17.5 C
Tirana
HomeKryesorMesha e Salikimit Për Papën Emerito Benedikti XVI
HomeKryesorMesha e Salikimit Për Papën Emerito Benedikti XVI

Mesha e Salikimit Për Papën Emerito Benedikti XVI

Homelia e Atit Shenjt Françeskut

Sheshi shën Pjetri

E enjte, 5 janar 2023

«O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim» (Lk 23,46). Këto janë fjalët e fundit që Zoti tha në kryq; psherëtima e tij e fundit – mund të themi – që ia arrin të pohojë atë që karakterizoi gjithë jetën e tij: një dorëzim i vazhdueshëm në duart e Atit të tij. Duar të faljes dhe dhembshurisë, të shërimit dhe e mëshirës, ​​duar të vajosjes dhe bekimit, që e shtynë atë të dorëzohej edhe në duart e vëllezërve të tij. Zoti, i hapur ndaj historive që ndeshte gjatë rrugës, lejoi të gdhendej nga vullneti i Hyjit, duke marrë mbi shpatulla të gjitha pasojat dhe vështirësitë e Ungjillit deri në atë pikë sa të shihte duart e tij të plagosura nga dashuria: «Shihi duart e mia», ai i tha Tomës (Gjn 20,27), dhe ia thotë secilit prej nesh: «Shihi duart e mia». Duart e plagosura që zgjaten drejt tjetrit dhe nuk reshtin së ofruari, në mënyrë që ta njohim dashurinë që Hyji ka për ne dhe të besojmë në të (krh. 1 Gjn 4,16).

«O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim» është ftesa dhe programi i jetës që frymëzon dhe dëshiron ta modelojë zemrën e bariut si një vorbëtar (krh. Is 29,16), deri që të rrahin në të ndjenjat e vetë Krishtit Jezus (krh. Fil 2,5). Përkushtim mirënjohës i shërbimit ndaj Zotit dhe popullit të tij që lind nga pranimi i një dhurate krejtësisht falas: “Ti më përket mua… ti u përket atyre”, pëshpërit Zoti; “ti je nën mbrojtjen e duarve të mia, nën mbrojtjen e zemrës sime. Rri në duart e mia dhe më jep të tuat”. Është dënjimi i Hyjit dhe afërsia e tij, e aftë për ta vënë veten në duart e brishta të dishepujve të tij për të ushqyer popullin e tij dhe për të thënë me Të: merrni dhe hani, merrni dhe pini, ky është korpi im, një trup që ofrohet për ju (krh. Lk 22,19). synkatabasis totale e Zotit.

Përkushtim lutjeje i cili merr formë dhe përsoset në heshtje midis udhëkryqeve dhe kontradiktave me të cilat duhet të përballet bariu (krh. 1 Pjt 1,6-7) dhe ftesë besimplote për të kullotur grigjën (krh. Gjn 21,17). Ashtu si Mësuesi, mban mbi supe lodhjen e ndërmjetësimit dhe konsumimin e vajosjes për popullin e tij, veçanërisht aty ku mirësia duhet të luftojë dhe ku vëllezërit dhe motrat shohin të kërcënohet dinjiteti i tyre (krh. Heb 5,7-9). Në këtë takim ndërmjetësimi, Zoti shkon duke përftuar atë butësi që është e aftë për të kuptuar, për të pranuar, për të shpresuar dhe guxuar përtej keqkuptimeve që mund të ngjallë kjo. Frytshmëria e padukshme dhe e pakapshme, që lind duke ditur se në duart e kujt është vënë besimi (krh. 2 Tim 1,12). Mirëbesimi lutës dhe adhurues, i aftë për të interpretuar veprimet e bariut dhe për të përshtatur zemrën dhe vendimet e tij me kohët e Hyjit (krh. Gjn 21,18): «Të kullosësh do të thotë të duash dhe të duash do të thotë gjithashtu të jesh i gatshëm për të vuajtur. Të duash do të thotë: t’u japësh deleve të mirën e vërtetë, ushqimin e së vërtetës së Hyjit, të fjalës së Hyjit, ushqimin e pranisë së tij».

Është edhe përkushtim i mbështetur nga ngushëllimi i Shpirtit, i cili gjithmonë i paraprin atij në mision: në kërkimin e zellshëm për të komunikuar bukurinë dhe gëzimin e Ungjillit (krh. Nxitja Apostolike Gaudete et exsultate 57), në dëshminë e frytshme të atyre që, si Maria, qëndrojnë, në shumë mënyra, te këmbët e kryqit, në atë paqe të dhimbshme por të fuqishme që as nuk sulmon dhe as nuk skllavëron; dhe me shpresën ngulmuese por të durueshme se Zoti do ta përmbushë premtimin e tij, sikurse ua premtoi etërve tanë dhe pasardhësve të tij përgjithmonë (krh. Lk 1,54-55).

Edhe ne, të lidhur fort me fjalët e fundit të Zotit dhe me dëshminë që shënjoi jetën e tij, duam, si bashkësi kishtare, të ndjekim gjurmët e tij dhe t’ia besojmë vëllain tonë duarve të Atit: këto duar të mëshirshme e gjetshin llambën e tij të ndezur me vajin e Ungjillit, që ai e përhapi dhe dëshmoi gjatë jetës së tij (krh. Mt 25,6-7).

Shën Gregori i Madh, në fund të Rregullit baritor, ftonte dhe nxiste një mik që t’ia ofronte këtë shoqëri shpirtërore: «Në mes të stuhive të jetës sime, më ngushëllon besimi se do të më mbash të ngritur në tryezën e lutjeve tuaja dhe se, nëse pesha e fajeve të mia më rrëzon dhe më poshtëron, ti do të më japësh ndihmën e meritave tuaja për të më ngritur». Është vetëdija e Bariut se nuk mund ta mbajë i vetëm atë që, në të vërtetë, nuk mund ta bartë kurrë i vetëm dhe, për rrjedhojë, di t’i braktiset lutjes dhe kujdesin të popullit që i është besuar atij. Është Populli besnik i Hyjit që, i mbledhur së bashku, e shoqëron dhe ia porosit Atij jetën e bariut të vet. Ashtu si gratë e Ungjillit te varri, ne jemi këtu me aromën e mirënjohjes dhe vajin e shpresës për t’i treguar atij, edhe një herë, dashurinë që nuk humbet; duam ta bëjmë me të njëjtën vajosje, urti, delikatesë dhe përkushtim që ai diti të dhurojë bujarisht ndër vite. Duam të themi së bashku: “O Atë, në duart e tua po e dorëzojmë shpirtin e tij”.

Benedikt, mik besnik i Dhëndrit, gëzimi yt qoftë i përsosur ndërsa dëgjon zërin e tij përfundimisht dhe përgjithmonë!

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme