5.5 C
Tirana
HomeKryesorMesazhi i Papa Françeskut për Ditën e të Varfërve: Skamnorët do t’i...
HomeKryesorMesazhi i Papa Françeskut për Ditën e të Varfërve: Skamnorët do t’i...

Mesazhi i Papa Françeskut për Ditën e të Varfërve: Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKU

DITA E PESTË BOTËRORE E TË VARFËRVE

1.“Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete” (Mk 14,7). Jezusi i shpalli këto fjalë në kontekstin e një dreke në Betani, në shtëpinë e njëfarë Simoni, i njohur si “i gërbuluri”, pak ditë përpara Pashkëve. Siç tregon ungjilltari, hyri një grua me një enë alabastri plot me parfum shumë të shtrenjtë dhe ia zbrazi Jezuzit mbi krye. Ai gjest shkaktoi shumë habi dhe nxiti dy interpretime të ndryshme.

I pari ishte hidhërimi nga ana e disa prej të pranishmëve, përfshi dishepujt, të cilët duke pasur parasysh vlerën e parfumit – rreth 300 denarë, sa rroga vjetore e një punëtori, menduan që do ishte më mirë të ishte shitur dhe shumën t’ia kishin dhënë skamnorëve. Sipas Ungjillit të Gjonit, Juda merr këtë qëndrim: “Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk u nda skamnorëve?” Shën Gjoni vazhdon duke thënë se Juda “foli kështu, jo pse ishte fort në kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e mbasi ai e mbante qesen, vidhte çka qitej brenda.” (Gjn12,5-6). Nuk ishte rastësi që kjo kritikë e ashpër dilte nga goja e tradhtarit:  kjo dëshmon që ata të cilët nuk respektojnë skamnorët tradhtojnë mësimin e Krishtit dhe nuk mund të jenë dishepujt e tij. Këtu sjellim në kujtesë fjalët e forta të Origjenit: “Juda dukej sikur shqetësohej për skamnorët […]. Nëse sot është ende ndonjë që mban kuletën e Kishës dhe flet në favor të skamnorëve, por nga ana tjetër merr atë që hidhet në kuletë, atëherë pastë pjesën e vet bashkë me Judën” (Koment i ungjillit të Mateut, 11,9).

Interpretimin e dytë e ka dhënë Jezusi dhe na bën të vlerësojmë kuptimin e thellë të gjestit të gruas. Ai thotë, “Lëreni! Pse po e trazoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje” (Mk 14,6). Jezusi e di që po i afrohet vdekja dhe në gjestin e saj shikon një paraprirje të lyerjes së trupit të tij të pajetë përpara se ta varrosnin. Kjo ishte përtej çdo gjëje që të pranishmit e tjerë mund të imagjinonin. Jezusi po u kujtonte atyre se ai është i pari i skamnorëve, më skamnori i skamnorëve, sepse ai i përfaqëson ata të gjithë. Dhe Biri i Zotit pranoi gjestin e gruas edhe në emër të skamnorëve, të vetmuarve, të padobishëmve dhe të diskriminuarve. Ajo, me ndjeshmërinë e një femre, tregon që është e vetmja që kupton gjendjen shpirtërore të Zotit. Ajo grua anonime, ndoshta për këtë e destinuar të përfaqësojë të gjitha ato gra që gjatë shekujve do të heshtin dhe do të vuajnë nga dhuna, dhe u bë kështu gruaja e parë ndër ato që patën fatin e pranisë së rëndësishme në momentin kulmor të jetës së Krishtit: kryqëzimi i tij, vdekja, varrosja dhe Ringjallja. Gratë, aq shpesh të diskriminuara dhe të përjashtuara nga pozitat me përgjegjësi, në faqet e Ungjijve janë protagoniste në historinë e zbulimit. Më pas Jezusi, me një shprehje elokuente e lidhë atë grua me misionin e madh të ungjillizimit: “Përnjëmend po ju them: kudo që, në botën mbarë, do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo, në përkujtimin e saj.” (Mk 14,9).

2. Kjo “empati” e fortë midis Jezusit dhe gruas dhe interpretimi i tij për lyerjen e saj përkundrejt pikëpamjes së skandalizuar të Judës dhe të tjerëve mund të na çojë drejt një mendimi të frytshëm për lidhjen e pandashme midis Jezusit, skamnorëve dhe shpalljes së Ungjillit.

Fytyra e Zotit që shfaqet tek Jezusi është ajo e një Ati të shqetësuar për skamnorët dhe që është pranë tyre. E gjithë vepra e Jezusit konfirmon që varfëria nuk është rezultat i fatit, por një shenjë konkrete e pranisë së tij mes nesh. Nuk e gjejmë kur dhe ku duam ne, por e shohim në jetën e skamnorëve, në vuajtjet dhe nevojat e tyre, në kushtet shpesh çnjerëzore ku detyrohen të jetojnë. Asnjëherë nuk lodhem së përsërituri që skamnorët janë ungjillizuesit e vërtetë, pasi ishin të parët që janë ungjillizuar dhe janë thirrur për të bashkëndarë lumturitë e Zotit dhe Mbretërinë e tij (krh. Mt 5,3).

Skamnorët na ungjillizojnë gjithmonë dhe kudo, sepse na mundësojnë të zbulojmë në mënyra të reja fytyrën e vërtetë të Atit. “Ata kanë shumë për të na mësuar. Përveç se marrin pjesë në sensus fidei, ata përmes vuajtjeve të tyre njohin Krishtin e vuajtur. Është e nevojshme ta lemë veten që të ungjillizohemi prej tyre. Ungjillizimi i ri është një ftesë për të njohur forcën shpëtuese të ekzistencës së tyre dhe t’i vendosim në qendër të rrugëtimit të Kishës. Ne jemi thirrur për të zbuluar Krishtin tek ato, për t’iu huazuar zërin tonë në çështjet e tyre, por dhe për të qenë miqtë e tyre, për t’i dëgjuar, për t’i kuptuar dhe për të mirëpritur mençurinë misterioze që Zoti do të na komunikojë përmes tyre. Angazhimi ynë nuk qëndron vetëm tek aktivitetet apo programet e promovimit dhe ndihmës; ajo që vë në lëvizje Shpirti i Shenjtë nuk është një aktivizim i padisplinuar, por mbi të gjitha një vëmendje për ta konsideruar tjetrin një me veten tonë. Kjo vëmendje dashurie është fillimi i një shqetësimi të vërtetë për personin e tyre dhe nisur nga kjo dua të kërkoj vërtetë të mirën e tyre” (Gëzimi i Ungjillit, 198-199).

3. Jezusi jo vetëm qëndron në krah të skamnorëve, por dhe ndan të njëjtin fat me ta. Ky është një mësim i fuqishëm edhe për dishepujt e tij të të gjithë kohërave. Kuptimi i Fjalëve të tij “Skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete” është edhe ky: prania e tyre mes nesh është e përhershme, por nuk duhet të shkojë deri aty sa të na bëjë indiferentë, por të na përfshijë në një bashkëndarje të jetës që nuk pranon zëvendësime. Skamnorët nuk janë persona “jashtë” komunitetit, por janë vëllezër e motra me të cilët duhet të ndajmë vuajtjet, për të lehtësuar vështirësitë dhe margjinalizimin e tyre, për t’i kthyer dinjitetin e humbur dhe për të garantuar përfshirjen e tyre të nevojshme sociale. Nga ana tjetër, siç e dimë, veprat e bamirësisë presupozojnë dhuruesin dhe marrësin, ndërsa nga bashkëndarja lind vëllazëria. Lëmosha është rastësore; ndërsa bashkëndarja është e qëndrueshme. E para rrezikon të kënaqë atë që e jep lëmoshën dhe të poshtërojë atë që e merr; e dyta forcon solidaritetin dhe hedh themelet e nevojshme për të pasur drejtësi. Me pak fjalë, besimtarët, kur duan të shohin Jezusin dhe ta prekin me duart e tyre, e dinë ku të drejtohen: skamnorët janë sakramenti i Krishtit; ata përfaqësojnë personin e Tij dhe drejtohen tek ai.

Janë të shumtë shembujt e shenjtërve të cilët bashkëndarjen me të varfërit e kanë bërë projektin e jetës së tyre. Mendoj, ndër të tjerë, për At Damiano de Veuster, apostullin e shenjtë të të gërbulurve. Ai, me shumë bujari, iu përgjigj thirrjes për të shkuar në ishullin Molokai, i cili ishte bërë një geto ku kishin qasje vetëm të gërbulurit, për të jetuar dhe vdekur me ta. Përveshi mëngët dhe bëri çdo gjë që mundi për të përmirësuar jetën e atyre që ishin të varfër, të sëmurë dhe të dëbuar. Ai u bë mjek dhe infermier, i shkujdesur ndaj rreziqeve që i kanoseshin, dhe i dha dritën e dashurisë asaj “kolonie të vdekjes”, siç u quajt më pas ishulli. Ai vetë u sëmur nga gërbula, që u bë shenjë e një bashkëndarje totale të fatit të vëllezërve dhe motrave për të cilët kishte dhënë jetën. Dëshmia e tij është shumë aktuale në ditët e sotme, të shënjuara nga pandemia e koronavirusit. Hiri i Zotit sigurisht vepron në zemrat e të gjithë atyre që, pa u shfaqur, konsumojnë veten për më të varfrit, duke bashkëndarë konkretisht gjithçka me to.

4. Ndaj, kemi nevojë të ndjekim me gjithë zemër ftesën e Zotit: “Kthehuni e besoni Ungjillit!”  (Mk 1,15). Ky shndërrim së pari qëndron në hapjen e zemrës tonë për të njohur format e shumta e të ndryshme të skamjes dhe në shfaqjen e Mbretërisë së Zotit përmes një stili jetese në përputhje me besimin që ushtrojmë. Shpesh, të varfrit shikohen si persona të veçantë, si një “kategori” që ka nevojë për shërbime specifike bamirësie.  Sidoqoftë, ndjekja e Jezusit sjell ndryshim mentaliteti, që përfshin sfidën e bashkëndarjes dhe të përfshirjes. Të bëhesh dishepull i tij do të thotë të vendosësh për të mos grumbulluar pasuri në tokë, që japin iluzionin e një sigurie që realisht është e brishtë dhe e shkurtër. Kjo kërkon vullnet për t’u çliruar nga çdo gjë që na pengon të arrijmë lumturinë dhe harenë e vërtetë, për të njohur atë që zgjat dhe që nuk mund të shkatërrohet nga asgjë dhe askush. (krh. Mt 6,19-20).

Edhe në këtë rast mësimi i Jezusit shkon kundër rrymës, sepse premton atë çfarë vetëm sytë e besimit mund të shohin dhe përjetojnë me siguri të plotë: “Kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur” (Mt 19,29). Nëse nuk vendosim të bëhemi të varfër duke hequr dorë nga pasuritë, pushteti material dhe kotësia, kurrë nuk do mundemi të japim jetën për dashuri; do të jetojmë një jetë të copëtuar, të mbushur me qëllime të mira, por të paaftë për të ndryshuar botën. Ndaj, kemi nevojë të hapemi ndaj hirit të Krishtit, gjë që mund të na bëjë dëshmitarë të bamirësisë së tij të pa kufi dhe t’i kthejë besimin pranisë tonë në botë.

5. Ungjilli i Krishtit na fton t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë skamnorëve dhe të njohim format e ndryshme e të shumta të çrregullimit moral e social që gjithnjë prodhojnë forma të reja të skamjes. Duket se po shtohet mendimi që skamnorët jo vetëm që janë përgjegjës për gjendjen e tyre, por dhe që përbëjnë një barrë të patolerueshme për një sistem ekonomik të përqendruar tek interesat e disa grupeve të privilegjuara. Një treg që injoron apo zgjedh mes parimeve etike, krijon kushte çnjerëzore për ata që tashmë ndodhen në situata të pasigurta. Po shohim krijimin e kurtheve të reja të varfërisë dhe përjashtimit, të krijuara nga aktorë ekonomikë e financiarë të paskrupullt, të cilëve u mungon ndjenja e humanizmit dhe përgjegjësisë sociale.

Sidoqoftë, vitin e kaluar përjetuam një fatkeqësi tjetër që shumëfishoi numrin e skamnorëve: pandeminë. Ajo vazhdon të trokasë në dyert e miliona njerëzve, dhe, edhe kur nuk sjell vuajtje e vdekje, mbart me vete skamje. Të varfërit janë shtuar në mënyrë të përpjesëtuar dhe fatkeqësisht do të vazhdojnë të shtohen në muajt e ardhshëm. Disa vende po vuajnë pasojat shumë të rënda të pandemisë, ndaj pjesa më e brishtë e popullsisë së tyre vuajnë mungesën e gjërave të domosdoshme. Radhët e gjata përpara mensave për të varfërit janë një shenjë e prekshme e këtij përkeqësimi. Ekziston nevoja e qartë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për të luftuar virusin në nivel global, duke mos promovuar interesat e palëve. Është veçanërisht urgjente ti jepen përgjigje konkrete atyre që janë goditur nga papunësia, që prek në mënyrë dramatike burrat kryefamiljarë, gratë dhe të rinjtë. Solidariteti social dhe bujaria, që falë Zotit shumë njerëz kanë treguar, po japin, bashkë me projekte larg-pamëse të promovimit njerëzor, një kontribut shumë të rëndësishëm në këto rrethana. 

6. Megjithatë, mbetet një pyetje që nuk është aspak e qartë. Si mund t’i japim një përgjigje të prekshme atyre miliona varfërve, të cilët shpesh përballen vetëm me indiferencë, për të mos thënë me fyerje? Cila rrugë e drejtësisë duhet ndjekur për të kapërcyer pabarazitë sociale dhe për të rikthyer dinjitetin njerëzor, kaq shpesh të nëpërkëmbur? Mënyrat individualiste të jetesës janë bashkëfajtore në shkaktimin e skamjes, dhe shpesh ia shkarkojnë skamnorëve përgjegjësinë për gjendjen e tyre. Por skamja nuk është rezultat i fatit, është pasojë e egoizmit. Prandaj është vendimtare ti japim jetë proceseve zhvillimore, ku të vlerësohen aftësitë e të gjithëve, në mënyrë që plotësimi i aftësive dhe diversiteti i roleve të çojnë drejt një burimi të përbashkët pjesëmarrjeje të përbashkët. Mes “të pasurve” ekzistojnë shumë forma të skamjes që mund të zbuten nga kamja e “skamnorëve”, nëse ata mund të takohen dhe të njohin njëri tjetrin! Askush nuk është aq i varfër sa të mos mund të japë diçka nga vetja në shkëmbim të ndërsjellë. Skamnorë nuk mund të jenë vetëm ata që marrin; ata duhen vendosur në pozitë për të dhënë, sepse e dinë mirë si të përgjigjen me bujari. Sa shembuj bashkëndarjeje kemi para syve tanë! Shpesh skamnorët na mësojnë për solidaritetin dhe bashkëndarjen. Është e vërtetë se ka njerëz të cilëve u mungojnë disa gjëra, përfshi dhe thjesht ato të domosdoshmet, e megjithatë atyre nuk u mungon çdo gjë, sepse ata ruajnë dinjitetin e bijve të Hyjit, që asgjë e askush nuk mund t’ua heqë.

7. Për këtë arsye kërkohet një qasje ndryshe ndaj skamjes. Kjo është një sfidë që duhet ta nisin Qeveritë dhe institucionet botërore me një model social largpamës, i aftë për të luftuar format e reja të skamjes që po pushtojnë botën dhe që sigurisht do të prekin dhe dekadat e ardhshme. Nëse skamnorët izolohen, sikur ato ta kishin fajin për gjendjen e tyre, atëhere vetë koncepti i demokracisë do të rrezikohej dhe të gjitha politikat sociale do të falimentonin. Me shumë përulësi duhet ta pranojmë që shpesh jemi të paaftë, kur bëhet fjalë për skamnorët. Flasim për ta në abstraksion; ndalemi në statistika dhe mendojmë se mund të prekim zemrat e njerëzve duke xhiruar një dokumentar. Përkundrazi, skamja duhet të na motivojë për planifikim krijues, që synon të shtojë lirinë që duhet për të jetuar një jetë përmbushjeje, sipas aftësive të secilit. Është një iluzion, të cilin duhet ta refuzojmë, të mendosh që liria vjen dhe rritet nga posedimi i parasë. Ti shërbesh skamnorëve me efektivitet na vë në lëvizje dhe bën të mundur gjetjen e mënyrave më të përshtatshme për zhvillimin dhe promovimin e kësaj pjese të njerëzimit, që shumë shpesh është anonime dhe pa zë, por që ka të stampuar fytyrën e Shpëtimtarit që kërkon ndihmën tonë.  

8. “Skamnorët do ti keni gjithmonë me vete” (Mk 14,7). Është një ftesë për të mos e humbur kurrë mundësinë që të ofrohet për të bërë mirë. Në sfond, mund të zbatojmë urdhrin e lashtë biblik: “Nëse një nga vëllezërit apo motrat tuaja … është në nevojë, mos e ngurtëso zemrën dhe mos e tkurr dorën ndaj nevojës së tyre. Përkundrazi, zgjatu dorën dhe me bujari jepu mjaftueshëm për të plotësuar nevojën e tyre…Kur u jep, jepu me bujari dhe mos e trishto zemrën. Në fakt, pikërisht për këtë, Ati, Zoti yt, do të të bekojë në çdo punë e çdo gjë ku do kesh vënë dorën. Sepse nevojtarët nuk do mungojnë kurrë në tokë” (Lp 15,7-8.10-11). Me një frymë të ngjashme, Apostulli Pal nxiti të krishterët e bashkësive të tij të vepronin në të njëjtën mënyrë “pa mërzi apo detyrim, sepse Zoti e do atë që dhuron me gëzim” (2Kor 9,7). Nuk bëhet fjalë për të qetësuar ndërgjegjen tonë duke dhënë lëmoshë, por për të kundërshtuar kulturën e indiferencës dhe padrejtësisë që kemi krijuar përkundrejt skamnorëve.

Në këtë kontekst bëjmë mirë të kujtojmë fjalët e Shën Gjon Krizostomit: “Ata që janë bujarë nuk duhet të kërkojnë llogari për sjelljen e skamnorëve, por vetëm të përmirësojnë gjendjen e tyre të skamjes dhe të plotësojnë nevojën e tyre. Skamnorët kanë vetëm një mbrojtje: skamjen e tyre dhe gjendjen e nevojës në të cilën ndodhen. Mos u kërko asgjë tjetër; por edhe në qofshin njerëzit më të egjër në botë, nëse u mungon ushqimi i domosdoshëm, le t’i çlirojmë nga uria…Mëshirëplotët janë si një port për ata në nevojë: porti pret dhe çliron nga rreziku të gjithë ata që u është mbytur anija; qofshin keqbërës, njerëz të mirë, apo çfarëdo qofshin, porti i strehon në gjirin e vet. Prandaj, edhe ju, kur shikoni në tokë një burrë apo një grua që ka vuajtur përmbytjen e varfërisë, mos i gjykoni, mos u kërkoni llogari për sjelljen e tyre, por çlirojini nga fatkeqësia e tyre”. (Nga  Fjalimet mbi Lazrin skamnor, II, 5).

9. Është vendimtare që ne të rrisim ndjeshmërinë për të kuptuar nevojat e skamnorëve, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, si dhe kushtet e tyre të jetesës. Në fakt, sot, në zonat më të zhvilluara ekonomike njerëzit janë më pak të gatshëm se në të shkuarën për tu përballur me skamjen. Gjendja e mirëqenies relative, me të cilën jemi mësuar, e bën më të vështirë të pranojmë sakrificat dhe humbjen. Njerëzit janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mos humbur frytet e fitimit të kollajtë. Si rezultat kalojnë në forma fyerjeje, nervozizmi spazmatik dhe kërkesa që çojnë në frikë, ankth dhe, në disa raste, në dhunë. Nuk është ky kriteri mbi të cilin të ndërtojmë të ardhmen tonë; vetë ato sjellje janë forma të skamjes të cilat nuk mund t’i shpërfillim. Ne duhet të jemi të hapur e të lexojmë shenjat e kohërave që na kërkojnë të gjejmë mënyra të reja për të qenë ungjillizues në botën bashkëkohore. Ndihma e menjëhershme për t’iu përgjigjur nevojave të skamnorëve nuk duhet të na pengojë për të qenë largpamës për zbatimin e shenjave të reja të dashurisë dhe bamirësisë së krishterë, si përgjigje ndaj formave të reja të skamjes që përjeton sot njerëzimi.   

Unë uroj që Dita Botërore e  të Varfërve, që tashmë përkujtohet për të pestin vit, të mund të rritet gjithnjë e më shumë në Kishat tona vendore dhe të frymëzojë një lëvizje ungjillizimi që t’i takojë skamnorët personalisht, kudo që ata të jenë. Ne nuk mund të presim që skamnorët të trokasin në derën tonë; ne në mënyrë urgjente duhet ti arrijmë në shtëpitë e tyre, në spitale dhe shtëpi përkujdesi, në rrugë dhe në qoshet e errëta ku ndonjëherë fshihen, në strehëza dhe qendra pritjeje. Është e rëndësishme të kuptojmë se si ndihen, çfarë po përjetojnë dhe çfarë dëshiron zemra e tyre. Le t’i bëjmë tonat lutjet e përzemërta të At Primo Mazzolarit: “Ju lutem të mos më pyesni nëse ka të varfër, kush janë ato dhe sa janë, sepse kam frikë që ato pyetje përbëjnë një tërheqje të vëmendjes apo një pretekst për të shmangur një thirrje të qartë për ndërgjegjet dhe zemrat tona…nuk i kam numëruar kurrë skamnorët, sepse nuk mund të numërohen: skamnorët duhen përqafuar, jo të numërohen” (“Adesso” n.7-15 prill 1949). Skamnorët janë mes nesh. Sa ungjillore do të ishte po të mund ta thoshim me gjithë vërtetësi: edhe ne jemi skamnorë, sepse vetëm kështu do të mundemi vërtetë ti njohim ata, ti bëjmë pjesë të jetës tonë dhe një mjet të shpëtimit tonë.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme