10.5 C
Tirana
HomeDioqeza SapëMesazhi për Pashkët/ Imzot Kulli: Vishuni me dritën e Krishtit të Ngjallur...
HomeDioqeza SapëMesazhi për Pashkët/ Imzot Kulli: Vishuni me dritën e Krishtit të Ngjallur...

Mesazhi për Pashkët/ Imzot Kulli: Vishuni me dritën e Krishtit të Ngjallur që është drita e gëzimit të vërtetë

Mesazhi i Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli:

Vëllezër dhe motra, Krishti është ngjallur!

Me këto Pashkë të Shenjta shpallim dashurinë e cila na shëlboj. E mundi mëkatin dhe terrin dhe të keqen. Në dritën e Krishtit të Ngjallur ne shohim dritën tonë. Prandaj ftoj të gjithë besimtarët e dioqezës së Sapës, kudo që ndodhen, që të vishen me dritën e Krishtit të ngjallur që është drita e gëzimit dhe e shpresës, dhe të ndriçojmë para të tjerëve.

Këto Pashkë të shenjta janë një ngjarje që na ndihmojnë që të ndihet përsëri freskia dhe aroma e lajmit të gëzuar se Krishti është Zot, është themel dhe qendër e historisë. Pashkët janë me të drejtë festa e të gjitha festave ku gjithçka merr kuptim të ri në Dritën Shëlbimprurëse të Krishtit të Ringjallur.

Edhe sot më shumë se kurrë, sidomos me situatën e luftës në Ukrainë, këtë dritë duhet ta shpërndajmë tek të gjithë që të mos jetojmë në terr, sepse pasoja e territ është lufta dhe e keqja në jetën e njerëzimit. Ne jemi bartësit e dritës së tij.

Të jetosh me forcën e Krishtit të Ngjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes.

Historia e Biblës është historia jonë. Nëse nëpërmjet Adamit në botë hyri mëkati dhe vdekja, për shkak të bindjes së Krishtit, mundimeve, vdekjes dhe ngjalljes së tij na vjen shëlbimi. Ndërsa kremtojmë gëzimin e fitores mbi të keqen dhe vdekjen, nuk mund të harrojmë se misteri i vuajtjes dhe i dhimbjes vazhdon të ndrydhë shumë njerëz në vendin tonë, sepse është i madh dhe i rëndë misteri i mëkatit dhe i egoizmit që e errëson dritën e dashurisë.

Shumë të dashur vëllezër dhe motra, tregojuni njerëzve të kohës sonë me fjalë e me vepra dhe me një jetë të shenjtë, se Krishti, shpresa jonë, është ngjallur, se ai i prin historisë dhe pret çdo njeri. Krishti e ka rrokullisur gurin dhe ka hapur një udhë të re. Asnjë udhë tjetër, përveç kësaj të Krishtit, asnjë pushtet, asnjë pasuri, asnjë lavdi tokësore, asnjë sukses njerëzor nuk mund ta shmangin përplasjen me gurin e rëndë të dëshpërimit. Ka vetëm një rrugë për t’i shpëtuar vdekjes: kjo rrugë e vetme është Krishti. Shoqëria dhe bota e sotme ka nevojë për tharmin e Krishtit.

Krishti i ngjallur ju mbushtë me hire dhe bekime që të jeni tharmi i një shoqërie më të mirë dhe më të lumtur.

Për shumë vjet Pashkët! Bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemrat dhe familjet tuaja.

Zoti ju Bekoftë

+ Imzot Simon Kulli

Ipeshkëv i Sapës

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme