5.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësMesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve: “Drejt...
HomeJeta e KishësMesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve: “Drejt...

Mesazhi i Papa Françeskut për Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve: “Drejt një Ne-je gjithnjë e më të madhe”

Të priremi drejt “NE”-së në veprat e përditshme, na bën ta jetojmë plotësisht urdhërimin e Dashurisë, i cili na nxit ta shohim të afërmin pa e zgjedhur. Prandaj, tema e sivjetme e Ditës Botërore të Migrantit e të Refugjatit, zgjedhur nga Papa Françesku, është “Drejt një NE gjithnjë e më të madhe”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në Letrën Enciklike Vëllezër të gjithë kam shprehur një shqetësim dhe një dëshirë, që Akoma zënë një vend të rëndësishëm në zemrën time: «Të kalojmë krizën shëndetësore, reagimi më i keq do të ishte të binim akoma më shumë në një konsumizëm të vrullshëm dhe në forma të reja vet-mbrojtjeje egoiste. Dashtë Zoti që në fund të mos jenë më “të tjerët”, por vetëm një “ne”» (n. 35).

Për këtë kam vendosur që ta dedikoj mesazhin për Ditën Botërore të 107-të të Migrantëve dhe Refugjatëve me këtë temë: “Drejt një ne-je gjithnjë e më të madhe”, duke dashur kështu të tregoj një horizont të qartë për ecjen tonë të përbashkët në këtë botë.

Historia e “ne-së”

Ky horizont është i pranishëm në vetë projektin krijues të Hyjit: «Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër. Hyji i bekoi dhe u tha: “Shtohuni e shumohuni”» (Zan 1, 27-28). Hyji na ka krijuar mashkull e femër, qenie të ndryshme dhe plotësuese për të formuar së bashku një Ne të destinuar për t’u bërë gjithnjë e më e madhe me shumimin e breznive. Hyji na ka krijuar në përngjasimin e vet, në përngjasimin e Tij që është Një dhe Tre, bashkësi në ndryshim.

Kur qenia njerëzore është larguar nga Hyji, për shkak të mosbindjes, Zoti, në mëshirën e vet, ka dashur t’i afrojë një ecje pajtimi jo individëve veçmas, por një populli të tërë, një Ne-je e destinuar për të përfshirë gjithë familjen njerëzore, të gjithë popujt: «Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]» (Zb 21,3).

Historia e shpëtimit sheh një Ne në fillim e një Ne në fund, dhe në qendër misterin e Krishtit, i vdekur dhe i ngjallur «që të gjithë të jenë një» (Gjn 17,21). Por koha ku jetojmë na tregon se Ne-ja  e dashur prej Hyjit është prishur dhe copëtuar, plagosur dhe shpërfytyruar. Dhe kjo vërehet veçanërisht në momentet e krizës më të madhe, siç është tani pandemia. Nacionalizmat e mbyllur dhe agresivë (krh Vëllezër të gjithë, 11)dhe individualizmi radikal (krh. Vëllezër të gjithë, 105) copëtojnë ose ndajnë Ne-në, qoftë në botë qoftë brenda Kishës. Çmimin më të lartë e paguajnë ata që më lehtësisht bëhen “të tjerët”: të huajt, migrantët, të mënjanuarit, që banojnë në periferitë ekzistenciale.

Në të vërtetë, jemi të gjithë në të njëjtën barkë dhe jemi të thirrur të angazhohemi  që të mos jenë më mure që na ndajnë, që të mos jenë më “të tjerët”, por vetëm një “Ne” e madhe sa vetë njerëzimi. Prandaj marr shkas nga kjo Ditë Botërore për të bërë një thirrje të dyfishtë për të ecur së bashku drejt një Ne-je gjithnjë e më të madhe, duke ju drejtuar mbi të gjitha besimtarëve katolik dhe pastaj të gjithë burrave dhe grave të botës.

Një Kishë gjithnjë e më katolike

Për pjesëtarët e Kishës Katolike kjo thirrje përkthehet në një angazhim për t’i qenë më besnik të qenurit të tyre katolik, duke realizuar atë që Shën Pali i porosiste bashkësisë së Efesit: «S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka veçse një Zot, një fe, një pagëzim» (Ef 4,4-5).

Në fakt katoliciteti i Kishës, universaliteti i saj është një realitet që kërkon të pranohet dhe të jetohet në çdo epokë, sipas vullnetit dhe hirit të Zotit që na ka premtuar që do të jetë me ne gjithmonë, deri në mbarim të botës (krh Mt 28,20). Shpirti i Tij na bën të aftë që të përqafojmë të gjithë për të bërë bashkësi në ndryshueshmëri, duke harmonizuar dallimet pa imponuar asnjëherë një njëtrajtshmëri që ç’personalizon. Në takimin me ndryshueshmërinë e të huajve, të migrantëve, të refugjatëve, dhe në dialogun ndërkulturor që mund të dalë, na është dhënë mundësia që të rritemi si Kishë, të pasurohemi në mënyrë të ndërsjellët. Në fakt, çdo i pagëzuar, kudo që të ndodhet ka të drejtë të plotë për të qenë gjymtyrë e bashkësisë kishtare vendore, gjymtyrë e të vetmes Kishë, banor në të njëjtën shtëpi, pjesëtar i së njëjtës familje.

Besimtarët katolik janë të thirrur që të angazhohen, secili duke u nisur nga bashkësia ku jeton, në mënyrë që Kisha të bëhet gjithnjë më përfshirëse, duke ndjekur misionin që Jezu Krishti ua ka besuar Apostujve: «Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!» (Mt 10,7-8).

Monumenti i kushtuar migrantëve në Sheshin e Shën Pjetrin në Vatikan

Sot Kisha është e thirrur të dalë nëpër rrugët e periferisë ekzistenciale për t’u kujdesur për të plagosurit dhe të kërkojë të humburit, pa paragjykime apo frika, pa proselitizëm, por e gatshme për të zgjeruar tendën e vet për të pranuar të gjithë. Mes banorëve të periferisë do të gjejmë shumë migrantë dhe refugjatë, të larguar dhe viktima të trafikimit, të cilëve Zoti don që t’u shfaqë dashurinë e tij dhe t’u shpallet shpëtimi i tij. «Flukset migrantore bashkëkohor përbëjnë një “kufi” të ri misionar, një mundësi e privilegjuar për të shpallur Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij pa lëvizur nga vendi ynë, për të dëshmuar konkretisht fenë e krishterë në bujari dhe në respekt të thellë për besimet e tjera fetare. Takimi me migrantët dhe refugjatët e besimeve të tjera fetare është një terren i favorshëm për zhvillimin e një dialogu ekumenik dhe ndërfetar të sinqertë dhe pasurues» (Diskutimi për Drejtorët Nacional të Baritorës për Migrantët, 22.09.2017).

Një botë gjithnjë më përfshirëse

Të gjithë burrave dhe grave të botës ju bëj thirrje që të ecim së bashku drejt një ne-je gjithnjë më të madhe, për të ribashkuar familjen njerëzore, për të ndërtuar së bashku të ardhmen tonë të drejtësisë dhe të paqes, duke siguruar që askush të mos qëndrojë i përjashtuar.

E ardhmja e shoqërisë sonë është një e ardhme “me ngjyra”, e pasuruar nga ndryshueshmëria dhe marrëdhëniet ndërkulturore. Për këtë duhet të mësojmë sot që të jetojmë së bashku, në harmoni dhe në paqe. Më pëlqen shumë imazhi i njerëzve të Jeruzalemit, gjatë “pagëzimit” të Kishës në ditën e Rrëshajëve, të cilët dëgjojnë shpalljen e shpëtimit menjëherë pas zbritjes së Shpirtit Shenjt: «jemi Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenj e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”» (Vap 2,9-11).

Është ideja e Jeruzalemit të ri (krh Is 60; Zb 21,3), ku të gjithë popujt do të gjenden të bashkuar, në paqe dhe harmoni, duke kremtuar mirësinë e Hyjit dhe mrekullitë e krijimit. Por për të arritur këtë ideal duhet të angazhohemi të gjithë për të rrëzuar muret që na ndajnë dhe të ndërtojmë ura që favorizojnë kulturën e takimit, të vetëdijshëm për ndërlidhjen e thellë që ekziston mes nesh. Në këtë pikëpamje, emigrimet bashkëkohore na ofrojnë mundësinë për të kaluar frikat tona dhe të lejohemi të pasurohemi nga ndryshueshmëritë e dhuratës së secilit. Atëherë, nëse duam, mund të shndërrojmë kufijtë në vende të privilegjuara të takimit, ku mund të lulëzojë mrekullia e një Ne-je gjithnjë e më e madhe.

Të gjithë burrave dhe grave të botës ju kërkoj që të përdorim mirë dhuratat që Zoti na ka besuar për të ruajtur dhe për ta bërë akoma më të bukur krijimin e Tij. «“Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’» (Lk 19,12-13). Zoti do të na kërkojë llogari për veprimet tona! Por që t’i sigurohet kujdesi i duhur Shtëpisë sonë të përbashkët, duhet të krijojmë një Ne gjithnjë e më të madhe, gjithnjë e më të përgjegjshme, në bindjen e fortë që çdo e mirë e bërë botës i është bërë breznive të tanishme dhe atyre të ardhshme. Bëhet fjalë për një angazhim personal dhe kolektiv, që ka kujdes për të gjithë vëllezërit dhe motrat që do vazhdojnë të vuajnë ndërsa kërkojmë për të realizuar një zhvillim më të qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe përfshirës. Një angazhim që nuk bën dallime mes autoktonëve dhe të huajve, mes banorëve dhe mysafirëve, sepse bëhet fjalë për një thesar të përbashkët, ku kujdesi dhe të mirat nuk i mohohen askujt.

Ëndrra ka filluar

Profeti Joel shpallte të ardhmen mesianike si një kohë ëndrrash dhe vizionesh të frymëzuara nga Shpirti: «Do ta ndikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri e do të bëhen profetë bijtë e bijat tuaja, pleqtë tuaj ëndrra do të shohin, djelmoshat tuaj do të kenë vegime» (Jo 3,1). Jemi të thirrur për të ëndërruar së bashku. Nuk duhet të kemi frikë të ëndërrojmë dhe ta bëjmë së bashku si një bashkësi e vetme, si shokë të të njëjtit udhëtim, si bij e bija të kësaj toke që është Shtëpia jonë e përbashkët, të gjithë vëllezër e motra (krh Vëllezër të gjithë, 8).

Lutje

O Atë i shenjtë dhe i dashur,

Biri yt Jezu Krishti na ka mësuar

që në qiell ka gëzim të madh

për këdo që ishte i humbur dhe gjendet,

për këdo që ishte i përjashtuar, i refuzuar ose i poshtëruar,

dhe përfshihet në Ne-në tonë,

që bëhet gjithnjë e më e madhe.

Po të lutemi që t’u japësh të gjithë nxënësve të Jezusit,

dhe të gjithë personave vullnetmirë,

hirin për të kryer vullnetin tënd në botë.

Bekoje çdo gjest mikpritjeje dhe kujdesi

që rivendos këdo që është në mërgim

brenda Ne-së së bashkësisë dhe të Kishës,

deri sa toka jonë të mund të bëhet,

ashtu sikurse Ti e ke krijuar,

Shtëpia e përbashkët e të gjithë vëllezërve dhe motrave. Amen.

Dhënë në Romë, Shën Gjoni në Lateran, 3 maj 2021, Festa e Shenjtërve Apostuj Filip e Jakob.

Papa Françesku

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme