17.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësMisionaret e Bamirësisë: Karizma e Nënë Terezës për afganët
HomeJeta e KishësMisionaret e Bamirësisë: Karizma e Nënë Terezës për afganët

Misionaret e Bamirësisë: Karizma e Nënë Terezës për afganët

Mond MARKU

Përvjetori i pestë i kanonizimit të Nënë Terezës ndërthuret me ngjarjen e motrave që u larguan nga Kabuli një javë më parë. Mirëseardhja në një nga bashkësitë e Romës, shërbimi ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara që mbërritën në Itali bashkë me ta, dallimi më pas vendimi, në dëshminë e një motre: të dëgjojmë gjithmonë Shpirtin Shenjt.

Dëgjimi i nevojave të momentit, lutje pa reshtur drejtuar Shpirtit Shenjt, pastaj vendimi duke iu bashkuar vullnetit të Hyjit. Është trashëgimia shpirtërore e Nënë Terezës së Kalkutës, e kanonizuar më 4 shtator të vitit 2016, një jetë e ofruar për shërbimin ndaj më të varfërve ndër të varfrit. Shtëpi rregulltare të hapura në të gjitha kontinentet. Një stil soditës në rrugët e botës. Një grua e cila, siç thoshte pesë vjet më parë Eprorja e Përgjithshme m. Prema, kurrë nuk ka bërë një hap prapa në mbrojtjen e dinjitetit të personave. Përvjetori i pestë i njohjes së shenjtërisë së Motrës shqiptare gërshetohet me historinë e Misionareve të Bamirësisë të cilave – pas pesëmbëdhjetë vjetësh – iu desh të largoheshin nga Afganistani. Ndonjëherë Shpirti këshillon të qëndrohet, herë të tjera të lëvizet. Atyre u takoi të lëvizin, të lëvizin nga Kabuli. Sidoqoftë, jo pa 14 fëmijët me aftësi të kufizuara që kanë arritur të sjellin me vete në Itali dhe bashkë me të cilët janë mirëpritur në një nga shtëpitë e Bashkësisë, në periferi të Romës.

Shërbimi i refugjatëve nga Kabuli

“Jezusi është ai që vuan dhe që dëshiron të duhet, ai që kërkon dashuri dhe që dhuron dashuri”: me maturinë që i ka dalluar gjithmonë veprimet e tyre, motrat na tregojnë për hapjen e tyre ndaj një përvoje – asaj të mirëpritjes së fëmijëve afganë – e jetuar për ta si një “revolucion i vërtetë” i cili po dikton një riorganizim logjistik, një ripërcaktim të detyrave, një dorë më shumë energjish. Por forcat vijnë nga Zoti. Gjithashtu edhe nga vetë fëmijët. “Këta fëmijë po na japin edhe ne: butësi, marrëdhënie, në një mënyrë të ndryshme nga sa mendojmë për ta. Ata na kërkojnë të krijojmë marrëdhënie me ta dhe na përcjellin zotësinë për të dashur; po na e zgjerojnë zemrën për të qenë në gjendje që të duam më shumë. Gjithashtu edhe ata tregojnë dashuri”. Me një forcë çarmatosëse që vazhdimisht e lë veten të sfidohet nga realiteti konkret që thërret, motra e cila na flet [ne respektojmë dëshirën e saj për anonimat] na bën të shikojmë vogëlsinë, ashtu siç bënte Nëna.

“Ata janë qenie të afta për të dashur kaq shumë dhe na befasojnë edhe me një buzëqeshje të thjeshtë, megjithëse nuk na njohin mirë, sepse njohin vetëm ata pak motra të cilat erdhën bashkë me ta”, thotë ajo. Janë gjestet e kujdesit të përditshëm që përcjellin valë të papritura gëzimi dhe ngushëllimi reciprok: pasi e ndërron një fëmijë, ai ta jep një buzëqeshje. Ose një vajzë e verbër që i thërret ata: ‘Motër, motër!’. Ky kërkim për kontakt, për komunikim të mundshëm, pavarësisht gjithçkaje, bën të kuptohet se mysafirët e vënë re praninë e tyre. E gjitha kjo është një mësim reciprok, pa pretendime, pa etiketa. Ne po mësojmë gjithashtu nga motrat tona që mbërritën thuajse një javë më parë. Ata i kuptojnë këta fëmijë shumë më mirë se ne, sepse kanë jetuar për një kohë të gjatë me ta. E kuptojnë kur janë të zemëruar, kur janë të uritur, kur janë të lumtur, kur nuk janë mirë”.

Te këmbët e kaq shumë kalvareve, vetëm duke dashur

Misionaret që mbërritën nga Kabuli, me gjithë sprovat që iu desh të duronin, vazhdojnë të shërbejnë, nuk u ndalën. Motrat i gëzon shumë fakti që kanë qenë në gjendje t’i sjellin këta fëmijë me vete. “Kjo është karizma jonë: të përjetojmë etjen e Jezusit në çdo vend, me këdo që gjendemi”. Besimi te Hyji dhe te Zoja: ishte shkëmbi pas të cilit ata u kapën veçanërisht në ditët e fundit të qëndrimit të tyre në Afganistan. “Shumë besim në Hyjin. Ai është mbështetja e vetme, fuqia e vetme. Një braktisje e madhe në duart e Tij duke u lutur shumë që ta braktisim veten tek Ai. Prania e Zojës ka qenë shumë e fortë. Të jetosh në mes të vuajtjeve, të jetosh kryqin, së bashku, duke i shoqëruar, e duke vuajtur edhe ne me ta: kjo është pjesë e karizmës sonë. Te këmbët e kaq shumë kalvareve”. Me çfarë përfitimi? “Fryti i vuajtjes është dashuria. Vuajtja bashkëmbart gjithmonë dy pasoja: ose të bën të ngurtë, ose të shkrin. Varet se si e përqafon dhe me kë. Jezusi ka vuajtur aq shumë për të na mësuar se çfarë të bëjmë me vuajtjen. Të qëndrosh me dikë që vuan është të bashkëndash, të hysh aty, dhe fryti është dashuria. Është dashuria, e kaq. Sepse kur dikush vuan, dhe nuk mund të bësh asgjë, mbetet vetëm të duash, të jesh me të dhe të duash personin aty ku gjendet, ashtu siç është, në atë moment”.

Çdo mision kërkon dallimin e duhur

Le të kujtojmë së bashku vrasjen e katër motrave në Jemen, në marsin e vitit 2016. “Martire të indiferencës”, kështu e komentoi Papa masakrën. Çfarë do të thotë, tani, të largohesh nga Afganistani? Motra shpjegon se çdo mision nënkupton një dallim më vete. Këtu ndërhyn Shpirti. “Ne nuk mund të caktojmë një rregull për të gjitha situatat. Megjithëse dëshira për të qëndruar me njerëzit është e fortë, prapëseprapë duhet të dëgjohet Shpirti Shenjt. Atë që ai kërkon nga ne në atë moment. Në Jemen u kërkua jeta – na thotë motra – këtu u kërkua që të lëviznim. Shpirti mund të na thotë gjëra të ndryshme në varësi të situatës, nuk mund të marrim një vendim për të gjitha rastet. Thirrja jonë është të qëndrojmë me të varfrit, pastaj është Shpirti që na e tregon mënyrën”. Këmbëngulim në vlerën e dallimit, i cili është shumë i rëndësishëm në jetën e çdo personi, në çdo moment”. Mund të kujtojmë sërish Nënën themeluese e cila “nuk kishte shumë plane, planet i bëri Hyji me të”. “Ajo i përgjigjej nevojës së momentit dhe shpesh thoshte: ‘kjo është puna e Zotit, unë vetëm iu binda’”. Tereza, një grua e lutjes që dëgjonte Hyjin në zemrën e saj dhe, “edhe kur nuk e ndjente atë, në realitet ajo ishte aq e bashkuar me Të, në errësirën e saj, saqë e kuptonte atë që ai donte në atë moment”.

E kuptojmë Papën kur ai flet për të varfrit

Na vjen në ndihmë fjala “durim” e cila përmban në vetvete “mundimin” dhe “pritjen”. Ajo ndalet pikërisht mbi aftësinë për të pritur: “Ndonjëherë ne nuk i marrim përgjigjet, nuk i kemi mjetet për të ndihmuar, mirëpo shumë herë duhet edhe të presim. Sepse Hyji ka kohë të ndryshme nga tonat dhe sheh ndryshe nga ne. Prandaj duhet të presim dhe të kemi besim. Ne jemi të kufizuar dhe duhet të presim që të ndërhyjë Ai. Porse, në të njëjtën kohë, ne nuk duhet të tërhiqemi prapa kur ai na kërkon të bëjmë diçka”. Është një shkollë jete, ajo që ka skalitur Nënë Tereza, e cila shkon përtej përkatësive, gjendjeve të jetës. Ne pajtohemi se nuk është aspak e lehtë të presësh. “Kjo kërkon gjithashtu shumë vuajtje – përgjigjet motra – sepse duhet të qëndrosh aty ku je”. Kthehemi tek ajo që Papa Françesku e përsërit gjithmonë: mbi nevojën për të qenë pranë të varfërve. Një nga tiparet dalluese të Magjisterit të tij: “Ne jemi për të varfrit, kështu që ne e kuptojmë atë. E dëgjojmë atë sepse na ndihmon edhe neve për të dalë nga vetja; është një ftesë e vazhdueshme për t’u kujdesur për ata që nuk kanë asgjë dhe askënd”. Ndërkaq, koha për të folur mbaroi, duhet të vazhdohet me shërbimin. “Nuk kemi programe, ne po shohim se cila është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. I jetojmë ditët një e nga një. As që kemi kohë për të pritur diçka”.

Marrë nga Vatican.Va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme