe laikë të vikariatit në qytetin e Lushnjës».
Priftërinjtë ambrozianë të pranishëm që nga viti 2007
Deri tani janë katër priftërinj ambrozianë që e kanë jetuar përvojën e misionit në Shqipëri. I pari që mbërriti, në vitin 2007, ishte don Enzo Zago, i cili iu bashkua don Antonio Sciarra-s, nga Abruzzo, i cili mbërriti në vitin 1992 e që një vit pas mbërritjes së tij, në Sapë, i dha jetë Misionit Daniel Dajani, titulluar martirit jezuit të pushkatuar në vitin 1946. Don Antonio, i cili tashmë e kishte treguar guximin e tij gjatë regjimit komunist, ka qenë i vetmi prift misionar që nuk e braktisi popullin shqiptar gjatë luftës civile të vitit 1997.
Don Antonio Giovannini, një tjetër fidei donum ambrozian, ka zhvilluar angazhimin e tij baritor nga viti 2000 deri në vitin 2009 në Shkodër; më vonë ai vazhdoi të punojë në Sapë, deri në vitin 2012, duke u zhvendosur shpesh në fshatrat malore. Në vitin 2009 edhe don Maurizio Cacciola u vendos në Dioqezën e Sapës, në Dushaj, duke përfunduar mandatin e tij në vitin 2018. Ndërkohë, don Enzo Zago vazhdoi të ishte famullitar në Blinisht dhe Gjadër deri në vitin 2020. Më pas ai priti ardhjen e pasuesit të tij, don Alberto Galimberti, duke iu bërë krah deri në prill 2021.
Përkthyer dhe Përshtatur nga Chiesa di Milano